E shtune, 27.04.2024, 06:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjekë Gjonaj: Figurë komplekse e letërsisë sonë

E diele, 22.05.2011, 07:59 PM


Figurë komplekse e letërsisë sonë*

 

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin

 

Të nderuar shkrimtarë, dashamirë të fjalës  artistike!

Të nderuar të pranishëm!

Të nderuar ju që keni shprehur vullnetin dhe keni ndarë kohën të jeni në këtë  takim    të veçantë, ku  për herë  të parë kemi nderin dhe kënaqësinë të  takohemi  më për së afërmi  me malësorin    Gjekë Marinaj dhe të njoftohemi  sadopak me  jetën dhe aktivitetin letrar, publicistik e shkencor të poetit tonë të  spikatur në mërgim. Kjo mbrëmje me këtë figurë  komplekse e të rrallë në letërsinë tonë    nga  Brruti i Malësisë së Madhe andej kufirit me shtetin amë,     u realizua  falë ftesës së sinqertë të  autorit të kësaj mbrëmjeje  për një  takim  të përbashkët, me nipin e tij dr. Lukë Gjokaj, me mua dhe  me  mr. Anton Gojçaj,  në ,siç thekson Marinaj në ftesë, “ shenjë falënderimi për  korrospodencën që kemi pasë dhe për dashamiresinë  e miqësinë që  kemi treguar ndaj tij në të kaluarën”.   Prezencën e  këtij  personaliteti të madh shqiptar në mesin tonë,  s’kam si e vlerësoj ndryshe përveç se  një  akt  i cili  na nderon të gjithëve , një privilegj, ndërsa praninë tuaj në këtë mbrëmje si  një nderim që i bëjmë   këtij krijuesi, me të cilin krenohet Malësia.  Ardhja e  tij këtu është edhe dëshmi se mërgimi sado i ndanë njerëzit, nuk arrinë t’i ndaj zemrat.  Zemra e Gjekës dhe poezia e tij e afruan këtë largësi dhe bashkuan sonte zemrat tona në një kënaqësi të përbashkët.

Takimi im i parë  sy në sy me Gjekë Marinaj  erdhi me shumë vonesë, vetëm disa minuta para fpak orë më parë, kur me mjaft emocion u përqafuam  dhe ngrohtësisht ia shtrënguam dorën njëri-tjetrit,  si vëllezër të një gjuhe, të një gjaku dhe të një tradite. Por   njoftimi im  me emrin e tij  fatmirësisht  ka ndodhur para dy dekadash në Shkodër, ku një mik imi më dhuroi poezinë e tij me titull “ Kuajt”,e njohur për frymën disidente,  ku  ai  guximshëm  shpreh kundërshtimin  e tij ndaj  regjimit të kohës në Shqipëri.   Më vonë pasi kam pasur fatin t’ia përcjell disa nga  zhvillimet letrare, intelektuale dhe akademike, mësova se pikërisht botimi i kësaj poezie në gazetën  “ Drita” u bë   “ mollë sherri” e   këtij poeti të ri atëherë 25 vjeçar, i cili  në shtator   të vitit 1990 , vetëm pak ditë para se shqiptarët në Shqipëri  sulmonin ambasadat e huaja, u detyrua të largohet nga Shqipëria për arsye politke dhe të gjejë strehim në tokën e premtuar, në Amerikë.   Ky largim i detyrueshëm  i poetit të ri  nga vendlindja e tij e dashur, ku  si shumë bashkëmoshatarë të  tij u rritë   me shumë brenga e  halle,  vuajtje, e mejrim, pa  e shijuar lirinë e kuifizuar, nuk e mposhti shpirtin e çlirët e plot ndjenjë  të tij në  SHtete të Bashkuara të Amerikës. Ai në Amerikën e lirë  filloi nga asgjëja një jetë të re krejt ndryshe  nga ajo në Shqipëri, duke punuar për shumë vite  në turnin e natës.    Netët pa gjumë nuk  ishin  “ mur”   i  pakapërcyeshëm  që ai të provojë një  mundësi  tjetër në kërkim të një jete më të lumtur. Duke vlerësuar alternativat  në jetë, Gjeka   u përcaktua për fushën e studimeve që nuk kishte asgjë të përbashkët me profesionin e tij të preferuar- letërsinë. Përcaktimi jetësor  për këtë dritare të dijes i riktheu Gjekës shpresën  e lëkundur dhe  i mundësoi realizimin e ëndrrave të tij fëmijënore, për të ecur përprara, për t’u kompletuar si njeri dhe si intelektual. Falë mbi të gjitha pasionit për dije dhe dashurisë  jashtëzakoniosht të madhe për poezinë, për të cilën  ka thënë  se “në një farë mënyre,  unë jetoj për të lexuar e krijuar poezi", mbaroi disa shkolla, botoi disa libra me poezi, prozë, kritikë letrare e përkthime.  Në vitin 2001 ka mbaruar Fakultetin e Shkencave të Përgjithshme (Associate in Science) në Brookhaven College. Katër vjet më vonë, mbaroi Shkollën e Arteve dhe Humanizmit (Bachelor of Arts in Literary Studies: Magna Cum Laude) në Universitetin e Teksasit në Dallas. Shkollën e Arteve dhe Humanizmit (Master of Arts in Humanities - Studies in Literature) e mbaroi në vitin 2008 në UT Dallas. Aktualisht është në përfundim e sipër të doktoraturës: ku është Kandidat për Ph.D (Doktor i Filozofisë) po në Universitetin e Teksasit në Dallas. Në vitin 2003 është nderuar me Çmimin Pena e Artë nga SHSHSHA. Çmimin e Parë në poezi, akorduar nga revista letrare amerikane Sojourn, e pranoi në vitin 2006. QNK (Qendra Ndërkombëtare e Kulturës) e nderoi me çmimin Pjetër Arbnori në Letërsi në vitin 2008. Marinaj është pedagog i gjuhës dhe komunikimeve Angleze dhe i lëndës së Letërsisë Botërore në Richland CollegeDallas të Teksasit ku jeton me gruan e tij Dusita. Është nismëtari, themeluesi dhe presidenti i parë i Shoqatës  së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë.

Për  vlerat artistike të krijimtarisë  poetike të Gjekë Marinaj kanë shkruar shumë pena të njohura të letërsisë shqipe dhe të huaj.  Shkrimtari ynë i mirënjohur Ismail Kadare, kandidat për Çmimin Nobël në letërsi, duke folur për vlerat e poezisë  së Marinajt, pohon se  Marinaj  dallohet ndër poetët më të mirë shqiptarë të kohës dhe shton se: "Kjo do të thotë se ai zë vend midis poetëve më të mirë europianë.” Ndërkaq Frederick  Turner,  një emër i madh në letërsinë anglo-amerikane, po ashtu  kandidat për Çmimin Nobël në letërsi ndër të tjera ka thënë: “Në një botë ku poezia tingëllon si një mplakje, e rraskapitur, Gjekë Marinaj shpërthen në skenë me tërë shkëlqimin e rinisë, me energjinë erotike dhe maturinë e një poeti të pjekur. “Ai na tregon në mënyrë që ta shohim botën përtej realizmit magjik, përtej mendjemadhësisë metafizike, madje dhe përtej surealizmit ngjyrëplotë të Europës Lindore, që tregon akoma agun shpresëplotë të civilizimit human", është shprehur shkrimtari Turner.

Vlerësime për Gjekën ka bërë edhe Wole Soyinka, fitues i Çmimit Nobël në letërsi. Ai për veprën e Marinjat ndër të tjera shprehet se nëse Marinaj vazhdon të shkruajë kështu, ka gjasa se një ditë jo të largët e gjithë bota letrare do ta kuptojë domethënien e fjalëve vlerësuese të prof. Kuye-s për Gjekën. Kritika bashkëkohore, vlerat ideo-artistike të vargut të Marinajt i vë në të njëjtën nivel me të Martin Camajt, Dritëro Agollit,  e shumë lirikëve të tjerë, që tashmë kanë krijuar emër në letrat shqipe dhe më gjerë.

Nga  këto vlerësime meritore  e kemi të qartë  se Gjekë Marinaj vërtetë  është  poet modern në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, i cili  tashmë  i ka kaluar kufijtë kombëtar dhe vazhdon me hapa të sigurtë të ngjitet drejt majave të poezisë.  Dhe jo vetëm kaq. Ai  njëherazi është edhe erudit, përkthyes, pedagog, gazetar, publicist dhe studiues. Rruga e tij aspak e lehtë e suksesit duhet të jetë udhërrëfyes për secilin krijues shqiptarë, i cili dëshiron të krijojë vlera të qëndruseshme në letërsinë tonë. Gjekë Marinaj për  mua është inspirim dhe shembull model i një shqiptari të suksesshëm në mërgim, i cili u bë emër i njohur  dhe ambasador  i kulturës  dhe letërsisë shqiptare   në shumë shtete të botës. Në mbyllje të kësaj fjale    në emrin tim dhe tuajin  e përgëzojmë shkrimtarin dhe urojmë që të ketë shëndet dhe vepra të tjera! Faleminderit.

 

*Fjala e lexuar në  takimin e parë  promovues    veprave të  Gjekë Marinajt, më 19 maj 2011, në  Tuz.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora