E premte, 26.04.2024, 02:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Gjon Keka: Polarizimet ekstreme dhe zbehja e rrugës së Kosovës

E premte, 25.06.2010, 10:00 PM


Polarizimet ekstreme dhe zbehja e rrugës së Kosovës

 

Nga Gjon KEKA

 

Gjatë gjithë kohës kur proceset e një vendi kanë ecur në ujëra të turbullta dhe nga ndarjet ekstreme duke ngritur kështu një lloj polarizimi të skajshëm në sistemin politik, atëherë kanë dalë edhe zëra intelektualë e të moderuar që kanë shfaqur mendimin e tyre si urë rreth këtij procesi për të shpëtuar çarjet edhe më të mëdha të sistemit politik por edhe të shoqërisë në përgjithësi si dhe për ta ndalur devijimin total të vendit. Mund të nënvizojmë në lidhje me këtë problematikë të ndjeshme se shqiptarët, që pas veshjes së tyre me rroba orientale dhe sulltaniste në kohën e perandorisë otomane janë bërë “koka turku” dhe tradhtarë të vetvetes dhe ardhmërisë së tyre, por edhe kanë vënë në jetë një lloj polarizimi ekstrem gjë që sot mund ta shohim në tërë trojet tona, si në rrafshin e të menaxhuarit të vendit nga lidershipi politik ashtu edhe të shoqërisë në tërësinë e saj. Duke mos dashur të trajtoj më tepër prejardhjen e kësaj të keqeje që ka kapluar kombin dhe rrugëtimin e tij, sepse me mijëra herë kam elaboruar dhe nënvizuar shumë çështje në lidhje me “helmin oriental” që ka trullosur e infektuar trurin dhe zemrën e kombit shqiptar, por në këtë refleksion unë do të trajtoj më shumë pasojat që sot po i mban shoqëria dhe elita politike e polarizuar dhe e çorientuar totalisht.

Mentaliteti që sot po mbizotëron në rrafshin e politikës dhe të menaxhuarit të vendit, po e mbështjell kohën që ka si Kosova ashtu edhe Shqipëria para vetes në një petk mashtrimesh dhe fshehjesh (orientale) që jo vetëm se po e dëmton realitetin dhe ndriçimin e tij por edhe po e mbulon tërë kohën e historisë së kombit shqiptar dhe identitetin e tij të lashtë europian.

Në politikë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri kemi një polarizimi të skajshëm që vazhdimisht po e ndan edhe më shumë shoqërinë, duke e çuar atë drejt një procesi të ndarjeve dhe mospajtimeve të mëdha duke bërë kështu një lloj hendeku në mes dy fraksioneve që nuk vrapojnë drejtë ardhmërisë së bashku dhe të fortë por drejt ndarjes së rrugëve duke larguar edhe më shumë proceset e ardhmërisë dhe vizionin për ta ndërtuar një shoqëri të shëndosh demokratike, të moderuar si dhe një vend të qëndrueshëm europian. Tani sidomos në këto vitet e fundit pas çlirimit me ndihmën e miqve tanë historikë dhe strategjikë SHBA dhe NATO, vërejmë në të gjitha nivelet si në politikë por edhe në mjedise të tjera një lloj polarizimi dhe ky është duke u rritur edhe më shumë gjatë këtyre viteve të fundit, nëse vazhdon kështu atëherë së shpejti në vend do të mund të ketë tensione të zjarrta dhe të pakontrolluara emocionalisht.(...)

Polarizimi si në aspektin politik ashtu edhe në aspekte tjera burimin e ka nga lidershipi shtetëror dhe elita politike në përgjithësi, kjo mënyrë po çon si vendin ashtu edhe shoqërinë drejt ndarjeve të egra, mospajtimeve brenda vetes, skajshmërisë dhe ofendimeve të brendshme, prodhime të mendimeve të gjirizeve orientale, mbjellje të një lloj kulture të huaj dhe largim nga e vërteta historike, nga demokracia liberale, nga edukimi i shëndoshë, komunikimi bashkëpunues dhe me një vizion të vetëm për një Kosovë demokratike, moderne dhe europiane. Së fundi janë shfaqur shenja të një lloj ndjenje të sëmurë apo edhe të një lloj shndërrimi të disa prej shqiptarëve të Kosovës në njerëz të shpellave orientale, kjo jo se ata i kanë ditur këto ndarje nga realiteti ku jetojnë dhe nga vijnë por se kanë shfaqur lakminë që në kuadër të një lloj page mujore që i japin organizata të dyshimta dhe të ndryshme orientale-islamike për ta prishur apo edhe hedhur për tokë imazhin e Kosovës dhe identitetin e saj europian, por edhe për ta larguar gjithnjë e më shumë Kosovën nga civilizimi europian, këto lëvizje më shumë i ndihmojnë armiqve të brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës. Nëse ata që dëshirojnë t'ia bëjnë qejfin vetes dhe ata që mendojnë se nuk ka urrejtje të mjaftueshme dhe polarizimi të skajshëm në Kosovë në të gjitha nivelet, mund vetëm t'i hedhin një sy realitetit dhe do e shohin se çka është duke u zier brenda shtetit të mbikqyrur të Kosovës dhe ç'pasojë do të ketë vendi në përgjithësi nga këto tronditje të mëdha të lëkundjes së hapave të Kosovës dhe rrugëve të shkurtra që kanë ndërtuar lidershipi politik i verbër dhe i polarizuar i shtetit të mbikqyrur të Kosovës.

Sa më shumë që të zgjerohen rrugët e polarizimeve ekstreme të politikës dhe mjediseve të tjera të niveleve dhe aspekteve në Kosovë aq më shumë do zbehet rruga e Kosovës për një demokraci të vërtetë, shtetin juridik, ekonominë stabile, qeverisjen e mirë etj., etj., dhe po ashtu sa më shumë që zgjerohen këto rrugë aq më shumë do të përhumbet apo edhe do të zbehet në tërësi shtresa e mesme e klasës shoqërore dhe kështu Kosova do të mund ta humbë ardhmërinë duke i mbyllur shoqërisë rrugën e progresit, barazisë dhe kooperimit drejt një qëllimi të përbashkët për një vend demokratik, ekonomikisht të zhvilluar, modern dhe europian.

Sidomos tani jo vetëm që është duke u zgjeruar ky lloj polarizimi por edhe ka filluar të kalojë në armiqësi si në rrafshin politik ashtu edhe në aspekte të tjera, një pjesë e politikës është e ndarë sepse mendon orientalisht, sipas saj Europa vetëm është interesi i tyre ndërsa Turqia dhe disa vende të qejfeve të tyre emocionale apo edhe bindjeve të tyre orientaliste janë qëllimi i tyre dhe vëllazëria e tyre, ndërsa pjesa tjetër është pak më e vetëdijshme se Europa nuk është një interes por një vlerë që na bashkon dhe se është familja që duhet t'i rikthehemi siç kthehej djali plangprishës tek ati pas gjithë atyre të zezave dhe çmendurive që kishte bërë. Se fjalët e Gjergj Fishtës po na tingëllojnë si të ishin shkruar sot këtë vetëm fuqia e fjalës dhe e një mendje të ndritur mund ta mendonte si vijon “më lehtë është me mbledh një thes pleshta se ti bashkosh dy shqiptarë".(...)

Nga polarizimet e tilla është rrezik që një ditë Kosova të dalë nga shinat dhe nëse ndodh kjo atëherë është vështirë në fund të shmangësh këtë lloj polarizimi të skajshëm, sepse nëse tani ky lloj polarizimi nuk përfundon apo nuk ndalet dhe nëse nuk shkon drejt përbashkësisë, atëherë janë të pashmangshme pasojat dhe vendi do të mund të destinohej drejt një fatkeqësie të madhe dhe me një çmim historik të lartë. Ndërsa fjalët dhe retorika e lidershipit politik për t'i afruar pikat me xheste të rrejshme të një “bashkëpunimi pa vullnet të mirë e të brendshëm” në të gjitha linjat dhe aspektet nuk është asgjë më shumë se një lloj flluske “bublash” që mundohen të mashtrojnë të tjerët si të ishin fëmijë, por që fakti tregon se qëllimi kryesor i gjithë kësaj garniture dhe niveleve të saj në të gjitha mjediset dhe aspektet po shkon drejt polarizimeve se sa drejt një pajtimi apo bashkëpunimi të thellë dhe të vërtetë në të mirë të vendit dhe ardhmërisë së tij euroatlantike. Nuk mund të mos nënvizohet se populli i Kosovës jeton që nga çlirimi nga miqtë ndërkombëtarë nën një hije të mbuluar nga lidershipi politik e që si mesazh të vetëm dhe dominues në tërë politikën e tyre ata mbajnë këtë lloj polarizimi dhe harrim të historisë dhe vuajtjeve të popullit për liri, barazi, demokraci, mëvetësi dhe bashkim në familjen e saj europiane. Kur Kosova dhe populli i saj ishte në pritje të fatit të saj historik rrethanat tona siç dihet nuk kanë qenë të mira por jo edhe të polarizuara, por dihet se gjatë kësaj pritje të madhe të fatit historik të saj shoqëria dhe tërë populli ynë ishte shumë më i qetë dhe stabil dhe i vëmendshëm ndaj proceseve që vinin drejt tyre dhe rrugës që duhej ndjekur. Ndërsa sot pasi kemi një lloj lirie gjoja “fizike” por në mungesë të lirisë shpirtërore kemi një lloj polarizimi midis të pasurve dhe të varfërve, polarizim në të gjitha nivelet dhe aspektet e jetës si të sistemit politik,kulturor ashtu edhe të shoqërisë në përgjithësi, kjo po e dëmton rëndë vendin në të gjitha fushat. Në vend që lidershipi dhe tërë elita politike të mblidhet së bashku në një grusht të vetëm fishtian duke afruar pikëpamjet e tyre në punën për të mirë të vendit dhe ardhmërisë së tij dhe ta heqë qafe këtë polarizim, këta edhe më shumë po shfaqin në fytyrën e përgjithshme të politikës dhe shtetit një polarizim rrëshqanorësh.

Dhe krejt në fund është shumë e rëndësishme që lidershipi politik dhe shoqëria në tërësi të ndalojë së kontribuari në zgjerimin e polarizimeve dhe urrejtjes së madhe, të cilat kanë kapluar vendin për shkak të mentalitetit oriental dhe bizantin, sepse kjo më shumë sjell joproduktivitet dhe rrënim të themeleve të lirisë dhe barazisë dhe shtetit demokratik se sa njeh drejtimin e duhur të historisë dhe progresit në përgjithësi.(...)Ne po shohim çdo ditë se si është duke u humbur besimi në lidershipin politik të vendit dhe kjo ftohtësi apo kjo shenjë e largimit të vullnetit dhe besimit të popullit nga lidershipi politik vjen si rezultat i keqmenaxhimit, polarizimeve të skajshme, dukurive negative (krimi i organizuar, korrupsioni, rreziku nga terrorizimi), qeverisjes së dobët, mosrespektimi i kushtetutës, moszhvillimi ekonomik etj etj., prandaj kjo mund të sjellë më vonë edhe pse në mënyrë të ngadalshme rritjen e një mosbesimi të madh e që do të mund të prodhonte një luftë civile që do të zgjerohej edhe më drejt një lufte shumëngjyrëshe dhe të involvuar shumë rryma që do të mund ta paralizonin vendin. Tani është koha të fillohet të shkohet drejt bashkimit dhe njohjes të së vërtetës historike brenda qenies së kombit tonë, nëse sot nuk ndodh kjo, atëherë shenjat janë tepër shqetësuese se vendi mund të shkojë drejt një ndarje të dhimbshme dhe përçarje të madhe brenda vetë politikës dhe shoqërisë e që do të ishte ogurzi dhe do ta ndalte rrugën e ardhmërisë së vendit dhe ecjes së tij në hapin e kombeve moderne dhe të zhvilluara si dhe të proceseve të integrimit në familjen europiane.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora