Editorial
Enver Bytyçi: Çmimi i qeverisjes me Behgjet Pacollin
E hene, 21.02.2011, 09:00 PM
Çmimi i qeverisjes me Behgjet Pacollin
Nga Enver Bytyçi
Prej sot në Kosovë do të kemi një qeveri të re, të dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe derivatet e kësaj date, për shkak të çrregullimeve të shumta të tyre. Hashim Thaçi është mandatuar për të formuar qeverinë e re të Kosovës dhe besohet se në këtë qeveri nuk do të bëjnë pjesë "ministrat e korruptuar". Në qeverinë e re do të bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Partia për Kosovën e Re e Behgjet Pacollit, dy ose tri parti të minoriteteve si dhe deputeti Ukë Rugova. (Lexuesi do të më falë që nuk po përmend Listën Rugova, sepse nuk do të kisha pasur kurrë dëshirë dhe nuk do të mundet kurrë që Ibrahim Rugova dhe personaliteti e roli i tij i jashtëzakonshëm të shërbente për lista zgjedhjesh). Përfundimisht kjo qeveri do të jetë në dorën e 34 deputetëve të PDK-së, 8 deputetëve të Pacollit, 21 deputetëve të minoriteteve si dhe 1 deputeti të AAK-Listës Rugova.Thuhet se do të jenë gjithsej 65 deputetë, të cilët do të mbështesin formimin e kësaj qeverie, domethënë 4 më shumë se kuorumi i nevojshëm. Të tjerët, 55 deputetë, do të jenë në opozitë. Kësaj do t´i përkasin 27 deputetët e Lidhjes Demokratike, 14 deputetët e Vetëvendosjes, 12 deputetët e AAK-së së Ramush Haradinajt dhe ndonjë deputet i partisë Radkas.
Qeveria e re e sapoformuar, por ende e pakonstituar do të ketë ndoshta më shumë se gjysmën e ministrave prej radhëve të PDK-së, tre ministra për AKR-në, 3-4 ministra e një zv.kryeministër për minoritetin serb, nja gjashtë zv- ministra po për këtë minoritet si dhe një ministër për Ukë Rugovën ose përfaqësuesin e tij.
Po cilat janë veçoritë e kësaj qeverie? Cili është çmimi i qeverisjes Thaçi 2? Veçoria kryesore është se tetë deputetët e një partie kanë imponuar jo vetëm portofolet e tre ministrive, por edhe postin e presidentit të Republikës. Behgjet Pacolli prej sot ose prej nesër do të jetë me gjasë, nëse do ta votojnë të gjithë deputetët e mazhorancës, presidenti i Kosovës, por nuk do të jetë "trashëgimtar i Rugovës" në kuptimin filozofik e politik, moral e integral. Ky është çmim shumë i madh, të cilin duhet që Kosova ta paguajë në këmbim të krijimit të kësaj qeverie.Të shtunën Pacolli dhe Thaçi u shfaqën në ekranet e TV-ve shumë të gëzuar. Pacolli sa nuk po i hidhej në qafë Hashim Thaçit e ta mbulonte me puthje pambarim për nderin e madh që i bëri, duke i rezervuar postin e kryetarit të shtetit. Por Hashim Thaçi nuk dukej aq entuziast. Ai gati sa nuk ia ndërpreu në mes përgjigjen e pyetjes së fundit të një gazetari, kur u ngrit me nguti nga tavolina e konferencës. U duk qartë se mburrjet e Pacollit nuk po i pëlqenin atij. Nuk e di nëse ky sinjal do të jetë prologu i një sjellje të tillë edhe gjatë qeverisjes së vendit e për së tepërmi gjatë bisedimeve me Beogradin, por nëse është kështu, kjo do të thotë se "arroganca" brenda kufijve e Thaçit ka lidhje dhe mosbesimin ndaj aleatit kryesor të tij si dhe me mospajtimin me atë që quhet fëmijëri politike e Pacollit. Megjithatë mund të mendohet se Thaçi është i vetëdijshëm që ka paguar një çmim për këtë zgjedhje nga më kë këqijat e mundëshme. Kostoja e kësaj zgjedhjeje do të duket në të ardhmen dhe koha mund të bëjë mrekullinë e saj, por skepticizmi është ndjenja e parë e kësaj periudhe konstituimi.
Besueshmëria e Pacollit është shumë e diskutueshme, fakt të cilin kryeministri i Kosovës e njeh tashmë. Ibrahim Rugova nuk e kishte afruar Pacollin asnjëherë afër vetes, madje edhe kur ai i kishte kërkuar "bashkëpunim". Në vitin 1998 ai ishte paraqitur te Rugova e përfaqësuesit e tij si përfaqësues i Boris Jelcinit, me kërkesën që të ndërmjetësonte në bisedime me Beogradin, por pa amerikanët. Në emër të Rugovës refuzimin kategorik e kishte marrë prej Fehmi Aganit. Rugova nuk kishte ndonjë problem personal me multimilardierin biznesmen, por ai e kishte refuzuar atë për shkak të lidhjeve të tij të dyshimta me ish-presidentin e Rusisë, Boris Jelcin si dhe ish-ambasadorin e Beogradit në Moskë, vëllain e Milosheviçit. Në demokraci këto fakte nuk bëhen pengesë të bëshesh dikush, ose ta jetosh jetën e ndoshta as të merresh me politikë, por në vende të konsoliduara të tilla dyshime janë të mjaftueshme për të evituar me çdo kusht zgjedhjen e një kryetari shteti pa integritetin moral e politik të nevojshëm. Nga ana tjetër publiku ka të drejtë të dyshojë, sesi është e mundur që postin e qytetarit të parë të Kosovës ta marrë një lider partie me 8 deputetë, d.m.th që përfaqëson vetëm 7 përqind të qytetarëve të vendit?!
Çmimi "Pacolli" duket se është i papranueshëm jo vetëm për opozitën e Thaçit, por edhe për opinionin publik të Kosovës. OVL dhe UÇK kanë shtruar disa pyetje, për të cilat duan përgjigje nga ana e të nominuarit për president të vendit. Pyetjet kanë të bëjnë me disa deklarata të Pacollit të verës së vitit 1999, pas çlirimit të Kosovës, kur ai ishte deklaruar në një gazetë zvicerane se "Serbia është nëna e Kosovës, por një nënë e keqe". Se "Ishte shumë i shqetësuar dhe kishte ëndërr të tij kthimin e vëllazërimit midis popullit serb dhe popullit shqiptar", se "do të bëhej Tito i Kosovës" etj. Ndërkohë këto dy organizata të dala nga Lufta Çlirimtare e Kosovës kanë shtruar dhe pyetje të tjera për bashkëpunimin dhe kontaktet e Pacollit, po në kohën e luftës me Milosheviçin dhe disa bashkëpunëtorë të tij. Opinioni publik tashmë është në dijeni të faktit se Pacolli kishte takuar Milosheviçin dy herë gjatë pranverës së vitit 1999 dhe madje i kishte kërkuar atij që të mos e shkëpuste Kosovën nga Serbia. Pacolli është shfaqur gjatë vitit 1998 si ndërmjetës i Jelcinit në bisedimet e Kosovës me Serbinë, duke kërkuar evitimin e ndërmjetësve amerikanë në këto bisedime. Të gjitha këto pohime ai i ka dhënë në një intervistë të datës 24 shkurt 2008 në gazetën kroate “Veçernji list”. Për këto arësye atë e kishte refuzuar Rugova, por nuk mundi ta refuzojë Thaçi, të cilit i duket se shembet bota, po qe se nuk bëhet kryeministër i Kosovës me tetë votat e Pacollit. Behgjet Pacolli është përfolur shumë herë në Perendim për fshehje të të ardhurave, për pastrim parash dhe joshje për korrupsion, gjë për të cilën qytetarët e Kosovës dyshojnë edhe në rastin e tanishëm. Për këto arësye pritet që Pacolli të mos mundë të bëhet president i Kosovës, thjesht për faktin se jo pak deputetë të PDK-së nuk pajtohen me zgjedhjen e tij.
Çmimi tjetër i qeverisë së re të Kosovës është gjithashtu shumë i madh dhe ka të bëjë me praninë në këtë koalicion të mbi 20 deputetëve nga minoritetet, shumica dërmuese prej të cilëvë të minoritetit serb në Kosovë. Çfarë do të thotë kjo për qeverisjen e re në Kosovë? Edhe në rastet e tjera minoritetet, përfshirë ata pak deputetë serbë, kanë qenë në qeverisje, pra në koalicionin qeveritar. Por kësaj radhe minoritetet, ashtu si edhe Pacolli diktojnë vendimet e qeverisë dhe të parlamentit. Nëse njëri prej aleatëve nuk do të ishte dakort me vendimet që merren, atëherë do të mungonte vendimmarrja. Ndërkohë është e ditur së pakica serbe është e prirur të imponojë vendime që do ta dëmtojnë së tepërmi ardhmërinë e Kosovës. P.sh. së shpejti pritet të fillojnë bisedimet me Serbinë, për të ashtuquajturat "çeshtje teknike". Serbët e Kosovës gjithnjë kanë qenë në bisedime të tilla në anën e delegacionit të Beogradit, ndërkohë që këtë rast ata do të jenë përkrah përfaqësuesve të Kosovës. Por nuk është e sigurt se në anën e delegacionit beogradas nuk do të ketë gjithashtu serbë nga veriu i Kosovës, të ashtuquajturit përfaqësues të institucioneve paralele. Kjo do të thotë se presioni ndaj qeverisë së re do të vijë nga të gjitha anët, nga Beogradi zyrtar, nga partenrët e koalicionit serb në Kosovë, nga përfaqësuesit e institucioneve paralele, por edhe nga së paku pesë vendet europiane, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe ka gjasa ta imponojnë gjithashtu politikën paneuropiane të baroneshës Eshton. Sprova e parë do të jenë kështu bisedimet e reja që do të zhvillohen midis Prishtinës dhe Beogradit. Hashim Thaçi duhet ta njohë këtë vështirësi dhe nuk do të mundet që të paguajë në këtë proces çmimin e koalicionit që ka formuar. Përndryshe ai do të shënohet në historinë e Kosovës si njeriu që për hir të interesave të pushtetit personal të tij, ka vënë në pazar interesat e Kosovës, integritetin dhe sovranitetin e saj. Nëse Thaçi do të paguante çmimin që i kushton Kosovës në këtë rast, ai do të përballet me të gjithë shqiptarët si dhe përfaqësuesit e tyre në opozitë, madje duke e çuar vendin në një destabilitet të paimagjinueshëm. Ndoshta për këtë arësye Katrimen tërhoqi vëmendjen e tij se "bisedimet mund të dështojnë, por Kosova nuk duhet të dështojë".
Por Thaçit me koalicionin që ka formuar do t´í duhet të paguajë dhe kosto të të tjera. P.sh ai do të detyrohet që të bjerë dakort për një reformë administrative të kushtëzuar nga opcionet e Beogradit, opcione të cilat parashikojnë autonomi të serbëve, pra, një Kosovë kantonesh, që do të thotë edhe një mundësi reale për ndarjen e saj, ose humbjen e territoreve të saj. Kosto tjetër do të jetë imponimi i investimeve, gjë që do ta bënte çdo partner koalicioni të imponohej. Dhe siç thamë, serbët në Kosovë do t´i imponohen qeverisë së Hashim Thaçit. Ata do t´i imponohen në atë masë, sa do të duan të imponohen, pa patur ndonjë mundësi
kufizimi. Aq më tepër se do të kenë aleat mikun e Milosheviçit, kandidatin për presidentin e sotëm të Kosovës, Behgjet Pacolli. Po të ishte vetë diktatori serb në krye të regjimit të Beogradit, nuk do të kishte mundur të arrinte deri te zgjedhja e Pacollit si kryetar i shtetit të Kosovës dhe deri te ky lloj harmonizimi në qeverisjen e Kosovës. Së paku gjatë autonomisë nuk ka qenë e mundur që Kosova të kishte një qeveri kaq të kushtëzuar prej politikave të Beogradit. Dhe sot nuk mund të lejohet që Kosovës t´i jepet një qeverisje me më pak integritet sesa qeverisja e Fadil Hoxhës ose Mahmut Bakallit. Madje edhe po ta kishte Kosovën si krahinë autonome të tij, Milosheviçi vetë nuk do të guxonte ta emëronte Pacollin guvernator të tij, sepse ai kujdesej për imazhin më shumë se përfaqësuesit e sotëm të pushtetit në Prishtinë.
Pacolli me diktatorin Gaddafi
Qeveria e re thuhet se nuk do ta ketë në përbërje të saj të dyshuarin për korrupsion, ish-ministrin e transporteve, Fatmir Limaj. Por kjo nuk e lehtëson aspak barrën e integritetit moral të kësaj qeverie. Behgjet Pacolli është shumë herë më i përfolur sesa Fatmir Limaj. MABETEX i tij është përfolur për miliona ryshfete në Moskë e në të gjithë Europën. Nëse Serbia kishte mundur të infektojë opinionin publik me "korrupsionin e Limajt", tani bota do të fillojë të godasë presidentin e vendit. Kështu të dy krerët e shtetit do të jenë tabelë qitjeje, me qëllim që të shkatërrohet imazhi i Kosovës dhe të dëmtohet integriteti dhe dinjiteti i saj. Milionat ose miliardat e askujt nuk kanë mundur ta blejnë të kaluarën e ndokujt dhe kështu do të ndodh edhe me Behgjet Pacollin. Kosova tashmë nuk do të do të paguajë vetëm çmimin e imazhit negativ që është krijuar në botën moderne, për shkak të akuzave të shumta për korrupsion, trafiqe dhe mungesë të shtetit të së drejtës në Kosovë. Hashim Thaçi, të cilin e kam marrë vazhdimisht në mbrojtje sa i takon akuzës së trafikimit të organeve njerëzore, nuk ka mundur të pastrojë baltën për akuza të tjera të shumta, qofshin këto dhe të pabaza dhe të trilluara. Nga ana tjetër ai është deklaruar se akuzat janë pasojë e politikës së Beogradit dhe Moskës dhe në këtë rast, më i pakti çmim për t´u paguar do të ishte inferioriteti i tij në bisedimet e ardhshme me Serbinë. Kryeministri i ri dhe i vjeter nuk do të mundë ta përballojë edhe një fushatë tjetër në botën e lirë kundër presidentit të mundshëm, Behgjet Pacolli, ndërkohë që serbët brenda qeverisjes së tij do të jenë furnizuesit e këtij sulmi të egër. Për të gjitha këto arësye dhe të tjera, të cilat nuk po i përmend, mund të thuhet se koalicioni i qeverisjes së re në Kosovës është dhe do të mbetet një koalicion i dështuar. Nëse do të mbahet në këmbë me çdo çmim, kostoja do të jetë shumë e shtrenjtë për shumicën dërmuese të popullsisë, për shqiptarët. Dështimi mund të konsiderohej si kostoja më e ulët, sido që ky vend nuk mund ta përballojë dhe nuk e meriton edhe një krizë të dytë institucionale. Megjithatë më mirë një krizë e dytë, sesa një president të dyshuar në shumë aspkte dhe sesa një partner imponues, si minoriteti serb. Një krizë e dytë do të çonte në dështimin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, do të ngadalësonte zhvillimin e vendit, por nuk do të çonte në dështimin e vetë Kosovës dhe shtetit të saj të së drejtës. Ndaj, për herë të parë mund të uroj: "Mirëse do të vish kriza e re institucionale e Kosovës"!