E shtune, 27.04.2024, 10:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Besi Bekteshi: Historia e një kishe legjendare, ku martoheshin mbretërit

E hene, 23.05.2011, 07:57 PM


Historia e një kishe legjendare, ku martoheshin mbretërit

 

(Kisha e Shirqit, monumenti i jashtëzakonshëm në luftë me Bunën)

 

Nga Besi BEKTESHI

 

Po të shikosh në distancë prej 20 km nga qyteti i Shkodrës, në krahun e majtë të Bunës, është edhe fshati Shirq, dhe në afërsi të buzës së ujit është kisha e jashtëzakonshme për nga rëndësia historike dhe religjionare, por edhe nga trashëgimia që sot i thonë “Kisha e Shirqit” dhe kur dikur janë kurorëzuar princa shqiptarë dhe malazezë. Normalisht nën rrënojat e saj të sotme ka akoma eshtra fisnikësh, por dikur nga ujrat janë marrë edhe eshtra princash dhe njerëzish të rëndësishëm të varrosur në shekuj, në këtë territor. Në fakt është konsideruar malazeze dikur kjo kishë, dhe është bërë një gafë e madhe për të mos u ruajtur, por sot shumë persona e kanë kuptuar se është pjesë e ADN-së shqiptare në histori dhe fisnikëri e religjion kjo kishë kaq e vjetër në tërësinë e saj. Kisha është rrezikuar, dhe akoma rrezikohet nga Buna dhe përmbytjet, por në Muzeun e Shkodrës, ka foto që tregojnë edhe madhësinë e saj reale që sot nuk duket. Muret datojnë që në fillimet e shekullit të VI-të dhe normalisht është përdorur për martesat e princërve në të dy anët e Bunës. Kisha ju është kushtuar shenjtorëve Sergji dhe Baku dhe populli kishën e njeh me atë të “Shna Prendes” dhe i lutet kështu asaj. Normalisht Shirqi në mesjetë, ka qenë port i Shkodrës si edhe Oboti pak më larg, dhe sëbashku me Bunën ishin edhe ndalesat e anijeve të kësaj zone kaq të zhvilluar mesjetare. Shirqi ka pasur edhe doganën si një pikë administrative dhe zhvillimi ekonomik. Kisha e vjetër, ka qenë e stilit romano- gotik dhe duhet thënë se studiuesi i madh Theodor Ippen, ka përshtatur dhe shpjeguar një mbishkrim të vjetër në gurët e kishës që dilte se kjo mrekulli i vjetër ishte ndërtuar plotësisht në vitin 1290-të nga mbretëresha franke Helena. Ajo ishte bija e Perandorit Baldovin II, grua e Mbretit të Rashës i quajtur Urosh I dhe regjente e “Mbretërisë së Rashës”, sipër Shkodrës. Ippen-i, nuk pati shumë kohë të shpjegonte qartë se “rindërtimi” ose shprehja e qartë në gurë: “edificavit de novo istam eçlesiam” që do të thotë “e ndërtoi rishtas këtë kishë” për të kuptuar të gjithë, që Helena si origjinare religjioni katolik, ka rikonstruktuar një ndërtim që vjen nga Justiniani. Mbështetur në tekstin apokrif “Jeta e Justinianit” (Apocrypha Vita Justiniani), autorët e Acta-ve, janë përpjekur të saktësojnë që kisha në fjalë, lidhet me një manastir aty në atë vend paraekzistuese të urdhrit të Shën Benediktit, themeluar nga vetë perandori Justinian në shek. VI (Acta, I, nr. 76). Simbas mbishkrimit të dytë, që ndodhej mbi arkitraun e portës kryesore, kisha del edhe e ndërtuar nga mbreti Urosh (Milutini), pa përmendjen në këtë rast e s’ëmës Helenë, por me ndihmën e një abati shkodran të quajtur Pjetër Dochne. Bllokun e gurit, Ippen-i e gjeti të dëmtuar ne mes të tij, pikërisht aty ku duhej të ishte edhe viti, dhe e dha vitin me hamendje, sipas shumë gjasave dhe mendimeve si viti 1293. Por mbishkrimet, qenë botuar më 1875 edhe nga Augustin Theiner-i (Monumente të vjetra, II, 218), i cili i jepte simbas një relacioni që e konsideronte të Pjetër Bogdanit, dhe ky mbishkrim i dytë në këtë relacion, rezulton i vitit 1318. Sa kohë ka shkuar, dhe kisha është kaluar nga historia religjionare e ka “lundruar” midis ortodoksisë dhe katolicizmit, duke qenë e qartë se ndërtimi dhe rindërtimi janë vepra të besimit dhe kohës së kishës romane!? Po kështu, e kanë dhënë më 1879 Jireèeku (Rrugët tregtare, 66 shën. 210) dhe më mbas Jastrebovi, i cili edhe e vizitoi kishën e rrënuar (Serbia e Vjetër dhe Arbëria, 160). Duke qenë se në botimet në fjalë, (në relacionin) nuk përmendet ndonjë thyerje guri, duhet besuar që të jetë i saktë 1318-a. Ka gjasë, që në këtë mbishkrim të jetë fjala për një ndërtim të dytë, (ose të tretë të kishës nga Uroshi për shkak të dëmtimit të saj prej ujërave të Bunës dhe nevojës së tërheqjes në një kishë tjetër, më në brendësi të tokës. Dëmtimet që kishte pësuar kisha me pushtimin osman gjenden të përshkruara, ndër të tjerë, prej Imzot Marin Bizzi-t në Relacionin e tij të 1611-s. “Ishte me një strukturë të madhërishme, - shkruan ai për të, - në gjendje të merrte brenda 3.000 vetë”. Konsulli frëng në Shkodër Degrand dhe konsulli austro-hungar po aty Ippen, studionin dhe merreshin në kisha të vjetra dhe rrënoja kishash në Shqipëri (1900). Ippen-i bëri inventarin të asaj kohe, regjistroi, lexoi dhe trans-shkruajti dy mbishkrimet, përshkroi teknikën e ndërtimit dhe llojet e materialeve të ndërtimit. Me rëndësi për historinë kishtare dhe kulturore është vërejtja e tij: “Mbretëresha Helenë mbeti një katolike besnike, ndonëse ajo nëpërmjet martesës kishte ardhur në një familje dhe në një vend, që lëkundej midis besimit katolik dhe atij grek” (ortodoks) - (230). Ippen-i u shqetësua edhe për të ardhmen e rrezikuar të këtij monumenti të rrallë: “Mjerisht ky monument i bukur, për shkak të parregullsisë së trishtueshme dhe gjendjes së keqe të sistemit lumor në provincën e Shkodrës, mund të ruhet vetëm për pak kohë” thotë ai. Ujët e lumit, përparon pandalur drejt kishës, saqë fasada anësore që sheh andej, tani është nën ujë, e rrëzuar në shtratin e lumit. Ekziston rreziku që Buna të shkëpusë nga bregu atë copë toke, mbi të cilën ngrihet kisha, duke e marrë më mbas ndërtesën, që do të mbetej si ishull, me vërshimet e njëpasnjëshme. Në këtë rast, zona e Bunës, do të humbiste një simbol, i cili nga kurora e drurëve shekullorë që rrethojnë kishën spikat që së largu përmbi fushë”. Degrand-i, nga ana e tij, e ka lënë të përshkruar në “Kujtime nga Shqipëria e Epërme”. Ai regjistroi shumë mbetje, që mund të gjendeshin ende në kohën e tij: një shtyllëz, një basoreliev (me një shqipe me krahë të hapur përmbi), kupën e ujit të bekuar me stolisje të veçanta, por edhe mbetje pikturash me figura shenjtërish, madje në një pjesë të paprishur të kupolës një figurë të madhe me mjekër të zezë, ndërsa nëpër muret shenjtër tre nga tre (96). Por në vitet “30 me historikun e saj” është marrë historiani At Marin Sirdani, në punimin “Mbretnesha Helena de Francia dhe Kisha e Shna Prendes në Shirq” (“Hylli i Dritës”, II, 1930). Ky bëri matje të reja të reja të kishës, përshkrim të hollësishëm gjithashtu me të dhëna të reja rreth saj, por ai pati kujdesin të vinte re elementet bizantine në stilin e saj. Çfarë ka më rëndësi, ai ia doli të ndante mirë dy kishat afër ekzistuese njëra me tjetrën aty: Atë të “Shna Prendes” me mbishkrimin përkatës dhe atë të “Shna Bakut” ose, si e thërrisnin vendësit, “Shna Baftit”, me mbishkrimin e saj. Ky ka qenë edhe një arsyetim i jashtëzakonshëm model i shpjegimit historik më modern dhe të besueshëm. Në vitin 1953, gurët me mbishkrime i gjeti në ujët e Bunës Theofan Popa, i nxori nga atje dhe ata u vendosën në Muzeun e Shkodrës. Sa u përket dy mbishkrimeve, Popa ishte i mendimit që rindërtimi i Uroshit (Milutin) mund të jetë bërë eventualisht në vendin e ndonjë kapele të vogël paraekzistuese të “Shna Prendes”, përderisa në popull, kisha vijonte të quhej “e Shna Prendes” dhe në këtë mënyrë, gjen shpjegim edhe ekzistimi i dy mbishkrimeve të ndryshme në të njëjtën ndërtesë, gjithmonë sipas Popës. Teza e tij qe pak a shumë ajo që kishte shtjelluar Sirdani më 1930-n. Nga vitet ‘60 e më vonë” u interesua për këtë kishë posaçërisht studiuesi Ëilly Kamsi, i cili arriti të shpëtonte ndonjë mbetje, por edhe t’i parashtronte arsyetimet e tij në kumtesa, si “Një kishë e stilit romano-gotik në Shqipërinë e Veriut” (1984) dhe “Kisha e Kuvende të Shkodrës me rrethina në Mesjetë”. Guri me mbishkrimin e vitit 1290 ruhet në Muzeun Kombëtar në Tiranë, ndërsa ai me mbishkrimin tjetër, të 1318-s, ndodhet në Muzeun Historik të Shkodrës. Nga kisha e famshme, mbetet shumë pak gjë, dhe tashmë është një mur gjysmë në rrëzim e sipër e ka shumë më tepër gurë dhe reperte në ujrat e Bunës. Ka pastaj skica dhe foto nga Ippen dhe Degrandi, por kanë lënë edhe Cordignano dhe Bettini, dy nga fotot e vjetra janë në muzeun e Shkodrës. Kisha e Shirqit vazhdon të luftojë me ujrat e Bunës dhe po ashtu edhe me historinë e saj në kohën moderne dhe historinë akoma të pashkruar qartë, të shqiptarëve.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora