Kulturë
Daniel Gazulli: Tagore
E marte, 24.05.2011, 07:57 PM
Daniel Gàzulli
Tagore
Sa herë, kur lundroj në urtësinë botënore, poezi a filozofi qoftë, them: Sikur asht shkrue për ne. Sepse arti nuk ka kohë as hapsinë. Ai asht universal.
Atëherë, pa përtesë, ulem e hedh në shqip për bashkatdhetarët trashigiminë ma të vyeme të pendave të arta.
Një të tillë deshta t’ju paraqes sot:
Rabindranath Tagore (1841-1941), shkrimtar e poet i madh indian, nobelist (1913), asht shprehja ma e ndritun artistike e popullit të Tij. Ai plotëson e i rri përkrah, nga një tjetër kandvështrim, të madhit Mahatma Gandhi (1869-1948), shprehje e shpirtit paqësor jo vetëm të popullit indian, por të mbarë njerëzimit.
RABINDRANATH TAGORE
MOS U LIGSHTO
Mos u ligshto, mbaju fort,
e do të fitosh.
Nata po iken:
guxim, mos u ligshto.
Shiko, në ball të lindjes,
përmes pëlhurës së pyllit
nalt
asht ngritë ylli i mëngjesit.
Guxim, mos u ligshto.
Janë bijë të natës, që në errsinë shtegtojnë
dëshprimi, dembelia, dyshimi:
ata, të pasigurtë, nuk janë
bijë të agimit.
Vrapo, nga errsina dil;
shiko, tej hidh vështrimin,
qielli po çelet.
Guxim, mos u ligshto.