E premte, 26.04.2024, 04:32 PM (GMT+1)

Mendime

M. Sinemati: Ekstremistë me mjekra të gjata dhe pantallona të shkurtra!

E marte, 08.11.2011, 08:59 PM


Ekstremistë me mjekra të gjata dhe pantallona të shkurtra!

 

Të premten e kaluar (28 tetor), në Sarajevë, pas më shumë se 15 vitesh, jehuan përsëri plumbat që dolën nga kallashnikovi famëmadh, por kësaj here nga arma e mbajtur nga vehabisti Mevlid Jashareviçi, që si objektiv kishte ndërtesën e ambasadës amerikane në kryeqytetin boshnjak, duke i aktivizuar përsëri teoritë për rrezikun e madh që përbën interpretimi ekstremist i Islamit, para së gjithash nga ata lloj islamikësh që dallohen nga mjekrat e tyre të gjata dhe pantallona të shkurtra, që janë karakteristikat tipike dalluese të atyre islamikëve që quhen vehabistë, të cilët, nga ana e tyre, e kanë marrë këtë emër nga fjala “vehabizëm”. Sa për një sqarim të shkurtër, vehabistët, të cilëve në fakt nuk u pëlqen që të quhen kështu, sepse e konsiderojnë fyes këtë emërtim, pranojnë vetëm atë lloj jete fetare që ka ekzistuar gjatë tri dekadave të para pas profetit Muhamed. Gjithçka tjetër, jashtë këtij burimi islamik, ata e refuzojnë me forcë. Ata, sikurse konsiderojnë politologët specialistë të kësaj çështjeje, janë njëlloj globalistësh myslimanë, për të cilët nuk ekzistojnë kategori të tilla si demokracia, kapitalizmi, socializmi, partia, zgjedhjet, kombi, shteti, ideologjia, kartat e identitetit, etj. Myslimani, sipas tyre (vehabistëve), duhet të bëjë vetëm dy gjëra: të propagandojë e të përhapë besimin e tyre fetar përmes një veprimtarie misionare dhe të zhvillojë Xhihadin (lufta e shenjtë shpirtërore, mendore deri edhe tek ajo fizike në përpjekjet për të mbrojtur dhe për të praktikuar pa asnjë pengesë Islamin). Ata janë kundër përmendjes së njeriut gjatë faljes, sepse myslimani mund t’i falet vetëm Allahut, kundër muzikës, mauzoleumeve, varreve të shenjtë dhe kundër Mevludit (festimi i ditës, kur ka lindur i dërguari i fundit i Allahut, profeti Muhamed).  Analistët dallojnë katër fraksione që luftojnë për pushtet suprem brenda lëvizjes vehabiste që u krijua mbi bazën e mësimeve dhe të veprimtarisë së sheikut reformator Muhamed bin Abdyl-Vehaba (1703-1787). Fraksioni më i fuqishëm është ai konservator tradicional, përfaqësuesit e të cilit janë militantë të zjarrtë salafi, sikurse ka qenë i tillë Osama bin Laden, që janë gati që vlerat e Islamit t’i përhapin me zjarr dhe shpatë, pra me luftë. Sipas teologut të njohur islamik, Muhamed Jushiç, gjithashtu gazetar dhe publicist, forma më ekstremiste e ideologjisë vehabiste u zhvillua nën ndikimin e lëvizjeve islamike militante me origjinë nga Egjipti që, në kampet dhe fushëbetejat e Afganistanit, kombinuan stërvitjen luftarake me idetë fetare salafiste konservatore që shpallnin qafirë të pafe të gjithë ata që nuk përqafonin idetë e tyre. Pas 11 shtatorit 2001, këta lloj militantësh fetarë me mbështetjen e pandërgjegjshme të mediumeve globale u bënë eksponentët e vetëm të militarizmit islamik dhe shumë shpejt e zhvendosën plotësisht idenë e muxhahedinëve që zhvillonin një luftë legjitime Xhidad pa asnjë prirje drejt terrorizmit dhe të cilët deri atëherë konsideroheshin vetëm luftëtarë të lirisë. Simbol i këtyre militantëve fetarë militarë ekstremistë u bë organizata famëkeqe Al Kaida.

 

Ekzistojnë vlerësime mjaft kontradiktore dhe të ndryshme se sa vehabistë ka tani në Ballkan, sidomos në Bosnjë e Hercegovinë (B-H). Sipas medies boshnjake, sot në B-H jetojnë rreth dy milionë myslimanë, midis të cilëve, sikurse thuhet, ka afro 400 000 vehabistë, rreth 10 për qind të të cilëve paguhen që të jenë të tillë dhe afro 4000 prej tyre janë gati që të kryejnë akte vetëvrasëse ose ndonjë akt tjetër terrorist! Drejtori i Agjencisë zë Zbulimit dhe të Sigurimit (OSA) të Bosnjë e Hercegovinës (B-H), Almir Dzhuvoje, të cilit i referohet media boshnjake, konsideron se në B-H ka rreth 3000 terroristë potencialë, jashtëzakonisht të stërvitur dhe të pajisur, nga të cilët vetëm tre ose katër për qind janë të huaj. Ndaj publikimit të kësaj shifre alarmante nga një zyrtar i lartë shtetëror reagoi ashpër bashkësia islamike e B-H-së, kreu i së cilës, Reis-l-ulema Mustafa ef. Ceriç, kërkoi publikimin e emrave të terroristëve eventualë. Agjencia për Hetimet dhe Mbrojtjen (SIPA), nga ana e saj, vë në dukje se militantët vehabistë janë të armatosur, janë mësuar t’i përdorin mjaft mirë armët, eksplozivet dhe kompjuterët, madje gjithnjë e më shumë po merren edhe me tregtinë e drogës. Në B-H, në fakt, sikurse vë në dukje media boshnjake, gjithnjë e më shumë po rriten kërkesat që bashkësia islame e këtij vendi të mbajë një qëndrim të qartë dhe të ashpër ndaj vehabistëve. Akademiku Reshid Hafizoviç, që është një autoritet i lartë për Islamin dhe Akaidën (doktrina islamike), profesor në Fakultetin e Shkencave Islamike të Sarajevës, qysh para pesë vitesh publikoi një apel dramatik në gazetën e përditshme sarajevase “Osllobogjenje” me titullin “Ata vijnë të na marrin fëmijët tanë!”. E keqja më e madhe e vehabistëve, sikurse thekson media boshnjake, është se ata duan që e gjithë shoqëria të sillet sipas kritereve të tyre. “Policia e Sheriatit” e tyre jo rrallë herë sulmon çiftet e të dashuruarve në parqe, parking, piknike dhe në vende të tjera, sidomos kur është errësirë, për “moral të papastër”. Vitin e kaluar, policia për pak sa nuk e zbrazi stadiumin “Koshevo” , që ishte mbushur me rreth 70 000 veta për të parë koncertin e këngëtarit të njohur serb, Zdravko Çoliç, pas një telefonate kërcënuese për vendosje bombe. Kur policia e arrestoi telefonuesin që doli se ishte vehabist, ai tha se me siguri do ta kishte vendosur bombën po ta kishte pasur! Në kontekstin e incidentit të armatosur para ambasadës së SHBA-së në Sarajevë tingëllojnë mjaft profetike fjalët që ka thënë qysh para 10 vitesh politologu i njohur boshnjak, Jasmin Merdan, botues i një libri kushtuar vehabizmit: “Vehabizmi është një plagë kanceroze, të cilën vetëm vetë myslimanët mund ta shërojnë. Ai është sekti më i rrezikshëm që ka ekzistuar ndonjëherë nën veshjen e Islamit. Konsideroj se nuk duhet të presim që të shpërthejë ndonjë bombë para ambasadave amerikane ose britanike që ta kuptojmë sesa të këqija mund t’i shkaktojnë anëtarët e këtij sekti myslimanëve të këtushëm”

 

 



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora