E merkure, 24.04.2024, 04:08 AM (GMT+1)

Editorial

Emin Azemi: Përgjaket Kalaja, kështu deshti politika

E diele, 13.02.2011, 08:59 PM


Përgjaket Kalaja, kështu deshti politika

 

Kalaja është simbol i tejkaluar që personifikonte mburojën e kundërshtimit të invadimeve nga jashtë dhe na duket anakronike që politika të huazojë modele të tilla jomoderne për të demonstruar vetëmbrojtjen dhe vetësulmin njëkohësisht

 

Nga Emin AZEMI

 

Kalaja e Shkupit është prej gurit, por politika don ta të bëjë atë prej letre që ta ketë më lehtë me palos, me fut në xhep dhe me bë të padukshme. Sa më të padukshme të jenë gjurmët që tregojnë se nuk ishin sllavët këtu themeluesit e civilizimit, aq më i lehtë bëhet manipulimi me argumentat historike. Mirëpo as Kalaja e Shkupit nuk mund të bëhet prej letre, as argumentet nuk flasin për ndonjë jetëgjatësi shekullore të pretendimit antik të etnogjenezës sllavomaqedonase. Nuk i kanë fajet shqiptarët pse maqedonasit janë sllavë dhe pse ata nuk ishin këtu kur shqiptarët ndërtonin kala, ura e shtëpi.

 

Por, shqiptarët, sidomos ata që merren me politikë i kanë do faje të tjera. Partia  që është në pushtet nuk e dimë pse e ka zgjedhë metodën e ojq-izimit të vetvetes, duke i paravënë veprimit politik metoda të deplasuara të refuzimit joqeveritar. Vetëm një politikë naive do të priste që t’ia kryejë punët sektori civil, duke e vetpërjashtuar përgjegjësinë që i takon kur partneri qeverisës i kurdis kurtha e pabesi nga më të ndryshmet. Politika nuk do të ishte politikë sikur të mos e kishte korigjues sektorin civil. Ky i fundit, madje, më tepër se sa i takon, po zëvendëson ( dhe më pak po korrigjon) zona të përcëlluara politike, duke u munduar t’i “gjelbërojë” ato  me mjete të pamjaftueshme dhe joadekuate. Prej këtu ndoshta buron edhe etja (nga thatësia) e sektorit civil për pushtet (o)pozitar.

 

Mbase, kjo prishje e vijës që ndan politikën nga sektori civil mund ta ketë përkeqësuar situatën në Kalanë e Shkupit, ndërkohë që falanga kujdestare e nëntokës maqedonase mezi ka pritur prishjen e kësaj vije.

 

Repartet pararojë që vinin nga shoqëria dhe segmente të caktuara falangiste të politikës zyrtare u ndeshën dje në Kalanë e Shkupit. Gruevski nuk është aq i ulët me trup sa të mos ngrihet pak në gishta dhe të shohë se thika që u përdor dje në kala ishte mjeti i fundit i tij për të nxitur një konflikt ndëretnik. Ai, si të ishte kryeshefi i kadastrës, projektoi në pronën e historisë së përbashkët një ngrehinë që do t’i sillte kohës sonë një thikë për të pre jo vetëm një copë mish të njomë njeriu, por edhe indet që mund t’i lidhë historitë e dy popujve në këto hapësira.

 

Miti i vjedhur për lashtësinë e ekzagjeruar është rentgeni më i mirë që nxjerr në dritë të diellit kotësinë e hanxharëve të sotshëm që mundohen t’i fshijnë gjurmët e gjakut me atë fletëpalosjen e quajtur kala. Ta shndërrosh në kod të kujtesës një histori që ka pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike e ndërfetare, është modeli më i keq i të bërit politikë. Sigurisht që ky duhet të jetë edhe shkaku që Komisioni Evropian mund të tërheq rekomandimin për Maqedoninë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

 

Rekomandimi mund të tërhiqet për t’i dërguar sinjal serioz pushtetit aktual në Shkup se nuk është i pjekur dhe serioz për tu ballafaquar me problemet kyçe, përpos që është i gatshëm të mbajë tinëz ndonjë thikë në xhep për të sulmuar gjithë ata që guxojnë të prishin historinë false të Kalasë së Shkupit.

 

Kalaja është simbol i tejkaluar që personifikonte mburojën e kundërshtimit të invadimeve nga jashtë dhe na duket anakronike që politika të huazojë modele të tilla jomoderne për të demonstruar vetëmbrojtjen dhe vetësulmin njëkohësisht.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora