E premte, 26.04.2024, 07:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Agron Tufa: Disidenca estetike e Kadaresë

E enjte, 01.04.2010, 09:03 PM


Disidenca estetike e Kadaresë

 

Nga Agron TUFA

 

Njeriu inteligjent, krijuesi, shpik një përmasë lirie për t’u arratisur dhe, për krijuesin, një liri e tillë arratie është gjuha, - gjuha e veprës artistike. Në kushtet e një survejimi oruellian, censure e spiunimi të shumëfishtë, e vetmja kundërvënie e mundshme është gjuha dhe tipi i ligjërimit artistik. Mendoj se gjuhët e strukturave ideo-logjike totalitare janë uniforme, imponuese dhe përjashtuese për çdo kod tjetër ligjërimor. Premisa se brezi i letrarëve të viteve ’60 do të mund të krijonte një gjuhë tjetër, doli e rreme, pasi poetët dhe shkrimtarët, fill pas prishjes së marrëdhënieve me BS, u rekrutuan rreth propagandës së partisë. Por projektimi i lirisë te shkrimi, krijon pashmangshëm vetëdijësimin për të. Marrëdhënia e pandërprerë me “strehën” e lirisë estetike - gjuhën, sjell gradualisht pjekjen e vetëdijes reflektuese, d.m.th., etikën e shkrimit. I vetmi që e provoi pa konfrontim të hapur politik (pa gjak) këtë kundërvënie estetike ishte Ismail Kadare, i cili krijoi për herë të parë një vepër romaneske pa hero pozitiv, pa protagonistë sekretarët e partisë. Kjo është arsyeja pse ky romani i tij i parë, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur” (1963),  lexohet i freskët dhe pa asnjë firo edhe sot, sikundërse krejt vepra e plotë e tij (të cilën e kemi të përmbledhur nga “Onufri” në serinë “jeshile”, - një botim luksoz, rekord deri më tash në standardet e botimit në Shqipëri). Në një relacion për Kadarenë, që ruhet në ish-arkivin e PPSH, dosja 354 e fondit 14 (Dosja K.-Shaban Sinani), provon kontrollin hap pas hapi që ushtronte Sigurimi, veçanërisht ndaj shkrimtarëve të këtij kalibri. Ishte gjithashtu romani ku, siç shprehet Arshi Pipa, “përmbysi ligjet e shenjta të realizmit socialist: Partia kurrë nuk përmendet, tematika socialiste është lënë tërësisht mënjanë dhe heroi i romanit është një gjeneral armik i vendit”. Dhe më tej “Duke përshtatur strategji nga shkrimtarë disidentë sovjetikë, ai vazhdoi të punojë në një mënyrë origjinale të shkruari, e cila minoi realizmin socialist: mënyra alegorike dhe teknika të tjera....”. Madje, Arshi Pipa në parathënien e përkthimit prej tij të “Kronikë në gur” thekson ndër të tjera se Dasma është një përqeshje me lëvizjet revolucionare dhe aksionet komuniste. Pipa zbulon në veprën e Kadaresë psikanalizën frojdiste, deheroizmin, neverinë ndaj realizmit socialist. Parathënia nuk u pranua nga botuesi i romanit, por Arshi Pipa e botoi si artikull më vete në revistën amerikane Tellos (1987).

Letërsia dhe politika në disidencë janë të pandashme. Dukuritë letrare shndërrohen në fakte politike, jo aq për shkak të përmbajtjes së tyre politike, të cilat janë shumë larg prej shprehjes së drejtpërdrejtë, por për shkak se ekzistenca e letërsisë së pavarur, të prirë nga nevojat estetike dhe morale dhe jo nga vullneti shtetëror-partiak, e shkallmojnë sistemin, që përfshin letërsinë në strukturën e pushtetit.

Duke folur për gjuhën e veprave të Kadaresë, si strehë dhe projeksion krijues të lirisë individuale kam pasur bindjen, se tëhuajsimi i parë i Kadaresë nga socrealizmi ka qenë mospajtimi stilistik dhe-estetik. Ky mospajtim të çon pashmangshëm në mospajtimin ndërmjet gjuhës individuale dhe kolektive, jo vetëm në regjimin e Enver Hoxhës, por me çdo lloj regjimi totalitar. “Liria, e çdo lloji qoftë, - fizike apo politike fillon nga gjuha “ - shprehet disidenti rus Andrej Sinjavskij.

Dhe po ajo gjuhë, më saktë, papërsëritshmëria e stilit të ligjërimit, shkrimit (çka dhe përbën objektin e stilistikës), i cili lind mospajtimin, neurozën, vuajtjet dhe në përgjithësi të pengon të jetosh, - nga ana tjetër është po e njëjta gjuhë dhe mundësia më e mirë për të dalë në liri: të bëhesh i pavarur nga pushteti, turma, të dalësh përtej sinoreve të absurditetit.

Paradoksalisht sot, në liri, një përveçim e pavarësim gjuhësor, që të bën ta opozicionosh veten në mënyrë kundërvënëse me shumëçka që s’pajtohesh dot, është tepër e vështirë ta arrish. Që të jesh sot interesant, tjetërmendues, origjinal, i pavarur etj,  për këtë nuk të plas kush në burg, nuk ngrihen kolektivisht të të dënojnë me organizata e fronte, por gjithsesi përpiqen që këtë gjuhë të ta vrasin menjëherë, në rrënjë - në stadin embrional apo në fazën e ngjizjes së frutit, maksimumi që në moshën 2-3 vjeçare. Përfytyroni epokën dhe përditshmërinë komuniste në fillimet e shkrimit të Kadaresë (një fjalë goje kjo, po ec e kridhu!), thjesht për të qenë të drejtë me veten në radhë të parë. Pastaj përpiquni të orientoheni nëpër terrinat dhe verbinat e tallazitjes propagandistike. Atëherë them, jo nga “maja e pilafit” të sotëm. Nuk është e njëjta logjikë! Si do të ishte gjuha juaj atëherë? Po forma e burgut dhe e gjyqit tuaj? Atëherë më mirë një burg hapësinor e i pakufijshëm me muret prej fantazie e abstraksioni të gjuhës. Sepse sa më e koklavitur të jetë gjuha stilistike, aq më shumë potencial lirie fsheh ajo - liri kuptimesh, ndjenjash dhe asociacionesh. Të flasësh ndryshe prej të tjerëve, do të thotë të mendosh ndryshe. Dhe të shohësh ndryshe. Edhe të ndjesh ndryshe. Dhe mandej fillon të shohësh edhe atë, që nuk e shohin të tjerët. Gjuha origjinale, individuale të çon pashmangshëm në konflikt me pushtetin. Madje edhe nëse ty as të bëhet vonë për politikën. Përndryshe ke të bësh me gjuhën e pushtetit dhe ajo është gjithherë, prej çdo pushteti, gjuhë servile, e sheqerosur dhe lajkatare, sepse kjo është gjuha e kolektivit. Si duket, me kalimin e viteve të para në pikun e luftës së Ftohtë, kjo gjuhë i ngjallte Kadaresë neveri fiziologjike. Prandaj, ai nuk pranon më të shkruajë asnjë krijim letrar konformist, me të cilin të justifikonte se është ende me kolektivin e Lidhjes; nuk pranon të japë taksën e Karontit, asnjë voll të bakërt. Gjuha e tij e ka shpërfillur gardhin e përbashkët. Ajo ka dalë në botë. Gjuha individuale shfrytëzohet,  në fillim për të zgjeruar kufijtë e së lejueshmes, mandej, duke fituar siguri, intuitë e terren, për të dalë në një zonë të lirë, vetmitar, me ajër të rralluar, as në qiell as në tokë (vargjet: “Nga supet si ta heq këtë barrë,/ ku ta hedh këtë peshë, si./ Me të s’mund të zbres atje poshtë/ po as lart dot s’e lë kurrsesi”. Pasi ka fituar lirinë e vet, gjuha individuale bëhet mandej mbrojtëse e lirisë tënde. Provokimi lind absurdin - por ajo vetë mandej të mbron ty nga absurditeti i jetës. Kështu gjuha dhe provokacioni estetik mbrojnë dinjitetin tënd njerëzor - kur asgjë tjetër nuk është në gjendje ta mbrojë. Sepse provokimi estetik që ka shkaktuar vazhdimisht vepra artistike e Kadaresë, është një gjuhë jo vetëm e shkrimtarit, por e çdo intelektuali tjetër. Vetëm me anë të këtij provokimi mund të dilet nga kufijtë e së pranuarës. Të provokosh është predikimi i parë dhe i pari instrument i intelektualit në kohë diktature. Kjo nuk është vetëm mbrojtje, por edhe një praktikë normale. Intelektuali nuk mund të shkrihet me gjuhën e pushtetit, të përkëdhelë, por të nxisë shpërthimin dhe të edukojë instinktin e çlirimit të ndërgjegjes.

Në raport me realizmin socialist dhe komunizmin, Arshi Pipa e ka quajtur “heretik” Kadarenë, duke pasur parasysh se, psikologjikisht dhe estetikisht ai s’kishte pikë lidhje as me komunizmin dhe as me idetë e majta, as madje me ndofarë dogme tjetër. Unë mendoj se “heretizmi” i Kadaresë ka të bëjë vetëm me një adhurim të vetëm, që është karakteristik për shërbëtorët e të vetmit tempull që njohin: letërsia! Dy apo më shumë dashuri njëkohësisht të largojnë t’i jepesh tërësisht objektit të adhurimit, sepse herëdokur ai duhet zgjedhur mes alternativave të tjera. Zgjedhja përcakton dhe indentifikimin. Kjo është arsyeja pse letrariteti i gjuhës së teksteve të tij dallon prerazi dhe thellësisht nga çdo tekst tjetër i bashkëkohësve, aq sa duket se Kadareja i përket një civilizimi radikalisht të ndryshëm me ta. Këtë procedurë të thjeshtë krahasimore mund ta bëjë gjithsecili edhe nga lartësitë e të sotmes.

Këtu është rasti të hapim një parantezë: kurrë dhe në asnjë rast (edhe kur është ngacmuar qëllimshëm) Kadareja nuk e ka deklaruar veten disident. Disidenca  vetë është term mbi të cilin janë mbishtresuar kuptime të ndryshme në kohë e konjuktura të ndryshme. Disidenca vetë nuk ka një histori në kuptimin e saj tradicional as në Lindje: nuk ka themelues, teoricienë, data të ndonjë kongresi apo manifeste. Madje është e pamundur të përcaktosh (veçanërisht në etapat e hershme) se kush ka qenë pjesëmarrës i lëvizjeve protestuese. Disidenti që në origjinë të termit shenjon njeriun që u këndërvihet modeleve religjioze, politike dhe artistike. Më vonë kemi historinë e re të termit me realet e komunizmit në Evropën Lindore, por struktura e kësaj kundërvënieje ruhet në politikë, art, shkencë, religjion dhe shkencat shoqërore. Ismail Kadareja nuk e ka pranuar atributin e disidentit, duke pasur parasysh dominantën e tij të kundërvënies së hapët politike në Lindje, ani pse duke filluar nga viti 1989 “Letrat” e tij Presidentit të atëhershëm R. Alia gravitojnë pikërisht në thelbin e këtij kuptimi. Por jashtë çdo dyshimi, me arsyet që parashtruam më sipër, gjuha, stili, alegoria dhe simboli, tërë formacioni letraro-stilistik dhe kuptimor i veprës së Kadaresë të çon pashmangshëm në një përmasë gjithnjë e më koherente të “disidencës estetike”. Ata që lypin më shumë se kaq nga një shkrimtar kërkojnë qiqra në hell. Duke mos u konfrontuar haptazi me diktaturën, disidenca estetike e Kadaresë u mishërua me kundërvënien e gjuhës, modelit dhe stilit letrar, e cila sigurisht projektohet në krejt sistemin e ndjeshmërisë dhe shijes për të bukurën. Shija e së bukurës është më rezistentja në historinë e njerëzimit, pavarësisht karakterit të përkohshëm e nomad të diktaturave. Njeriu reziston me atë çka ka më të çmuar, më vlerën më të spikatur që e përfaqëson. Vepra e Kadaresë është ajo që mbijetoi, diktatura jo! Ky është bilanci, të cilin nuk mund ta bëjë asnjë bashkëkohës i Kadaresë për veprën e vet, në atë lartësi artistike që lyp arti i përjetshëm.

Gjatë këtyre viteve është hedhur shumë mjegull, shumë histori të mistifikuara, shumë thashetheme; shumë misionarë e kanë përndjekur (madje edhe ndërkombëtarisht) individin Kadare me një makth hakmarrës. Psikologjikisht kjo është e shpjegueshme: salierizmi ka ekzistuar në të gjitha kohërat, sepse gjenia gjithmonë sfumon, eklipson, të nxjerr në hije. I gjitha kazani i plehrave të diktaturës herë pas here trazohet për të nxjerrë në sipërfaqe pikërisht produktet e komunizmës, duke ndërtuar keqkuptime, nxitur dhe duke shfrytëzuar skupe mediatike. Psikologjikisht edhe kjo shpjegohet me origjinën e killerave. Kadareja i shqetëson jo vetëm si person, por sidomos shqetësuese bëhet vepra e tij. Ka një thirrje në patosin e këtyre veprimeve, një thirrje që e përkthyer do të shfaqej me habinë e një pengu: “Si na shpëtoi ky?” Por përgjigja është e vetvetishme, retorike: “Triumfi i inteligjencës”!

Ende nuk më ka ndeshur rasti të dëgjoj një shkrimtar a poet me vlera të njëmendta letrare, që të ngrejë pretendime mbi veprën e Kadaresë, por gjithnjë - e kundërta. Si duket solidariteti i mediokërve dhe dështakëve priret gjithmonë drejt një aleance të tillë solidare.

Tashmë që realizmi socialist ka rënë bashkë me dogmën dhe sistemin që e imponoi, tash kur krijuesi është i lirë të matet me aftësinë e vet dhe dhuntinë e Zotit, bëhet edhe më qesharak dhe absurd korri i salieristëve anti-Kadare.

E marrim nga një pikëvështrim tjetër çështjen dhe le të arsyetojmë me vlerat e përjetshme të letërsisë. Supozojmë se jemi në vitin 3000. Bashkëkohësi i këtyre viteve hipotetike do të komunikojë me vlerat artistike, me tekstet e shkrimtarëve. Ai as do t’ia dijë nëse Kadare ka qenë shtatlartë apo shtatshkurtër, tullac apo me flokë, i martuar apo beqar, koprac apo bujar. Këto janë gjëra jashtëletrare. Por ky bashkëkohës jam i sigurt se ka për të lexuar (ashtu siç lexohen sot) romanet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Përbindëshi”, “Breznia e Hankonatëve”, “Kronikë në gur”, “Pallati i ëndrrave”, “Ura me tri harqe”, “Viti i mbrapshtë”, “Kush e solli Doruntinën?”, “Pashallëqet e mëdha”, “Çështje të marrëzisë” si dhe një dyzinë romanesh, novelash, tregimesh dhe poezish të tjera. Dhe zor se do t’i njohë një vistër salierësh të sotëm. Kjo është ligjësia e përjetshme e letërsisë që bën të lexohen sot edhe Virgjili, edhe Dantja, edhe Shekspiri, edhe Gëtja, edhe Selini, edhe Hamsuni, edhe Brehti, edhe Paundi, edhe Brodskij, etj. Letërsia nuk ka vend për gjykime e paragjykime konjukturale, ajo është e vetëmjaftueshme me faktin që ajo ose është, ose nuk është.

Gjuha shqipe diti t’i rezistojë stinës së thatë të komunizmit nëpërmjet instrumentit të saj më besnik, - shkrimtarit.

 



(Vota: 4 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora