E shtune, 20.04.2024, 11:57 AM (GMT+1)

Editorial

Nysret Ismajli: Sakrifica Politike që (s’)vlen!

E hene, 21.02.2011, 08:59 PM


Sakrifica Politike që (s’)vlen!

 

Nga Nysret Ismajli

 

Zgjedhjet e fundit në Kosovë u certifikuan nga organet kompetente dhe doli fituesi i tyre. Ishte një proces i stërzgjatur si pasoj e vjedhjeve që ndodhën, madje të huajt i cilësuan si vjedhje industriale të votave. Kjo ndodhi në shumë rajone të Kosovës e sidomos në rajonin e Drenicës. Të gjitha partitë politike përveç PDK-së këto zgjedhje i cilësuan si zgjedhje që ka pasur parregullsi të mëdha. Me gjithë këto parregullsi dhe si rezultat i tyre, fitues i këtyre zgjedhjeve doli të jetë PDK-ja. Të gjitha partitë politike të Kosovës e pranuan rezultatin e tyre. Justifikimi i partive politike për t’i pranuar zgjedhjet ishte procesi në të cilën po kalon Kosova.

            Kush më pak e kush më shumë, të gjitha partitë politike në Kosovë bënë premtime para elektoratit të tyre. Televizionet e Kosovës ishin të mbushura me spote politike të paguara nga partitë politike. Poesterët nëpër të gjitha rrugët e Kosovës ishin të shumtë sa që në shumë rastet mbulonin posterët e njëri tjetrit. Ishte një fushat elektorale e cila për nga gjuha dallon nga fushatat e zgjedhjeve të kaluara në Kosovë. Por, e vërteta ishte se të gjithë premtuan se do të dinë të udhëheqin Kosovën në të gjitha proceset që po kalon. U bënë premtime që do të bëhet shumë shpejt liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata prestigjioze të Botës.

            Partia e kryeministrit Thaçi,  gjatë fushatës kishte premtuar rritje të pagave, zhvillim ekonomik, jetë më të mirë për qytetarët e këtij vendi e shumë e shumë gjëra  të tjera që këtë vend do ta bënte të lulëzoi,  po që se ndodhë realizimi i këtyre premtimeve. Kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi premtimet i  kishte kurorëzuar në marrëveshje me sindikatat e sektorëve të ndryshëm në Kosovë. Pak ditë më vonë premtimet i shndërroi në vendim   për rritje pagash. Këto vendime i mori si kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, të cilat ishin të mirëseardhura për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Duqi i doli Thaçit menjëherë pas zgjedhjeve kur në fillim të këtij muaji rritja e pagave nuk ndodhi. Formularët e listave të pagave me rritje u shpërndanë punëtorëve të të gjitha sektorëve që prisnin që pagat e tyre të rriten. Të gjithë ishin të gëzuar se me 1 shkurt në llogaritë e tyre bankare do të merrnin pagat e tyre me rritje. Pak orë para se pagat të vinin në llogaritë bankare të punonjëseve të shumë sektorëve, ky vendim u anulua. Të gjithë ata që prisnin rritjen e pagave u dëshpëruan dhe tanimë nuk besojnë për një gjë të tillë. Shumë analist të huaj dhe të vendit, por edhe shumë punëtor, rritjen e pagave në masën e premtimit as që e besojnë. Thënë në zhargonin e popullit, Thaçi e tregoi vetën se është një rrenacak profesionist që shumë njerëz i bënë që t’i besojnë. Rrena e tij ishte aq bindëse që shumë njerëz i bëri që t’ia japin votën dhe komisionarët e zgjedhjeve t’ia tjetërsojnë votat e partive të tjera për t’i mbushur kutitë me vota të paqena për PDK-në. Sigurisht që këtë,  heshturazi dhe më vete e pranon kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij.

            Jo vetëm kaq, Thaçi në shumë prononcime për media e pati prezantuar veten si një njeri i sakrificës. Tani unë e besoj këtë, por, jo në variantin që ai e kishte thënë. Besoj se Hashim Thaçi e sakrifikon krejt Kosovën për interesat e tij personale, për karrigen e butë të kryeministrit. Zhvillimet e fundit politike bënë që Hashim Thaçi si mandatar për formimin e qeverisë është në gjendje të bëjë koalicion edhe me serbët, vetëm e vetëm për të qenë kryeministër i Republikës së Kosovës. Uni për pushtet e bënë atë që ta bëjë këtë sakrificë që serbët të udhëheqin resorë të rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës. Ai është në gjendje që Qeverinë e Kosovës ta mbushë me ministra serbë, më të vetmin kusht që ky të mbetet kryeministër. Ky zotëri ka harruar që 11 vite më parë vet ai ka luftuar për t’i larguar nga pushteti në Kosovë. Ka harrur që ishin pikërisht këta serb të cilët na vranë, na masakruan, na dëbuan nga vendi ynë e çka jo? Janë po të njëjtit njerëz të cilët sot nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, por, e njohin Kosovën si pjesë të Serbisë. Janë po këta njerëz që me vite punuan për t’i dhënë imazh të keq Kosovës dhe popullit të saj. Janë po këta njerëz të cilët hodhën akuza për transplantim të organeve njerëzore dhe ty z Thaçi të quajtën si njeri që je marr me këtë veprimtari kriminale. Shpifjet që serbët i bënë për ty dhe shokët tuaj na prekën shumë të gjithë qytetarët e Kosovës. Natyrisht se nuk ka shqiptar me logjikë të shëndosh që i beson këto shpifje të cilat së fundi u prezantuan edhe nga Marty e më herët nga Krla Del Ponte.

            z. Kryeministër, a e dinë ti që shumë njerëz të cilët ta kanë dhënë votën janë të dëshpëruar me ty! Janë pishman ngase ata kanë dashur që në qeveri të jesh ti si luftëtar UCK-së. Ata që të kanë dashur ty të jesh në qeveri nuk e duan që në këtë qeveri të jenë serbët. Vota për PDK-në nuk kemi menduar se është votë për serbët ministra.

            Duku uruar që koalicioni me serb nuk do të ndodhë, urojmë që kjo qeveri të formohet sa më parë me partitë politike shqiptare. Urojmë që koj qeveri të jetë efikase dhe në shërbim të popullit për jetë më të mirë për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë. Urojmë që kjo qeveri të jetë më e mirë se e kaluara e cila me privatizim të dështuar bëri që shumë njerëz t’i humbasin vendet e tyre të punës.

            Këtë herë ja vlen që të bëhet një sakrificë për Kosovën. Ja vlen që të formohet një qeveri e përkohshme gjithëpërfshirëse dhe të mos mbahen peng qytetarët e këtij vendi. Ja vlen që të ulen të gjitha partitë politike në Kosovë dhe të ndajnë pushtetin. Është e rëndësishme që të krijohet infrastruktura ligjore për të organizuar zgjedhje të reja që do të prodhonin institucione legjitime. Të gjithë ata të cilët këtë herë e dëmtuan procesin e zgjedhjeve duhet tu tregohet se ku e kanë vendin. Nganjëherë është e rëndësishme dhe ja vlen që të sakrifikohet dhe tu kërkohet falje qytetarëve për dëmin që ia shkaktuat Kosovës. Kërkim  falja është sakrificë!



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora