E hene, 07.10.2024, 10:23 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Emancipimi dhe ndëshkimi i barkut bosh në vitin 1959

E shtune, 25.07.2009, 10:02 AM


Nga Elsa Demo

Tradita dhe regjimi

Shkodra i raporton në verë të vitit 1959 Enver Hoxhës. Në emër të luftës kundër zakoneve prapanike, shqiptarëve duhej t'u ndaloheshin shpenzimet për vdekje, festat fetare me miq dhe therje bagëtish. Po emancipimi në fshat?

Çdo familje të ketë të paktën një shtrat të thjeshtë me jorgan. Deri ku shkonte fantazia ndaluese, ndëshkuese e diktaturës së proletariatit në Shqipëri? Raporti i plotë.

Të ndalohen krejtësisht shpenzimet për gjama siç janë drekat me shpenzime në raste vdekjesh dhe mos të theret asnji bagëti, pa buk dhe vetëm të qitet kafe...

Festat fetare të shkurtohen dhe të festohen me familje pa miq dhe pa therë bagëti d.m.th pa shpenzime, dhe të jetë ditë pune me përjashtim të festave që njihen me ligje... Kryesia e Frontit të bashkëpunojë me organet e Punëve të brendshme të rrethit, Prokurorinë dhe Gjykatën për çdo shkelje të vendimeve.

Vendime si këto dhe marrje masash që shkojnë për shkelësit e tyre deri tek gjyqet popullore, vijnë nga Shkodra e gjysmë shekullit përpara. Në gusht të vitit 1959 ato vendime ishin edhe një raport që Këshilli i Frontit Demokratik të Rrethit Shkodër i përcillte shokut Enver Hoxha, shefi i Frontit Demokratik të Shqipërisë prej vitit 1945 e deri në vdekje (1985).

Historia e shqiptarëve pas Çlirimit është një histori shumë komplekse. Pa lënë mënjanë format tipike të mbajtjes në këmbë me represione të një regjimi, përdorimit total prej tij të policisë sekrete, burgjeve dhe sistemit gjyqësor, akoma nuk po ngjall interes për shkencat tona humane studimi i jetës sociale të shqiptarëve nën regjimin e Enver Hoxhës.

Para pak kohësh "Shekulli" botoi një relacion të vitit 1963 nga Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia dhe Fadil Paçrami, "Relacion mbi luftën kundër paragjykimeve fetare dhe propagandën ateiste-shkencore". Ky dokument i nxjerrë nga Arkivi i Shtetit dëshmonte pregatitjet disavjeçare para revolucionit kulturor të 1967-ës, i shpallur si viti zyrtar i luftës kundër fesë.

Raporti u shoqërua me komentet e historianit polak Tadeusz Czekalski i cili i bënte një lexim të kujdesshëm marrëdhënieve që vendosi diktatura sidomos me kultet, duke dalë pastaj në disa konkluzione për pasojat që ka në shoqërinë e sotme ai transformim shpirtëror i shqiptarëve në vitet gjashtëdhjetë.

Në kërkim të këtyre materialeve që dëshmojnë strategji të frikshme që diktatura zbatoi, jo vetëm mbi kultet po edhe mbi traditën, edhe atë pagane, po botojmë të plotë këtë raport me vendime drejtuar Enver Hoxhës, nxjerrë edhe ky nga Arkivi i Shtetit.

Përditshmëria e shqiptarëve brenda sistemeve si feja dhe tradita të zakonore, do të hiqeshin me programe të posaçme për të cilat shfrytëzoheshin me dhjetëra qindra vullnetarë, të thirrur nga strukturat në rang lokaliteti, rrethi e deri tek më të lartat që drejtoheshin nga vetë Hoxha.
Deri ku shkonte fantazia ndaluese, ndëshkuese e diktaturës së proletariatit në Shqipëri?
Deri në ndalimin e vajtimit të vdekjes, e "festimit" të vdekjes sipas një riti shekullor i quajtur i dëmshëm dhe prapanik.

Në emër të emancipimit lufta kundër të vjetrës u bë me vendime si këto më poshtë, për zbatimin e të cilave duheshin njerëz të stërvitur e të bindur për shërbim popullor. Po ndaloheshin ato që nuk i përgjigjeshin higjenës së jetës në kolektiv.

A nuk është pasojë e një higjene si kjo sterilizimi dhe tredhja e artit të kultivuar? A nuk po i ndalohej në këtë mënyrë artit komunikimi me tejbotën, me botën e fantazisë, e religjionit? A nuk po ndalohej të fliste me njeriun tjetër, me imazhet që mbart e ashtuquajtura botë primitive, botë prej të cilës do të ushqehej arti modern i shekullit të njëzetë që hoqi dorë nga arti retinal?

Mund të thuhet se mes atyre vendimeve ka të tilla që edhe një shtet demokratik do ta kishte për nder t'i zbatonte sot e kësaj dite, fjala vjen heqja e çarçafit. Po, por ndalimet që shtrohen në raport kanë pasur si mjet zbatimi frikën.

Para se të vepronin sanksionet apo ndëshkimet apo gjyqet popullore për të cilat flitet në raport ashtu si nëpër të, mbillej frika. Nëse as frika nuk është argument serioz për njerëzit, atëherë edhe ky raport le të lexohet si mijëra faqe gazete me Enver që boton shtypi demokratik sot.

Letër shokut Enver Hoxha që mban datën 11-8-59

Vendim
Këshilli i Frontit Demokratik të Rrethit Shkodër i mbledhur më datën 21 prill 1959 mbasi analizoi dhe diskutoi problemin e madh të zakoneve të dëmshme dhe prapanike,

Vendosi:
1. Të bëhet mbledhja e konsultave në bazë lokaliteti ku të marrin pjesë kryesitë e frontit, kryetarët e kooperativave bujqësore, patriotë aktivistë e të tjerë të cilët të zgjidhen në mbledhjet e popullit në fshat, këto konsulta të bëhen deri më datën 10 maj 1959 dhe u rekomandohet të kenë parasysh:

a) I rekomandohet konsultave që festat fetare të jenë një ose dy në gjithë lokalitetin e mos t'i kenë çdo fshat festën e vet.

b) Festat fetare të shkurtohen dhe të festohen me familje pa miq dhe therë bagëti d.m.th pa shpenzime, dhe të jetë ditë pune me përjashtim të festave që njihen me ligje.

c) Të ndalohen krejtësisht shpenzimet për gjama siç janë drekat me shpenzime në raste vdekjesh dhe mos të theret asnji bagëti, pa buk dhe vetëm të qitet kafe.

ç) Fejesat me pare dhe pa plotësue moshën të ndalohen krejtësisht të cilat ndalohen dhe me ligje dhe çdo shkelje të bëhet problem i popullit dhe t'i denoncohet gjykatës popullore.

d) Për grindje, rrahje, gjaqe etj të evitohen menjëherë dhe të preokupojë përfaqësinë për të zgjidhë këtë deri në rreth.

dh) Për pajtimin e ngatërresave, konflikteve, rrahjeve e të tjera të mos lejohen dreka e darka, por aty ku shkohet të priten me kafe.

e) Konsulta e lokalitetit të zgjedhi një komision prej 5-7 vetash me një kryetar i cili të ndjeki gjithë aktivitetin e vendimit e konsultës në çdo fshat të lokalitetit.

2. Kryesija e Frontit të rrethit të pregatisi me anën e lektorëve gdhe gjyqatarëve të rrethit leksione mbi zakonet prapanike brenda muajit Maj dhe Qershor dy leksione.

3. Buletini i Frontit Demokratik për çdo numër të trajtojë material për zakonet prapanike për të mirë dhe për të meta që do konstatohen në fshat.

4. Për çdo shkelje që mund të bëhet në fshat lidhur me vendimin e konsultës të mblidhet menjiherë organizata e frontit dhe të mbajë qëndrim ndaj atyre që shkelin vendimin e popullit dhe të përfaqësisë së lokalitetit.

5. Vendimi i konsultës të punohet në mbledhjet e zgjanueme të kryesive të frontit në fshat dhe në mbledhjen e popullit brenda muajit maj 1959.

6. Kryesitë e Frontit në lagjet e qytetit dhe në disa fshatra të marrin masa që asnji grue të mos ketë në qytetin tonë dhe në fshat çarçaf të çfarëdo boje dhe të merren masa nga kryesitë e frontit tue thirrë në kryesi kryefamiljarët dhe ma në fund të mblidhet dhe populli dhe të shqyrtohet çështja e tyre dhe të vendoset.

7. Kryesitë e frontit të fshatrave të bashkëpunojnë më afër me vatrat e leximit he të bashkëpunojnë ngushtë me përgjegjësin e sajë në drejtim të punës politike dhe kulturale për konferenca, leksione, biseda etj.

8. Të organizohet një seminar me kryesitë e frontit të qytetit deri në fund të muajit prill 1959 për çarçafin.

9. Kryesitë dhe organizatat e frontit në fshat të marrin masat e nevojshme për përmirësimin e jetesës në familje që deri më 30 shtator 1959 të jenë largue të gjitha bagëtitë nga vendbanimi familjar dhe në çdo familje të paktën të jetë ngritë një shtrat i thjeshtë me jorgan dhe rregullimi i gropave të zeza të çdo shtëpije në fshat.

10. Kryesija e Frontit të Rrethit dhe ato të bazës të aktivizojnë më shumë arsimtarët, juristët, mjekët etj për konferenca shkencore në bazë të një plani që do aprovojë kryesija në muajin maj 1959.

11. I rekomandohet Radio Shkodrës që çdo ditë tregu të japin lajmet në emisionet e saja për punën e organizatës frontit për zakonet prapanike.

12. Kryesitë e frontit në fshat të forcojnë dhe t'i ëvnë para përgjegjësisë komisionet e pajtimit me qëllim që ato të kryejnë detyrën që u është besue.

13. Kryesia e Frontit të rrethit të bashkëpunojë më afër me organet e Punëve të brendshme të rrethit, Prokurorinë dhe Gjykatën dhe çdo shkelje e vendimeve të merren masa në vend nga kryesija e frontit të rrethit.

14. Kryesija e frontit të rrethit të thërresi herë pas here kryesitë e frontit të fshatrave dhe të lagjeve në raport lidhur me zhdukjen e zakoneve prapanike.

15. Anëtarët e këshillit të frontit të rrethit të mbajnë përgjegjësi për fshatrat dhe lagjet që kanë në patronazhe lidhur me zbatimin e këtij vendimi dhe të informojnë me shkrim ose verbalisht kryesinë mbi zbatimin e këtij vendimi në katundin ose lagjen që ka në patronazhe.

16. Nga ana e antarëve të këshillit t'i shkruajnë shtypit qendror gazetës "Bashkimi" lidhur me sukseset që po arrihen në rrethin tonë për zakonet prapanike dhe në mënyrë të veçantë dhe në mënyrë të veçantë të shkruej korrespondenti i gazetës Bashkimi.

17. Çdo anëtar i Kryesisë së Frontit rrethit që ka lokalitet në patronazh në bashkëpunim me antarët e këshillit të atij lokaliteti të caktojë zgjedhjen e përfaqësive në fshat dhe pregatitja për konsultën dhe data e vendi ku do bëhet konsulta.

18. Kryesija e Frontit të rrethit të analizojë në muajin tetor 1959 punën e organizatave të Frontit në drejtim të zbatimit të këtyre detyrave në një konsult rrethi dhe në muajin qershor të epet një informacion në kryesinë e rrethit për punën e bame.

Këshilli i Frontit Demokratik të rrethit, ka besim se nënn udhëheqjen e partisë dhe për nder të 15 vjetorit të çlirimit të atdheut organizata e frontit dhe gjithë anëtarët e sajë do të përmbushin me nder detyrat që i shtrohen për eliminimin e zakoneve të damshme me prapanike për t'i shërbye ma shumë mirëqenies të jetesës materiale e kulturale të punonjësve të fshatit e të qytetit, për të ecur ma me vrull në ndërtimin e socializmit të vendin tonë.

Këshilli i Frontit Demokratik të Rrethit Shkodër


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora