E shtune, 27.04.2024, 09:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Rokënroli i kukullave

E hene, 23.05.2011, 07:57 PM


ROKËNROLI I KUKULLAVE

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

E mbylla derën, mora lirisht frymë dhe u nisa korridorit. Vetëm tani e ndjeja veten të lirë, më hidhej të fluturoja si një zog nëpër lisa. E në një degë, diku mbi një shtëpi, t’ia them edhe një kënge. Po, mu kur desha t’i përplas fletët dhe të marr malet, hetova se u kollit dikushi pas shpine. E ktheva kokën. Ishte Liria!

- Dëm i madh, - më tha ajo, - është të ikësh pa kthyer edhe në Dhomën e gjumit.

- E di, vetëm se më ka marrë malli për male…

- Malet i ka marrë malli për këngë…

- Po, ku të pi ujë Xheneti? Ujë Xheneti…

- Ja, në grushtat e mi fute kokën!...

E kam futur kokën dhe kam pirë ujë Xheneti shtatë ditë e shtatë net. Ditën e tetë me Lirinë kemi hyrë në Dhomën e gjumit. Këtu më bënë një vend që të ulem dhe filluan të më këndojnë ninulla. Një kukull me një palë gërshërë në dorë ma rregullonte mjekrën. Tjetra flokët. E një tjetër më këndonte këngë me dajre. Po, ku e kisha unë tani mendjen te kënga, kur para syve më kalonin si në film aq shumë kukulla me nga dy shtamba me ujë Xheneti. I merrnin në duar, m’i afronin në gojë dhe iknin si fluturat e natës tutje në errësirë. Më kot mundohesha t’i rrok me dorë ato shtamba, t’i shtrydh në gojë deri në pikën e fundit, ta shuaj etjen. Se, mu kur unë desha të bie në dy gjunjtë, t’i thith si qengj, Liria ma shuante dritën në dhomë.

- Mjaftë më pive ujë Xheneti! Shtambën tjetër lëre për nesër!...

- Po unë jam i etshëm sonte, Zonjushë! Nesër mund t’i thyej Dexhalli shtambat…

- Jo, mjaftë pive! Nuk ke më tepër nevojë…

- Ndize dritën! Dritën ndize,  se më rroku dikushi për herdhesh!...

Kur u ndez drita, unë i trembur e ngrita kokën. O Imzot, ç’më pane sytë! Vajza e Dr. Madhit me dy shtëmba në duar ecte varr më varr. Të gjitha kukullat meshkuj i zgjatnin duart, e hapnin gojën pas ujit të Xhenetit. Vetëm ajo nuk u jepte të gjithëve, se të paktë ishin ata që premtonin ta tërheqin për dore në mesin e luleve. Po, kur më në fund ia zbuluan fshehtësinë, të gjithë i premtonin kurorë me lule në kokë mes livadheve vetëm për pak ujë të Xhenetit.

E rroknin për dore, e hiqnin pas lisit dhe ia ngrenin në hava këmbët. Në fund i vëndonin një kurorë lulesh e një xixëllonjë në ballë. Ia shtronin shtratin dhe e rrëzonin në shpinë në bar. Këtu tani fillonte t’i hapë sytë hëna… Yjet të rrotullohen në rreth. Vaji t’i dëgjohet nëpër natë… Lotët t’i pikin në bar… Arusha e madhe ta thirrë në darkë… Po, kend ta ulë tani në sofër? Me cilin të rrokulliset në kashtë? Të gjith i premtojnë lule… Po, asnjëri deri më sot nuk e hipi si kreshnikët para kalit… Prandaj, pasi një lojtar e mori në qafë, ma afroi edhe mua njërën shtambë.

- Merre, - më tha, - edhe ti pi ujë Xheneti!

- Jo, - i thashë, se më i ka dalë lezeti…

O Imzot, kur nisi të qajë e derdhë lot rrëke. E më në fund t’i shkulë edhe flokët. Fytyrën ta gërvishë me thonj, ta bëjë larë në gjak. Të rrokulliset nëpër dhomë me gjithë shtamba në duar. Po, vallë, a kisha unë faj? Jo. E them këtë se, nuk kisha bërë mëkat. I kisha dy shtamba të tjera në duar. Plot e përplot ishin me ujë Xhenti. E unë këto duhej t’i shter deri në mëngjes këtë Natë të Madhe…

- Ec tashti pas meje të të shpie në shtratin e Baba Shehut! – Më rroku për dore Liria.

- Po, ku gjendet ai shtrat?

- Vetëm ti ec pas meje! Mos pyet shumë rrugës, për në Tyrbe! Ja, këtu mbi varr, në Dhomën e gjumit.

Eca. Po, mu kur u afrova pranë, përpak desh më fluturuan trutë si zogj nga koka. Në shtrat e prisnin radhën kukullat femra dhe njëra pas tjetrës shtriheshin më bark. Ndonjëra edhe në kokërr të shpinës. I hapnin këmbët. I rrotullonin sytë. E këndej, në anën tjetër, Shitësit e sëmurë i preknin me dorë në bark. I provonin a dinë të qeshin e të qajnë në shtrat. Ndonjëra që nuk dinte, kthehej prapë në fabrikën e Koperativës, rrëzë maleve. Atje ia ndërronin barkun, e lidhnin me një shami dhe e kthenin përsëri në shtrat. E shtrinin në kokërr të shpinës, e preknin në bark duke ia ngritur lart herë njërën dorë, herë të dy këmbët. Mrekulli! Qeshte e qante me bark… Tani radhën e kishte tjetra, ajo që zgjohej e fliste jerm nëpër natë. Edhe ajo u shtri në shtrat mu në kokërr të shpinës. E lëvizte kokën herë më një anë, herë më tjetrën dhe rrotullohej si bollë shullani nëpër shtrat. Dikur i hapi këmbët dhe filloi t’i shtrydhë gjinjtë me dorë. O Imzot! I mbylla sytë me pëllambë. Dhe, ndejta ashtu me sy të mbyllur për disa minuta. U mundova t’i pushoj në një livadh me lule dhe mbi krahët e një fluture me pika. Po kur i hapa, nga befasia desh më ranë si dy gogla para këmbëve. E pashë Dr. Madhin sesi i zgjidhte pantollonat. I dridheshin duart. I dilnin jargë nga goja… Vetëm tani e pashë se ne kishim qenë përtej kufiri të mjerë. Aq të mjerë saqë pakgjë na dallonte nga kafshët. E ku ishte litari? Litari, që ende nuk na kishin lidhur për brirësh në grazhd. E ç’lidhje ka kjo me Lirinë? Nëse edhe kësaj Lirie i duartrokisnim në rrugë. I këndonim këngë me çifteli. E mbulonim me lule… Vallë, mos jemi njerëz pa zemër?! Nuk dimë të duam, nuk dimë të urrejmë… I kemi mbyllur sytë. Jemi nisur një rruge, po nuk dimë as vetë se ku na shpie ajo rrugë qorre. Ndodh të gjithë të humbemi shkurreve nëpër pyll. Se nata është e errët e pa hënë. Po yjet? Yjet që kotnasikoti na rrinë mbi kokë? Pse këta nuk na bëjnë dritë e të na rrokin për dore dhe të na shpiejnë dhiareve pas Lirisë. Ë?

- Ec shtrihu mbi këtë varr! – ma zgjati dorën Liria.

- Po. Vetëm me një kusht: të mos më tredhin!...

- Hi-hii-hiii… - Qeshi ajo duke u kthyer më shpinë. – Po ku ke parë ti një gjë të tillë joligjore të ndodh në Qytetin e qyqeve.

- Kam parë. E kam parë vetë me këta sy sesi burrat e mejdanit, kur kanë dalë prej këtu, i kanë mbajtur me dorë…

- Mos u bëj i marrë. Ata këtë e kanë bërë nga kënaqësia…

- Po. Po, nga kënaqësia. E di edhe këtë, pse vite me radhë nuk bënë më fëmijë…

- Eh, tashti më u përzjeve edhe në punë të Zotit…

- Zoti nuk ka thënë mos bëni fëmijë!... As tredhni burrat e mejdanit!...

- Edhe këtë e di, po mjaft më shite filozofi! Ec shtrihu në këtë varr-shtrat, sa nuk të kanë tredhur edhe ty si mëzatin… Çfarë burrash mejdani (“komandantë lufte”), “intelektualë” janë këta që të gjithë turren kush i pari të bëhet deputet i popullit?! Donkishotët e partive politike me Sanço Pançot e tyre shqiptar hipur mbi gomarë edhe me nga tre,  katër e pesë mandate. Rast i rrallë ky që ndodh njëzet vjet vetëm te shqiptarët e jo në botën përparimtare, shtetetet demokratike. Nganjëherë, të shtynë të mendosh se shqiptarët nuk kanë të tjerë kandidatë, përveç këtyre argatëve që vite me radhë dergjen e flejnë në Parlament e Qeveri. E në anën tjetër para fushatës zgjedhore ankohen se, i ndjek hap pas hapi  si “mëmëdhetarë” maleve e fushave policia e shtetit maqedonas…

- Hi-hii-hiii… Vërtet i ndjek me poste në Qeveri…

O Imzot! Si më paske dërmuar këtyre rrugëve të gjata me vite e vite. M’i ke lidhur sytë me shami. Këmbë e duar më ke lidhur me zinxhirë. Po, si nuk të është kujtuar të më hedhish një krah bar në grazhd? Ose: të ma varish për qafe një torbë me taxhi. Nuk e ke ditur se ashtu i uritur asht e lëkurë unë nuk do të mund t’i lëroj arat me pllug, t’i bëj ugare, mbjell në vjeshtë. Po, do ta thyej zgjedhën… Qerren… Pse atëherë nuk më ke ushqyer mirë, që të ta mbush oborrin plot me fëmijë. Pse? Thua, ke pasur frikë vajin e tyre? Nëse është ashtu, atëherë pse ua mbylle shkollat, ua prishe muret, shtëpitë? Nuk pate frikë se mund të dalin në rrugë. Të bashkohen në grupe dhe me protesta paqesore të rebelohen mbi Urën e Gurit. Ose, të rrënojnë çdo gjë që gjejnë përpara, t’i marrin nëpër këmbë. Ku do të na shpienin këto dyluftime? Hë ,fol! Mos u bëj se nuk dëgjon, kur veshët nuk i ke të sëmurë, të mbushur me pambuk. E, nëse e ke fjalën te gjumi, edhe mua më flihet mes kukullave që dinë të qeshin e qajnë me bark!... Natën e mirë!...

Pas pak kohe u hap dera dhe hyri im Atë. Në dorë mbante një fener. E kishte ngritur lartë në dorë dhe vinte drejtë meje nëpër errësirë. Kur u afrua pranë, ma vuri fenerin te koka. Po, meqë drita iu duk e dobët, ia ngriti fitilin. Dikur e vari në një gozhdë në mur. Ndërsa, vetë m’u përkul mbi kokë.

- Hë, edhe ti luan rokënrol në mesin e kukullave?

- Jo. - Iu përgjigja. – Vetëm erdha t’i shoh si i hedhin vallet…

- Përralla. Përralla rrëfen, o bir! Përralla. Vetëm, mos harro se për të gjitha do të gjykoheni një ditë…

- Po, unë nuk kam bërë mëkate. Kukullat vetë më mashtruan me bark…

- Nuk e di. Vetëm një gjë e kam të qartë, se për të gjitha i madh e i vogël do të japim llogari një ditë para Xhebrailit…

Po. Kjo ishte më se vërtetë. Se thuajse të gjithë e kishim futur kokën në torbë. I kishim shtie duart në xhepa dhe ecnim nëpër natë. Ndonjëri ishte ndalur edhe në mes të rrugës, donte të hipte në qerre. Po, ku mund të udhëtojë me bark të urët, përveçse në ndonjë livadh. Të shtrihet mu në kokërr të shpinës, në mesin e luleve ta presë Lirinë... Gjithë ditën e gjatë të rrotullohet bythekrye nëpër bar. Pak më vonë nën hije të shelgut t’ia thotë edhe një kënge.

- Zgjatma dorën, o bir! – Më foli im Atë.

- Ja. – ia afrova me frikë dorën para syve.

- Jo. Nuk e paske për shpatë…

- Mos me këtë do të thuash se e kam për kukulla?

- Nuk ma merr mendja.

- Atëherë?

- Vetëm për laps…

E di, se tani nuk do të pajtoheni me mua mes këtyre rreshtave. Ndodh të m’i shani edhe librat. Thyeje qafën, do të më thoni, me gjithë ato shkarravina. Asgjë të mençur nuk na the deri më këtë ditë. Mjaftë më na i shurdhove veshët me marrëzira! Ne kemi nevojë për kalin dhe shpatën e Skënderbeut…

Pajtohem. Dorën në zemër, po unë o burra kam penë me të cilën e grisa edhe këtë natë.  Vetëm se, ju nuk do t’ia dëgjoni vajin, lotët që i derdh ditenatë. Në një rresht ndodh të ngreni krye, duarve t’u bini shuplakë. Po unë, mu kur ktheva kokën, e vazhdova rrugën, këmbët m’u dogjën nëpër zjarr. Nga dhembja i hapa sytë. Tashti e pashë se isha i shtrirë mbi një varr. Një kukull më rrinte te kryet, e një tjetër te këmbët me nga një lule në bark. Ndërsa Liria më ishte futur pasmesnate nën gunën e zezë. Po, ku vajti tashti im Atë?! Ëndërr si duket e kisha parë, derën kur e hapi edhe këtë natë…

- Zgjohu, se agoi dita! Mjaft fjete më dhe e bëre gjumin e të vdekurit mbi varr! – E flugu gunën e zezë Liria në fund të këmbëve.

- Po brekët? Ku m’i le brekët?

- Hi-hii-hiii… Brekët t’i vodhi kjo natë…

- Mos më merrni më qafë!...

- Ma jep dorën! Dorën ma jep t’i shohim kukullat si luajnë rokënrol mes varreve para Ebu Xhehlit me kitarë…

O Imzot, përsëri ç’më panë sytë! Mu për këtë të falem dhe ta di për nder që ma dhurove këtë kokë në qafë. Se, vetëm kjo mund t’u bëjë ballë gjithë këtyre çudirave dhe marrëzirave nëpër këtë natë. Tjetra me siguri do të pëlciste, do t’i derdheshin trutë në baltë. Po, kush tjetër do të kishte guxim t’i shoh Vajzën dhe Djalin e Dr. Madhit se si luajnë rokënrol mbi një varr. E rreth tyre kukullat duke i imituar me bark.

- E sheh, - më tha Liria. – Kështu luhet rokënroli, kur e gjithë familja kërcejnë me kitarë, e jo me çifteli e dajre…

- Hi-hii-hiii… - Qesha unë. – Talentë të rrallë…

- Me siguri një ditë do të luajnë edhe para kamerave televizive?

- Ta merr mendja. Ata rokënrolin e kanë traditë, në gjak…

E thashë këtë mendim dhe u ula këmbëkryq mbi një varr. Vetëm se tani kukullat filluan të sillen në rreth, t’i rrahin duart herë pas here shuplakë. Kjo do të thoshte se u pëlqente muzika e rokënrolit në këtë festival. Ja, edhe pse e këpusnin mjedisin, i rrotullonin sytë, përdridheshin para kamerave televizive. I venin në përdorim të gjitha shkathtësitë, që para kukullave të ishin sa më bindës, sa më të zjarrtë. Vetëm pak veta i besonin lojës së tyre, kishin frikë mos thyejnë ndonjë këmbë… Kokën... Nuk i kuptonin përdridhjet e tyre, nuk e dinin ku i shpienin këta flamurtarë, në Liri ose Robëri . Një kukulle edhe i ra të fikët kur Vajza e Dr. Madhit një lojtari iu hodh në qafë. E mori për dore pas mullarit me bar dhe e rrëzoi nën qiellin e hapur me yje…

- O kukulla, shihni tani se si qahet e qeshet me bark!...

- Mos u bëj e marrë! – E ngriti zërin Dr. Madhi, i dehur mes disa kukullave që e kishin rrokullisur bythekrye mes dy varreve.

- Jo. Familja jonë i ka traditë rrokullisjet nëpër natë…

E tha këtë dhe u hodh më shpinë… Vetëm se tani u turr një Kukull mashkull dhe e dogji nën bark. Ajo lëshoi një piskamë dhe ulej e ngrihej e ndezur flakë. Po, kur u ndezën të gjitha dritat, unë i mbylla sytë. Disa kukulla u turrën dhe e mbuluan me çarçaf. E kishin dërmuar e lodhur, që nuk besoj se do ta merrte veten plot dy javë.

- E kam mjaft, - tha ajo, - për këtë natë.

- Vetëm se kështu si ia keni nisur, një ditë edhe Vetëshërbimit të kukullave do t’ia veni drynin… Edhe shulin krah më krah…

- Nuk e besoj. Se, ne dimë të qeshim e të qajmë me bark…

- Po. Pajtohem me këtë zbulim shkencor. Vetëm se, ne jemi edhe për dajak…

E kuptuat ç’desha të them me këtë në Vetëshërbimin e kukullave? Po. Atëherë, pse nuk ma dëgjoni zërin? A e dini se ajo Ditë e Madhe nuk është larg. Jo, ë? O burrani, të gjitha do t’i paguajmë një ditë. Të gjitha. Edhe rokënrolin e familjes së Dr. Madhit. Edhe qeshjet e të qarat me bark të kukullave. Edhe rrokullisjet nëpër varre… Edhe lotët e Lirisë para Vetëshërbimit në Bit-Pazar… Edhe… Se, ne jemi të sëmurë. Veten e kemi mashtruar përnatë. Të tjerët kur na e kanë shuar dritën, ne duarve u kemi rënë shuplakë. Ua kemi fërkuar me duar. Pse? Nuk e keni ende të qartë?! Ja, edhe këtë po ua them në këtë shkrim. Se, bythë nuk keni për kalë… E as dorë për shpatë… Ë? Tani mundoheni të mbeteni gjallë. Vetëm se është vonë. Vonë. Të gjithë vetes i keni bërë varr. Edhe këtë nuk e dini?! Po, deri kur do të shkojmë vullnetarë te kasapi, të na tërheqin me litar? Pse nuk e hapni gojën? Mos me këtë heshtje doni të thoni se keni hipur në kalë? Nuk e besoj. Kokën, heeej, kokën mjerë ai që nuk e di pse e bart me vete në qafë…

- Dr. Madhi, - tha dikushi, - ka hipur në kalë!

- Po, - tha një plak. – Vetëm se, do të shihni një ditë sa koka do t’i presë me shpatë…

Dhe, erdhi ajo ditë kur Dr. Madhi nëpër Qytetin e qyqeve shetit me kalë me shalë. E ka ngritur dorën mbi ne lart me një shpatë. Vetëm, ku e diti ai plak?! Kjo më shtyri ta bart kokën edhe ndonjë ditë në qafë. Po, kur vetë Dr. Madhi ia vuri drynin Vetëshërbimit të kukullave, vërtet pati të drejtë ai plak. Ç’të them tashti tjetër, kur koka ende më duhet në qafë. E Dr. Madhi e ka ngritur dorën mbi ne lart me një shpatë…

- Hi-hii-hiii… - Qeshi Pasardhësi i Zef Serembes. – Mirë bëra që edhe unë nuk shkova pas Lirisë në Turqi, të mbytem me gjithë dorëshkrime në det, por e kërkoj këtyre rrugëve nëpër Bit-Pazar.

- Pse?! – E pyeta unë.

- Hi-hii-hiii… Nuk e di?

- Jo.

- Dr. Madhit, trurit të Nënës Parti t’i shkruaj vargje nën Rrap…



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora