E shtune, 27.04.2024, 03:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Aurela Gaçe: Dua të shikoj veten në pasqyrë e të ndihem e qetë

E enjte, 15.11.2007, 12:14 AM


Shkruan : Kristi Pinderi

Aurela Gaçe
Aurela Gaçe tashmë e ka vendosur që nuk mund ta braktisë Shqipërinë, e cila është për të “ushqim shpirtëror”. Ndodhet këtu për të marrë pjesë në festivalin “Kënga Magjike”, për të cilin mendon se është një event i konsoliduar dhe për të nisur projektin për një album të ri. Kur ndodhet në SHBA i mungon familja, por edhe publiku shqiptar, ama edhe atje ndihet e lumtur. Jeton çdo ditë me energjinë dhe brishtësinë që e ka karakterizuar që në fëmijëri. I është dashur shumë që ta ruajë këtë brishtësi, por nuk pendohet. Mendon se është e vërtetë në gjithçka që bën dhe kur e shikon veten në pasqyrë do të dojë të ndihet gjithmonë e qetë dhe në paqe me veten. Nuk mendon se është e vështirë të jesh në Shqipëri “e vërtetë” - “Rastin konkret e keni para syve” - thotë kur e pyesim për këtë çështje. Megjithatë, gjatë viteve i është dashur që jo vetëm të jetë e vërtetë por edhe të ngrejë disa mure mbrojtëse. Kjo është Aurela e plotë që ajo shikon në pasqyrë. “Këto mure ndoshta më kanë penguar të njoh më shumë njerëz. Por jam e bindur se këto mure më kanë ndihmuar të rritem. Kjo jam une!” - thotë ajo në këtë intervistë ekskluzive për revistën MAPO.

MAPO: Kujt i besoni më shumë kur ju kritikon apo vlerëson?
A.G.: Motrës. I besoj sepse ajo më do pa kushte dhe më thotë gjithmonë të vërtetën edhe atëherë kur e kam gabim.

MAPO: Sa e lehtë është të jesh i vërtetë në Shqipëri?
A.G. : Rastin konkret e keni përpara (qesh). Unë jam gjithmonë e vërtetë. Sigurisht kjo edhe më ka dëmtuar, por unë nuk jam penduar asnjëherë. Për mua ka rëndësi që në fund të ditës të mund ta shikoj veten në pasqyrë e të ndihem rehat dhe në paqe me veten.

MAPO: Kur shikoni Aurelën në pasqyrë, çfarë shikoni në të vërtetë?
A.G. : Konstatoj se jam rritur, por ama kam ruajtur brishtësinë që më ka karakterizuar qysh në fëmijëri.

MAPO: Nuk shikoni asnjë të metë…?
A.G. : Unë nuk kam probleme me asgjë. Por tani që e mendoj, kam përshtypjen se për të ruajtur veten time, ndoshta gjatë viteve kam ndërtuar shpesh mure mbrojtëse. Mure që ndoshta nuk më kanë dhënë mundësi të nxjerr në pah Aurelën, të gjithën, ashtu siç është. Ndoshta më ka penguar të njoh më shumë njerëz. Ama jam e bindur se kjo më ka ndihmuar të rritem.

MAPO: Cfarë ju tundoi të riktheheshit edhe njëherë në Shqipëri?
A.G.: Sepse kjo jam unë! Më pëlqen të bëj gjithmonë ato gjëra që dua.

MAPO: Sapo u rikthyet, do të merrni pjesë në festivalin “Kënga Magjike”. Pse pikërisht në këtë festival?
A.G.: Vendosa të marr pjesë në këtë event sepse besoj se ai është një event i konsoliduar. Secili që merr pjesë në të jam e sigurt se e gjen vetveten dhe del i kënaqur nga “Kënga Magjike”. Ka vend për të gjithë pjesëmarrësit pra ky festival. Mua më kënaq edhe për një arsye tjetër: më jep mundësi që të bëj show!

MAPO: Keni filluar të punoni për një album. Cfarë mund të na thoni për këtë projekt?
A.G.: Eshtë ende herët për t’ju folur për albumin. Unë thjesht sa kam hedhur farën, ende nuk e di se çdo të dalë (qesh). Por po punoj fort që të jetë një projekt i suksesshëm.

MAPO: A ju pengon të projektoni në Shqipëri, fakti që këtu gjithçka, përfshirë dhe tregu i muzikës është deri diku në një kaos…?
A.G.: Jam dakort që këtu çdo gjë vazhdon të jetë në tranzicion. Tranzicioni është në çdo fushë të jetës. Por kjo nuk do të thotë që ne të mos i japim mundësi kujtdo që mendon se mund të ofrojë diçka. Nuk jam dakort me tendencën që ekziston në Shqipëri për të paragjykuar daljen në skenë të të rinjve. Nuk ka asgjë të keqe, mendoj, që ne t’i ofrojmë kujtdo mundësinë për të provuar e pastaj për të vlerësuar apo gjykuar nga publiku. Por ajo që mungon në Shqipëri është kritika! Në SHBA, kritikët janë gjithmonë prezentë. Me autoritetin e tyre ata gjithmonë orientojnë publikun atje, për çdo vepër artistike, film, album, etj, përpara se ajo të dalë në treg. Kanë mundësi të ndryshme për ta shprehur mendimin e tyre, në mediume të shumta. Kjo gjë nuk ndodh këtu. Ama, edhe pse kritika e thotë mendimin e saj në SHBA, jo gjithmonë publiku do të jetë detyrimisht dakort me të. Por në fund të fundit, kjo kritikë të orienton. Dhe kjo kritikë nuk pengon askënd që të dalë në skenë. Eshtë publiku ai që bën zgjedhjen e fundit.

MAPO: Në këtë sens, ka supermarkete por ka edhe butiqe…
A.G.: Une preferoj butiqet (qesh). I preferoj se kam mundësi. Nëse nuk do të kisha sigurisht që do të shkoja dhe në supermarkete, ndonëse shijet e mia nuk përshtaten me to. E njëjta gjë ndodh besoj edhe me shijet e publikut në muzikë.

MAPO: Cili do të jetë itinerari juaj tashmë që keni nisur projekte edhe në Shqipëri?
A.G.: Do të qëndroj në Shqipëri deri në fillim të dhjetorit, pra edhe rreth dhjete ditë pas përfundimit të “Këngës Magjike”. Pastaj do të më duhet të vij sërish rreth muajit mars për të punuar për albumin.

MAPO: Si është jeta juaj në SHBA?
A.G.: Atje punoj dhe jetoj! Jam një emigrante e re, por e lumtur. Them emigrante që të kuptoni se jeta atje nuk është ashtu si shumë njerëz këtu e përfytyrojnë. Nuk ta shtrojnë me flori rrugën sapo mbërrin. SHBA nuk është një fushë me lule. Duke qenë emigrante ke vështirësi pa fund. Por unë i përballoj sepse më pëlqen dhe kam energji brenda vetes gjithmonë.

MAPO: Cfarë ju mungon nga Shqipëria?
A.G.: Më mungon familja. Më mungon skena shqiptare. Jo se në SHBA nuk jam në skenë, por skena atje është ndryshe. Edhe në SHBA e kam publikun tim, i cili më do e madje tani që do të vija në Shqipëri edhe u shqetësua për mungesën time atje. Veçse dimensioni i skenës atje, është i tillë që ti performon për 1000 apo më shumë njerëz që kanë prerë biletën apo kanë paguar të të shikojnë, ndërkohë që këtu pasi del në skenë ke mundësi të tregosh vlerat e tua edhe për më shumë publik se thjesht ai që ndodhet në sallë. Përmes medias pas një performance në Shqipëri, mund të hysh edhe në shtëpitë e gjithë shqiptarëve. Shqipëria është për mua një ushqim shpirtëror.

MAPO: Cilët janë miqtë artistë në Shqipëri me të cilët keni marrëdhënie korrekte dhe të ngushtë?
A.G. : Do të veçoja Eli Farën, me të cilën kam një miqësi shumë të ngushtë. I japim mendime njëra-tjetrës, mendime të sinqerta. Kam filluar të kem marrëdhënie shumë të mira me Jonida Maliqin, e cila mendoj se është një vajzë shumë pozitive dhe dashamirëse, e sinqertë. Kam marrëdhënie shumë korrekte me Ledina Celon. E kam mik shumë të mirë Dashnor Dikon.

MAPO: Po me politikën, çfarë marrëdhënie keni?
A.G.: Unë nuk i ndjek zhvillimet politike në Shqipëri. Ndonjëherë kur dua të jem pranë prindërve, jam e detyruar të shikoj në televizor ose lajme ose sport (qesh). Por kam shumë miq politikanë, nga të gjitha krahet, miq të tillë që edhe pas 20 vjetësh po t’i takoj do kenë për mua të njëjtin respekt, e do kem për ta të njëjtin respekt.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora