Shtesë » Historia
Esmihan Hanëm, gruaja që “hante” pashallarë...
E hene, 08.06.2009, 04:48 PM
Nga Vepror Hasani
Kronikat e kohës sidomos nga gazetarët vënë pas çdo krimi dhe vrasjeje emrin e nënës së Ali Pashë Tepelenës
Esmihan Hanëmi ose siç e thërrisnin ndryshe, Hankoja, ishte nëna e Ali Pashë Tepelenës. Po kush ishte ajo në të vërtetë? Mbi figurën e kësaj gruaje është hedhur baltë me një tepri të shfrenuar deri në absurditet. Hankoja cilësohet si “një qenie me shpirt ujkonje”, pjellë e smirës dhe e xhelozisë”, “njeriu që injekton tek i biri, Ali Pashë Tepelena urrejtjen për të afërmit, egërsinë, shpirtin e egër, etj”. “Esmihan Hanëmi është gruaja e të 99-ve, e hurit dhe e litarit, e helmit dhe e thikës, e vrasjeve shekspiriane”, “e pamoralshme deri në ditën e vdekjes së saj”. “Hankoja është gruaja që meshkujt e Kardhiqit e kapën rob gjatë një luftimi dhe që e përdhunuan për 40 ditë me radhë”. “Kjo grua është shtriga që helmoi dy fëmijët e të shoqit, Veliut, të cilët i kishte patur me gruan e parë”. Është krijesa e djallit që nxit të birin, Aliun, drejt krimit dhe vrasjes që në moshë të re”. Në çdo hap që hedh Ali Pashë Tepelena “shkëlqejnë” këshillat djallëzore të Esmihan Hanëmit. Nëpërmjet Aliut ajo është gjithmonëë aty ku ka vrasje. Në këtë mënyrë përpiqen ta prezantojnë kronikat e botës perëndimore të asaj kohe, të cilat në mjaft raste janë shkruar 200 vjet pas vdekjes së Esmihan Hanëmit, siç është rasti i autorit William Plomer; “The diamond of Janina - Ali Pasha, 1741-1822, London, 1961”. Pas gjithë këtij përshkrimi, kronikat e kohës përpiqen të interpretojnë jetën e Ali Pashë Tepelenës, njësoj sikur brenda qenies së tij të ketë hyrë shpirti djallëzor dhe i errët i Hankos.
Gazetarët e botës perëndimore, veçanërisht ata francezë, rusë apo anglezë, por edhe të tjerë, pasi e kanë gdhendur figurën e Esmihan Hanëmit si një grua të pamoralshme, e kishin shumë të lehtë që pas kësaj, vrasjet e pashallarëve të Shqipërisë t’i shihnin si skenarë të kësaj gruaje që ndryshe e thërrisnin Hanko. Sipas tyre, ajo mund të bënte gjithçka, ishte “djallëzia” dhe “ferri” vetë. Ajo mund të sulmonte çdo pasha të vendit, t’i sillte vdekjen atij përmes shpatës apo helmit, njësoj sikur pashallarët të ishin kalorës të vetmuar. Në të gjitha përshkrimet e kronikanëve perëndimorë, kjo grua flet me gjuhën e personazheve të Shekspirit: “Ji gjakësor, guximtar dhe i vendosur”! Këto janë mësimet dhe këshillat e saj për të birin. Duket qartë se gazetarët e asaj kohe kërkonin të çuditnin botën me personazhin e tyre. Më shumë se sa për të ngritur apo rrënuar figurën e Esmihan Hanëmit për ta kishin rëndësi “bëmat” e kësaj gruaje. Vetëm një personazh i tillë mund të tërhiqte vëmendjen e lexuesve të tyre dhe t’i linte pa mend ata, ndërsa politika e kohës përpiqej t’i shfrytëzonte për të mposhtur figurën e Pashait të madh të Tepelenës. Shkrimtarët dhe gazetarët kishin rastin t’ia kalonin edhe Shekspirit. Në të vërtetë nuk ishin përpjekje për të sjellë Hankon e vërtetë, por mundimi, për të fituar emër ata vetë.
Mjafton që historia apo thashethemet të përmendnin një pasha të vdekur në rrethana misterioze dhe gazetarët do të nxitonin të gjenin aty një skenar të Esmihan Hanëmit. Pak rëndësi kishte nëse ekzistonin fakte, sepse mjaftonte që ngjarja të kishte ndodhur në kohën kur Hankoja ishte gjallë. Kjo bënte të lehtë për gazetarët të gjenin jo vetëm faktet, por edhe të gjitha detajet e vrasjeve, Motivet që shtynin këtë grua drejt krimeve dhe intrigave ishin gjithnjë të njëjta: ajo kërkonte që vendi i pashait të vrarë të zihej nga i biri. Në të vërtetë edhe pse janë vrarë shumë pashallarë, asnjëherë nuk ndodhi që në atë post të ulej djali i saj, Ali Pashë Tepelena.
Kapllan Pashë Delvinës i pritet koka
Kapllan Pashë Delvina nuk i ishte bindur urdhrit të Portës së Lartë, e cila i kërkonte të nënshtronte Himarën, që atë kohë ishte rebeluar. Pas kësaj, Stambolli i mbetur i fyer dhe ofenduar nga pashai, kërkoi kokën e Kapllan Pashës. Diçka pritej të ndodhte. Ishte vetë pashai, ai që do të vendoste se si do ta përballonte fermanin që kishte dalë për kokën e tij. Siç shpjegon Sabri Godo te “Ali Pashë Tepelena” fq,32 “Lufta Ruso-Turke solli një turbullirë të madhe në Ballkan që u shtua sidomos më 1770, kur flota e Katerinës kaloi Gjibraltarin dhe u fut në Adriatik dhe Egje nën komandën e vëllezërve Orlov, u ngrit Moreja dhe disa krahina të Greqisë nën thirrjen e Katerinës që vëllezërit ortodoksë të çliroheshin nga zgjedha turke…”. “Në kryengritje kishte marrë pjesë edhe Himara…” Porta e Lartë e Stambollit ishte e shqetësuar për përmasat e kryengritjes, por pashai nuk kishte denjuar t’i përgjigjej kësaj kërkese. Me Himarën kishte patur miqësi, sepse mbështetja e saj nuk i kishte munguar edhe kur vetë pashai ishte gjendur në ditë të vështira. Tashmë kjo besnikëri po i kushtonte me kokën. Sulltani nuk mund ta toleronte fyerjen që i bënte një pasha i vogël në Jug të Shqipërisë. Porta e Lartë kishte përgatitur skenarin e ekzekutimit të Kapllan Pashë Delvinës. Në shtëpinë e Pashait kishte mbërritur një ftesë. Bejlerbeu i Rumelisë e ftonte Pashain e Delvinës në manastir. Aty, në manastir do t’i pritej koka Kapllan Pashës, e cila më pas do të udhëtonte e kriposur në drejtim të Stambollit. Kishte ndodhur edhe më parë kështu dhe pashallarët i dinin të gjitha këto. Pas ftesash gostish dhe marrje ofiqesh më të larta, pashallarët shqiptarë kishin gjetur vdekjen, duke vendosur qafën nën shpatë. I ndodhur jo shumë larg me vdekjen, por edhe jo shumë larg me jetën, pashait i duhej të merrte një vendim nëse duhej të shkonte në manastir apo t’i shmangej ftesës së Bejlerbeut të Rumelisë përgjithmonë, deri sa për të të vinin ditë më të mira. Ai vendosi të shkonte atje dhe shpata nuk bëri gjë tjetër veçse rrëshqiti mbi qafën e pashait.
Hankoja përgatit skenarin?!
Si gjithnjë, atje ku ndihej era e gjakut, aty ishte dhe Hankoja. Në kronikat e kohës thuhet se Hankoja me të mësuar lajmin se sulltani kërkonte kokën e krushkut të saj, nxitoi të përgatiste planin që koka e Kapllan Pashë Delvinës të qëndronte disa ditë në kamaren e turpit në Stamboll. Atë çast Hankoja dridhej nga ethet e thurjes së intrigave që kishin pushtuar shpirtin e saj. Nuk ishte e sigurt nëse krushku do të shkonte ose jo në manastir. Ajo kërkonte vdekjen e tij, e kërkonte një orë e më parë. Brenga dhe shqetësimi po e gërryenin në çdo sekondë. Kapllan Pasha edhe mund të mos i përgjigjej ftesës së Bejlerbeut të Rumelisë, por atëherë kjo do të ishte një kokëprerje për vetë Hankon, sepse do ta kishte të vështirë të realizonte synimet e saj. Koka e krushkut kishte filluar t’i dukej e tepërt. (Ali Pashë Tepelena kishte marrë të bijën e Kapllan Pashë Delvinës). Pasi ishte menduar gjatë, Esmihan Hanëmi e kishte gjetur çelësin e portës së varrit për Kapllan Pashë Delvinën. Do të ishte Ali Pashë Tepelena, ai që do të këshillonte vjehrrin, se e mira e tij do të ishte që t’i përgjigjej pozitivisht ftesës së Bejlerbeut të Rumelisë. Të paktën kështu përpiqen gazetarët e asaj kohe të shpjegojnë udhëtimin e Kapllan Pashë Delvinës drejt manastirit. Kapllan pasha shkoi atje, por nuk mundi të kthehej më bashkë me kokën e tij. Hankoja kishte realizuar një nga planet e saj, thuhet në kronikat e gazetave të huaja. Tashmë i hapej rruga birit të saj që të zinte fronin e Pashait të Delvinës. A ishte vërtet kjo një nga intrigat e përgjakura të Hankos?
Krushqit e Tepelenës dhe Delvinës
Siç dihet Ali Pashë Tepelena ishte martuar me të bijën e Kapllan Pashë Delvinës, Um Gulsumin, ose siç e thërritnin ndryshe, Emineja. Për Ali Pashën Emineja mbeti një dashuri e përhershme për të. Ai i qëndroi afër deri ditën e vdekjes së saj, kur një sëmundje e pashërueshme e ndau përgjithmonë nga pashai i madh. Thuhet, dhe kjo pranohet edhe në shkrimet e asaj kohe, se Ali Pashë Tepelena ngrihej natën nga shtrati i tij dhe shkonte tek varri i Um Gulsumit për ta qarë. Gjendej atje në ditët e dëshpëruara të tij, por edhe sa herë zgjeronte kufijtë e pashallëkut të tij. Ishte i gatshëm t’i tregonte edhe në varr Eminesë së tij, ditët e jetës dhe jetën e fëmijëve që kishte patur me të. Ali Pasha e kishte adhuruar atë grua. Thonë se kishte bërë të pamundurën për ta nxjerrë nga kthetrat e vdekjes, por nuk ia kishte arritur dot qëllimit. Kishte marrë doktorët më të mirë që gjendeshin në gjithë pashallëkun e tij, madje edhe më larg, por sëmundja e Eminesë kishte qenë e vështirë. Vjehërri, Kapllan Pashë Delvina, ndiqte me kënaqësi jetën e bijës së tij. Ishte i kënaqur me dhëndrin që kishte zgjedhur. Për këtë arsye, sigurisht, që i ka kërkuar mendimin, nëse duhej t’i përgjigjej ftesës së Bejlerbeut të Rumelisë apo do të ishte më mirë të mos shkonte atje, por me siguri që dhëndëri nuk ka qenë këshilltari i vetëm i tij. Pashai kishte vetëm dy mundësi, pranimin ose mohimin e ftesës. Kronikat e kohës thonë se Ali Pashai i tha “shko” dhe ndërsa ai u nis për atje, nuk u kthye më.
Shumë vite më vonë në të njëjtat kushte u gjend edhe vetë Ali Pashë Tepelena. E kërkonin në Stamboll brenda 40 ditëve, me qëllim për t’i prerë kokën. Për të vendosur se çfarë duhej të bënte, të shkonte ose jo, mblodhi njerëzit më të besuar të tij, për të marrë mendimin e tyre. Dhe siç shpjegon Sabri Godo te “Ali Pashë Tepelena”, fq, 309 “Aliu kërkoi mendimin e krerëve të divanit të tij. Shqiptarët i dhanë tre këshilla. Së pari, të tregonte bindje, të paraqitej në Stamboll në krye të dyzet ditëve. Duke qenë në moshë të kaluar, Sulltani do t’i falte ditët që i mbeteshin e mund t’i linte edhe sundimin e Janinës”. Kjo kishte qenë këshilla e njerëzve më të besuar të Ali Pashë Tepelenës dhe ata sigurisht që i donin të mirën. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe Ali Pashai me vjehrrin e tij, duke i thënë “shko” me shpresën se Sulltani do ta falte. Megjithatë, njerëzit e letrave të asaj kohe, edhe këtë këshillë të Ali Pashë Tepelenës e vështrojnë si një nga planet e errëta të Esmihan Hanëmit, me qëllim që biri i saj të ulej në fronin e Pashait të Delvinës. Sulltani pasi i preu kokën Kapllan Pashë Delvinës, në vendin e tij, emëroi djalin e Kapllan Pashës, i cili quhej Ali Pashë Delvina.
Miqësia me Delvinën
Edhe pas kësaj ngjarjeje, miqësia e Hankos me familjen e Kapllan Pashë Delvinës, vazhdoi ashtu si edhe më parë. Është e çuditshme të mendosh se askush prej tyre nuk ka menduar se ishte dhëndri që e nxiti Kapllan Pashën të shkonte në manastir. Edhe po të mos shkonte nuk ishte aspak çudi që koka e Kapllanit përsëri do të pritej, sepse Porta e Lartë nuk tërhiqej asnjëherë nga zbatimi i fermanëve të saj. Të njëjtën gjë bëri edhe Ali Pashë Tepelena, nuk shkoi në Stamboll, por nuk mundi t’i shpëtonte prerjes së kokës. Për Pashanë e Delvinës, mundësia e mosprerjes së kokës ishte edhe më e vogël. I mbetej vetëm përulja, falja dhe përgjërimi që t’i falej jeta, por që në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Megjithatë, miqësia mes dy palëve ishte si më parë. Jo vetëm kaq, motra e Ali Pashë Tepelenës, Shanishaja, u martua me djalin e Kapllan Pashë Delvinës, Aliun, që tashmë ishte bërë Ali Pashë Delvina. Dy Alinjtë, Ali Pashë Delvina dhe Ali Pashë Tepelena ishin kunetër, ishin martuar me motrat e njëri-tjetrit. Pyetja që lind natyrshëm është: si nuk i ftohën marrëdhëniet mes palëve, kur gjithë bota fliste për intrigat e Hankos? Lidhja e Delvinës me Tepelenën kishte hedhur rrënjë të forta miqësie. Për më shumë i duheshin njëri-tjetrit.
Vritet Ali Pashë Delvina
Ali Pashë Delvina ndenji vetëm disa muaj në fronin e Pashait të Delvinës. Një natë ai u gjet i vdekur. Pashai i ri i Delvinës, i sapomartuar, ishte vrarë nga vëllezërit e tij. Lajmi kishte marrë dhenë. Thashethemet pëshpëriteshin në të gjithë pashallëqet e vendit. Shanishaja, ose siç e thërrisnin ndryshe Shanica, motra e Ali Pashë Tepelenës, kishte mbetur e ve. Shumë vjet më vonë, kësaj ngjarjeje do t’i ktheheshin edhe gazetarët e vendeve të huaja. Pavarësisht nga fakti se nga kush ishte vrarë Ali Pashë Delvina, përderisa kjo familje kishte patur miqësi me Esmihan Hanëmin, aty duheshin kërkuar edhe rrënjët e krimit. Hankoja ishte e zonja të bënte gjithçka. Ajo ishte gruaja që kishte helmuar dy fëmijët e të shoqit, Veliut, i cili i kishte patur me gruan e parë. Sipas tyre, ajo ishte gruaja që bëri të mundur t’i pritej koka Kapllan Pashë Delvinës. Ishte e pamundur të mos kishte thurur plane edhe për vrasjen e Ali Pashë Delvinës, dhëndrit të saj. Të huajt thonë se për të mbërritur deri këtu, Esmihan Hanëmi, shfrytëzoi të bijën, Shanishanë, që mes vëllezërve të burrit të fuste sherrin dhe grindjen. “Hankoja ishte gruaja që kishte injektuar tek dy fëmijët e saj, urrejtjen për të afërmit” dhe ia kishte dalë mbanë. Tashmë Shanishaja kishte dalë kundër të shoqit. E kishte parë të vdekur në dhomën e gostisë dhe ishte kënaqur teksa e shihte të mbytur në gjak. “Ji gjakësor dhe i guximshëm” kishin qenë këshillat e Hankos për fëmijët e saj. Këtë këshillë të Hankos e gjejmë tek “Policia Sekrete e Ali Pashës”, fq,159 të Irakli Koçollarit. Dhe e gjithë kjo përgjakje vetëm e vetëm që në krye të pashallëkut të Delvinës të shkonte Ali Pashë Tepelena. Por edhe pse thuhet se ishte Hankoja së bashku me Shanishanë, që sollën vdekjen e Ali Pashës së Delvinës, nga kjo familje nuk hidhet asnjë fije dyshimi mbi pabesinë e Hankos. Por jo vetëm kaq, Shanica martohet më vëllanë e burrit të vrarë, me Sulejmanin, i cili ishte 16 vjeç, ndërsa Shanica 27. Fatkeqësisht edhe burri i saj i dytë vdiq nga një sëmundje, por askush nuk u mor me vdekjen e Sulejmanit, sepse ai nuk kishte qenë pasha, për gazetarët e kohës, ngjarja nuk ishte interesante.