E premte, 26.04.2024, 04:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Ziko: Për Biblën e re të mërgimit

E hene, 26.07.2010, 09:57 PM


PËR BIBLËN E RE TË MËRGIMIT

 

Nga Vangjush Ziko

 

Në Dhjatën e Vjetër shkruhet:

"Mos e kthe kokën prapa!-i thanë ëngjëjt gruas së Lotit kur po largohej nga Sodoma mëkatare që Zoti do ta ndëshkonte rëndë,do ta përvëlonte me zift dhe zjarr të përvëluar për shkak të imoralitetit dhe shfytyrimit njerëzor."

 

Mos e kthe kokën prapa!

Këtë shprehje biblike e dëgjon edhe sot gjithandej nëpër Botë,në mjediset e meigrantëve.Disa e thonë me zë.Disa e thonë me mend.Të tjerë,që me gojë e mohojnë,e kanë të ndrydhur thellë në ndërgjegjen e tyre të trazuar.

 

Mos e kthe kokën prapa!

Kjo frazë ka shkrirë në vetvete një filozofi të yshtur nga jeta e brezave të tërë emigrantësh dhe të çdo njeriu,të çdo kohe e të çdo vendi,që kanë braktisur tokën ku ishin rrënjët e jetës së tyre.Filozofia e kësaj thënieje nuk është e trilluar,ajo ndryn në vetvete plot të vërteta vetjake dhe kolektive.Po ta shtrydhësh këtë frazë,do të pikojnë prej saj pika të përbuzjes,të frikës,të mëdyshjes apo të mallit.

 

Një gjykatës i paanshëm do ta pyeste ndërgjegjen e emigrantit:

-A mund të harrohen prindërit,vëllezërit e motrat,shokët e ngushtë.A mund të harrohet vendi,ai prag,ajo rrugë ku u burrërove,ku rendi e shkujdesur fëminia jote,ku këndove një serenatë për vajzën e zemrës.A mund të harrohet ajo portë ku të hodhën mbi supe orizin e dasmës.Të harrohen ato auditore ku u shkrua pjekuria jote intelektuale.Të harrohet ajo varrezë ku mbi gurët e mermertë janë gdhendur emra të shtrenjtë e të paharruar?!

 

Gjykatësi do të vazhdonte:

-Pse nuk do që ta kthesh kokën prapa.Çfarë të tremb.Mos e ndjen se ke bërë gabim që ike.Mos u nxitove që e le vatrën tënde.Të rrëmbeu vala e tërbuar e zhgënjimit edhe e pasigurisë apo të përfshiu epidemia e emigrimit?Mos të ka mbirë në kokë dyshimi se,mbase,nuk është vonë për t'u kthyer andej prej nga erdhe?!

Nuk është e lehtë t'iu përgjigjesh këtyre pyetjeve të ligjshme të këtij gjykatësi.

Emigranti hesht dhe bluan dilemat e veta të trazuara.

Por ka edhe emigrantë që nuk e pranojnë fare këtë gjyq,nuk duan ta përfillin.

-Nuk dua ta kthej kokën prapa.Shpirti im ka kujtime dhe plagë të dhimbshme.Më faniten mure dhe dyer të rënda burgu;moçale dhe këneta të kripura me djersën e punës së detyruar.Nuk mund t'i harroj ato skërka dhe malësi ku këndoi kukuvajka ogurzezë e internimit,Sodoma e përçudnuar e sistemit të egër diktatorial.Gruaja e Lotit nuk duroi,e ktheu kokën prapa,nuk iu bind ëngjëjve të Zotit dhe u shndërrua në një pirg kripe.Nuk dua ta pësoj si ajo!

 

Gjykatësi i përgjigjet duke e pyetur i habitur:

-Nuk e ditke,ti,se atë Sodomë të përçudnuar komuniste e përmbysi zemërimi i shenjtë njerëzor?!

-U përmbys Sodoma,por sodomizmi është akoma!

 

Gjykatësi përpiqet ta bindë.

-Pas çdo tërmeti,mbeten gjithnjë gërmadha.Koha i pastron ato.As ikja,as moskthimi nuk ndihmojnë.

Emigranti i ndërkryer nuk reziston më dot.Ai lëkundet.

-O gjykatës i rreptë!O ndërgjegjeja ime e pagjumë!Të khemem,por ku ta le këtë jetë që e ngrita në tërë këto vite të emigrimit me mundimet dhe sakrificat e mia!Të le shtëpinë,që po e shlyej pikë-pikë me djersën time.A nuk është mëkat që t'i heq fëmijët e mi nga shkolla ku po ecin aq mirë.Kanë mësuar gjuhën e re.Kanë krijuar shoqërinë e tyre.Po formësojnë endrrën e tyre sipas jetës të këtij vendi të përparuar.Kjo është toka e tyre e premtuar nga ne Moisinjtë,që i hoqëm nga ai vend që na dukej skëterrë pas piramidave kufitare të vetëizolimit;pas gjëmimeve shkatërrimtare të nëntëdhjeteshtatës.E përse duhet ta ndjej veten fajtor për këtë?!

 

Gjykatësi i përgjigjet i qetë:

-Ti nuk je fajtor,o njeri.As ai vend,që e braktise,nuk të ve faj.Do të bëhet edhe ai për së mbari!

-Këtë dëshiroj edhe unë,o gjykatës i rreptë.Por kur do të bëhet se?!

Gjykatësi vazhdon:

-Atë do ta bëjnë ata që nuk e braktisën.Ti bëj atë që fëmijët e tu të rriten me dashuri për atë tokë,që pret e lodhur e me padurim të rilindë.Harroje atë shprehje-mallkim biblike.Mos ua lerë trashëgim fëmijëve të tu.Shkruaj me ta bashkë Biblën e Re të Mërgimit me ngjyrat e ylberit të përjetshëm,që lidh zemrën e çdo mërgimtari me djepin e jetës së tij,me dheun që i bëri kokën dhe i dha emrin e vet.

 

Gjykatësi hesht.Ai e ka mbyllur ligjërimin e vet..

Hesht dhe emigranti.

Dhe të dy,të pajtuar,thonë me një zë:

-Kështu u bëftë!Amen!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora