E marte, 04.08.2020, 09:56 AM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Frensis Ford Kopola, filmi që nuk mund të refuzohej

E shtune, 15.12.2007, 06:38 PM


Kur Frensis Ford Kopola, si të ishte Don Korleone, organizon ndonjë festë, të gjithë rendin t‘i tregojnë respekt. Vetëm pak çaste përpara se të arrijë në suitën e hotelit ku është vendosur, në hollin kryesor kryqëzohet me Vitorio Storaro. Kineasti legjendar, i cili bashkë me Kopolën fitoi çmimin "Oskar" për filmin "Apokalipsi", ka ardhur të marrë ftesën për darkën që do të shtrohet për nder të filmit "Rini pa Rini". Kjo premierë në Festivalin e Romës shënon kthimin e Kopolës në botën e kinemasë pas plot dhjetë vjetësh mungesë. Ndërkaq, vetë Kopola duket se është mjaft i zënë me përgatitjen e festës që do të japë.

"Është çështje familjeje", i pëshpërit asistentit, si të qe Don Korleone, personazhi kryesor i filmit që e bëri të famshëm. Dhe nuk po bën shaka. Klani Kopola është mbledhur i tëri në Romë: Bashkëshortja Eleonora, me të cilën është i martuar që prej 44 vjetësh, si dhe fëmijët, Romani dhe Sofia, që të dy regjisorë filmash. Kopola gjithnjë i ka rezervuar një vend të veçantë familjes: "Në rast se më duhet të zgjedh, do të zgjidhja familjen përpara gjithçkaje tjetër".

Ditën që u takova me të, në një revistë qe publikuar një intervistë e tij, në të cilën sulmonte ashpër dy pjesëtarë të tjerë të familjes, Al Paçinon dhe Robert De Niron, që të dy në role kryesore te "Kumbari". Në intervistë, ku kishte pasur diçka për të thënë edhe për Xhek Nikolson, kishte nënvizuar se që të dyve u mungonte ambicia. "Nuk është e vërtetë", proteston, duke thënë se fjalët e tij "qenë shtrembëruar" nga revista. "E përse ta bëja këtë? I kam miq, që të tre. Nuk është logjike. Mendoj se që të tre janë ndër aktorët më të mëdhenj sot për sot. Gjithnjë kanë qenë të afërt për mua. Në rastin e De Niros dhe Al-it, mund të them se nuk jam unë ai që i bëra aktorë. Ata më bënë mua regjisor. Ndërsa për Xhek Nikolsonin mendoj se është tepër i zgjuar".

Besnikëria ka qenë përjetësisht një tipar shumë i rëndësishëm i Kopolës, por kështu edhe koha - temë që haset vazhdimisht në punët e tij. Kjo vërehet më së miri te "Peshku Gjëmues", me planet ku retë grumbullohen e shpërndahen me shpejtësi marramendëse, ku shfaqen orë pa duar, e ku një banakier thotë: "Kur je fëmijë, nuk ke asgjë tjetër veç kohës".

Kopola tashmë është 68 vjeç dhe koha nuk është më në anën e tij. Kur pak kohë më parë prezantoi Martin Skorsezen në ndarjen e çmimeve "Oskar", u vërejt qartë nga të gjithë se e kishte çuar kohën dëm në krahasim me kolegun. Por brenda tij gjendet shumë talent e energji për ta bërë të ndihet i mposhtur nga koha. "Është disi zhgënjyese të vëresh që këmbët nuk janë më aq të forta sa dikur", thotë. "Por më pëlqen ideja e plakjes, dhe mendimi se vdekja është gjithnjë e më pranë nuk më shqetëson shumë".

Gjatë këtyre viteve ia ka dorëzuar çelësat e "American Zoetrope", kompania e themeluar dhe e zotëruar nga ai vetë, Romanit dhe Sofisë. "Kur je 68 vjeç, nisin të të thonë se nuk mund t‘i mbash për vete gjërat, por duhet t‘ia kalosh brezit pasardhës", thotë. Kompania, e cila së fundmi ka publikuar revistën "Zoetrope All-Story" (megjithëse mbetet ende në botën e kinemasë - tani po realizon një film me De Niron) nuk ruan më vizionin utopik që ushqente Kopola vite më parë.

Ai që dikur u përpoq të krijonte një parajsë artistike për regjisorët, "një version i ri i sistemit të Hollivudit", duket sikur nuk parapëlqen të preket kjo temë. "Për fat të keq, nuk pata sukses në këtë përpjekje për shkak të dështimit të ‘Njëri nga Zemra‘", thotë i ngrysur. Muzikali i tij gjigand i ambientuar në Las Vegas shkoi miliona dollarë mbi buxhetin - i cili mbështetej i gjithi nga ai - dhe e detyroi regjisorin të shpallte falimentin.

Kohë të vështira

Në atë kohë Kopola u prek edhe nga një fatkeqësi tjetër, vdekja e djalit 22-vjeçar në një aksident me barkë. Ndërkohë që nuk mundi të gjente shpëtim te puna: dështimet si filmi me gangsterë "Klubi i Pambukut" u ndoqën nga të tjera flluska, siç qe pjesa e tretë e "Kumbari"-t. U rrënua aq shumë financiarisht sa nuk pagoi taksa për tre vite.

Por me gjithë pozitën që do kish çuar në çmendinë këdo tjetër, për Kopolën, admirues i të gjithë atyre që pretendojnë të prekin qiellin, qe një rrezik të cilit ia vlente barra qiranë t‘i hyje. Sillni në mend filmin "Taker: njeriu dhe ëndrra e tij", me protagonist Preston Taker (i luajtur nga Xhef Bridxhs), prodhuesi i vërtetë i makinave, i cili guxoi të sfidonte industrinë automobilistike me një dizajn revolucionar. "E rëndësishme është ideja", thotë Taker, në një frazë që duket si e thënë nga goja e Kopolës. "Më pëlqen ta vendos veten në situata ku filmat të jenë shumë të përafërt me realitetin", thotë Kopola. "Për shembull ‘Apokalipsi‘ është një film i egër, i cili na preku në atë mënyrë që lufta e Vietnamit preku amerikanët".

Kur u shfaq në vitin 1979, fjalët e këngës së grupit "The Doors" ("Fundi") ishin thuajse profetike. Asnjëherë më pas Kopola nuk iu afrua aq shumë çmimit "Oskar". Ndoshta këtë do të mund ta kishte bërë "Megalopolis", film të cilin e planifikon prej vitesh. "Ishte përtej mundësive të mia financiare", thotë, duke shtuar se humbi çdo shpresë për realizimin e tij pas ngjarjeve të 11 shtatorit. "Mendoj se të kesh doza të tepruara ambicieje është diçka shumë e mirë", thotë. "Mendoj se është më mirë të jesh tejet ambicioz e të dështosh, se mos të jesh ambicioz e të triumfosh në botën mondane. Besoj se kam qenë me fat. Kam ditur të dështoj me madhështi".

Teksa në vitet ‘90 arriti të ngrinte në këmbë disa biznese të suksesshme, si ai i tregtisë së verërave, hoteleve në Belize, apo i prodhimit të purove - që pak a shumë e nxorën nga kriza financiare - Kopola dukej më shumë si sipërmarrës se kineast. Suksesi i filmit "Drakula" në vitin 1992 u pasua nga një dështim i plotë në vitin 1995, ku me filmin "Xheku" arriti pikën më të poshtme të karrierës.

Ndërkaq projekte të tjera - si filmi "Pinoku" - mbetën të parealizuara. "Ndihesha i mposhtur", pranon, "por ishte fshikullim profesional. I thosha vetes, ‘ç‘karrierë mund të kem në këtë pikë‘? Nuk doja të bëhesha regjisor hollivudian. Besoja se askush nuk donte të më besonte filma. Doja të realizoja filma të mitë, por askush nuk ofrohej të më ndihmonte financiarisht. Nuk dija cili qe vendi im".

Ndërsa e konsideronte veten të tërhequr, ishte suksesi i së bijës, Sofisë, ai që e ktheu te kinemaja, me filmin "Rini pa Rini". "Kur realizoi filmin e parë (‘Vetëvrasja e Virgjëreshave‘, në vitin 1999), nuk e ndihmova në realizimin e filmit, por në fazat e produksionit", shpjegon. Teksa mësonte të bijën të punonte me burime të pakta financiare, kujtonte ditët e tij të hershme, kur mësonte nën kujdesin e Roxher Korman dhe kur, në vitin 1963, realizoi filmin e tij të parë, "Demenca 13". "Mund të tingëllojë qesharake, por i mësova Sofisë si të realizonte një film me buxhet të ulët", tregon. Në kohën kur e bija nisi të realizonte filmin e dytë "Humbje në Përkthim", Kopola vendosi të hiqte dorë nga "Megalopolis" dhe të ulej me këmbët në tokë. "I thashë vetes, ‘Sofia shkoi në Japoni për të xhiruar Humbje në Përkthim me shumë pak para; sigurisht që edhe unë mund ta bëj këtë‘".

"Rini pa Rini" bazohet te një novelë e shkruar nga Mircea Eliade, dhe lindi gjatë përpjekjeve për realizimin e "Megalopolis", një dramë të cilën Kopola e cilëson me fjalët "të jep mundësi të këqyrësh ndërgjegjen e kohës". Në të përshkruhet historia e Dominik Mateit, një profesor linguistike në prag të vetëvrasjes, i cili goditet nga rrufeja në prag të Luftës së Dytë Botërore. Rimbushet me gjallëri, i rikthehet kujtesa dhe merr shkëndijën që e bën të gjejë sërish bukurinë e jetës.

"E dija që nuk ishte histori e zakonshme, por më dukej e mbushur plot e përplot me marrëzi e me forcë... teksa e lexoja më dukej sikur kisha përpara syve një aventurë, dhe më shkrepi të realizoj një film që të bartte po kaq forcë", tregon Kopola. "U mundova ta ktheja në një film që do t‘ju pëlqejë të gjithëve". Nuk ka dyshim që ky është filmi më i çuditshëm në karrierën e Kopolës. Një rrëfenjë faustiane e shkencëtarëve nazistë, është njëherësh intriguese dhe befasuese. "Nuk doja të qe një film që mund të trondiste publikun", thotë. Ndërkohë që Dominiku është personazh tek i cili Kopola gjen shumë tipare të tijat. Një njeri që përpiqet të përmbushë misionin e vet në jetë, arritjet e të cilit i përkasin kohëve të shkuara - kur nis të rishikojë procesin e plakjes, është e vështirë të mendosh se edhe vetë Kopola nuk kërkon të njëjtën gjë. "Është historia e një burri në një farë moshe që kërkon t‘i kthehet përsëri rinisë", tregon ai.

Le ta quajmë efekti "Kumbari". Dalja e filmit, të cilin e kishte bazuar te romani i Mario Puco-s nëpër kinematë botërore në vitin 1972 i dhuroi dy çmime "Oskar", duke e kthyer në një nga "të rinjtë e parë që u zgjua të nesërmen i pasur", siç është shprehur vetë dikur. "Kurrë më parë nuk kisha pasur para", thotë. "Kështu që jeta ime mori një tjetër drejtim". Pasi realizoi një prej filmave më të mirë, thrillerin "Biseda", seria e dytë e të cilit i dhuroi edhe tre çmime të tjera "Oskar", karriera e tij mori për poshtë. "‘Kumbari‘ më ndryshoi jetën, për mirë a për keq", thotë. "Ishte film i cili arrihet të realizohet vetëm në fazat e vona të karrierës, ndërkohë që unë isha vetëm 29 vjeç. Kështu që tani i them vetes, ‘në rast se atë pjesë të karrierës që duhet të përmbushja në moshë të madhe e kam shteruar në moshë të re, ndoshta tani mund t‘i hyj karrierës së një regjisori të ri‘".

Si edhe Dominiku, Kopola përpiqet të manipulojë kohën: shpreson se "Rini pa Rini" do ta kthejë në kohët përpara "Kumbarit" te filmi "Njerëzit e Shiut", një film i vitit 1969, me buxhet aq të ulët sa të gjitha pajisjet transportoheshin me një kamion të vetëm. Kopola donte diçka identike për "Rini pa Rini". "U kthyem pas në kohë dhe krijuam përsëri atë kamion - një version më modern, por gjithsesi vetëm një kamion", thotë.

Xhirimet u bënë në Rumani me fonde të vetat, ndërkohë që pranon se puna i krijoi ndjesinë se ishte student regjie. "Nuk është dramatik", thotë Tim Ruth, aktori që luajti Dominikun. "Nuk është si ‘Apokalipsi‘". Për Kopolën është një përpjekje për të nderuar kineastët e huaj, të cilët e kanë frymëzuar në hapat e parë të karrierës. "Në atë kohë, shihnim filmat e Bergmanit e të Kurosavës", thotë, "dhe na dukeshin të mrekullueshëm".

Ishte i vëllai, Augusti, njeriu që e ushqeu me dashurinë për filmin, teksa, kur ishin fëmijë në Detroit, e merrte me vete në kinema. Duke qenë se i ati, Karmine, qe flautist, Frensis bashkë me Augustin dhe motrën më të vogël, Talia, udhëtonin shumë në fëmijëri për shkak të koncerteve që një ditë mbaheshin në një qytet e një ditë në tjetrin. "Isha fëmijë i vetmuar", tregon. Në moshën tetëvjeçare iu desh të zinte shtratin për plot një vit për shkak të poliomielitit. "Talenti im i vetëm - nuk kisha shumë - ishte arritja e të kuptuarit të shkencës. Shkoja shumë keq në matematikë, por arrijë të nuhasja shkencën dhe më pëlqente shumë të lexoja libra mbi shkencëtarët. Doja që kur të rritesha të bëhesha shkencëtar ose shpikës".

Jeta e shpuri në një tjetër drejtim. Fillimisht studioi teatër në Nju-Jork për të vazhduar më pas në shkollën e filmit të Los Anxhelos UCLA. Që aty, hapat e tij në industrinë e filmit qenë të shkëlqyer e të suksesshëm. Pas një kohe përkrah Kormanit, në vitin 1970, fitoi çmimin e parë "Oskar" për skenarin e filmit mbi ushtarakun e njohur amerikan Paton.

Në shumë pikëpamje gjithnjë Kopola ka qenë i vendosur gabim në kohë. Me dashurinë e madhe për spektaklin flet me mjaft adhurim për Hollivudin e dikurshëm të Xhek Uarner dhe Samuel Golduin (Jack Warner, Samuel Goldwyn). "Ishin sipërmarrës, por në radhë të parë qenë artistë, kështu që merrnin parasysh rreziqet financiare me qëllimin e vetëm realizimin e filmit më të mirë të vitit. Sot sipërmarrësit janë krejt ndryshe. Zotërojnë kompanitë që zotërojnë ato kompani që, nga ana e tyre, zotërojnë studiot e prodhimit të filmave. Kanë ide krejt të tjera për rrezikun, siç mund të jetë blerja e një kompanie "Telekomi" apo shkrirja me ndonjë perandori të madhe shtypi".

Në rast se tani Kopola është një mjeshtër i madh cirku pa cirk, duket se nuk ndihet fort keq për këtë. Madje po planifikon filmin e radhës: "Tetro", një rrëfenjë "vëllezërish e baballarësh" që do të xhirohet në Argjentinë. "Nuk mund të them se është film autobiografik. Sigurisht që është frymëzuar nga ngjarje që më kanë ndodhur në fëmijëri, që i kam ndjerë thellë brenda meje. Janë gjëra te të cilat tani dua të thellohem".

Edhe ky film do të realizohet me buxhet relativisht të ulët, thuajse sikur maniaku i madhështisë të ishte ulur një herë e mirë me këmbë mbi tokë. "Thjesht dua të realizoj një film pas tjetrit deri në çastin që do kem fuqi", thotë Kopola. "Është ndjesi e mrekullueshme. Ndihem sikur po bëj atë që dëshiroja të bëja në moshën 18-vjeçare". Dhe ndoshta, ku i dihet, koha mund të jetë në anën e tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora