E shtune, 12.10.2024, 12:32 AM (GMT+1)

Editorial

Avni Halimi: Butoni i nacionalizmit primitiv

E marte, 22.02.2011, 08:58 PM


Butoni i nacionalizmit primitiv

 

Vlerat ortodokse do të mbrohen me tërë aparatin shtetëror dhe me të gjitha mjetet e mundshme! Ky ishte mesazhi i rrethimit të hekurt që në këtë fundjavë iu bë Kalasë së Shkupit nga ana e policisë dhe njësiteve speciale maqedonase, të cilat demonstruan mbrojtje, mbi të gjitha, të objektit që shumë shpejt do të bëhet kishë ortodokse

 

Nga Avni Halimi

 

Gjakimi patologjik për të zhvilluar nacionalizmin primitiv gjithmonë i ka hapur rrugë politikave shoviniste të cilat përfundojnë në racizëm me një kosto të paimagjinueshme jetë njerëzish. Retorika politike e përdorur në këtë fazë antinjerëzore do të ishte tepër anemike nëse nuk do të mbështetej nga fjalori i shprehjeve fetare, nga retorika manipuluese fetare. Një dijetar anglez thotë se “feja nuk mund ta zhvillojë një civilizim njerëzor, sepse, feja, në esencë, është robërim, nënshtrim”!

 

Skenar tashmë i parë

 

Inkuadrimi i fesë në politikën shoviniste bëhet me qëllim për të siguruar një shtytje të fuqishme deri te caku i synuar antihuman. Kasapi i fundit i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, “u ndje me krahë” vetëm kur nisi ta shijojë përkrahjen e fuqishme të Kishës Ortodokse! Me këtë rast, kjo Kishë bekoi çdo ngjarje, çdo zhvillim, çdo vepër kriminale, raciste, edhe atë në emër të popullit qiellor, në emër të popullit me prejardhje hyjnore! Antinjeriu, krimineli, për t’u inkuadruar në aksione shfarosëse, mjafton që të sigurohet se do të jetë i bekuar, i falur e i shpërblyer nga Zoti! Kjo filozofi e mbrapshtë prodhon një Millosheviq, një popull serb, një komunitet me njerëz bombë, “një popull antik maqedonas”!

Kishat, si të gjitha objektet e tjera fetare, janë faltore që shërbejnë për falje, për lutje, për prehje e fisnikërim shpirtërore, dhe jo si një pikënisje për konflikt ndëretnik, ndërfetar, apo si bazë për ta shprehur “superioritetin qiellor” si dhe nënshtrimin e egër të etnive të ndryshme. Kompleksi kishtar i Pejës (Patriarkana), i Graçanicës, i disa kishave të tjera në territorin e Kosovës, u bënë një shtytje për realizimin e politikës së Millosheviqit – shfarosjen e një populli të tërë shqiptar, sepse “populli qiellor serb duhet të jetojë në hapësirë të bekuar dhe të spastruar prej elementit joortodoks”! Pra, problem ishte vetë shqiptari dhe jo feja e shqiptarit. Pasi të zhduket shqiptari me tërë kulturën e vet do të zhduket edhe shpirtërorja e tij.

Pikërisht këtë filozofi të mbrapshtë politike po mundohet ta zhvillojë çdo ditë e më shumë edhe Nikolla Gruevski. Kryeministri aktual, pa dyshim që është brumosur me një antishqiptarizëm të egër, mbase nga fakti që pjekurinë e tij “intelektuale” e arriti pikërisht në një kohë dhe në një shtet ku po përgatitej një skenar makabër kundër shqiptarëve. Këtë politikë diskriminuese e raciste e ushtroi edhe sa ishte ministër i financave, atëherë kur në këtë dikaster nuk lejonte të punësohej qoftë edhe një shqiptar për ilaç. Gjithnjë e më shumë është i bindur se, me nënshtrimin e BDI-së,  tani më i ka nënshtruar të gjithë shqiptarët e vendit. Dhe, për t’i shndërruar në lakej të përjetshëm i duhet që ta inskenojë një konflikt që do ta justifikonte çdo masë e mjet represioni kundër shqiptarëve.

 

Maketi i kishës që do të ngrihet

 

Kisha në Kalanë e Shkupit! Për këto njëzet vite jo një herë ka pasur provokime fetare nga ana e Kishës Ortodokse Maqedonase, por, të gjitha ato provokime kanë kaluar vetëm me ndonjë reagim të thatë e sipërfaqësor si: kryqet në sahat kullë në Prilep e Manastir, kryqi gjigant në Vodno e nëpër disa kodra të tjera, kishëzat në çdo rrugë e skutë të vendit, djegia e xhamive, prishja e varrezave muslimane etj. Shqiptarët e Maqedonisë asnjëherë nuk kanë pranuar që të futen në lojën e planifikuesve ortodoks, sepse, prioritet kanë pasur si të flasin lirshëm shqip, si të edukohen dhe arsimohen shqip, si ta kultivojnë lirshëm shqiptarizmin, si të çlirohen nga ajo urrejtje antishqiptare që si zgjedhë ju rrinte në qafë me dekada të tërë.

Kisha në Kala të Shkupit nisi me ndërtimin pasi siguroi lejen nga Qendra për konservim dhe restaurim ku drejtor është kuadri i BDI-së. Fillimisht u sigurua buxheti dhe u miratua në qeveri, pra edhe nga ministrat shqiptar! Pastaj rreth një muaji ndërtohej pa problem, gjithnjë duke u bindur opinioni i gjerë shqiptar nga zv/kryeministri Abdulaqim Ademi se nuk është kishë por muze, kurse drejtori i Qendrës, Bexhehudin Shehapi na thoshte se bëhet fjalë për një maket (!!!) pa e ditur fare kuptimin e kësaj fjale. Të njëjtët “shqiptarë” që i dhanë hov ndërtimit të kësaj kishe në Kalanë e Shkupit, të njëjtit pastaj i pamë në rolin e rrënuesit të objektit që tashmë u ishte “shndërruar” në kishë! Reagimi ishte fatal, sepse, dikush deshi që shqiptarët t’i paraqesë si reagues e protestues vetëm kur janë në pyetje kishat dhe çështjet fetare, pra si “fundamentalistë”!

Vlerat ortodokse do të mbrohen qoftë edhe me tërë aparatin shtetëror ashtu dhe me të gjitha mjetet e mundshme! Ky ishte mesazhi i rrethimit të hekurt që në këtë fundjavë iu bë Kalasë së Shkupit nga ana e policisë dhe njësiteve speciale maqedonase, të cilat demonstruan mbrojtje, mbi të gjitha, të objektit që shumë shpejt do të bëhet kishë ortodokse.

Fatkeqësisht, përfundimi dhe inagurimi i punës së kësaj kishe do të ndodhë shumë shpejt! Çdo gjë që rrënohet në “situata konfliktuale”, në paqe rindërtohet, ringrihet. “Shqiptarët” e rrënuan kishën në Kalanë e Shkupit dhe, në shenjë pendimi, do ta lejojnë rindërtimin e saj! Kjo kishë u bë sinonim i nevojës së BDI-së për ta larguar vëmendjen shqiptare nga degradimi i gjuhës shqipe në rregulloren e fundit të Parlamentit të Maqedonisë, drejt Kalasë ku po ndërtohej një kishë! Ndërsa për VMRO-në u bë sinonim i brengës kombëtare përballë “fundamentalizmit islamik shqiptar” për ç’gjë u dha alrami për shtypjen e të gjitha butoneve kombëtare e fetare.

 

Zoti i popullit mitik

 

Fill pas rrethimit klasik të Kalasë nga një numër i madh i forcave të sigurisë maqedonase, për Kishën e Kalasë u prononcua edhe z.z. Stefani, kryetari i Kishës Ortodokse Maqedonase. Sipas tij “edhe kjo ngjarje  e fundit me rindërtimin e kishës në Kalanë e Shkupit, është një goditje për identitetin maqedonas dhe mënyrë për fshirjen e ekzistencës të maqedonasve, sikurse rrënimi i kishave dhe përmendoreve maqedonase në veri të Greqisë”! Pra, miqësinë e shqiptarëve zotëri Stefani e ngrit në nivelin e armiqësisë greke! Ndërkohë që shqiptarët janë i vetmi komb në rajon që maqedonasëve ua ka pranuar identitetin kombëtar, gjuhën, fenë, kishën, flamurin si dhe emrin kushtetues! Kjo deklaratë e të parit të kishës ortodokse maqedonase në fakt është prononcim që del në formën e një zëdhënësi të Gruevskit, i cili, tashmë është më se i bindur se vetëm nacionalizmi primitiv mund ta shpëtojë nga zhbërja e afërt në skenën politike të Maqedonisë. Kështu mendonte dhe vepronte edhe Sllobodan Millosheviqi sa herë që i lëkundej besueshmëria në popullin e vet. Politika e këtij satrapi serb por edhe e radikalëve racistë serbë trumpetonte se “Kosova është tokë e shenjtë serbe”, “populli serb është popull qiellor”! Nuk ju duket qëndrim i ngjashëm ndonëse pak më “filozofik” edhe ky prononcim i z. Stefanit: “Të fuqishëm janë themelet e ekzistencës tonë, ne do të qëndrojmë dhe do të mbrohemi, sepse e vërteta është në anën tonë ndërsa besojmë se edhe Zoti është me ne”! Pra, populli maqedonas është me “prejardhje hyjnore”, si i tillë edhe më i vjetri në këtë hapësirë dhe me përmasa mitiko-biblike dhe, të mirat nëntokësore, tokësore dhe qiellore i përkasin vetëm këtij populli me të cilin është edhe Zoti!

A është kjo një strategji e menduar në frymën akademike në rast të përkeqësimit të situatave politike si pasojë e diskriminimit permanent të shqiptarëve të Maqedonisë! Pas këtij përkeqësimi eventual shqiptarët ta kërkojnë fajtorin te Zoti e jo te strukturat e caktuara raciste maqedonase?! Shqiptarët nuk do të kenë asnjëherë punë me “Zotin e z. Stefani” dhe as me “popullin qiellor maqedonas” por, thjesht, me të gjithë hartuesit dhe miratuesit e projekteve antishqiptare në Maqedoni.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora