E marte, 16.04.2024, 03:12 PM (GMT+1)

Editorial

Enver Bytyçi: Tim Judah ose "Dick Marty" anglez në refrenin e akuzave mediatike shqiptare

E diele, 27.02.2011, 08:59 PM


Tim Judah ose "Dick Marty" anglez në refrenin e akuzave mediatike shqiptare

 

Nga Enver Bytyçi, analist

eb_shqip@hotmail.com

 

Gazetari anglez, Tim Judah, ka botuar një artikull të tij në gazetën e njohur "The Economist" dhe ka përsëritur të gjitha akuzat e senatorit zviceran, parlamentarit të Këshillit të Europës, Dick Marty. Artikulli mban titullin pompoz, "Trafiku i organeve, “The Economist”: E implikuar policia sekrete e Berishës". Së paku kështu është paraqitur në faqen e internetit të Balkanëeb ky shkrim që pretendon se ka investiguar rreth raportit të Dick Marty-t. Faqja në fjalë njofton se autori britanik shkruan që, “Gjatë dy ditëve të fundit kanë dalë në dritë dy dokumente të reja që kanë përfunduar në mediat serbe dhe përforcojnë më tepër pretendimet e shkruara në raportin e Dik Martit”. Më tej Tim Judahu thotë se këto dy dëshmi i janë dhënë nga një burim konfidencial në vitin 2003, të cilat i janë përcjellë edhe administratës së Kombeve të Bashkuara. Eshtë e çuditshme se si të tilla të dhëna dolën dy ditët e fundit, kur ato kishin përfunduar para më shumë se shtatë vitesh në duart e autoriteteve ndërkombëtare. Sipas reporterit të The Economist, bëhet fjalë për dëshmitarë shqiptarë që kanë rrëfyer për serbë të rrëmbyer dhe të vrarë me qëllim marrjen e organeve. Më tej autori përmend se këto "krime", pra "transplantimi" i organeve të serbëve të marrë e të mbajtur peng në të ashtuquajturat kampe të UÇK-së, janë kryer nga qershori deri në tetor të vitit 1999, çka do të thotë menjëherë pas çlirimit të Kosovës dhe se për to ka patur dijeni Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e të tjerë eksponentë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më pas thuhet se numri i viktimave, shumica prej të cilëve serbë, arrin në 100 deri 300 veta dhe se "dëshmitarët" janë të gjithë shqiptarë. Për ta përforcuar shpifjen e radhës, Tim Judahu shkruan se katër prej dëshmitarëve kishin transportuar vetë 90 serbë në kampet e përqëndrimit, ndërsa tre të tjerët kanë thënë se kishin ndihëmuar për transportimin e organeve nga shtëpia e verdhë në Burrel në aeroportin e Rinasit në Tiranë, për t´i dërguar ato më pas në Turqi. Judah ka zbuluar se këto dëshmi ishin dhënë në tetor dhe dhjetor 2003 dhe se ato ishin përcjellë në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi si dhe në misionin e OKB-së në Kosovë, UNMIK.

I gjithë ky informacion është pasqyruar pa koment në faqen e internetit "Balkanëeb",  dhe është servirur në formën e një të vërtete, ndonëse mediat elektronike dhe të shkruara të këtij grupi mediatik kishin përgenjështruar rregullisht të gjitha akuzat e Dick Marty. Më shumë se Tim Judah, i njohur për aluçinacionet e tij në qëndrimin ndaj shqiptarëve dhe të së vërtetës së lidhur me ta, më tërhoqi vëmendjen fakti se një medie shqiptare e deklaruar se i është përkushtuar ruajtjes së imazhit dhe identitetit shqiptar, ka servir te lexuesit e saj një shpifje të re, të cilën autori i shkrimit në "The Economist" e pranon se i përket burimeve serbe. Ndërkohë lexuesi i vëmendshëm zbulon arësyen pse ka ndodhur kështu me një medie të njohur në opinionin publik shqiptar?!

Kësaj pyetjeje i ka dhënë përgjigje vetë redaksia e kësaj agjensie lajmesh dhe grupi mediatik. Në artikullin e Tim Judah, i njohur për armiqësinë e tij ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, thuhet shprehimisht se “Të tilla operacione kishin mbështetjen e policisë sekrete shqiptare të qeverisë së atehershme të Sali Berishës, i cili është ende sot kryeministër i Shqipërisë”. Kjo fjali e shkruar në gazetën britanike me emër të madh ka sugjestionuar përkthyesen, redaktorin, kryeredaktorin, pronarin e këtij grup medias si dhe pronarin e pronarit e tutorin e redaksisë dhe kaq ka mjaftuar që të "përligjet" shpifja e radhës e bashkëpunëtorit të Dick Marty ose të prokurorisë së Serbisë. Çeshtja nuk lidhet thjesht me një adresim te "policia e kryeministrit të Shqipërisë", për të cilin thuhet se në qershor-tetor 1999 paska qenë gjithashtu kryeministër i këtij vendi. Thelbësore është fenomeni tipik shqiptar i bazuar në maksimën, sipas të cilit "Armiku i armikut tim, është miku im". Edhe pse përkthmi vjen fjalë për fjalë kësisoj: "Armiku i vendit tim është miku im, thjesht se ai është armiku i armikut tim". Kjo skemë i shpikjes së "armiqve" për interesa dhe qëllime të errëta është tipikja në qëndrimet dhe falsifikimet e shtypit shqiptar dhe këtë gjest po e vuan shoqëria shqiptare, duke e ndarë vendin në dy pjesë, në dy kampe që vijnë gjithnjë e barrikadohen me njëra-tjetrën. Kjo tragjedi, e cila na ka ndjekur prej shekujsh, të kujton atë fabulën e dy vëllezërve që shpëtuan djalin e mbretit dhe në këmbim të mirësisë së tij kërkuan rrënimin e njëri-tjetrit. Kjo mendësi e paudhësisë sonë mbetet ende shkaku i të gjitha tragjedive dhe pengesave serioze për të qenë ata që duhet të jemi. Publikimi me entusiazëm i një rrene të pashembullt është vetëm njëra nga indiciet se ne jemi këta që jemi dhe se e kemi të vështirë ta shndërrojmë veten në njerëz të vlerave të mëdha.

Por le të kthehemi të Tim Judah, publicisti i famshëm, i cili është marrë intensivisht me çeshtjet ballkanike si gazetar dhe reporter i BBC, The Times, The Economist etj. Ai ka shkruar tri libra, një për historinë, mitet dhe rrënimin e Jugosllavisë dhe dy libra të tjerë për Kosovën. Ne mbajmë mend raportet e tij gjatë ngjarjeve të vitit 1997, kur ai ishte shfaqur dukshëm njëanshëm kundër ish-Presidentit të kohës dhe tërësisht në mbështetje të organizatorëve të kryengritjes së armatosur. Mesa duket tash ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të përsitur ritualin e vitit të mbrapshtë të shqiptarëve. Dhe e ka bërë këtë në mënyrën më të keqe të mundëshme. Kryeministri i sotëm, Sali Berisha, në vitin 1999, kur pretendohet të kenë ndodhur ngjarjet e "trafikimit të organeve", ka qenë kryetar i opozitës. Aso kohe ai kishte më shumë se dy vite që ishte rrëzuar me dhunë nga pushteti, e megjithatë kishte pranuar sfidën e ringritjes së tij në rrugë kushtetuese e demokratike. Për këto arësye bie poshtë akuza, sipas së cilës në "trafikimin e organeve të serbëve" kishte marrë pjesë policia e Sali Berishës. Aso kohë ai nuk kishte polici, përveçse dy shoqëruesve të tij të emëuar e të paguar nga garda e Republikës. 

Këtë përpjekje për ta implikuar kryeministrin e sotëm të Shqipërisë Judah e bën me qëllim që t´i "dëshmojë" botës se të dy kryeministrat e të dy shteteve shqiptare në Ballkan, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi si dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, "janë të implikuar në një krim makabër, më të rëndin që parasheh e drejta ndërkombëtare". Prej këtej ai do të vinte te përfundimi logjik, se jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri "qeveris banditokracia". Për pasojë "shqiptarët nuk do ta meritonin lirinë e fituar me ndihmën e NATO-s dhe të SHBA-ve", nuk e meritojnë as mbështetjen e sotme nga vendet demokratike të vlerave euro-amerikane. Duke u përpjekur që qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës të serviren si "qeveri terroriste", çka i pëlqen ta bëjë "analisti" Jim Judah, do të shkohej jo vetëm në cënimin e rëndë të imazhit të kombit shqiptar, por edhe në ndëshkimin kolektiv të tij.

Kjo përpjekje vihet re mjaft qartë, nëse vemë re se në artikullin e autorit britanik jepen referenca nga Beogradi. Ai pranon hapur se të dhënat e "dëshmitarëve" kanë rrjedhur nga informacionet e prokurorisë së Beogradit. Më pas shkruan se po në Beograd thuhet se "policia e Sali Berishës kishte marrë pjesë në këtë krim makabër". Dhe nëse i referohemi edhe një të dhëne tjetër, të publikuar në gazetën e Beogradit "Politika" në fund të dhjetorit 2010, atëherë vemë re një koordinim të alibisë midis qeverisë së Serbisë, anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dick Marty si dhe analistit e reporterit të gazetës The Economist, Tim Judah. Gazeta gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung e dates 1 janar të këtij viti shkruante se "Gazeta "Politika" e cila botohet në Beograd, fajëson më së pari Berishën, si personin që fshihet pas trafikut të organeve të viktimave serbe.

Kjo gazetë nxjerr shumë mirë në dritë dhe qëllimin e kësaj aventure dhe alibie të nisur me librin e Del Pontes, të vijuar me raportin e Dick Marty-i dhe të përfunduar nga Tim Judah. Sipas FAZ Serbia planifikon një ofensivë diplomatike, përmes së cilës të arrijë një hetim ndërkombëtar në Shqipëri dhe prokuroria serbe thotë se ajo ka siguruar 130 dëshmitarë të nacionalitetit serb, të cilët i kishin mbijetuar kampeve të UÇK-së. Kjo ofensivë diplomatike, shkruan gazeta gjermane, do të shoqërohet nga një ofensive agresive mediatike. Kësaj ofensive mediatike i shërben natyrisht artikulli i reporterit Tim Judah, shkruar ditët e fundit në gazetën The Economist dhe përhapur me aq zell nga mediat shqiptare, të cilat shiten si media "patriotike". Fabula e dy vëllezërve që shkuan të kërkojnë shpërblimin te mbreti është ende në përceptimin tonë përditësor. Fatkeqësisht në mënyrën më të mundshme të neveritshme.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora