Mendime
Augustin Palokaj: Feja si platformë politike në Kosovë
E merkure, 07.09.2011, 05:33 PM
Feja si platformë politike në Kosovë
Nga Augustin Palokaj
Nuk është problem fakti se sot në Kosovë debatohet për fe më shumë sesa për gjithçka tjetër, por është problem pse nuk ka as minimum kulture të debatit dhe ai ka degjeneruar në fyerje, nxitje paragjykimesh, nxitje urrejtjesh dhe kërcënime të hapëta. Feja padyshim është bërë platformë politike dhe koalicioni aktual qeverisës i Kosovës është dëshmi e këtij fakti
Nuk ka temë e cila nxit më shumë kureshtje të lexuesve në Kosovë sesa ato që lidhem me fenë. Vetëm shikoni ueb faqet e mediave në Kosovë dhe krahasoni numrin e lexuesve dhe komentuesve. As kallja e kufirit në veri, as papunësia më e madhe në Evropë, as sporti e madje as kabllot e ambasadorëve amerikanë nuk zgjojnë as përafërsisht interesim te qytetarët e Kosovës sesa temat e lidhura me fenë. Edhe në bisedat private në Kosovë pak minuta kalojnë pa ardhur deri te tema e fesë. Pse ndodh kështu, nuk mund ta konstatoj dikush në mënyrë paushall.
Por një gjë duhet të merret parasysh. Kosovarët, bazuar në një anketë nga Gallup Europe vitin e shkuar, kanë dalë të jenë qytetarët më religjiozë në Ballkan. Në pyetjen se „a ka ndikim feja në jetën tuaj të përditshme“ rreth 90 % të kosovarëve janë përgjigjur pozitivisht. Me të njëjtën anketë qytetarët më joreligjiozë kanë dalë të jenë ata të Shqipërisë dhe të Kroacisë. Ndonëse në Kosovë shpesh dëgjohet pohimi se „feja nuk ka rëndësi“ dhe se „kombi është mbi të gjitha“ një konstatim i tillë është vështirë për t’u konfirmuar dhe kohëve të fundit është duke u sfiduar. Me motive fetare sot në Kosovë sulmohen edhe figurat më të rëndësishme të historisë kombëtare.
Nuk është problem fakti se sot në Kosovë debatohet për fe më shumë sesa për gjithçka tjetër, por është problem pse nuk ka as minimum kulture të debatit dhe ai ka degjeneruar në fyerje, nxitje paragjykimesh, nxitje urrejtjesh dhe kërcënime të hapëta. Kërcënohen deputetët e Kuvendit, gazetat shpallen „haram“, fyhen figurat e rëndësishme kombëtare dhe bëhen kërcënime ndër më ekstremet. Nga ana tjetër nga ofendimet dhe paragjykimet nuk përmbahen as kundërshtarët e platformës fetare. Feja padyshim është bërë platformë politike dhe koalicioni aktual qeverisës i Kosovës është dëshmi e këtij fakti.
Sipas mediave perëndimore dhe shërbimeve diplomatike, Behxhet Pacolli përmendet si ndër të parët që në Kosovë theu tabunë dhe filloi fushatën politike ta lidhë me elemente fetare që në vitin 2007. Tash ai është në koalicion me Partinë e Drejtësisë të Ferid Aganit, e cila ka platformë fetare në veprimin e saj politik. Këtij koalicioni ndoshta përdorimi i fesë për qëllime politike edhe u ka ndihmuar, sepse e kanë kaluar pragun dhe janë jo vetëm në Kuvend, por edhe në Qeveri. Duke qenë në Qeveri, ky koalicion ka arritur të punësojë shumë veprimtarë dhe mbështetës të tyre në strukturat e pushtetit, në mënyrë disproporcionale me përqindjen e votave të fituara në zgjedhje dhe me numrin e vendeve në Kuvend. Kjo qasje e AKR-së dhe KKR-së si koalicion është politikisht legjitime. A i bën dëm apo dobi Kosovës një qasje e tillë është një temë tjetër, për të cilën nuk mendojnë ata që kanë qëllimin vetëm për të siguruar votat. Kështu pra feja si platformë politike është pjesë edhe e koalicionit qeverisës. Prandaj është e çuditshme pse në gjithë këtë debat për mësimin e fesë në shkolla dhe për të drejtën e bartjes së shamive nuk është prononcuar kryeministri Hashim Thaçi, ndonëse emri i tij është përfolur publikisht se ai ka premtuar se do të merret vendim pozitiv për këto kërkesa si kusht për lidhje të koalicionit. Nuk do të ishte hera e parë, e për fat të keq as nuk do të jetë hera e fundit, që premtimet parazgjedhore dhe premtimet e dhëna gjatë formimit të koalicioneve të mos mbahen. Por kur platforma fetare në politikë ka filluar të shqetësojë edhe bashkësinë ndërkombëtare dhe të shihet si kërcënim serioz i sigurisë në Kosovë, atëherë as kryeministri e as presidentja nuk mund ta injorojnë këtë.
Kosova ka pasur një histori të tolerancës fetare me shekuj. Kjo ka qenë sidomos e saktë për raportet mes qytetarëve të feve të ndryshme që i përkasin të njëjtit komb. Në fakt shqiptarët vazhdojnë të jenë kombi i vetëm në Ballkan që ka tri konfesione (shumicën myslimane, pakicën katolike dhe ortodoksët). Por kjo tolerancë më shumë ka qenë një mobilizim etnik „të gjithë jemi shqiptarë“ sesa tolerancë e vërtetë ndaj fesë tjetër. Elementi i fortë etnik në identitetin e shqiptarëve të Kosovës edhe nga diplomatë të huaj është përmendur si një lloj mburoje nga ndikimet e rrymave ekstreme fetare. Shpesh është thënë se, për dallim nga Bosnja, në Kosovë elementët radikalë islamë nga Lindja e mesme nuk po arrijnë të depërtojnë. Por kjo, sipas të njëjtave burime, tash ka filluar të ndryshojë me shpejtësi e që është shqetësuese.
Debatit të sotëm në Kosovë nuk duhet dhënë ndonjë karakter të një rivaliteti fetar. Nëse i lëmë anash serbët e Kosovës, të cilët nuk përfshihen në debat apo kanë mbështetur kërkesat e atyre që kërkojnë të drejtën e bartjeve të shamive në shkolla dhe mësimin e fesë, atëherë duhet thënë se në Kosovë ka aq pak të krishterë, saqë nuk mund të jenë ndonjë faktor i rëndësishëm. Në Kosovë përqindja e katolikëve është më e vogël se në shumë vende arabe. Prandaj është një mit i krijuar me qëllim i kinse rrezikut që njëra fe paraqet për tjetrën. Kjo ka rezultuar në debat ku tashmë përdoren terme si „ne“ dhe „ata“. Në kërkesat për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë është përdorur ky element. Përshtypja e krijuar është se ndërtimi i një xhamie kërkohet për shkak se është ndërtuar një Katedrale katolike. Pra përdoret elementi i „rivalitetit“ që është krejtësisht i panevojshëm. Ndërtimi i xhamisë është kërkesë legjitime, por ndërtimi i saj vetëm është ndërtuar një katedrale nuk është shenjë e tolerancës ndërfetare. Sa bukur do të tingëllonte sikur në kërkesat për ndërtimin e xhamisë afër Katedrales të thuhej se „duam që xhamia të jetë afër Katedrales që në atë mënyrë të reflektohet toleranca shekullore ndërfetare në Kosovë“ e jo „Pse Katedralja bën e Xhamia jo“.
Prandaj kur flitet për përdorimin e fesë si platformë politike në Kosovë kryesisht mendohet për islamin, sepse në politikë janë votat qëllimi, e votat i kanë shumica e madhe e atyre që i përkasin besimit islam ndonëse ata votojnë si qytetarë e jo si besimtarë. Këtu mund të shihet edhe shtytja e disa politikanëve që të përdorin fenë për përfitime politike dhe heshtja e shumë prej tyre nga frika se mos do të humbin ndonjë votë. Kur situata është e tillë atëherë kjo quhet si mungesë e lidershipit dhe vizionit të vërtetë.
Si rrjedhojë debati për të ardhmen e fesë në Kosovë në fakt është debat ndërmjet vetë myslimanëve. Islami në Kosovë ka qenë tolerant dhe i është përshtatur traditës. Ka qenë një islam evropian ndoshta si rrjedhojë e faktit se është përhapur nga okupatori turk (apo çlirimtarët turk-nëse dikush do ta shohë Perandorinë Osmane si të tillë). Kështu shqiptarët deri sot janë të njohur si popull me shumicë myslimane, por me orientim të qartë europerëndimor. Tash kjo mënyrë tradicionale është duke u sfiduar në Kosovë nga elementet më ekstreme. Politikanët të cilët përdorin fenë në platformën e tyre politike nuk janë distancuar asnjëherë nga ata të cilët përdorin gjuhën e urrejtjes. E ardhmja e Kosovës do të varet jo nga ajo se sa do të ketë myslimanë në Kosovë, por çfarë orientimi do ta kenë ata. Fetarët e vërtetë nuk janë asnjëherë problem, sepse toleranca është edhe vlerë fetare për ta. Problem janë ata të cilët nxisin urrejtje dhe kërcënojnë e të tillë në Kosovë janë duke u shfaqur gjithnjë e më shumë. Dikush do të thoshte se ata janë pakicë. Kjo me siguri edhe është e vërtetë. Por, siç thotë një fjalë „ të këqijat nuk ndodhin vetëm për shkak të veprimeve të pakicës, por edhe për shkak të heshtjes së shumicës“.