E diele, 28.04.2024, 01:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Dashuri e ndërprerë

E marte, 21.06.2011, 07:17 PM


DASHURI E NDËRPRERË

 

Plagë e keqe është lakmia, nuk e tret as toka

Populli

 

Tregim nga Luan Çipi

 

Pjesa e parë

 

Një nga repartet më të vegjël të punës në Ndërmarrjen e Prodhimeve të Ndryshme në Vlorën e viteve pesëdhjetë ishte ai i Poçerisë së Trashë: një sallë pune me katër “tezgjahë“. Mbi tavolina hidhej argjila e përpunuar dhe rrihej e përzihej fort, si të ishte brumë buke. Volanti i drurit rrotullohej me këmbën zbathur, teksa me anën e mollëzave të gishtave të duarve të lira, balta ngrihej me delikatesë midis të dy duarve, për t’i dhënë  me lehtësi formën e dëshiruar.

 Në një dhomë depozitohej paraprakisht argjila, që gatuhej e përpunohej gjatë e spërkatur dhe regjur me ujë. Në dhomën për karshi të ajrosur mirë, në rafte, vendoseshin dhe liheshin disa ditë për t’u tharë, gjysmëprodhimet e përgatitura në dhomën e tezgjahëve. Një pjesë e tyre, para se të futeshin në furin e pjekjes, lyheshin me zmalt poçerie, ose me bojëra me ngjyra të ndryshme. Pjekja bëhej në një furrë të posaçme me qemer, veshur me tulla refrektare dhe si lëndë djegëse përdorej dru zjarri ose shkarpa të çfarëdoshme. 

Në rrethin e Vlorës prodhimi i poçerisë së trashë prej balte është shumë i hershëm. Kjo duket jo vetëm nga zbulimet arkeologjike  të bëra në Ploçë, Velçë, Aulonë, Orik e gjetkë, por edhe nga enë e poçeri gjithfarësh, që  janë gjendur shpesh në bahçet dhe në shtëpitë e vjetra të qytetit ku, në shumë oborre shtëpish, haure e kthina te veçanta kishte vazo e saksi lulesh, qypa, shtamba e katruve, bragaçe e poçe të formave, madhësive e ngjyrave nga më të ndryshmet.

Në oborrin e shtëpisë sonë në lagjen Muradie, në qendër të Vlorës, atje ku tani është duke u ndërtuar një hotel i madh turistik,  ruheshin deri vonë dy qypa të stërmëdhenj dy dhe tre kuintalësh, të smaltuar nga brenda dhe nga jashtë. Këto gjetje  të shumta janë tregues vërtetësie të gjallërimit të hershëm të artizanatit dhe të një tregtie të mirëfilltë të kësaj treve.

Në Repartin e Poçerisë së Trashë të qytetit të Vlorës punohej qysh prej shumë vitesh dhe aty nxirreshin prodhime cilësore, duke rivalizuar prodhimet analoge të trevës së Kavajës, që ishin më në zë  dhe të preferuara e të shumëpërdorura në gjithë vendin.

 

Një nga poçarët e rinj të talentuar të kohëve të vona ishte dhe Kolë Qori. Unë, që punoja në të njëjtën ndërmarrje, veja dendur ta vizitoja e vëzhgoja me endje duke punuar atë specialist duarartë, apo mjeshtrin tjetër të talentuar, mikun tim të vjetër, Bejo Malon.

Kola nuk më tërhiqte thjesht për virtuozitetin në punë, për ato lëvizje instiktive të sakta e delikate, por, ngaqë kisha dëshirë të bisedoja me të se në të vërtetë, dukej një tip i veçantë, fort interesant, që ishte gati të shfrente një brengë të madhe që përjetonte, duke e ndjerë veten të braktisur dhe fatkeq. Mua, një të riu të ndjeshëm dhe romantik, që s’kisha lënë libër të ish Bibliotekës së Madhe të Eqrem Bej Vlorës pa e lexuar, më vinte shumë keq kur e shihja në këtë gjendje dhe ndjeja shumë kënaqësi, e kisha një tërheqje të pashpjeguar ta dëgjoja dhe, ndofta po të gjeja e të kisha mundësi, ta ndihmoja.

E soditja nga larg me minuta të tëra, pa ia ndarë sytë, tek punonte kokulur në tezgjahun e tij primitiv. I përkulur mbi një copë balte të paformë në fillim, e përkëdhelte atë me duart e çveshura, teksa me këmbën e zbathur lëvizte me shpejtësi volantin me bangon rrotulluese, i ulur mbi një postiqe të bardhë leshi vendosur mbi një stol të ulët druri. Gishtërinjtë dhe patoma e këmbës me lëkurë të trashur, kallo të argasur nga goditjet sistematike mbi dërrasën e volantit e të lëmuar prej viteve, lëviznin me shkathtësi dhe me shpejtësinë e nevojshme bangon e tezgjahut dhe mbi të, atë copë magjike brumi balte. Gishtërinjtë e ndjeshëm i jepnin baltës forma artistike. Brumi, si i komanduar në mënyrë automatike, ngrihet e ngrihet mrekullisht, shkon te forma e kërkuar standarde në trashësi e lartësi, identik me produktin standart e me peshën e radhës. Ca prekje delikate me mollëzat e gishtave dhe balta merr forma precize të valëzuara... Dy copa si litarë balte, të parapërgatitur shtypen në dy anët lehtazi dhe bashkohen me trupin te qafa e katruves. Kështu dorezat e enës rrinë si të ngjitura natyrshëm.

-Gati katruvja! Flet Kola, drejtuar ndihmësit që e pret i gatshëm dhe pas pesë minutash, kur për të thyer monotonin prodhuese, e ndryshon objektin:

 -Gati vazua! Dëgjohej urdhërues, si i mekur, sërish, zëri i Kolës.

Bajrami një punëtor jevg i ardhur nga Mirdita, më i madh se Kola në moshë, e merr pa folur prodhimin nga duart e Kolës dhe e çon në raftet e dhomës së tharjes.

Në këto raste Kola hidhte mbi ballin e gjerë flokët e tij të zinj e të dendur dhe ngrinte sytë për të shoqëruar e parë objektin dhe për të marrë kënaqësinë, përfundimet e punës së vetë cilësore.

             Dhe ti, atëherë ndesheshe me vështrimin, fytyrën e vërejtur dhe sytë e tij të pikëlluar. Kundron pamjen delikate të një të riu me tipare të theksuara myzeqari, me ato pikëza si të kuqe nden mollëzat e faqeve. Pak ezmer, me gojë të vogël, hundë të drejtë, vetull të zezë gjysmëharku dhe sy gështenjë. Veç balli i lart i spërkatur me cikla balte, ngjyra e verdhë e fytyrës dhe rrethi i zi te sytë, tregojnë se një kapitje e një brengë e madhe fshihej pas këtyre lëvizjeve të përsosura dhe energjike.

Unë i flas. Sytë kryqëzohen. Vihet re gëzimi, por pa e larguar brengën.

-O, erdhe, i dashur Luan? Më rrofsh. Ja, rehatohu aty, tek ai stoli për karshi. Unë po vazhdoj punën se më duhet të plotësoj normën ditore. Edhe muhabet do të bëjmë, aq sa të mundemi.

E kuptova që nuk ishte çasti i përshtatshëm, ndaj u përshëndetëm dhe u ndamë shpejt.

Kur bisedonte, Kola e kish zakon dhe desh të të shikonte drejt e në sy. Po të ishte duke punuar, sa herë që i hiqte sytë nga balta, objekti cenohej në cilësi e në formë. Në këto raste, ai e prishte fare atë në proces, e kthente në fazën fillestare, e ngjishte sërish baltën dhe puna niste nga e para. Ishte e kotë të rrekeshe për bashkëbisedim, kur Kola punonte.

-Po iki, i thashë.

-Ke të drejtë, bënë mirë. Po, prit një minutë, se  jashtë orarit të punës të kam përgatitur një vazo të bukur për lule. të lutem mos ma refuzo. Merre atë, i dashur Luan. Aty të mbjellësh një lule të bukur. Të zgjedhësh më të bukurën e luleve. Po do kesh kujdes që ta ujitësh shpesh, sipas nevojës që ka bima për ta mbajtur gjithnjë të freskët, që mos të thahet dhe tëharre e pastroje me kujdes nga barërat e këqija dhe nga parazitët vdekjeprurës.

S’kishe pse të thelloheshe në mendime. Një kuptim të dyzuar, alegorik kishin këto porosi të thëna kaq seriozisht… Duke pasur kujdes që mos ta fyeja, pasi e falënderova për dhuratën dhe këshillat, i thashë Kolës :

-Mendoj të takohemi pas dite, si të lësh punën dhe të pimë bashkë një gotë birrë buzë detit te “Dom Marku” (Si i kishte ngelur prej kohe emri i shenjtë lokalit turistik të Lagjes Skele të Vlorës). Aty dhe do të kemi kohë të bisedojmë të qetë.

-Jo, kundërshtoi Kola. Mbas dite më duhet të çlodhem e të fle, se nesër do punoj në turnin e tretë, me orë të zgjatura. Do ndez furrën e poçerisë, se pjekësit janë me leje të zakonshme dhe do pjek i vetëm gjysmëprodhimet e shumta që na janë grumbulluar tej limiti.

 E di çfarë më shkoi ndër mëndje: Ti nuk ke qenë ndonjëherë në këtë proces pune për pjekjen e poçerisë së trashë. E di që je kureshtar, si për çdo gjë të panjohur e interesante. Hajde, madje, po deshe, në vend të ndihmësit tim. Kështu edhe mua më ndihmon edhe ti mëson direkt dhe nga afër sekretet e procesit të pjekjes dhe të ardhurat tona nga puna me normë, do    jenë më të larta. Do kemi kohë edhe të hamë bukë misri të thekur në prush, pa edhe çështë kryesorja,  do të bisedojmë lirshëm e të qetë.

Do vish patjetër, se kam nevojë të bisedoj kokë më kokë me ty, të shprehem gjatë, të lirohem nga ngarkesa që më ka zënë frymën e të shfryhem.

 

VAZHDON...



(Vota: 3 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora