E hene, 14.10.2019, 05:28 AM (GMT+1)

Plus » Historia

Fushë-Milot, histori në anë të rrugës së madhe

E hene, 31.08.2009, 11:19 AM


Prifti i vjetër: Si i njoha unë këta njerëz

Nga Fatos BAXHAKU

Në rrugën e re që të çon drejt Kosovës, makinat vërshojnë pa pushim. Duket sikur një lumë i madh e ka përmbytur krejt zonën e Milotit, qendrën e Kurbinit. Ndryshe nga rruga e madhe, Mati duket si më i hollë e i ngadaltë. Ngjan se, më në fund, dikush ia ka kaluar.

Poshtë, në një gropë, në anë të lumit, shtrihet një grumbull i madh shtëpish. Janë krejt të mbytura nga gjelbërimi dhe përballë zhurmës që vjen nga lart, duken krejt të heshtura, të heshtura e të mpira, njësoj sikur brenda tyre të mos gjallojë jeta. Por mjafton që të zbresim poshtë që të dëgjojmë plot histori. Për pak minuta jemi bash e në mes të Fushë-Milotit, njërës prej lagjeve më të njohura të Milotit dhe të Kurbinit në përgjithësi.

Qyteza në anë të lumit

Shumëkush kalon sot mbi rrugën e madhe thuajse pa ia hedhur sytë kësaj qyteze, ndër më të lashtat në Shqipëri. Miloti përbëhet prej tri pjesësh: lagja e vjetër, e vendosur mbi një kodër shkëmbore, qendra që i ka të gjitha funksionet e një qyteti dhe Miloti-Fushë, këtu ku kemi ndaluar në udhëtimin e kësaj jave.

Të moshuarit e këtyre anëve mbajnë mend se dikur lumi i Matit nuk ishte gjë tjetër veçse një vijë e hollë uji. Përballë Milotit gjendet "kodra punk" e Pllanës. Thuhet se dikur Miloti dhe Pllana nuk ishin gjë tjetër veçse dy lagje të një qyteti, që i ndante "përroi" i atëhershëm i Matit. Monsinjor Frano Illia, një nga njohësit më të mirë të këtyre anëve, rrëfen se deri afër 100 vjetësh Fushë-Miloti ishte krejt i pabanuar. Vetëm ndonjë blegërimë deleje që vinte nga ndonjë stan i harruar dëgjohej këtyre anëve. Një pyll moçalor thuajse i pakalueshëm mbulonte krejt këtë anë poshtë rrugës së sotme të madhe. Madje legjenda, të cilës vendasit i besojnë edhe sot e kësaj dite, thotë se në kohë shumë të hershme deti shtrihej deri në qendër të Milotit, ku dikur paskan qenë disa hallka të trasha, të cilat nuk mund të shërbenin për gjë tjetër veçse për të ankoruar anijet.

Ditëlindja e vërtetë e Milotit duket se është andej nga viti 1920, kur pronarët e staneve të dikurshme nisën të ngrenë shtëpi të gurta. Zona ishte ende shumë malarike dhe kushtet e jetesës shumë të vështira, por popullsia e shtuar në male kishte nisur t‘i hidhte sytë drejt fushës. "Kulla e Marka Kolës - shkruan Monsinjor Illia - kje ndërtue me gurët e Kullës së Mcukut, që gjindet në kufi me fushën e Shegasit, sot i Malit të Bardhë. Këto gurë kjenë bajtë me kual, pse në këtë vend nuk kishte qerre. Qerrin ma të parin e përdori Llesh Pjetër Koka kah vjeti 1890".

Nga Milic me Ndjekjen

"Sa mirë batë që erdhët burra, se na mërzitna fort kur nuk na vinë miq. Na duket vedi si shpi kulaku", thotë Lalë Marku. Termat e vjetra "kulak", "i deklasum", "kriminel" nuk ka pasur se si t‘i ndryshojë. U jep urdhër grave të shtëpisë që të bëjnë adetin e miqve dhe dalëngadalë nis të rrëfejë historinë e tij, në shumë kuptime të pazakontë. "Unë kam le ktu në kte shtëpi që tash ka ndryshu. Baba jem më pat lanë të vogël. Fushë-Miloti nuk asht kjo që shifni sot, me kto shpi e me kto makina. Ka qenë një vend si moçalishte. Edhe ujin asht dasht me e zi. Ishim shumë të vorfën. E mbaj mend se kur kam shku n‘shkollë kam dhanë nji pulë për nji fletore".

Lalë Marku, për një moment, e ndërpret bisedën, i kanë ardhur nipa e mbesa nga jashtë. Pastaj kujtohet. "Ky e lamë na muhabetin? Ah, po te shkolla. Unë, në fakt kam qenë nji fëmi i hedhun. Nji ditë, si t‘gjithë fmitë ma, i gjujta me gurë nji shokut tem. Asokohe ka pas kenë mësues k‘tu n‘Milot Xhevdet Doda, kosovar, burrë i rreptë. E hangra nji dru t‘mirë e nuk shkova ma n‘shkollë. Isha n‘klasë të tretë".

Në dhomë ka hyrë një malësore tipike me veshjen e saj karakteristike. Eshtë gruaja e Lalë Markut, nana Mrikë. "Edhe me kte i kam do historina, po tesh jua them ma vonë - thotë plaku dhe vazhdon historinë e tij të pazakontë. Në kohën e Italisë, isha i ri, kisha nevojë për pare. Nji kushrini jem ishte milic në Krujë. Ky më thirri edhe mu. Kështu që një periudhë të mirë të luftës e kam kalu milic në Krujë. Nuk ishte keq, kishim me hangër e me u vesh mirë, nuk bashim ndonjë punë të madhe".

Gjatë rrëfimit del një emër i njohur: Ndoc Deda, njëri nga pesë "Heronjtë e Vigut", pikërisht ai busti të cilin shikon sot në plehrat e Shkodrës. Ne e pyesim disi më gjatë Lalë Markun për njohjet e tij me të. "Unë Noc Dedën e kam pasur shok fëmijërie. Kam nejtë me te sikur me ju tani. Ai ishte ushtar bashkë me tim vlla në batalionin ‘Tomorri‘ në luftën italo-greke. Atëherë u patën arratis dhe u lidhën me komunistat që luftoshin italiant. Unë vetë isha shok me t‘vllanë e Ndocit me Gjokën. Mbas lufte më kanë thirrë ushtar në Korçë. Ushtria atëherë ishte tri vjet. Quhej edhe si nji lloj shkolle. Kur jam kthy, ky Gjoka më ka lidhë me Batalionin e Ndjekjes. Kshtu i thoshin atëherë forcave të shtetit që kapshin a vritshin t‘arratisunit ndër male. Dhe të tillë në anët tona kishte boll. Me kte punë jam marrë do kohë".

Lala e përdor nganjëherë fjalën "kriminel". Ne e pyesim se a meritonin vërtet ata njerëz në kërkim këtë fjalë. Lala thith një herë fort cigaren e tij dhe pastaj thotë mejtueshëm: "Kshtu i thoshim atëherë. Kshtu ishin urdhrat". Pastaj ajo cigarja e Lalës duket edhe më e gjatë se zakonisht dhe sytë e tij matanë gjyzlykëve të trasha edhe më të menduar. "E kam njoftë mirë Nuri Luçin nga Kuçi i Vlorës - kujtohet - pikërisht ai mi kishte dhanë teshat, armën, pajimet… Atë e kishim të parin tonë. Nji natë, ktu n‘Mal të Bardhë, mbi Milot ne e kishim rrethu shtëpinë ku ndodhej një i kërkuar. Nuriu e dinte se ku strehohej i kërkuari dhe e kishte kërcënuar të zotin e shtëpisë: O na thuaj se kur të vjen në shtëpi, ose ty të pret burgu. I kërkuari ishte trim dhe i fortë, nuk binte në dorë kollaj. Por i besoi të zotit të shtëpisë. Sapo hyri në shtëpi Nuriu i zuri pushkën, por ai kishte pasur gati një pistoletë, qëlloi dhe kështu u vra Nuri Luçi".

Tragjeditë e nanës Mrikë

Nana Mrikë nuk ua vë veshin edhe aq historive të të shoqit. Kush e di se sa herë i ka dëgjuar. Një nga vajzat e shtëpisë na sjell një foto të vjetër. Prej saj një vajzë e re me kostumin tipik, na shikon me shikim të vendosur. "Kjo jam unë kur kam qenë e re - thotë Mrika - pak kohë para se me u martu me Markun". Fotografia na kujton për pak çaste ata dokumentarët e vjetër të Kinostudios me ato gratë mirditore që merrnin rrugën për të shkuar në hekurudhë. "Edhe kjo histori asht e bukur - tregon Lalë Marku sërish - ne po ndiqshim nji t‘arratisun. Mu kishte tre vjet që më kishte vdekë gruja. Kur e pashë Mrikën më mbetën sytë. Atëherë kam shku te i vëllai i saj, se babën nuk e kishte, dhe i kam kërku dorën. Këta jetoshin në Shkopet, jo fort larg prej këtu. I vllai u xu ngushtë: Më ka çu fjalë nji tjetër për motrën, nji që ju po e kërkoni, o me kapë o me e vra. Pas do kohësh ky njeriu, ‘rivali‘ im po themi, u vra në nji pritë, kështu që unë e kisha rrugën e çelur për t‘i kërkuar dorën Mrikës".

Nana Mrikë se ç‘ka që përlotet befas. Si e kupton që e vuri heshtjen në bisedë atëherë nis të shpjegohet: "Jeta ime ka qenë e randë more miq. Unë kam humbë tri djem. Njenin djalë ma pat zanë korrenti kur ishte vetëm 7 vjeç. Nji tjetër mu mbyt në Mat. Ky ishte diçka ma i madh, 9 vjeç. Në 1999 nji tjetër djalë u vra nga nji plumb që nuk dihet se nga erdhi. Edhe gruja i kishte vdekë dhe i la vajzat jetime. Po njeriu qënka i fortë dhe i duroka të gjitha, pasha at Kishë të Shna Ndout".

"Cili është sekreti për të kaluar gjithë këto halle pa u dorëzuar", e pyesim Lalë Markun. "Për Zotin kam vu re se kush jepet shumë mas lekut nuk e ka pasë të gjatë, nuk e ka gzue. As vetë Kisha e Shna Ndout nuk ka mujtë me e pshtue". Por pastaj plaku kujtohet: "Megjithse kam njoftë nji burrë ktu nga Fushë-Miloti, i cili që në kohë të Gjermanisë kishte katër makina. E kshtu e majti mirë edhe me partizant edhe me ballistat e ma vonë edhe më Partinë e Punës. Jetoi mirë dhe vdiq i madh fort në moshë. Nuk është e thanun nganjëherë". Në moshën 86 vjeç Lalë Marku ende heziton të thotë se kush jeton më mirë, ai që jepet me shpirt e me thonj pas lekut, apo ai që i vë rëndësi anëve të tjera të jetë. "Kshtu asht mor bir - thotë nanë Mrikë - vetëm trutë e kresë paskan pasë randësi".

DOKUMENTI

Prifti i vjetër: Si i njoha unë këta njerëz

Monsinjor Frano Illia lindi në Juban të Shkodrës në 1918. Studoi në Shkodër dhe në Xhenova. Pas disa lëvizjesh në Tiranë dhe në zona të tjera, në 1953 u emërua famullitar i Milotit. Me këtë vend do të krijonte lidhje të forta, aq sa do të deklaronte vazhdimisht "un jam i kurbijas". U arrestua në shtator të 1967, në kohën e aksionit ateist. Doli në bangën e të akuzuarve së bashku me Dom Zef Bicin, Dom Mark Hasin, Dom Mark Dushin. Në fillim të katër u dënuan me vdekje. Dy të parët u ekzekutuan. Illia dhe Dushi u ridënuan me 25 vjet burg. Nga këto Frano Illia kreu 20 vjet burg. Mbylli sytë në Shkodër në 1998.

Vetëm para do kohësh është botuar një libër që ai e pat lënë në dorëshkrim. Libri ishte konsideruar si provë në çështen e tij penale. Radhët që do të lexoni më poshtë janë shkëputur pikërisht nga ky libër.

Për kah cilsit fetare, morale e shoqnore, pak a shumë mbarë populli i Kurbinit asht pothuejse nji. Mes nji katundi e nji tjetri të Kurbinit, mund të bijnë në sy ndryshime, por të vogla e shpesh të përkohshëm e simbas rrethanave të veçanta. Prandaj para se të kalojmë të populli i KUrbinit t‘epërm, do të thomi diçka mbi mbarë popullin e Kurbinit në përgjithësi.

Bajraku i Kurbinit, si çdo bajrak në veçanti, mbrena per mbrenda rregullohet per çeshtjet e veta me zakonin e vet dhe me Kanunin e Maleve. Kanuni asht i përgjithtë dhe mbi zakone, të cilat pështeten në kanun. Kur nji bajrak ka kapje me nji tjetër, atëherë nuk veprohet ma në bazë të zakoneve, por në Kanu në përgjithësi të Maleve.

Për me pa dallimin mes Kanus, zakoneve e nenzakoneve, Kurbini ka nji thanje "shtëpi e marifet, katund e adet, bajrak e zakon, Kanu e Gjomark". Kur pleqsija nuk bien në godi për nji zakon, pse asht gja e re per te, ase aplikimin e njij ligje të kanunit, shkohet te Shtëpija e Gjomarkut në Mirditë, fjala e të cilit xen vend, pse mandej s‘kanë ku të shkojnë për çështje zakoni apo ligje kanunore. Populli i Kurbinit asht konservativ tradicjonal dhe thueja në gjithçka lidhet ngusht me traditat e zakonet e veta. Edukata e tij gjatë shekujsh asht mbajtë prej dy elementash qi janë zakoni e feja. Praktikisht vendin e parë në te e xen zakoni. Sigurisht qi feja ka influencë per zbutjen e egërsis së tij, por në shumë rasa ka ngulë rrajë në shpirtin e tij si e lidhun me zakon qi ka trashigue. Ky popull asht thellësisht fetar, besojnë dhe e nderojnë fenë, por ma pak e mbajnë se e nderojnë, e këta në përgjithësi jo për zemër të prishun, por për rrethana historike e gjeografike.

I kurbijasi asht i squet, mendjemprehte në punët e veta. Për shembull, të huejin e nderon, por nuk i beson pa e njoftë mirë, nuk rrehet letsisht. Tue i vështrue me vemendje kah bisedojnë e rrahin çështje zakoni, shifet në ta, n‘urtin e tyne, në shëmbëlltyrat me të cilat e përcjellin mendimin e vet, nji diçka si diplomaci e leme, fisnikija e nji populli të lidhun me historinë e vet. Shpesh bien në sy tipa advoketnish të lemë sidomos ndër pleq zakoni. Së pari kërkojnë me njoftë mirë çështjen qi rrahin, me njoftë mirë kavit e largta të grindjeve, mandej shtrojnë pikëpamjet e veta me nji delikatesë e largpamje të çuditëshme, tue pasë për çdo shprehje perpara cakun ku don të mbërrijë, tue i dalë para çdo kundërshtimi, me të gjitha mënyrët me e xanë kundershtarin. Kur diskutojnë të bajnë detyrimisht t‘interesohesh per çështjen në fjalë, dhe duhet me i veshtrue me shumë vemendje, tue peshue çdo fjalë, pse nuk thonë gja kot.

Ka nji herë gjindet te ta nji gojtari me ua pasë lakmi.

I kurbijasi asht moralisht mjaft i pastër. Grueja ruhet së forti. Emri e ndera, thonë shkon baraz me shpirtin. N‘anë tjetër asht idhnak, zemrak e hakmarrës i pamëshirshëm. Falë me shumë vështirësi sidomos të ramen. Mikun e prem, nderin e grues nuk e falë kurrë pa gja. Arma per te ka kenë gjaja ma e dashtun. Asht gjakxet, por atherë kur e msheh idhnimin e vet, asht ma idhnak. Nuk ta harron kurr të keqen e pësueme. Hakmarrja trashigohet me gjit e nanës, e cila ia kallxon me gisht hasmin fëmijës së njomë, tue i thanë p.sh.: "njaj ta ka vra baben, Kurt të bahesh i madh tash e merr gjakun e babes". Dhe fëmija rritet me atë mni, qi ka me shpërthye kur ti vijë dita. I kurbijasi asht mikpritës dhe pa interresë, shtëpija e tij asht me të vërtetë e Zotit dhe e mikut. Shifet nji kujdes i çuditshëm per kah nderimi i mikut, dhe jo vetëm në burra, por edhe në gra kur nuk janë burrat te shtëpija. Në Kurbi ka besë. Njeriu i pabesë per te asht njeriu ma i keq. Me i thanë kuj "i pabesë" asht shamja ma e randë. Të dha besën të dha kaptinen. Higjena qi ishte krejt mbrapa, asht në përmirësim. Kanë nisë në përgjithësi të kenë shtrojë e mbulojë të rregullt, për çka janë kenë ma të dalluem muhamedanët, sidomos të fushës.

Populli i Kurbinit asht gjysa katolik e gjysa muhamedan. Ka katunde krejt katolike, si Skuraj, Gallata, e të tjerë katunde krejt muhamedane si Vinjalli, Shkreta, si edhe ka katunde të përzieme si Miloti, Mali i Bardhë e të tjerë. Në përgjithësi shkojnë mirë me njeri-tjetrin katolikë me muhamedanë dhe ma mirë se katolikët mes tyre, shkojnë muhamedanët me shoqishojnë. Në marrëdhanje shoqnore kanë po të njajtat zakone. Shkojnë te njeni-tjetri për festa, kanë pasë edhe lidhje kumarije flokësh e probatinije, por cuca nuk kanë ndrrue kurr.

Muhamedanët e nderojnë shumë fenë e vakufet katolike. Betohen vazhdimisht në to dhe shkojnë pada ndër kishë tue çue të smundët e vet e ndonjiherë shejet e tyne, sidomos të Shenjtorja e Shna Ndout në Laç, te Kisha e Shna Prendes dhe te ajo e Shen Nikollit në Milot, dhe gjithnji te rrënojat e Kishës së Shën Mërisë në Shëmri. Kundrejt fesë së vet, janë shumë pak praktikanta. Në përgjithësi nuk e përdorin në asnji mënyrë mishin e derrit. Pohojnë se të parët e tyne kanë kenë katolik, shpesh tregojnë se janë kthye n‘islamizëm perdhuni dhe si justifikim shtojnë: "Çdo fe asht e mirë dhe secila të çon te Perëndija". Kjo shprehje asht e vjetër sa apostazija…".

(Për më gjerë: Frano Illia, Famullia e Milotit, Përgatiti Kastriot Marku, Milot 2006).



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT