E marte, 19.03.2024, 02:02 PM (GMT)

Editorial

Përparim Demi: Regjistrimi i çregjistrimit

E enjte, 03.03.2011, 08:59 PM


Regjistrimi i çregjistrimit

 

Nga Përparim Demi

 

Në vitet 30, xhaxhai im Mehmeti, mbasi e la shkollën e Fulsit në Tiranë të papërfunduar,  shkoi në Athinë që të punësohej. Ai në atë kohë ishte nënshtetas grek nga qyteti i Filatit, por nuk mund të punësohej për arsye të emrit të tij dhe fesë muslimane, pasi në atë kohë popullsia shqiptare në Greqi i ishte nënshtruar një regjimi special mohimi, denatyrimi, represioni politik dhe shtetëror. Kjo politikë antishqiptare, siç dihet, pati dhe momente kulmore të saj si shpërngulje, luftë ndëretnike, genocid, pa përmëndur këtu të drejtat e mohuara në mënyrë të vazhduar të gjuhës dhe kulturës tonë kombëtare, e cila vazhdon dhe sot e kësaj dite.

Pra që të fitonte egzistencën, Mehmeti u shndrua në Jorgo. Fati e solli që të martogej një vajzë greke nga Pireu, e cila kur erdhi në Filat kuptoi se  Jorgua i saj në fakt ishte Mehmetis (pasi ashtu dinte ta shqiptonte emrin e tij). Ra në një familje me tradita të thella muslimane, e cila jo që nuk i krijoi probleme për shkak të fesë dhe kombësisë, por përkundrazi, e pranoi në gjirin e saj me tërë ngrohtësinë, që një familje çame di ti ofrojë nuses së shtëpisë. Më vonë ajo aq shumë u familjarizua me ne, sa nuk mund ta konceptonte jetën pa familjen tonë të madhe. Shpejt mësoi gjuhën shqipe (me theksin e saj karakteristik), të cilën filloi ta fliste më mirë se gjuhën greke. Kur fliste ndonjëherë më të vëllanë në telefon i përziente fjalët greke me shqipe, sa detyrohej të ndërhynte xhaxhai im që tja shpjegonte kunatit në gjuhën greke, që ta kuptonte. Asnjëherë dhe asnjëri nuk e detyroi kush atë të ndronte kombësinë greke. Ajo vdiq disa vjet pas vdekjes së tij, kur ishte në moshë të thyer si një shqiptare me origjinë greke që jetoi në mes të shqiptarve (Rahmet paçin atje ku janë).

Kjo histori i përket së kaluarës, e cila po përsëritet  në një formë të re me një intensitet të lart. Sot shumë njerëz në jug apo në Shqipërinë e mesme, të besimit ortodoks apo musliman, të etnis shqiptare apo vllahe, mundohen me të gjitha mënyrat ligjore dhe jo ligjore, të kthejnë kombësinë e tyre në atë greke, për të fituar një vizë greke, për të siguruar një leje qëndrim në Greqi, për të zënë një vënd pune në kushtet që u imponon shteti grek, për të marrë një pension prej 300 Eurosh ne muaj që jua jep shteti grek për të rritur numrin e minoritarëve në ”Vorio Epir”. Këto marifete, shteti grek i ka sajuar tani, vitet e fundit, për të vënë në zbatim obiektivat e tij shoviniste dhe ekpansioniste për kolonizimin e Shqipërisë, për krijimin e ”megalla idhesë”, Greqinë e madhe. Qeveria dhe parlamenti shqiptarë i dha Greqisë ndihmesën e tij në këtë punë duke vendosur ligjin që lejon të ndrosh kombësinë sa herë të kesh nevojë apo sa herë të kesh qejf.

Që të shprehemi figurativ, imagjinoni një bimë që mbin si patate dhe kur rritet kthehet në domate, ose një lopë që bën një viç, i cili pasi rritet na bëhet gomar (gjera të çuditshme këto!!!). Pra si punë magjie, lind shqiptarë, si baba, gjyshi dhe stërgjyshi, pastaj papritur hop bëhesh grek dhe kjo në mënyrë krejt legale. Disa, sidomos ata me emra muslimane e kanë më vështirë , jo se nuk e ndrojnë dot emrin e vet, kjo s'ka problem fare, puna është si tja bëj emrit të babës që ka vdekur. Kuptohet këtu hyn në punë gjykatsi, i cili për ca kacidhe të mbaron punë pa lujt vëndit, lej të ket vdek baba kur ka pas qejf, ja ndron emrin gjykatsi dhe pas njëmijvjetësh po deshe. Merreni me mënt sa grekër prodhoi Gjirokastra këto dy vitet e fundit, u kthye në fabrikë grekërish. Tani e ka rradhën Korça. Gjithë fshatrat rreth Korçës janë muslimane, u thoshin aga nga fshatit, vetëm qyteti ka shqiptarë të krishterë, që quheshin efendilerë të qytetit. Këtu kanë ca kollajllëqe, pasi ata që janë me emra ortodokse e kanë më të thjesht. Për shëmbull : Dhimitri bëhet Dumitros ose Dimitraqis, Aleks bëhet Alexis, Foto bëhet Fotaqis, pra fare kollaj, përputhen perfekt.

Për shtetin Grek, i cili e di fare mirë se me kë ka të bëje, kjo është fare normale, pasi krejt Greqia përbëhet nga shqiptarë, të cilët ca me hir dhe ca me pahir na u bënë grekër një ditë dhe jo shumë larg, shekullin e kaluar. Kush u tregua kokfort dhe  nuk pranoi, e zboi ose e vrau, kështu e pastroi vëndin, sot Greqia s'ka asnjë minoritet, jo për besë as edhe një kokër! Në shekullin e kaluar rrodhi gjaku ujë për këtë punë, pasi atëhere Greqia ishte aq e varfër dhe ku ti gjente parat tu jepte shqiptarve që të ndronin kombësinë. Greqia ishte aq e varfër sa grekrit vinin tufë në Shqipëri si argatër (një pjes e tyre janë ata pak minoritar që na mbetën peshqesh), por ikën grekët atëhere dhe në Amerikë e gjetkë. Iknin nga të mundnin, më keq se italianët.

Tani ndroi situata, me gjith ato para (qindra miliarda) që i dha Europa, Greqis, mund ta blinte krejt Shqipërinë, por u treguan të matur, bleu vetëm klasën politike me çmim të arsyeshëm, pra bëri kursim. Për llogari s'ua ha qeni shkopin. Shqiptarët, mercenar e kanë bërë tërë kohës, që në kohë të romakut e deri në atë të turkut, por kombësinë se ndroi asnjëherë. U thonin, arvanit, arnaut, albanez, arbëresh etj., por prap shqiptarë mbetën. Sot doli ky marifet me para, e shpiku greku. Në gjithë botën duhet të paguash taxa që të marrish dokumenta ose shtetësinë, greku të paguan, hajde merre vesh. Kuptohet ky regull është vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, se me i hyp në kokë ndonjë shqiptari tjetër psh. të amerikës të bëhet grek, s'ka shanse.

Në qytetin e vogël Slatina të Rumanisë, është  familja Memisha, shqiptar sade, erdhi aty tek pull në këtë qytet para 250 vjetësh. Janë të vetmit musliman në atë qytet. Që nga plaku, djemtë e deri tek nuset krejt flasin shqip për bukuri. Jo kombësinë që nuk e kanë ndruar por as shtetësinë jo. Këdo të pyesish në atë qytet për familjen albaneze, ta tregojnë menjëherë adresën e dyqanit të kësaj familje shqiptare. Të gjithë e njohin, si preku as Çaushesku. Në shekullin e XIX, të parit të kësaj familje iu dha titulli i qytetarit të nderit të Slatinës.

Nejse, sot mesa informojnë mediat, janë 2000 kërkesa që presin nëpër gjykata për ndrim kombësie.  Shqiptarët kanë një huq, po e morri komshiu e do dhe ai. Sheh rushi rrushin dhe piqet. Pse, thotë me vete, unë s'di të marr para. Si e morri Aliu ashtu e do dhe Saliu. O burra se u bë deti kos. Të vesh sot në qëndër të Athinës, më tepër dëgjon shqip se greqisht.

Tani grekut iu mblodh, iu shtrëngua laku, u lodh tu pagu i shkreti , prandaj hyri në krizë, gjithë ato vite s'janë pak, parja e madhe u derdh. Po ja që tash thesi sikur i është shpuar, prandaj haj ti regjistrojmë sa janë bërë, thonë ata, e të bëjmë hesapet sa minoritet grek u bë në Shqipëri, do i numërojë si kokrat e qepës sa të mbushet thesi. Kështu pra, qe ku u bë Vorio Epiri, me lezet, pa sherr dhe pa luftë. Ishalla, do zoti, mos u bëft ai regjistrim se pas tij do ua presi koromanen greku shqiptarëve, se punën e mbaroi tani dhe nuk është aq budalla sa ti pagojë gjithë jetës, do ua gjej ndonjë kleçkë apo ndonjë marifet dhe tak, mbyllet çesmja. Si do ja bëjnë shqiptaro-grekët e Shqiprisë atëhere – me kombësi të ndruar dhe pa pare ? Jua them unë, greku do fillojë të bërtasi sa ta dëgjojë gjithë Europa se po diskriminohen minoritetet në Shqipëri. Deputetët grek në parlamentin europian do mbajnë fjalime, referate, seminare, ku do derdhin dhe nja dy pika lot për minoritetin grek në Shqipëri, deri sa me hir a me pahir Shqipëria të bëhet e dëgjueshme ndaj Greqisë. Lej që pa veton e Greqis as të mos ëndërojë për të hyrë në Europë.

Më e lezetçmja është se pas 90-tës, sa u hapën kufijtë, të parët që çanë e ikën ishin minoriteti grek, apo nuk ishin afër dhe i njihnin shtigjet. I gjen nga Athina, Peliponezi a nga ishujt. Ata e patën më kollaj se nuk e kishin haruar gjuhën, e kish pas merak vet Enveri këtë punë. Pra që të kuptohemi grekër në Shqipëri s'ka mbetur, por puna është të regjistrohen shqiptarët e kthyer në grekër. Pra shqiptarët që u shregjistruan si shqiptarë dhe do regjistrohen tani si grek. Çfarë do regjistrohet pra? Do regjistrohen të shregjistruarit, që të kemi dhe ne një Vorio Epir, që të mburemi, jo vetëm grekërit.

 

Bukuresht, 02.03.2011



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora