Shtesë » Lajme
Selatin Kaçaniku: Filluan ''aksionet'' mashtruese të fundvitit
E diele, 20.11.2011, 07:58 PM
FILLUAN “AKSIONET “ MASHTRUESE TË FUNDVITIT.
Këto ditë bizneset prodhuese, tregtare, shërbyese po i ofrojnë konsumatorit “ të gjitha të mirat e Zotit “ me çmime të ulura – në kuadrin e fushatës / aksionit, tani më tradicional, “ BLEJ NJË – TJETRËN MERRE GRATIS “. Kjo fushatë, në të shumtën e rasteve zhvillohet në bashkveprim mes prodhuesve dhe përfaqësuesve tregtar ose distribiutorëve të tyre për gjashtë efekte kryesore:
1. Lirimin e stoqeve;
2. “ Bashkpunimin ose përafrimin “ me konsumatorin;
3. Realizimin e planeve vjetore ( nëse ato kanë regjistruar ngecje );
4. Garën e paskrupullt me konkurrencën për tregun dhe konsumatorin dhe shfrytëzimin e rastit për pozicionim ose ripozicionim më të forte karshi konkurrencës;
5. Reklamimin me kosto të ulët e për përfitime më të larta;
6. Shfaqjen e prezantimin para opinionit si dhures, si falës e i kujdesëshëm ndaj konsumatorit ?!
Në pamundësi të mekanizmave mbikqyrës e inspektues të Shtetit e të Komunës për ta mbikqyrur gjithë tregun, siq po shihet, disa nga tregtarët na shesin “ dushk për gogla “ ?! Për ta ilustruar çështjen po e jap një shembull: Në një hypermarket i cili në fushatën e FUNDVITIT i ofron konsumatorit shansin që për një artikull të blerë një tjetër “ ta fitojë falë (sicc?!) “ konsumatori “ gjeti “ lëngun e prishur dylitërsh të një prodhuesi prestigjioz nga Europa ?! Përkundër faktit se produktit nuk i kishte skaduar afati, me gjasë kushtet jostandarde të magazinimit dhe të kujdesit të pamjaftuar të trajtimit, kishin ndikuar që lëngu nga Europa të prishej para afatit. Është bërë e zakonshme që këto prodhime, me afat skadence edhe 2-3 muaj të shfrytëzohen për këto raste “ aksionesh “ për t i larguar ose hequr qafe nga stoqet dhe viktimë e tyre të jenë konsumatorët, e kjo në veçanti ndodhë edhe te korporatat e forta që veprojnë mbi bazë kartelesh ?! E realizimi me çdo kusht i planeve të projektuara vjetore, shmangëja me çdo kusht nga humbjet dhe “ interesi “ që me çdo kusht të krijohet imazh sa më i mire te konsumatori bëjnë që prodhuesi e tregtari, në një valle, “ të bëhen horë “ para konsumatorit: GËZUAR FESTAT E FUNDVITIT ME PRODHIME E MALLRA TË PASIGURTË ?!
Një formë tjetër e ” zhvatjes “ na ofrohet nga operatori i telefonisë mobile: Në fundvit, kur rezervat finansiare individuale e familjare janë duke perenduar ja edhe një grishje, një vardisje për “ thithje “ parash: BLEJ 60 € E FITO EDHE 60 € GRATIS ?! Shpenzo 60€ pa nevojë për t i fituar 60 € tjera – pa nevojë ?!
Psikologjia e konsumatorit është studiuar mire dhe po manipulohet me të me sukses. E konsumatori “ i ri “, jo edhe aq i shkathtë për t i identifikuar e për t ju kundërvënë këtyre manipulimeve me karakterin psikologjik të tij ( të konsumatorit ) – nuk mund dhe nuk di t i kundërvihet ?!
Këtyre marifeteve i “ shtojnë hijeshi “ edhe çmimet në zbritje deri në 70 % ?! Asnjë logjikë asnjë matematikë, asnjë interes tregu nuk mundet ta përceptojë logjikën se një malli, me kalkulime standarde të çmimit, me të gjitha inputet në të, mund t i ulet çmimi për 70 % ?! Është edhe më i çuditshëm fakti se asnjë trajtë e inspektorave nuk grishet nga ky fakt, nuk meson nga ai, dhe nuk “ inspirohet “ ashtu si e mësojnë dhe e obligojnë detyrimet zyrtare e profesionale për ta hetuar rastin ?!
Çudia edhe më e madhe mund të merret nga inspeksioni dhe Komisioni i Konkurrencës të cilët rastet si këto nuk i marrin edhe si konkurrencë jolojale, si shmangëje nga tatimi dhe obligimet tjera ndaj Shtetit. I çuditshëm është poashtu edhe mostrajtimi i këtyre reklamave, i këtyre informatave, paralajmërimeve si veprime mashtruese ndaj konsumatorit ?! Edhe një ndërhyrje e tillë te të drejtat, intereset dhe dinjiteti i konsumatorit, ndërhyrje te xhepi i konsumatorit mund dhe duhet të trajtohet, të paktën si, tentim vjedhjeje ?!
Është bërë traditë që në Kosovë, rreth festave, konsumatori të rrezikoihet tej mase, t i atakohen të drejtat, intereset dhe dinjiteti…të vidhet, të maltretohet e të diskriminohet. Deri kur ma ?!
Se kush e çfarë jemi dhe se si duhet të jemi më së miri mund ta kuptojmë nga mënyra e trajtimit të konsumatorit në vendet demokratike, atje ku synojmë të integrohemi: Atje konsumatori për festa trajtohet e respektohet denjësisht – sepse festa është e përbashkët, sepse konsumatori i rregulltë këtë e meriton, sepse prodhuesi, tregtari e shërbyesi i ngritur e dëshmon vehten me llojin dhe nivelin e rrespektit me të cilin e trajton konsumatorin ?!
Edhe Shteti me institucionet dhe mekanzimat që i ka në disponim me vendosëmërinë maksimale zbaton Ligjin…dhe mbronë të drejtat, intereset dhe dinjitetin e konsumatorit taksapagues dhe gjenerues kryesor të Buxhetit të Kosovës – të paktën për festa ?!
Kjo e fundit edhe mua po më tingëllon si përrallë: KOSOVA – NJË BOTË E ÇUDIRAVE ?!
18.11.2011.
Selatin Kaçaniku, dhe
KONSUMATORI, Prishtinë, Kosovë,
ok.kosova@gmail.com,
044/200-458