E premte, 26.04.2024, 04:36 AM (GMT+1)

Mendime

Panorama: Gënjeshtari duhet të ketë memorie të fortë

E shtune, 10.09.2011, 02:56 PM


Gënjeshtari duhet të ketë memorie të fortë

 

Editorial nga Panorama

 

Edhe pas daljes publike në televizione me fotografi në dorë, sërish ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, nuk ka gjetur dot një përgjigje për aferën e monopolit të internetit të urdhëruar nga ai. Dy ditë pasi gazeta publikoi dokumentet skandaloze, që i jepnin të drejtën ekskluzive 40-vjeçare një subjekti, vetëm me firmën e Olldashit, ministri nuk gjeti asnjë përgjigje për arsyet që e detyruan atë të firmoste një urdhër të tillë. Ai e shfrytëzoi dje sallën e konferencave me logon e Ministrisë së Transporteve, jo për t’ju përgjigjur pyetjeve të botuara nga gazeta. Ai nuk tha dot dje se përse i anuloi katër kontratat e miratuara nga Drejtoria e Rrugëve për shtrimin e fibrave optike nga katër subjekte të ndryshme për mungesë konkurrence, dhe urdhëroi me firmën e tij miratimin e një kontrate me vetëm një kompani, pa shpallur garë. Ai nuk mundi dot të tregojë arsyen e vërtetë se përse një firme i jepet e drejta ekskluzive, duke penguar me urdhër për 40 vite edhe kompanitë shtetërore të kryejnë një aktivitet të tillë. Ai nuk mundi dot të shpjegonte se përse një aktivitet i tillë, që vetëm 4% e xhiros i kushton 2 milionë euro, nuk mund të jepej me konkurrim, por duhet të zgjidhej me vetëm urdhrin e Olldashit. Ai nuk u përgjigj dot se përse një ministër i shtetit shqiptar duhet të firmosë një urdhër që i jep të drejtën firmës monopol që pas 40 vitesh përdorimi të rrugëve kombëtare, mund ta shkatërrojë investimin dhe jo t’ia japë shtetit shqiptar. Çfarë mund ta detyrojë një ministër të firmosë një urdhër të tillë, që kalon cdo fantazi dashakeqe? Ministri heshti, si guri, për arsyet e urdhrit të tij. Më keq akoma, u përpoq që të krijojë alibi jo për veprimet e tij, por për arsyet e sulmit të gazetës.

Olldashi kërkoi ta shmangë skandalin e tij, duke krijuar një lloj rrëmuje dhe përbaltur për pak orë botuesin e gazetës. Ministri nuk e hodhi poshtë aferën për të cilën e akuzon gazeta, por doli në televizor dhe tregoi se sulmi ka ardhur pas kontrollit që Inspektorati i Ndërtimit ka bërë në një objekt, që ndërtohet nga një prej kompanive të botuesit të “Panorama”. “E ritheksoj, kontrolli rutinë u bë më datë 5 shtator. Menjëherë të nesërmen dhe në vijim, nga gazeta në posedim  të z.Hysenbelliu ka nisur një fushatë denigrimi, shpifjesh, të pavërtetash kundër ministrit të Punëve Publike, personalisht kundër Sokol Olldashit”. Por, zoti Ministër, ju duhet ta dini, se gënjeshtari duhet të ketë memorie të fortë, në të kundërt zbulohet shpejt. Urdhri i kryeinspektorit Gëzim Dauti shpjegon qartë se data e kontrollit është 6 shtator deri më 15 shtator. Pra, ju jo vetëm që nuk u përgjigjët për aferën e internetit, por përdorët ambientet e Ministrisë së Transporteve për një fushatë denigrimi, shpifjesh, të pavërtetash, kundër pronarit të gazetës. Zoti Ministër, ju thatë se ndërtimi i kryer nga kompania e botuesit të gazetës “Panorama”, në komunën Dajt është “në kushte tërësisht të paligjshme”. Kompania dje tregoi lejen e ndërtimit, lejen e sheshit, dhe të gjitha lejet e tjera që duhen për ndërtimin e një objekti, të firmosura dhe vulosura nga komuna Dajt. Sërish ju, zoti ministër, jo vetëm që nuk u përgjigjët për aferën e internetit, por përdorët ambientet e Ministrisë së Transporteve për një fushatë “denigrimi, shpifjesh, të pavërtetash”, kundër pronarit të gazetës. Ju u ankuat dje se publikimi i aferës së internetit i “ngjan më shumë një shantazhi”, por fakti që ishte institucioni që ju drejtoni, i cili ditën që gazeta botoi aferën me firmën tuaj, dërgoi kontrollin në investimin e botuesit të gazetës, tregon të kundërtën. Tregon qartë se ju jo vetëm nuk i përgjigjeni akuzave të ngritura me dokumente nga gazeta, por përdorni institucionin tuaj për të “denigruar, shpifur dhe shantazhuar” botuesin e gazetës. Kjo është zgjedhja juaj. Detyra juaj është që të gjitha institucionet që ju drejtoni të bëjnë punën e tyre dhe duhet ta bëjnë atë. Detyra e gazetës është t’i shërbejë informimit të publikut. “Panorama” ka dy ditë që ju akuzon për një urdhër tuajin. Ju nuk pranuat dje pyetje nga gazetarët për aferën, edhe pse vetëm pak ditë më parë, më datë tre shtator, kishit deklaruar solemnisht se ishit i gatshëm të ballafaqoheshit “me të gjitha të vërtetat dhe në qoftë se cilido shqiptar, ndërkombëtar, alien arrin të vërtetojë qoftë edhe një grimcë të vetme fajësie, për çdo shkelje ligji të çfarëdo lloji, pra në qoftë se më provon një grimcë të vetme fajësie, unë jam i gatshëm të mbaj të gjitha përgjegjësitë e mia ligjore, politike, qytetare”. Zoti Olldashi, gazeta më e madhe në vend ka dy ditë që ju akuzon se ke lidhur një kontratë, e cila favorizon dhe krijon monopol në përdorimin e rrugëve kombëtare për shtrimin e fibrave optike. Dhe kjo nuk është akuzë e ndonjë alieni, është e prekshme, e firmosur nga vetë ju. Gazeta nuk kërkon nga ju të mbani përgjegjësi ligjore, ajo është detyrë e prokurorisë dhe e gjykatave, as përgjegjësi politike, ajo është detyrë dhe zgjedhje e partisë suaj, as përgjegjësi qytetare, ajo është pjesë e karakterit tuaj, ne kërkojmë një përgjigje nga ju si ministër i Transporteve. Pse zoti Olldashi, krijove monopol në përdorimin e rrugëve kombëtare për shtrimin e fibrave optike? Pyetja është e thjeshtë dhe përgjigjja do të ishte fare e thjeshtë, në rast se personi që i drejtohej kjo pyetje do të ishte i sinqertë, ligjërisht, politikisht dhe qytetarisht për veprimet e veta.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora