E diele, 18.04.2021, 07:14 AM (GMT+1)

Faleminderit

Agim Shehu: Prof. Isuf Luzaj - Rrënjët dhe kurora e tij

E diele, 28.03.2010, 12:48 PM


PROF. ISUF LUZAJ - RRËNJËT DHE KURORA E TIJ

 

(në 10 vjetorin e vdekjes)

 

Nga Agim Shehu, Gjenevë

 

Ajo familje është një minierë lëndësh të rralla. Ke shkruar diçka e pasi njeh më shumë, pendohesh që ke lënë gjëra po aq të rëndësishme. Pas ftesës së përzemërt, me time shoqe u nisëm nga Nju Jorku drejt shtëpisë së tyre në Çikago. Ditë të tëra në një mikpritje të ngrohtë shtëpie, pa njohur nga afër asnjërin prej të zotërve! I zoti i parë i shtëpisë (që s’rron më), figura e shquar kombëtare e shkencore Isuf Luzaj, në një vepër të tij ka lënë si dëshmi dhe amanet bashkë: «Idealet që më kanë ngrohur dhe ndriçuar jetën kanë qënë mirësia, bukuria dhe e vërteta». Këto ua ka lënë virtyte të pashuara të pasmëve. Po i afroheshim familjes së tij. Në rrëmujën e lëvizjeve të Çikagos, «limuzina» e Ymerit, njeriut me shpirt artisti, kthesat i merrte si duke bërë harqe pikture. «Do na rrish ca»! tha ai me kërkesë të çiltër. «Njeriu është si ujët, po ndenji shumë në një vend bie erë» thashë unë. «Kjo vlen për në verë, ma ktheu ai, ti vjen në dimër…»! Qe nëntor e udhët qenë mbuluar me gjethe të verdha plepash, thua shtegun drejt shtëpisë Luzaj e kishin shtruar me cipë floriri. Vështroja hapsirën e qytetit vigan - dielli s’dukej nga binte. Qielli i Çikagos më shfaqej me një shkëlqim metali (pas pak dielli do perëndonte dhe qyteti i bujshëm do ndizte detin e dritave, aq sa yjet në qiell ngjanin të hutuar). Hyn në shtëpi - befas ndodhesh brënda lindjes dhe perëndimit të diellit: njëra anë e mureve lyer në ngjyrë limoni, tjetra në ngjyrë portokalli. «Poetët janë brënda pikturës - foli Dalani, kreu i shtëpisë: - nga lindja dhoma ka ngjyrën limoni të Shqipërisë prej nga u nisëm, nga perëndimi - ngjyrën portokalli ku arritëm. Rrojmë brënda të dyja ngjyrave - gëzimit të Amerikës dhe mallit të Shqipërisë». Dalani është poet me ngrohtësi dhe mendim të figurshëm. Mbi të gjitha është poet në shpirt. Rrënjët e tij vijnë nga Kanina e Arianitasve të Vlorës. (Kanina - «Kaonia», fisi iliro-epirot i Labërisë në lashtësi, kult i të cilit qe «Kau»). Kronistit osman Evlia Çelebisë i pëlqeu që gjatë udhëtimit të tij emrin «Kaninë» ta shpjegojë me legjendë osmane: Kaninjotët në Kështjellë s’i dorëzoheshin Pashait ; iu mbaruan ushqimet e thirrën me vete «ç’të hamë»?! Pashai inatçor duke ndezur tërë topat karshi u thirri: «Kan-ijën» («hani gjak»-turqisht), e u mbeti ky emërtim!

 

Sidoqoftë  Kanina mbetet «Kaninë», ashtu si bijtë e saj - Kaninjotë. Ata s’e harrojnë kurrë atë vëndlindje që natyra ua bëri aq të bukur dhe historia aq të dëgjuar (Dijetari dhe diplomati i njohur italian Renzo Falaschi, i shoqi i Nermin Vlorës, i cili shkroi me rrënjë për Ismail Bej Qemalin e Kaninës, e la amanet dhe kohët e fundit u varros bashkë me të shoqen në Kaninë, vatër e veçantë mitologjie e historie e Kombit shqiptar siç e cilësoi ai). Ime shoqe është krenare që nënën e kish nga Shehajt e Kaninës, miq me Ismail Bej Vlorën. Në Teqenë e tyre ai u varros së pari).

 

   Te çdo njeri i Luzajve, në çdo bisedë a meditim lexon dramat e tyre në diktaturë, mbështjellur butë në të rrëfyer nga fisnikëria si familje. Mundimet e shtetit komunist ata i pranuan si një fat tragjik të cilit s’i shmangeshe dot e që doemos duheshin përballuar nëse doje të mbeteshe njeri dhe shqiptar. Pas Luftës antikomunisti i vendosur e i kulturuar Isuf Luzaj u largua (ndër 10 figurat kryesore nacionaliste që pas Lufte shteti Komunist me porosi të Stalinit ia kërkoi këmbëngulshëm Italisë për t’i dënuar “Gjyqi i Popullit”, qe dhe Isuf Luzaj). Në mërgim, mes të tjerash ai shkroi: «Ideali politik imi ka qënë demokracia e për këtë kam luftuar i vetmuar, pa pritur kurrë mirënjohje…Ata që kanë jetuar duke helmuar, do vdesin të helmuar».

 

      Tërë këtë filozofi e lexon të prekëshme te trashëgimtarët e tij.

 

   «Sa hyri shteti komunist, natyrshëm im atë do largohej, thote Dalani. Unë s’e pashe si iku se isha në bark të nënës shtatzanë!..Ajo e ndjente amanet merakun e tij: «Ti quhesh Dritë, por ca kohë do rroni në errësirë e ti do dish ta përballosh atë! Dhe fëmijën ruaje si dritë brënda errësirës se i takon Atdheut, sa të ngrihet të ecë vetë!..»

 

       Dalani bisedon me një zë të qetë e të matur prej burri qosheje. Ndez e shuan cigaret si të kërkonte aty zgjidhjen e shqetësimeve që e kanë rënduar aq shumë në jetë. Me ardhjen e “demokracisë” u bënë bashkë e ati shpesh i thoshte: «Ju vini nga një sundim i rëndë komunist dhe pa e kuptuar as ju vetë, komunizmi rron ende  tek ju. 40 vjet komunizëm duan dhe 40 vjet të shuhet nga gjaku. Sa më shumë ta kuptoni këtë aq më shpejt do ndaheni nga ajo murtajë!..Këtu ku erdhët duhet të jeni të ndërgjegjshëm se pas Zotit vjen Amerika; nuk është e përsosur, por më e mira».

 

       Zonja e shtëpisë bie pijen e mirëseardhjes. Ecja e hijëshme me tabaka në dorë midis dy ngjyrave të diellit të kujton zonjat e herëshme të Vlorës. «Kjo është Buqja - thotë Dalani me humorin e zakonshëm. - Kur lindi e quajtën «Burbuqe», me urimin që të kishte fatin e lules! Mirëpo, e shkreta,  u ndoq e u telendis nga diktatura, sidomos kur guxoi e hyri në Luzaj».

 

«Është gjëja e parë në jetë për të cilën nuk jam penduar - përgjigjet ajo.- Më mirë të rrish mes gurësh të një faltoreje të rrënuar se në pallatin e të shfytyruarve»!

 

       Katër fëmijët e tyre, njëri më i hijshëm se tjetri, portrete si të skicuar mbi përfytyrimin e të parëve.

 

«Ju jeni të rinj e katër fëmijë, si shumë! - i thotë me humor ime shoqe Dalanit. «Kaq fëmijë na i donte halli - përgjigjet e shoqja: - tre djemtë i bëmë si krahë kooperative pasi vetë s’kishim fuqi aq sa na kërkohej. Vajzën e bëmë që, kur të vdisnim,  të na vajtonte dhe për ata që s’guxonin të na vinin»!..

 

       Nënë Resmia, vjehrra e moshuar, rrinte në një heshtje drame të mënjanuar të saj. Shamia e zezë e nënave labe i dukej më e përzishme mbi ballin e bardhë të lëmuar. Dhuna nga diktatura dhe fatkeqësitë nga jeta s’e lanë të marrë frymë, kurse gjykimin e ka të kthjellët e të pastër: «Shaminë do ta heq nga koka kur të shpallet e lirë Kosova… Për Kosovën e Çamërinë kam qarë dhe kur isha e internuar në Savër! Fqinjët i kemi të hidhur - më thosh im atë; këtë na mësonte dhe i ndjeri i fëmijëve…” e vazhdonte: “Nga internimi s’më harrohen kurrë ato nuse të reja që na vinin brënda telave vetëm pas një muaji martesë! Qaja kur aroma prej nuseje e tyre do binte erë dhe kashtë e mykur e dërrasë e kalbur»!

 

 Diktaturat e tiranët u trëmben veçanërisht karaktereve të ditur. I trëmben çdo dëshmie të tyre. Hynë në shtëpi të Isuf Luzajt, e të shoqes i kërkonin dokumentet e tij. Ajo s’arriti t’i fshihte saktë e që të mos ua linte në dorë, vuri saçin sipër zjarrit dhe i dogji!

 

      Qe viti 1953. Jetonin në një garazh makinash; një vatër sipër çimentos së ftohtë ku rridhte ujë e binte era naftë motorësh. Një qen te dera, besnikëri e vetme,  dhe dy dhi rreth ferrave si ndihmë e holluar…Në një shesh të thatë balte që të pesë njerzit e familjes. Shtrënguar për njeri - tjetrin, shpesh flinin pa ngrënë: atë bukë që kishin e ruanin ta hanin ditën, që ta shihnin me sy e ta mbanin mënd! Në të gdhirë nëna mbyllte dritaret që të mos dukej dita, e fëmijëve t’ua shtynte dhe ca dhënien e bukës…Më tej i këshillonte të mos kërkonin shumë, që të mësoheshin me mungesën e ushqimit në burgun që i priste (tregojnë të pabesueshmen: shokët diku në burg e vononin njoftimin se njëri kish vdekur, për t’i ngrënë ushqimin afër kufomës së tij!) Vuajtja e mjerimi e shfytyronin dhe njeriun e afërm. Nuk e harroj, thotë Dalani, kur tek punoja larg në një fshat, më qepën një vajzë (S.S) e ajo, aktore e mësuar e luftës së klasave aty më shfaqej Zhulieta (dhe pse unë s’qeshë Romeo), aty njoftonte për çdo gjë degën e brëndshme. Befas një mbrëmje më vinë me Gazin e frikshëm të tyre për të më zënë në kurth, të më arrestonin!..

 

Martesa e tij me të shoqen po aq të hijëshme e të denjë është një histori tronditëse si e dalë nga Bibla: I dashuri qe ushtar por, si i pabesuar, mbante kazmën në vënd të pushkës. Si familja e tij dhe e asaj bënin jetë internimi diku në fshatra. Ai pa një ëndër të frikëshme për familjen e kërkoi leje të vente sa t’i shihte. I dhanë vetëm dy ditë. Nga Berati u nis më këmbë me shpejtësi ere drejt Vlorës. Shkoi në haurin diku të së dashurës. Kërkoi që vajza t’i vente në shtëpi si nuse. E ëma burrërore e fisnike i bekoi e ia dha. Si pajë, dhëndëri i vetmuar mori një dyshek në sup, ajo jorganin e nuses e u nisën. Qe natë e ata bënin dasmën e tyre të rrallë - nga një haur te një kasolle! Për krushq kishin yjet që i shihnin si të ngrirë nga qielli. Orkestër kishin zërat e natës të bulkthit e të bretkosave fshehur diku gëmushave, thua mos t’i dëgjonte Sigurimi!..Hynë në kasollen e nënës së dhëmshur që gëzimin e kish me lotë në sy…Të nesërmen u nis që herët përsëri në repart ku e priste kazma ushtarake!..

 

      Te dhoma jonë hyn vëllai më i madh, Babaçe. Dielli në ikje shkëlqente sipër qelqeve të dritares dhe ngjyrën portokalli të dhomës e bënte më të ndezur. Babaçja është nga ata njerëz të cilëve fjalën ua lexon edhe te heshtja. Të vështron çiltër në sy, për të matur nëse fjala e tij zë vënd te të tjerët. Karakter fisnik i mbyllur ngarkuar me drama vuajtjesh, e që i thotë të kursyer: «Diktatura qe tragjedi e gjithë Shqipërisë; asnjë rrëfim njeriu e asnjë penë s’e përmbledh dot. Mendoj se shtypja e saj ka krijuar bërthama brënda qelizave të njerëzve, sa ata s’e kanë të lehtë shkëputjen prej asaj psikologjie. Nuk shpjegohet ndryshe që vëndi me diktaturën më të egër po ndahet më vonë nga psikologjia e diktaturës. Stalinin e hoqën dhe të zotët, e ne e festonim rreth bustit të tij më shumë se Lidhjen e Prizrenit…».

 

Vuri buzën në gaz e shtoi: «Morëm detyrë kooperative të nxirrnim kucka trungjesh nga dheu. U binim rrënjëve me sopatë sa na bëheshin duart gjak. Makina e ngarkesës iku e unë e hodha kuckën e prerë në sup dhe u nisa drejt pikës së grumbullimit. Atje e vërvita nga supet në dhé dhe po e shihja atë rrënjë të rëndë  që më kish munduar shumë. Një nepërkë futur brënda nxori kokën nga brima e drurit;  vështroi njëherë rreth e rrotull pastaj sytë i nguli qetësisht tek unë, thua më falenderonte që e kisha ngarkuar në krahë pa i bërë gjë. Edhe unë po e vështroja me mirënjohje që s’më kish kafshuar, e një çast i thashë asaj se po të më kish kafshuar ndoshta do helmohej gjarpëri vetë, aq helm na kish futur jeta në gjak! Sidoqoftë, edhe nepërka qe më njerëzore se zyrtarët e diktaturës dhe jo kot në Labëri vajzën e bukur e krahasojnë me të - «moj nepërka pika-pika»!..Befas nga pas dëgjova zërin urdhërues të brigadierit: «Mjaft filozofove dhe me gjarpërin, si yt atë! Nisu të bësh normën»!..

 

Dhoma e tërë ra në një qetësi faltoreje. Dhimbja njerëzore është fisnike e nuk pranon fjalë të tepërta.

 

       I vellai, Kujtimi telefonon nga Kalifornia dëshirën të qe aty, po nuk vjen dot ngaqë është dëmtuar keq në punë. E  motra, Beta nxiton e vjen prej Nju Xhersey për të na e bërë sa më afër zakoneve shërbimin. Nuk di kush më shumë se ajo mund ta përfaqësojë më denjësisht gruan fisnike kaninjote! Para se të shuhej, i ati iu drejtua për shkrimet e tij: “Beti, vashë e vetme! Mbaji për kujtim, kur nuk do të jem më! -Yt atë”. Dhëmbjet e mëdha për njerëzit e saj ikur para kohe i mban të kyçura brënda vetes e të rri afër me nënqeshjen e përmbajtur të një zonje tërë hir. M’u kujtua përshkrimi për gratë zonja të Vlorës nga kapiten H. Armstrong, sekretar i Princ Vidit: “Në familjen ‘Vlora’ më çuan te një dhomë e veçuar për të parë gratë e shtëpisë të cilat gjer atë kohë s’kishin dalë fare sipas traditës së tyre. Zonjat, të gjitha të dukura, flisnin disa gjuhë të huaja, gjë që nuk ndodh kaq shpesh në Angli. Më pritën siç do kish bërë çdo grua europiane”. Ato gra fisnike po i shihja te bija e Isuf Luzajt.

 

«Në këtë shtëpi me diell - fola unë - Burbuqja është ngjyra e çelur e limonit e ti je ngjyra e lodhur e portokallit. Njëra ngjyrë plotëson tjetrën». Beta buzëqesh aq sa mezi kuptohet. E pyes për babain e saj të shquar dhe ndjehet ngushtë të përgjigjet. «Për mëndjen tonë të vogël qe shumë i madh për ta kuptuar. Rronim afër tij e nuk dinim sa larg vështronte ai. I tregonim vuajtjet nga komunistët e i mbusheshin sytë lot si «shkaktar» i atyre vuajtjeve! Bota e tij qenë letrat. Sa shumë letra e rrethonin - eja njëra e ik tjetra. I afroheshin të bardha e i largoheshin të shkruara për të tjerët. E pyeta një herë babain: «Pse s’u bëre doktor mjekësie, mbase do qe më për hair»! - e ma ktheu: «Si puna e dashurisë, moj vajzë: të afrohet një, të piqet ylli e lidhesh me të!». «Po në këtë punë asnjë nga ne bijtë s’të ngjau». «Më keni ngjarë në kryesoren, ndershmërinë. Ju mbeteni bij të mirë të Kaninës e të gjithë Shqipërisë, dhe kjo mjafton».

 

         M’u kujtua malli i tij prej Naimi për vendlindjen tek e përshkruan aq hollë, mall që ua lë amanet bijve më pas: «Zëri i Gjakut thërret për vëndin e lindjes që është atdheu i zëmrës…kur largohemi nga mëmëdheu e kapërcejmë male e dete, kur udhëtojmë larg, shumë larg saqë jemi tri herë të huaj për komb…shpirti ynë zhytet në të shkuarën…e në çastet e fundit të jetës atyre që lëmë pas u kërkojnë t’u kthejnë eshtrat në vëndin e foshnjërisë e rinisë së tyre, sikur të donin t’i kthejnë vëndit të lindjes kulloshtrën e sisës së nënës, ajrin e vëndit të lodrës, poezinë e kujtime të moshës së njomë…».

 

      Zonja e re e shtëpisë shton: «Ne erdhëm nga ajo errësirë që na nxiu rininë, e kur zbritëm në Amerikë na bëhej se ishim në ëndërr, s’i besonim vetes! Na dukej se dhe njerëzit e Sigurimit kishin ardhur pas nesh!..Dhe në qetësinë e Amerikës, brënda trupit kanë nisur të na rënkojnë  dhimbjet që na dha ai shtet».

 

         M’u kujtua gjykimi me tej lënë në vepër i profesor Isuf Luzajt: «Le të vibrojë tek ti një pjesë sado e vogël e popullit tënd!…Asnjë kopé shërbëtorësh nuk mund ta poshtëroje një njeri të lirë…I miri është gjykatësi i vetvetes dhe ai ndjehet më i mirë sa më e madhe të jetë armiqësia që e rrethon». Ai qe në Mukje me Nacionalistët. Dihet, madhështia kombëtare e Mukjes u kthye në dramë me vendimin urdhërues të përfaqësuesve sllavë në gjirin e Udhëheqjes sonë komuniste. Gjatë Luftës vetë Luzaj u takua jo një herë me Enver Hoxhën i cili e kërkoi t’i vente pas. Ky iu përgjegj siç e lë në Kujtime: “Fitorja sovjetike do mbulojë Europën Lindore e Juglindore e ju do ta fitoni këtë luftë. Unë nuk kam as frikë as turp siç thua ti, shok i mirë, por nuk bashkohem me ty. Unë kam turp nga ndërgjegja ime e cila nuk beson në ideologjinë M-L si zhvillimi më i mirë i popujve. Besoj në Demokraci…”   

 

Në Universitetin e Indianës u jepte filozofi si profesor studentëve nga tërë kontinentet, e ndjente pikëllim që nuk kish studentë dhe nga Atdheu i tij!  Më 1984 e viziton aty Presidenti Regan, si i ftuar i nderit e Prof. Luzajt i jep Medaljen më të lartë për arësim: “PROFESOR I AMERIKËS”. Mes të tjerash me thjeshtësinë e tij prej zotnie Prof. Luzaj iu drejtua studentëve: “I lutem Zotit të mos jetë e vërtetë kjo që mendoj unë! Mendoj që unë kam mësuar më shumë nga ju se ju nga unë”. Presidenti amerikan buzëqeshi me nderim e tha thjeshtë: “Më pëlqen kjo”!

 

Ai ka mbajtur një Ditar tepër mbresëlënës për madhështinë e mendimit e çiltërinë e zemrës - “Në Shërbim të Shqipërisë” (1939-1949). Citojmë sadopak nga takimi i tij me Zai Fundon, idealist atdhetar e martir, pushkatuar mizorisht nga komunistët:

 

“…Sikur ta dijë Stalin mustaqemadhi, i thashë (Zai Fundos), se sa shumë je larguar nga marksizmi, do të të hante të gjallë! Ki mëndjen nga djemtë e Stalos”! Ai nënqeshi e komentoi:

 

“Edhe nëse një ditë do dal në gjyq me bolshevikët stalinianë, sigurisht që gjykatës nuk do jetë Stalini”…

 

   “Do të të presin mishtë me gërshërë djelmët e Stalos”. Qeshi me tallje e shtoi:

 

“…Me u trembë para rrezikut kur është puna e Atdheut, nuk është e denjë për një burrë shqyptar…Sikur ta dija, më tha, sot e 20 vjet më parë se ç’pasoja të tmerrshme do ridhnin në Shqipëri prej influencës sllave…do kisha pranuar më mirë të prisja gjuhë e duar më përpara se të punoja për marksizëm e terror. Po ku ta dijë i shkreti njeri nëse bën mirë a keq kur vepron në mirëbesim”!..

 

“Më fal - i thashë…- Nesër i tërë populli shqiptar do organizohet prej këtyre komunistëve e s’ka asgjë të jashtëzakonëshme që këta një ditë do na vënë edhe pushkën duke filluar…deri te Enver Hoxha, dembeli që s’mori dot një vit në universitet”. Do kisha vazhduar të flisja, shton I. Luzaj, po më vanë sytë në sytë e tij mbushur me lotë të mëdhenj e tatëpjetë faqes tunxh i binin duke u përpëlitur si shpezë të plagosura. Ishin lotë të sinqertë. Bënte autogjykimin e prandaj mendova: përballë vdekjes, përballë Zotit njeriu bëhet mirë kur është vetëm fill, e vetëm fill e lashë…dhe luta një nxënës të ruante që të mos e trazonte askush”.

 

         Gjetkë, për terrorin komunist shkruan: «Këtë fatkeqësi e kam provuar si hekurin e zjarrtë në lëkurën time gjatë 50 viteve lufte kundër mediokritetit, si në atdhe dhe në mërgim, e më në fund i pashë me sytë e mi, i preka me duart e mia njerëzit e ligj të turpëruar prej vetes së tyre. Pak nga ata, akoma kishin një kongjill në ndërgjegjen e tyre fajtore, më kërkuan ndjesë me lot në sy. Por kjo, ndonëse provon teorinë time, vlejti shumë pak për mua sepse ndodhi pak para perëndimit të ditës sime…»!

 

         Ndoshta në këtë rrëfim madhështor e të dhimbshëm autori i shquar ka parasysh një ngjarje disi të veçantë nga shpërbërja e shtetit komunist: Me hyrjen e demokracisë në Shqipëri i vjen një telefon i papritur nga Athina: «Alo, Zoti Luzaj!? Jam bashkëfshatari yt…Të kujtohet kur loznim fëmijë, mua më vareshin hundët e ti më zgjatje shaminë!..Tani dua të më dërgosh një garanci të vij në Amerikë! Dollarë kam vetë!». Dijetarit dinjitoz iu kujtua njeriu: «Po ti je kryetari i Gjykatës së Lartë…Ti 50 vjet me radhë na ke pushkatuar… Ç’kërkon tek një mbetur i gjallë  ngaqë të shpëtoi nga thonjtë?!» - «Unë s’kam faj, zbatoja ligjet!». «Po kush i bëri ato ligje? Ju jeni Al Kapone të Shqipërisë»?!..

 

Në një shëtitje Dalani më tregoi ish shtëpinë e Al Kapones. I ngula vështrimin me kureshtje të hutuar. “Qelqet e dritares paskan ende një vështrim të frikshëm që nga brenda” pëshpërita me vete. Shoku në krah plotësoi: “Tani Al Kaponet i ke në Tiranë. Atje ruaju prej tyre, mos të vrasin prapë»!..Më tej, pamë spitalin ku vdiq papritur shkrimtari dhe atdhetari i pavdekshëm i kombit shqiptar, Bilal Xhaferi. E persekutuan pa mëshirë në Atdhe, iu qepën pas dhe në mërgim, dhe brënda në spitalë (siç thonë)…gjersa ia prenë jetën! Nëpër qelqet e dritareve më bëhej se shihja hijen e fytyrës së njohur të tij si prej shënjtori martir. Në pemët rrotull fletët fërfërinin frymëmarjen e shpirtit të tij të pafjetur për Çamërinë…

 

…Në kthim ndalojmë tek një pemë e  lartë e hijëshme anës trotuarit. «Ja, Ai»! foli Dalani dhe zgjati dorën drejt trungut. “Kush“? pyeta unë. „Im atë - tha i biri, - para se të ikte e mbolli këtu, dhe Pema është Ai“! E vështrova me vëmëndje mikun tim të afërt. Brënda syve i shkëlqente për të atin një dritë nderimi që lëvizte nëpër muzg.

 

I afrohem pemës e vë lehtë dorën mbi të. M’u bë se preka një shpirt njeriu në lëvizje. Ngrita sytë vështrova majën e saj - muzgu e afronte me qiellin si për bisedë me yjet. Njeri yll diku lart qe shpirti i tij. Tani ai vështronte poshtë botën, dhe të gjallë dhe të përgjumur. Ndjeva se Ai po vështronte dhe njeriun ardhur që larg pranë trungut të tij. Doja t’i tregoja nga poshtë se jam kolegu i tij i zakonshëm me të cilin vitet e fundit të demokracisë këmbeva disa letra e libra, e t’i kërkoja ndjesë që letren e fundit nuk e mori dot se e arrestoi diktatura e re, posa ai nisi të lidhej me njerëzit e tij të afërt. Erdha ta takoja vetë, por ai tanimë qe kthyer në pemë - Driadë, perëndi pelazgo-ilire! Qe materie në tokë me shpirtin në qiell prej nga shihte dhe vëndlindjen. Gjethet e pemës shushurinë me zëra njeriu: ato po i flisnin njera tjetrës në të tetë gjuhët që dinte dijetari. Ato shfletonin fletët e aq veprave ku ai, me peshën e kombit të tij ilir në shpinë kërkoi dhe misterin e jetës: «...Mendimi im udhëton në vijën karteziane...Syri njerëzor qarkullon në bukuri të Universit, bukuri të Planetit, bukuri të filozofisë dhe shkencës, bukuri të njeriut dhe virtyteve të tij...Popullin e tyre e nderojnë vetëm ata burra që nuk përpëlisin qepallën e syrit as para punës, as para përpjekjes, as para burgut...Atdheu mbi të gjitha! Ata që qenë dje armiqtë e tij, janë sot e do të jenë dhe nesër armiqtë gjaksorë të popullit…Vendi ynë ka për të përballuar shumë rreziqe ndër të cilat janë sllavizmi, helenizmi, italianizmi…Përpara fisit, kombit e racës ti një ditë do japësh llogari…qëndrimi burrëror është çelik në fjalë e diamant në sjellje»…

 

Para se të mbyllte sy, la dy amanete: trupi t’i pushonte në dheun e vëndlindjes, dhe Medalja që i dha Presidenti Regan të varej në një gozhdë muri në Muzeun Kombëtar të Atdheut! Për më tej, në 10 vjetorin e ikjes së një figure të tillë, Presidenti i Republikës ka kulturën, fuqinë dhe dinjitetin që të gjykojë edhe vetë.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora