E premte, 26.04.2024, 02:16 PM (GMT+1)

Kulturë

U shua një fisnik!

E diele, 30.09.2007, 06:47 PM


KLITON NESTURI

Puna Serafin Fankos përbën një “shkollë” më vete. Ai dallohet si një regjisor në veprat e të cilit është njeriu me ngjarjen e tij. Për të njeriu është një qenie komplekse brenda të cilit luftojnë ndërmjet tyre njëkohësisht vetëdija dhe nënvetëdija, e mira dhe e keqja.

Gjithnjë ndarjet nga jeta e njerëzve të shquar të një kombi, sidomos kur ata kanë lënë gjurmë në fushën e artit dhe të kulturës, janë ngjarje të dhimbshme dhe të mbushura me shumë emocion. I tillë është edhe reagimi (jo vetëm i imi) për humbjen e regjisorit dhe aktorit Serafin Fanko. Si artdashës e kam adhuruar vazhdimisht punën e tij, si gazetar e kam ndjekur disa herë nga afër dhe jam takuar me të. Besoj se ashtu si për mua, edhe për ata që e kanë njohur, Serafini ynë, do të mbetet në kujtesë si një artist i madh dhe si një njeri i dashur dhe fisnik.

Ne ende nuk kemi një studim ku të jetë përcaktuar një hierarki e personaliteteve që kanë dhënë dhe japin kontributin në artin dhe kulturën shqiptare. Por, pavarësisht nga mungesa e saj, shpreh bindjen time (e cila nuk është e vetme) se Serafin Fanko qëndron në majën e kësaj hierarkie. Kontributi që ai ka lënë e dëshmon këtë.

Të shumtë janë ata që mbajnë të ngulura thellë në kujtesën tyre rolet që ky artist i madh interpretoi veçanërisht në filmat shqiptarë si: “Fijet që priten”, “Qortimet e vjeshtës”, “Emblema e dikurshme”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Guna mbi tela” e të tjerë. Ai ishte aktori, i cili të bënte për vete jo vetëm me plastikën e tij, por edhe me forcën e interpretimit; ishte njeriu i mirë që reflektonte dritën në mes të errësirës, ishte Djalli që të shtangte dhe të mbante mbërthyer. Serafin Fanko nuk interpretoi kurrë heroin. Ai interpretoi gjithnjë role ku spikasnin karaktere të fuqishme, të cilët gjithnjë mbeten për t’u analizuar për shkallën e tyre të lartë të interpretimit.

Jeta e tij me teatrin e shtyu atë edhe në rrugën e dramaturgut. Në veprat e tij, ai spikat si një dramaturg i prirë drejt temave dhe konflikteve sociale, jashtë politizimit. Ai e sheh dramën si një vlerë ku në radhë të parë vendi i takon njeriut dhe problemeve me të cilat ai ndeshet në jetën e tij, si një pjesë e pandashme e shoqërisë. Evoluimi i ngjarjeve dhe karaktereve shkon në raport të drejtë me evoluimin e standardit të shoqërisë.

Por kontributin më të madh, pavarësisht numrit të madh të roleve që ka interpretuar si aktor apo pjesëve që ka shkruar si dramaturg, Serafin Fanko e ka si regjisor i teatrit. Puna që ai ka bërë me trupën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, përbën një kapitull të bukur në historinë e teatrit shqiptar. I nxitur edhe nga klima e krijuar në këtë shtëpi teatrore më parë, ai diti të shfrytëzonte në mënyrë më të mirë të mundshme punën dhe talentin e të gjithë aktorëve me të cilët punoi, si Lec Bushati, Tinka Kurti, Bep Shiroka, Vitore Nino, Ndrek Luca, Ymer Bala, Bruno Shllaku, Paskualina Gruda, Viktor Bruçeti etj, duke na dhënë vepra të një niveli të lartë, si nga dramaturgjia kombëtare ashtu edhe nga ajo e huaj. Në të gjitha dramat që ai vuri në skenë si regjisor, spikati për individualitetin e tij krijues. Puna e tij, përbën një “shkollë” më vete dhe dallon qartë nga “shkollat” e Piro Manit, Dhimitër Orgockës, Mihallaq Luarasit, Pandi Stillut, Fatos Haxhirajt etj. Serafin Fanko dallohet si një regjisor në veprat e të cilit është njeriu me ngjarjen e tij. Për të njeriu është një qenie komplekse brenda të cilit luftojnë ndërmjet tyre njëkohësisht vetëdija dhe nënvetëdija, e mira dhe e keqja. Kjo dallon që në dramën e tij të parë, “Fisheku në pajë”, shkruar nga Fadil Kraja në 1967, e cila në të njëjtën kohë është edhe drama e parë psikologjike shqiptare. Fakti që kjo dramë mbetet ende në fokusin e analizës për sa i përket mjeshtërisë regjisoriale e dëshmon këtë. Edhe në pjesët që vuri më pas, Fanko e vazhdoi duke e pasuruar edhe më tepër origjinalitetin e tij, i cili shumë shpejt e ktheu atë në një idhull. Mjafton të sjellim ndër mend vënie të tilla, si: “Vizita e Inspektorit” e Shout, “Hetimi” i Vaissit, “Baca i Gjetajve” dhe “Gjaku i Arbërit” të Fadil Krajës etj. Serafin Fanko ka meritën tjetër se rigjallëroi teatrin e poezisë. Mjafton të kujtojmë këtu sidomos “Netë makbethiane”, e cila e mbështetur kryekëput mbi tragjedinë “Makbeth”, të Shekspirit, veç shkallës së lartë të regjisë dhe të interpretimit sidomos nga dyshja Tinka Kurti-Ndrek Luca, solli edhe një këndvështrim të ri dhe modern në teatrin tonë.

Për fatin tonë të madh, por në veçanti të brezave që do të vijnë më pas, pjesa më e madhe e punës së Serafin Fankos ka mbetur e fiksuar në shiritat magnetikë të Televizionit shqiptar dhe filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”. Për të gjithë ata që nesër do të duan ta studiojnë punën e këtij mjeshtri të madh, do të ketë rrugë nga të cilat do të drejtohen.

Humbja e Serafin Fankos është padyshim një ngjarje e hidhur për kulturën shqiptare, por në të njëjtën kohë ajo duhet të shërbejë edhe si një refleksion, veçanërisht nga media, për vlerësimin e vlerave të vërteta. Edhe me vënien e dramës së fundit “Babai” të Ruzhdi Pulahës që vuri në skenë në Teatrin Kombëtar, ai realizoi jo vetëm një ëndërr të vjetër, por tregoi edhe njëherë se mundi të realizonte në jetën e tij gjithçka.

Nga takimet me të, do të veçoja atë të vitit 2000, kur realizova me të në Shkodër një intervistë për programin “Panorama” të Televizionit Shqiptar. Me bujarinë e tij mjeshtri i madh na priti në shtëpi. Në Shkodrën e mbytur nga shiu dhe nga balta, amullia dhe mungesa e errësirës, Serafin Fanko qëndronte si një fisnik i heshtur.

Një fisnik u shua, por gjurmët që ai ka lënë në rrugën e përshkruar do të mbeten si një busull. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora