Shtesë » Lajme
Seksi dhe arabet
E diele, 13.11.2011, 07:35 PM
Tradhti, prostitucion, marrëdhënie rastësore, homoseksualitet... Gjithçka është e ndaluar, por ndodh rregullisht në mënyrë të fshehtë nëpër shtëpi të ndryshme. Çdo gjë e treguar hapur nga një shkrimtare guximtare
E detyruar nga i vëllai, që në kulturën arabe shpesh ka më shumë pushtet se babai, Nahla u martua me Salimin, një burrë i fiksuar pas përmasave të penisit të tij. Ai e konsideronte të shoqen si pronë të vetën, por Nahla kishte një cilësi të jashtëzakonshme: mësoi të njihte sekretet e trupit të saj të bukur. Ajo filloi të rebelohej kundër rrobave të zeza që e ëma e detyronte t’i vishte për të ndëshkuar feminilitetin e saj. Megjithatë jeta i ndryshoi, duke i vënë në rrugën e saj Hanin, një djalosh të krishterë, me të cilin fshehtas bashkëshortit nisi një histori dashurie dhe me të zbuloi pasionin. Në të njëjtën mënyrë rrjedhin edhe historitë e mikeshave të saj, pak a shumë si telefilmi “Sex and the City”, por në versionin arab. Aziza, një vajzë tjetër arabe, e masakruar nga i shoqi që e rrihte nga mëngjesi deri në darkë, u bë prostitutë për të çliruar seksualitetin e saj të shtypur; Nadine, pasi kaloi nga një burrë te tjetri, e dhunuar dhe e shfrytëzuar, dashurohet pas femrave; i njëjti fat ka ndjekur edhe doktoreshën Souad, e cila pas një martese të lodhshme, mësoi nga Nahla alfabetin e erotizmit. Këto janë jetët e treguara nga një shkrimtare libaneze, Alawiya Sobh, në romanin e saj “Emri i saj është pasioni”. Ky është një reportazh intim mbi seksualitetin në botën islamike: fiksimi i meshkujve për burrërinë, masturbimin e femrave, përhapjen e homoseksualitetit, maninë e femrave për veshjet intime, fiksimet e meshkujve për prostitutat dhe viagrën, në një kulturë ku ekzistojnë 120 emra të ndryshëm për të përcaktuar penisin, sipas karakteristikave të tij dhe punës që po kryen në një moment të caktuar. Edhe organi seksual femëror mund të përcaktohet në shumë variante, por më i zakonshmi është “ngrënës”. Ndërsa fjala “liri” në arabisht është sinonim i “prostitutës”.
Sot Alawiya Sobh jeton në Bejrut, ku drejton një revistë për femra që quhet “Snob”, e përhapur në të gjithë botën arabe. Kjo është një revistë periodike mode, me artikuj për bukurinë, kirurgjinë plastike, mondanitetin dhe vlefshmërinë praktike mbi seksin, jetën në çift, punën, të drejtat e grave, por edhe intervista me njerëz të famshëm. Duke qenë se është drejtoreshë, rroga e Sobh nuk i afrohet as minimalisht rrogës së drejtorëve meshkuj që njeh. Ajo është një grua bukuroshe 56 vjeçe, e cila është mësuar të flasë ëmbëlsisht me të gjithë, por që gjithmonë mendohet mirë para se të përgjigjet. “Emri i saj është pasioni”, është romani i saj i tretë. I konsideruar skandaloz, libri është sulmuar nga klerikët e islamit. Për këtë arsye libri është censuruar në të gjitha vendet arabe, përveç Libanit, ku nuk ekziston censura. Gjithsesi në botën islamike romani është ndër volumet më të shitura. Lexuesit që vijnë në Bejrut nga Egjipti, Siria, Jordania e blejnë pa hezituar. Makinat kalojnë kufirin e Libanit për të arritur në vendet sekrete ku shitet romani i ndaluar. E njëjta gjë që ndodhi me librin e shkrimtarit Salman Rushdie, një bestseller në botën arabe. Sobh thekson se e ka shkruar romanin për të demaskuar hipokrizitë e shoqërisë “chador”: “Gratë veshin perçen, por pastaj jetojnë si të duan. Nga frika e paragjykimit nuk përballen kurrë me shoqërinë, të thonë jemi këtu, jemi të vërteta. Ajo tregon se pas publikimit të romanit i kanë shkruar shumë lexuese. Disa prej tyre kishin zbuluar një rrugë: “Dua ta jetoj jetën si protagonistja e librit tënd. Jam dashuruar me romanin, sepse kam gjetur aty një pjesë të vetes sime, por fatkeqësisht nuk mund të shprehem”. Të tjera, besimtare fondamentaliste, e kanë sulmuar, sepse e konsiderojnë trupin e tyre pronë ekskluzive të meshkujve. Sobh shpjegon se në letërsinë arabe, kur gratë shkruajnë, ndikohen nga ideja e meshkujve për trupin femëror.
“Heroina ime, pasi e zbuloi kënaqësinë me të dashurin e saj katolik, arrin ta përcaktojë qartësisht fuqinë e dëshirës së saj”. Gjatë gjithë martesës, Nahla nuk e kishte të vështirë ta tradhtonte të shoqin me burra të tjerë, ose t’i merrte para nga portofoli, sepse e quante një të drejtë. “E gjitha kjo është diçka e zakonshme në botën islamike, pavarësisht ligjit që dënon ashpër tradhtinë bashkëshortore”, thotë Sobh. Nahla nuk e ndjek të dashurin e saj në Paris dhe qëndron me të shoqin vetëm sepse ky i fundit mund ta ketë gjykatësin në anën e tij, mund ta ndalojë përjetësisht të shohë fëmijët. Megjithatë ajo nuk e ndërpreu lidhjen jashtëmartesore, sepse nuk donte të hiqte dorë nga lumturia. Ajo nuk beson në asnjë Zot, por vetëm, ashtu si shkrimtarja Alawiya Sobh, te gjërat që dëshiron trupi i saj.
Jawad, vëllai i Nahlas, që është fanatik i seksit, e njohu kënaqësinë vetëm falë artit erotik të prostitutave. Natyrisht jo vetëm nga filmat: “Në shoqërinë tonë prostitucioni, tradhtia, homoseksualiteti, seksualiteti imoral janë krime. Por meshkujt blejnë seks nëpër apartamentet e tyre private, hotele, në shtëpitë publike”, tregon shkrimtarja. “Ekzistojnë edhe miqtë e shtratit që takohen në raste të veçanta vetëm për të bërë seks. Tradhtia është një fenomen konstant dhe numri i homoseksualëve është tepër i lartë, për shkak të mungesës së marrëdhënieve mes meshkujve dhe femrave. Përqindja e lezbikeve dhe homoseksualëve që takohen në shtëpitë private të shteteve të ndryshme është shumë herë më e lartë në krahasim me shtetet e tjera të botës, për shkak të frustrimit. Kur një kulturë e ndëshkon seksin, njerëzit gjejnë shumë mënyra të tjera për të kënaqur trupin. Në shoqërinë islamike takon persona që flasin mirë dhe vetëm për besimin, por pastaj në fshehtësi bëjnë një jetë të shthurur”. Shtypja dhe hipokrizia bëjnë gjithçka të mundur. “Tregu i kanaleve pornografike lulëzon çdo ditë dhe fëmijët, ashtu si në Perëndim, e mësojnë shumë herët seksin përmes internetit”. Shkrimtarja pohon se nëpër sallonet arabe zonjat janë shumë të trukuara. “Gruaja tradicionale myslimane e koncepton veten si një kukull. Ajo është e fiksuar pas formave të saj dhe sa më shumë besojnë, aq më shumë i përdorin veshjet e kushtueshme intime poshtë “chador”-it, sepse e konsiderojnë trupin një mjet për të lidhur pas vetes meshkujt”.
Përveç grupit të shoqeve të Nahlas, që i hapen njëra-tjetrës siç bëjnë vajzat perëndimore në një kafene, në roman gratë (e sidomos mamatë) janë armiket më të mëdha të femrave të tjera. “Kjo gjë ndodh sepse në shoqërinë tonë femrat mendojnë se detyra e tyre e vetme është të bëjnë të lumtur burrat. Nuk janë të vetëdijshme se ekzistojnë edhe ato në këtë botë. E konsiderojnë veten pronë, kur bashkëshortët dhe vëllezërit kanë të drejtë të bëjnë ç’të duan me to. Vetëm femrat që e shohin veten si persona të vërtetë, arrijnë t’i bëjnë ballë shoqërisë”.
Sipas shkrimtares, kur të bien diktatorët arabë, partitë islamike dhe lëvizjet për të drejtat e njeriut do të ballafaqohen me njëra-tjetrën. Deri më tani në revolucionet e “pranverës arabe” gratë nuk kanë qenë të pranishme. “Tani e kanë një mundësi, por duhet të paguajnë çmimin. Asnjë burrë nuk të jep kurrë asgjë, duhet të luftosh dhe ta marrësh, përndryshe mbetesh aty ku je. Megjithatë, fillimisht duhet të kalojmë urrejtjen e myslimaneve ekstremiste, të bindura për detyrimet ndaj vëllezërve dhe bashkëshortëve. Fondamentalistet dhe vajzat e reja duhet të marrin shembull nga perëndimoret që i konsiderojnë burrat shokë”, shpreson Sobh.
Në librin e saj, shkrimtarja thyen një tabu tjetër: përshkruan kënaqësinë fizike të bërjes nënë dhe ushqyerjes së foshnjës me gji. “Në kulturën myslimane gratë nuk tregojnë kurrë se çfarë ndodh me një lindje, sepse trupi i tyre ndryshon dhe nuk u pëlqen më meshkujve. Megjithatë këtë nuk e bëjnë se nuk duan, por sepse u vjen zor. Në revistën time kam pyetur 200 nëna sesi ndiheshin kur ushqenin foshnjat me gji. Asnjëra nuk dinte si të ma tregonte, sepse në shtëpi nuk i kishin pyetur asnjëherë dhe kryesorja burrat nuk interesohen për argumentin në fjalë”.
Gjithashtu Alawiya tregon në librin e saj fiksimin e meshkujve për burrërinë e tyre: “E vetmja gjë që duan nga gratë është seksi. Nëse natën e parë të martesës nusja refuzon, babai i djalit futet në shtratin martesor për të marrë hakun e të birit për refuzimin”. Për këtë gjë shkrimtarja mendon se meshkujt arabë janë shumë të dobët. “Nëse nuk do të ishin, nuk do të tregoheshin kaq të dhunshëm dhe agresivë me motrat dhe gratë. Mashkulli i shtypur dhe i frustruar i shtyp gratë më shumë se ai i fuqishëm dhe i pasur. Të dominuar nga diktatorët, për t’u ndier meshkuj, kanë nevojë të mbysin gratë dhe motrat”.
Sobh shpreson që një ditë edhe femrat të ndihen të realizuara dhe të lumtura në botën islame. Por është e bindur se, nëse kjo ditë do të vijë, do të jetë një lumturi individuale, jo kolektive. “Edhe sot mund të takohen gra shumë të lira, që vishen në mënyrë provokuese dhe shkojnë nëpër klubet e natës. Por liria nuk është vetëm të dalësh me gjoksin zbuluar, por të zgjedhësh mënyrën se si të jetosh ëndrrat, të jesh një qytetare dhe jo një skllave. Vetëm me vetëdijen se çdo të thotë të jesh e lirë edhe këtu, femrat arabe mund ta përballojnë shoqërinë. Unë besoj në fuqinë e letërsisë, sepse ajo ndikon në jetën e gjithsecilit prej nesh. Kur lexon, ndryshon. Je një person tjetër para se të lexosh dhe një tjetër pasi lexon një libër. Vetëm kur të shprehemi lirshëm për veten, kemi ndryshuar”.