E premte, 26.04.2024, 09:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Shqipëria, Kosova dhe gjuha shqipe në botimet enciklopedike

E marte, 21.06.2011, 07:59 PM


SHQIPËRIA, KOSOVA DHE GJUHA SHQIPE NË BOTIMET ENCIKLOPEDIKE

 

(Pjesë nga një studim më i gjatë)

 

Nga Begzad Baliu

 

Hyrje

 

Vitet e fundit është diskutuar mjaft shumë lidhur me paraqitjen e shqiptarëve dhe historisë, gjuhës e kulturës së tyre në Enciklopedinë maqedonase. Por, a është kjo vepra e vetme ku shqiptarët dhe kultura e tyre paraqiten në mënyrë të pakënaqshme. Kjo është arsyeja pse vitet e fundit kemi gjurmuar në disa vëllime enciklopedike të gjuhës, historisë, kulturës dhe traditës, të botuara kryesisht në Europë dhe në Amerikë, ku shqiptarët, për fat të keq, kryesisht me fajin e tyre, përfaqësohen pa ato konditat elementare të një populli të lashtë dhe pa atë pasuri materiale e shpirtërore që kanë trashëguar deri në kohën tonë.

 

Dy vjet më parë në Shkup u botua Enciklopedia maqedonase, kundër së cilës reaguan shumë individë, shoqata dhe organizata të tjera joqeveritare, institucione kulturore, arsimore e shkencore kombëtare e ndërkombëtare, institucione qeveritare e diplomatë shqiptarë në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, si dhe diplomatë perëndimorë, kryesisht amerikanë dhe anglezë, për shkak të deformimeve të të vërtetave politike, ushtarake e diplomatike.

Në të vërtetë mënyra se si u organizua reagimi kundër Enciklopedisë maqedonase tregoi gjithë amullinë tonë, gjithë mosorganizimin tonë institucional kulturorë, arsimorë e shkencorë, për t’iu dhënë përgjigje veprave shkencore e enciklopedike, të cilat më parë se sa pretendime individuale e institucionale kanë përmbajtje intelektuale, akademike, kombëtare e shtetërore të fqinjit tonë të parë. Pas reagimeve ‘kryesisht për shtyp’ të institucioneve tona akademike, u desh të merrte iniciativën një Organizatë Joqeveritare, për të mbledhur një grup studiuesish të vullnetit të mirë, që t’i jepte përgjigje kësaj vepreje, e cila më parë se sa për shkak të reagimit të opinionit shqiptar u ndalua për shkak të reagimit të diplomacisë anglo-amerikane.

Por, a është kjo vepra e vetme ku shqiptarët dhe kultura e tyre paraqiten në mënyrë të pakënaqshme. Kjo është arsyeja pse vitet e fundit kemi gjurmuar në disa vëllime enciklopedike të gjuhës, historisë, kulturës dhe traditës, të botuara kryesisht në Europë dhe në Amerikë, ku shqiptarët, për fat të keq, kryesisht me fajin e tyre, përfaqësohen pa ato konditat elementare të një populli të lashtë dhe pa atë pasuri materiale e shpirtërore që kanë trashëguar deri në kohën tonë.

Kumtesën tonë e kemi realizuar duke u mbështetur në disa botime të karakterit enciklopedik gjithëpërfshirës anglo-amerikan, në disa botime enciklopedike të fushës së linguistikës së përgjithshme, në një botim historik të Lindjes, në dy botime historiko-enciklopedike për shqiptarët në Europë dhe Amerikë, në një botim historiko-letrar për Ballkanin, në një botim për emigracionin etj. Vlerësimi për shqiptarët, gjuhën shqipe, historinë dhe kulturën materiale e shpirtërore në këto botime, dhe për Kosovën në veçanti, do të mbështetet në parametrat metodologjikë të njësive apo sytheve enciklopedike, vëllimin e tyre, formatin e tyre, përbërësit e të dhënave dhe kuptimet e tyre, proveniencën e mbështetjes së të dhënave, bibliografinë, respektivisht referencat dhe autorët e teksteve të tyre, si dhe krahasimet e diskutueshme me shtete, popuj dhe kultura të fqinjëve, po në të njëjtat botime.

SHQIPËRIA: Zëri Shqipëria në botimet enciklopedike të dy dekadave të fundit përgjithësisht del në forma të ndryshme, por në të gjitha rastet e varfër, si vëllim, si përmbajtje, si koncept gjeografik, politik, historik, etnografik, kulturor e bashkëkohor. Në Enciklopedinë e përgjithshme të Oksfordit, siç thuhet, njërën prej enciklopedive më të besueshme në botë, me mbi 20.000 zëra, botimi i vitit 2005, i të cilës është përkthyer edhe në gjuhën shqipe një vit më vonë, Shqipërinë e paraqet në katër paragrafë, si një vend të varfër, me tokë kënetore, me ekonomi të paplanifikuar dhe me një histori po kaq të varfër, e cila fillon me shekullin XIV, Perandorinë Osmane, përkatësisht Ali Pashë Tepelenën dhe poetin anglez Bajronin, për t’ia dhënë gjysmën e hapësirës kohës së komunizmit dhe postkomunizmit, deri në vitin 1997 (vëll. VI. f. 1207-1208). Deri sa Serbia, në më pak hapësirë paraqitet si një shtet që paska qenë “i pavarur që ë shekullin IV”( vëll. VI. f. 1121), por “u pushtua nga turqit në shekullin XIV” (vëll. VI. f.1121), për Shqipërinë nuk thuhet asnjë fjalë për antikitetin, mesjetën, periudhën e Skënderbeut, Pashallëqet autonome Shqiptare etj.

Zëri Shqipëria, nuk ka fat më të mirë as në Enciklopedinë britanike, njërën prej enciklopedive më të vjetra në botë (1768), ndërsa ne e kemi konsultuar botimin e vitit 2002, versionin alfabetik të referencave themelore, versionin tematik dhe versionin elektronik të vitit të fundit.

 Enciklopedinë britanike zëri Shqipëria (f. 206-208) paraqitet në rreth pesë shtylla. Brenda tekstit të vëllimit alfabetik ka një hartë të Shqipërisë së sotme, por as edhe një fotografi të vetme, ndërsa në versionin tematik (vëll. XIV. f. 612-618) është botuar një fotografi nga qyteti muze i Krujës. Shqipëria po kaq errët prezantohet edhe në versionin elektronik, si shtet i përbërë prej dy nëngrupeve kryesore: gegëve në veri dhe toskëve në jug.

Ndonëse një botim mjaft bashkëkohor dhe kapital për nga përmbajtja dhe vëllimi, me autorë dhe tekste të dekadës së fundit, Shqipëria si nocion gjeografik dhe politik e historik, nuk është për tu lakmuar as në një nga botimet e fundit akademike në Lindje. Fjalën e kam për botimin enciklopedik të veprës Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman,  në të cilën Shqipëria nuk mund të krahasohet jo vetëm me vendin dhe përmbajtjen që i është dhënë Serbisë, po ndonjëherë edhe Maqedonisë e popullit maqedonas.  Në kronologjinë e pasur historike të këtyre vëllimeve vendi i personaliteteve shqiptarëve theksohet vetëm në vitin 1463, kur shënohet ekspedita shqiptare e Mehmetit II dhe me vitin 1656, kur fillon periudha e sundimit të Familjes Qypriliu dhe heshtet deri në vitin 1910, kur theksohen Kryengritjet shqiptare dhe viti 1912, kur veçohet Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Le të kujtojmë se po në këto vëllime vlerësohen si ngjarje të karakterit historik: fillimi i rebelimeve serbe (1804), autonomia serbe (1816) dhe madje “problemi armen” e “problemi maqedonas” (1878), Kryengritja e Ilindenit (1902) dhe viti kur Maqedonia fiton autonominë (1903). Për akademikët turq, në historinë e Perandorisë Osmane nuk ka asnjë domethënie as vlerë historike periudha e Skënderbeut, Pashallëqet Shqiptare të Janinës e të Shkodrës, apo së paku vlerë rebeluese, të cilën ua njohin serbëve po në këtë periudhë, Rrethimi i Krujës, si një prej momenteve të rëndësishme shtetërore, pushtimi i Shkodrës, si një prej momenteve të përcaktimit të kufirit perëndimor në Shtetin Otoman, dorëzimi i Ulqinit, si një prej fillimeve të ndryshimit të kufirit Perëndimor të Perandorisë Osmane me ndihmën e aleatëve europianë  etj.

KOSOVA: Duke qenë një shtet i ri dhe me një moshë tepër të re të shpalljes së pavarësisë, që për botimet enciklopedike është pothuajse e papërfillshme, së paku si nocion gjeografik dhe historik, për Kosovën do të duhej të bëhej më shumë, që dobësitë të mos na dalin, qoftë edhe vetëm në gjuhën shqipe, ashtu sikur nuk del në botimin jo vetëm anglisht, por edhe në botimin shqip të Enciklopedisë së përgjithshme të Oksfordit. Enciklopedia më e besueshme në botë, e cila duket të jetë jo vetëm në vitrinat akademike, por edhe në tavolinat e publicistëve të botës, edhe në vitin 2005, përkatësisht edhe në vitin 2006, kur botohet në gjuhën shqipe në Tiranë, zërin Kosova, e fillon me fjalinë “Krahinë në Serbinë Jugore” (f. 660). Brenda një paragrafi prej 12 rreshtash sa ka zëri për Kosovën, përjashto fjalinë e parë që përmban një mesazh gjeografik dhe historik njëkohësisht dhe fjalinë e dytë të karakterit gjeografik dhe etnik, pjesa tjetër është krejtësisht politike dhe paraqitet me gabime të mëdha lëndore e metodologjike, si këto: “Kosovës iu dha një shkallë autonomie nga qeveria e ish-Jugosllvisë më 1974, mirëpo pas konfliktesh etnike midis shqiptarëve (që përbëjnë mbi 75% të popullsisë) dhe serbëve (për serbët nuk thuhet përqindja, v.j.), qeveria serbe e shpërndau Kuvendin e Kosovës dhe imponoi sundimin e drejtpërdrejtë”.(660). Për autorin e këtij zëri, Kosova nuk ka qenë as nuk është nocion historik, gjeografik, politik dhe madje kulturor e etnik, por qenka vetëm një provincë serbe në jug, si edhe të gjitha provincat etnografike dhe kulturore serbe. Prej citatit të mëtejmë del se Kosova nuk paska qenë nocion historik, gjeografik dhe madje etnokulturor që nga antikiteti e mesjeta dhe shtetëror nga periudha e Perandorisë Osmane, si dhe etnolinguistik, politik e ushtarak që në periudhën e Jugosllavisë mbretërore, por vetëm në vitin 1974 iu paska dhënë një autonomi, për t’iu marrë, jo si rezultati i përpjekjeve historike të shqiptarëve për çlirimin e saj dhe bashkimin me hapësirën tjetër etnohistorike, etnokulturore e etnogjuhësore shqiptare, por si rezultati i “konfliktit etnik mes shqiptarëve dhe serbëve”. Dhe për më tej, e shqiptarëve, që paskan një përbërje prej 75% të popullsisë së saj. E palejueshme apo jo për një botim bashkëkohor, të cilit i beson bota dhe të cilin po me këtë gjendje ne kemi pranuar ta botojmë e ta shpërndajmë si një botim tepër të besueshëm edhe në gjuhën shqipe e për lexuesit shqiptarë.

Ndonëse më gjerësisht, apo me karakteristikat historiko-gjeografike dhe etnike të një shteti, Kosova nuk e ka pamjen e duhur, as vendin e duhur dhe madje as vëllimin e duhur, as në Enciklopedinë britanike. Për zërin Kosova për nga vëllimi, kjo enciklopedi ka më pak tekst se sa bie fjala për secilin nga tre pashallarët e familjes Qypriliu (vëll. XIV, f. 955). Zëri Kosova (955) ka tre paragrafë dhe shënohet në trajtën Kosovo, me vërejtjen “dikur (1946-71), KOSOVO I METOHIJA, or. KOSMET, outonomus pokrajina (province), brenda Republikës së Serbisë, Jugosllavi” (969-970). Për autorin e këtij teksti, Kosova nuk paska pasur trajtë tjetër, as trajtë tjetër në gjuhën shqipe, as organizim tjetër politik, ekonomik, shtetëror dhe madje ushtarak para vitit 1946, gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, kur Kosova kishte strukturë organizative ushtarake dhe territoriale, as gjatë shekullit XIX, kur Kosova kishte organizim shtetëror të Vilajetit në Perandorinë Osmane dhe madje as në antikitet, kur Kosova ishte e organizuar në shkallë të mbretërisë ilire të Dardanisë. Përkundrazi, në këtë enciklopedi historia fillon me mesjetën serbe dhe trashëgiminë ortodokse të tyre, kryesisht kishat dhe manastiret, ndërsa, sigurisht për të shquar edhe më shumë përmbajtjen etnolinguistike të saj, të gjithë emrat e qyteteve shënohen në trajtën sllave: Deçan, Pec, Graçanicë etj. Është edhe një fakt në këtë zë, i cili rrënon besoj të gjithë parametrat e një enciklopedie me përmasa historike dhe besueshmërie e reference në botën e shkencës e të humanizmit njerëzor 200 vjeçar. Derisa në të gjitha rastet e prezantimit të hapësirave toponimike, ojkonimike dhe regjionale këto vende a vendbanime paraqiten me harta apo pamje vendbanimesh, për zërin Kosova, jo vetëm mungon harta, por në vend të saj prezantohet një pamje e Manastirit të Graçanicës, foto e Tanjugut, me një legjendë të pakundndodhur në raste e tjera: “Manastiri i Graçanicës në provincën autonome të Serbisë” (696). Në këtë zë vetëm në paragrafin e tretë apo të fundit, përmenden shqiptarët katër herë, prej të cilëve, dy herë me cilësorin shqiptarë myslimanë.

Dua të theksoj këtu se pas zërit Kosova, po në këtë enciklopedi kemi edhe zëra për dy Luftërat e Kosovës (1389 dhe 1448). E para (970) prezantohet në tre paragrafë, si luftë serbo-otomane, ndërsa e dyta krahas imazhit krejtësisht të luftës serbo-turke, kujtohet edhe pjesëmarrja e Gjon Huniadit dhe Skënderbeut, si lider i shqiptarëve (970).

Po në këtë seri të Enciklopedisë britanike, emri i Kosovës jo vetëm nuk përmendet te zëri për Shqipërinë, po përkundrazi përjashtohet edhe aty ku do të duhej të theksohej doemos, apo aty ku në rastet e tjera emrat e shteteve theksohen edhe në kontekst të gjendjes së tashme të organizimit politik të tyre. Kështu, tek paragrafi për gjuhën shqipe, brenda zërit Shqipëria, thuhet se gjuha shqipe shtrihet edhe në pjesë të tjera të Ballkanit, por nuk përmendet emri i Kosovës, pavarësisht se theksohet emri i Greqisë, për të vazhduar më tej edhe me Italinë dhe madje Ukrainën! (207). Që Kosova vërtet përjashtohet në të gjitha mënyrat dëshmon edhe fakti se kur përmendet vendi i mbajtjes së Kongresit të Manastirit, të cilin autori e identifikon vetëm në kontekst të udhëheqjes së tij nga Gjergj Fishta, madje jo si një Kongres po si një tubim intelektualësh në Bitol, shton shënimin (Maqedonia e sotme), ndërsa kur përmend Lidhjen e Prizrenit, edhe kësaj radhe jo si ngjarje e veçantë historike, po në kontekst të drejtuesit të saj, nga njëri prej vëllezërve Frashëri, nuk e shton emrin e Kosovës, si hapësirë historike dhe gjeografike a shtetërore.

Përveç në botimin alfabetik edhe në botimin tematik të Enciklopedisë britanike emri i Kosovës shënohet krahas shpjegimit si regjion i Serbisë (vëll. XIV: 612).

Pozita e Kosovës është edhe më e varfër dhe madje më e shpërfytyruar në botimin elektronik të Enciklopedisë britanike. Shikoni vetëm sythat që e shquajnë përmbajtjen hyrëse të kërkimit për Kosovën, sipas radhës: Një histori e Ballkanit, vështrim i veçantë i konfliktit të Kosovës (1998-99), Beteja e parë (1389) dhe Beteja e dytë e Kosovës (1448), Konflikti në Kosovë, Muzeu i Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, UNMIK-u, Prishtina, Peja, Prizreni, Hashim Thaçi (kryeministër), Mali i Sharrit (trajta latine), Dobrica Qosiq, Artet (referencë e marrë nga enciklopedia për Serbinë), Ismail Kadare, Ivan Meshtroviq, Rrafshi i Dukagjinit, Kulla, Fatmir Sejdiu (president), Manastiri i Graçanicës, Universiteti i Prishtinës, Malet e Gjeravicës, Kisha e Bogorodica Levishkës (Prizren), EULEX, Ibrahim Rugova (si shkrimtar kosovar dhe politikan), Qeveria (serbe), Konflikti në Kosovë (versioni i enciklopedisë serbe), Grupet etnike (nga zëri për Serbinë), Trendet demografike (nga zëri për Serbinë), Shteti (nga zëri për Serbinë), një artikull për vitet ’70, nga zëri për Josop Broz Titon, Stefan Nemanja, Ati Pavle, Trendet demografike (nga zëri për Shqipërinë), Sigurimi (nga zëri për Slloveninë), Mali i Zi, Marti Ahtisari, Lugina e Ibrit, Shëndetësia dhe mirëqenia (nga zëri i Serbisë), dhe Lufta e Dytë Botërore (nga zëri për Shqipërinë).

Prej zërave të paraqitur kur më gjerësisht e kur vetëm formalisht, jo të zakonshëm për botimet enciklopedike të këtij formati, nuk është vështirë të kuptohet Kosova si një trashëgimi serbe dhe si një vend i dyzuar mes Serbisë dhe Shqipërisë. Si është e mundur që prej historisë së Kosovës të fshihet periudha e pasur e antikitetit, ndërsa prej Luftës së Parë (1389) dhe të Dytë (1448) të Kosovës, të mos ketë asnjë ngjarje tjetër deri tek e ashtuquajtura Lufta e Dytë Botërore (1941-1945)! Si është e mundur të përjashtohet pozita e saj shtetërore në kuadër të Perandorisë Osmane, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Luftërat Ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore, pozita e saj juridike në ish-Jugosllavi etj! Si është e mundur që në Kosovë të identifikohen vetëm tri qytete, të cilat nuk përfaqësojnë njëkohësisht edhe të gjitha veçoritë e saj dhe si shpjegohet fakti që pothuajse të gjitha faktet e prezantuara (qytetet, krahinat etnografike, malet, fushat, etj.) janë marrë nga zona jugperëndimore e Kosovës, dhe si të shpjegohet fakti se të gjitha toponimet, ojkonimet etj., janë shënuar në trajtën latine?! Nuk paska Kosova fusha të tjera (si Fusha e Kosovës), nuk paska Kosova male të tjera në verilindje të saj (si Mali i Albanikut), nuk paska qytete antike (si Ulpiana) e mesjetare (si Artana - Novo Berda), nuk paska Kosova vende të tjera turistike (si Shpella e Gadimes), të cilat do të duhej të zinin vendin e tyre në enciklopedi, krahas atyre që janë paraqitur! Janë më se të çuditshëm edhe përbërësit e tjerë të Kosovës. Në Kosovë paska vetëm kisha dhe manastire serbe, por jo edhe institucione të tjera fetare: xhamia e teqe; në Kosovë nuk paska asnjë shkrimtarë, pra nuk qenkan shkrimtarë Esad Mekuli, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Nazmi Rrahmani, Ali Podrimja, Rexhep Qosja, Hivzi Sylejmani, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja, Emin Kabashi, Ymer Shkreli, Reshat Sahitaj etj. po u dashka të sillen shkrimtarë nga Serbia (Dobrica Qosiq), nga Shqipëria (Ismail Kadare) dhe madje një tjetër serb nga Amerika (Ivan Meshtroviq). E ndarë mes Serbisë dhe Shqipërisë edhe në këtë enciklopedi Kosova vazhdon të identifikohet sa me njërën sa me tjetrën po asnjëherë me vetveten. Artet, shfaqen si pjesë përbërëse e arteve serbe, trendet demografike, si pjesë e zërit të Shqipërisë (sigurisht për të identifikuar lindshmërinë e lartë) ndërsa grupet etnike, si zë i Serbisë, shëndetësia dhe mirëqenia nga zëri i Serbisë, ndërsa Lufta e Dytë Botërore, sigurisht për të dëshmuar anën e kundërt të lëvizjes çlirimtare. E marr me mend një zë në botimet enciklopedike për Kosovën edhe për Marti Ahtisarin, po Josip Broz Tito dhe nostalgjia për të, Stefan Nemanja, Ati Pavle dhe biografia e tyre, çka duan në këtë vëllim? Po Ibrahim Rugova si shpjegohet të paraqitet vetëm si politikan dhe shkrimtar, po jo edhe si president? Çka do të thotë njësia për Sigurimin nga zëri i Sllovenisë? Pse në strukturën e Kosovës duhet të hyjë Mali i Zi, por jo edhe Shqipëria apo Maqedonia. Pastaj, çka kërkon zëri Qeveria/ serbe, në Kosovë? Si e tillë Kosova nuk mund të thuhet se paraqitet as përafërsisht në qarqet intelektuale dhe shkencore të botës, e cila Enciklopedinë britanike e konsulton me shumë se asnjë botim tjetër të kësaj natyre.

Emri i Kosovës, si edhe më parë në botimet perëndimore nuk ka atë përmasë historike e gjeografike, të cilën e njohim ne, as edhe në njërin nga botimet enciklopedike të dijes Lindore, në veprën Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman. Në kronologjinë e ngjarjeve më të rëndësishme të shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman emri i Kosovës identifikohet me Luftën e Kosovës (1389), të cilën autori i këtij teksti e ka shënuar si Fitorja e Kosovës, përkatësisht Martirizimi i Muratit I dhe Fitorja e dytë e Kosovës (1448). 

GJUHA SHQIPE: Në botimet enciklopedike të karakterit politik, historik, gjeografik e kulturor, ajo që nuk mund të arrihet me përbërësit e tjerë, në një mënyrë a një tjetër arrihet me gjuhën shqipe dhe përmasën e shtrirjes së saj, sado edhe gjuha shqipe jo njëherë bie viktimë e koncepteve kur metodologjikisht të paqëndrueshme, kur politike, e madje edhe koncepteve nihiliste a konceptualisht krahinore, ideologjike e klanore të autorëve të zërave për të.   

Gjuha shqipe, në zërin për Kosovën shënohet si gjuhë zyrtare krahas serbokroatishtes në faqen elektronike të Enciklopedisë britanike, ndërsa në zërin për gjuhët në Shqipëri, në faqen elektronike sillet versioni i shtypur i saj, në të cilën thuhet: “Gjuha shqipe, gjuhë Indo-Europiane e folur  Shqipëri dhe me numër më të vogël  shqiptarëve etnikë në pjesët e tjera  Ballkanit jugor, përgjatë bregdetit lindor  Italisë dhe  Sicili,  Greqinë jugore dhe nëGjermani, Suedi, Shtetet e Bashkuara, Ukrainë, dhe në Belgjikë. Shqiptarët janë të vetmit pasardhës modern  një dege të veçantë  familjes gjuhësore indo-evropiane”. Por sikur dihet, gjuha shqipe më shumë se sa në Jug të Ballkanit shtrihet në Veri të tij, e kjo do të thotë në Kosovë dhe në Maqedoni, Mal të Zi e në Serbi, që këtu mënjanohet jo pa qëllim. Brenda saj është për të vënë re një ngulmim të autorit të tekstit për të shquar zonën gege dhe toske të Shqipërisë, identitetin gegë e toskë të shqiptarëve dhe dialektin gegë e toskë të gjuhës shqipe.

Megjithëse në zërin për gjuhën shqipe, duket sikur është shkruar më shumë në Enciklopedinë e përgjithshme të Oksfordit,  edhe këtu janë një varg lëshimesh, të cilat kanë të bëjnë me afrinë e saj në lashtësi me gjuhët e vjetra, me ndikimin e saj në familjen ballkanike, me të ashtuquajturën mungesë të letërsisë së saj të vërtetë deri në shekullin XVII etj.(455)

Botimet me karakter shkencor ku shqipja zë një vend të merituar po i fillojmë me veprën më të popullarizuar të dy dekadave të fundit për gjuhësinë, të linguistit amerikan Dejvid Kristal, The Cambridge encyclopedia of language.Brenda këtij vëllimi gjuha shqipe diskutohet në mënyrë shumë serioze krahas gjuhëve të tjera për çështjen e arealit, si mjaft të definuar (33); për gjuhën shqipe në Kosovë, si për një gjuhë me pozitë autonome në nivel krahinor (37); për vendin që ia ka bërë në studimin krahasues gjuhëtari gjerman Franc Boppi, në rrethin e gjuhëve indoeuropiane (296); për citimin e lutjes në gjuhën shqipe: “Ati ynë që je në qiell”, krahas gjuhëve të tjera indoeuropiane (298); për shqipen e radhitur në vendin e parë në mesin e dhjetë familjeve gjuhësore indoeuropiane (300); për barrierat gjuhësore, përkatësisht gjuhët në gjendje kritike; për e radhitjen e gjuhës shqipe në mesin e 169 gjuhëve të rrezikuara në botë, që më 1985 (342); për pozitën zyrtare të saj në Shqipëri, por jo edhe në Kosovë e në Maqedoni (357) etj.

Gjuha shqipe zë një vend të merituar nga të gjitha anët edhe në një vëllim enciklopedik të gjuhësisë, botuar kohëve të fundit: Enciklopedia e gjuhësisë (Encyclopedia of linguistics), në të cilën gjuha shqipe përfaqësohet si për përmasën e paraqitjeve të veçanta të zërave për të, ashtu edhe për përmasën e referimit të saj në kuadër të gjuhëve, arealeve gjuhësore, familjeve gjuhësore, strukturave dialektore, morfologjike, sociolinguistike, leksikore etj. Në zërinShqipja (31) gjuha shqipe përkufizohet, si një nga gjuhët e familjes indoeuropiane, e dëshmuar kjo shkencërisht që në shekullin XIX, përmes zgjedhimit të foljeve të saj dhe të krahasuara edhe me foljet e gjuhëve simotra të indoeuropianishtes. Gjuhës shqipe i përshkruhet edhe koncepti tashmë shkencor i pranuar në dijen e linguistikës, se ajo është pasardhëse moderne e ilirishtes, ndonëse tërhiqet vërejtja për mungesë dokumentesh të arealit shqiptar, por arsyetohet kjo me praninë e krahasueshme të fjalësit të shqipes së sotme me gjuhët e tjera indioeuropiane. Përshkrimi historik dhe aktual i shqipes në këtë vëllim enciklopedik do të mund të shquhej edhe për dy veçori, të cilat mungojnë në botimet e tjera simotra apo të përafërta me to. Në këtë vëllim, si rrallë kund tjetër, theksohet se shqipja flitet edhe në Turqi dhe jepet një numër aproksimativ për të gjithë folësit e sotëm të shqipes, prej 700.000 frymësh në Mal të Zi, Greqi, Turqi, Itali dhe Shtetet e Bashkuara.  Po në këtë vëllim kujtohet se shqipja standarde është miratuar edhe në Kosovë më 1968, por nuk theksohet as shënohet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), edhe pse kujtohet në fund të artikullit se shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri kanë braktisur plotësisht dialektet e tyre.  Për njësinë historike dhe gjeografike, e sociokulturore të saj ka rëndësi edhe përkufizimi i unitetit të saj: “Shqipja, thuhet në këtë vëllim, shtrihet në Shqipërinë e Veriut dhe bashkë me të folmen e Kosovës përbëjnë tërësinë e saj” (31).

Gjuhës shqipe i është bërë një vend i duhur dhe i merituar edhe në një enciklopedi posaçërisht të rëndësishme, botuar dekadën e fundit në tre vëllime. Fjala është për veprën Encyclopedia of language and linguistics, me redaktorKeith Brown (University of Cambridge, UK), në të cilën gjuha shqipe (zëri për Shqipërinë), përkatësisht gjendja e tashme e saj, është përshkruar duke filluar nga pozita e saj e sotme sociolinguistike, krahas zhvillimeve shoqërore e politike të popullit shqiptar, numrit të folësve të saj në Shqipëri dhe jashtë saj, shtrirjes gjeografike të saj, përdorimit të saj në institucionet elektronike dhe të shkruara, etj.

Autori i këtij zëri, kujton se gjuha shqipe është anëtare e trungut të familjes së gjuhëve indoeuropiane, por përpjekja e studiuesve për ta parë atë si të vetmen gjuhë të prejardhur nga ilirishtja ende nuk mund të thuhet se është vërtetuar, pasi mungojnë dokumentet në shkruara në lashtësi nga shqiptarët, prandaj të gjitha arsyetimet e saj deri më tash janë bërë duke u mbështetur në përmasën e përbërësve të saj në strukturat e përbashkëta të gjuhëve të familjes indoeuropiane.  

Sigurisht, jo në të gjitha botimet enciklopedike gjuha shqipe e ka fatin e saj të mirë, që zërin për të ta shkruaj një mjeshtër i paanshëm i linguistikës. Fjalën e kemi për vëllimin enciklopedik An encyclopaedia of language, në të cilinshqipja, edhe kur injorohet, në paragrafin krahasues të grupeve gjuhësore, krahas grupit antolian, madje edhe në kuadër të figurës që e përcjell, nuk arrihet të injorohet në sythin për prejardhjen indoeuriopiane të gjuhëve. Në këtë vepër mjaft të vëllimshme shqipen e gjejmë vetëm në pak shembuj, por shumë të rëndësishëm, siç është fjala shqipe motër e krahasueshme me anglishten mother, gjermanishten Mutter, greqishten m?t?r, krahas shqipes së sotmemëmë.

Në vend të përfundimit

Duke e parë gjendjen aspak të denjë të Shqipërisë, Kosovës, gjuhës shqipe dhe trashëgimisë materiale e shpirtërore të popullit shqiptar e të qytetërimit të tij në disa botime shumë të rëndësishme enciklopedike, disa prej të cilave u përfshinë në këtë kumtesë të shkurtër për Javën e shkencës, të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e quaj të rëndësishme që t’i theksoj disa rekomandime të veçanta dhe gjithëpërfshirëse:  

         - e para, shkencëtari shqiptar, duhet ndihmuar që të dalë nga praktika e angazhimit të tij vetëm mbi paradigmën e vullnetit të mirë, në dekadën e fundit të shekullit të kaluar dhe nga pozita sociale e dekadës së fundit që po e jetojmë;

        - e dyta, institucionet, sidomos ato me karakter kombëtar, duhet nxjerr nga praktika e punës vetëm individuale e studiuesve të tyre, dhe prej tyre duhet kërkuar që të marrin detyra të veçanta për nevoja të ngutshme të interesit kombëtar;

       - e treta, Universiteti i Prishtinës, sa më parë duhet të fuqizojë angazhimin e stafit akademik sa në mësimdhënie, po aq dhe në hulumtime shkencore, duke i përkufizuar qartë nevojat e kërkimeve edhe të kandidatëve për master e studime të doktoratës edhe në interes të popullarizimit të shkencës kombëtare;

       - e katërta, institucionet shkencore dhe arsimore të Kosovës dhe ato të Shqipërisë, sa më parë duhet krijuar programet afatshkurtra dhe afatgjata për realizimin e projekteve me karakter kombëtar dhe me ndikim ndërkombëtar, duke filluar me projektet e vogla (bie fjala me zërat enciklopedikë, për Fjalorë apo Leksikonë të përgjithshëm a të veçantë), deri te botimet enciklopedike të formatit të përgjithshëm;        

       - e pesta, meqenëse projektet e tilla realizohen shumë ngadalë dhe ndikimi ynë në veprat e karakterit enciklopedik ndërkombëtar mund të jetë i vonuar, duhet bërë përpjekje që t’i ndihmojmë kolegët tanë të angazhohen në projekte të kësaj natyre te botimet serike, sikur janë enciklopedia britanike, franceze, gjermane etj.

       - e gjashta, institucionet tona akademike sa më parë duhet të vejnë kontakt me institucionet akademike europiane, që, për sa është e mundur, të plotësojnë, përmirësojnë dhe ndryshojnë disa artikuj të karakterit enciklopedik, së paku, të shpërndarë në formatin elektronik për Shqipërinë, Kosovën, historinë, gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë materiale e shpirtërore të tyre. 

      E nëse vërtetë duam t’i arrijmë këto qëllime, që në parim janë shkencore, ndërsa në koncept janë politike, presim që institucionet tona, të cilat i ndërtojnë politikat e shkencës kombëtare të lirohen prej instalimit nepotist, klanor dhe krahinor të shkencëtarëve për nevoja ditore, ndërsa nga shkencëtarët presim që angazhimin e tyre ta bëjnë mbi parimet etike të kërkimit shkencor. Vetëm kështu mund të realizojmë me kohë dhe në nivel kërkesat që shqiptarët dhe trojet e tyre kanë ndaj shkencëtarëve dhe institucioneve të tyre.

 

(Fusnotat i hoqi autori)

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora