Kulturë
Vangjush Ziko: Triptik dashurie
E diele, 13.02.2011, 08:58 PM
Vangjush Ziko
T R I P T I K D A S H U R I E
SHËN SERENATA
Të rinj
nuk e njihnim
Shën Valentinin.
Por dashurinë
kishim të shenjtë.
Lule
nuk blinim,
as diamantë të shtrenjtë.
Puthjet
fshihnim nga sytë e botës.
Nuk putheshim sheshit.
Gjëja m' e lumtur në botë,
Të vidhnim
një buzëqeshje.
Zemra dridhej
në tela kitare,
Si shpellë kitare kumbonte.
Hapeshin vetë
natën dritaret
Dhe dashuria këndonte...
S' e dinim se ç' ishte
Shën Valentini,
Martiri me zemër të artë.
Zjarrin e shpirtit
digjnim
për Shën Serenatën.
HORIZONTI I DASHURISË
Qielli puthet
me tokën.
Qielli puthet
me ujrat.
Sa zor nga kjo portë
në shpirt
për të hyrë.
Atje troket Dielli.
Atje troket Hëna.
Atje yjtë digjen
dhe hi nuk lenë.
Trokiti dhe zemra ime
shtegtare.
Shqiptoi një emër
me dritë larë.
Ndoq horizontin
më tutje,
më tutje...
Gjer qielli i zemrës
u dogj
në një puthje.
TRIOLETE
VILMAS
* * *
Fytyra jote e magjishme
Me këto thinjë argjenduar
M' i ndrit dhe ditët e tanishme.
Fytyra jote e magjishme
Me këtë nurin aq të hijshëm,
Me këta sytë e menduar.
Fytyra jote e magjishme
Me këto thinjë argjenduar.
* * *
Vitet na ikin.Dot s' i mbajmë,
Hirushja ime zemërbutë,
T' i puth ngadalë unë sytë.
Vitet na ikin.Dot s' i mbajmë.
Ashtu si gjethet u këputën.
Ne nuk trishtohemi.Nuk qajmë.
Vitet na ikin.Dot s' i mbajmë,
Hirushja ime zemërbutë.
* * *
Ndrit dashuria e selitur
Luleshëmitri buzë vjeshtës,
E përtëritur.E vesitur.
Ndrit dashuria e selitur
Si yll i mbrëmjes majë kreshtës
Dhe në acar i paplatitur.
Ndrit dashuria e selitur
Lule shëmitri buzë vjeshtës.
Shkurt 2011