E merkure, 11.12.2024, 06:58 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Dialogu i Ramiz Alisë me Foto Çamin: Kadare, i pari shkrimtar që kritikoi Dritëro Agollin

E enjte, 30.04.2009, 05:24 PM


Nga Panorama

"I zgjuar, por ka shumë mllef". Kë-shtu do ta vlerësonte në një nga mble-dhjet e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, shkrimtarin Ismail Kadare, pasardhësi i Enver Hoxhës, Ramiz Alia Për Ismail Kadarenë, Komiteti Qendror i PPSH-së, bënte mbledhje më vete. Duhej një artikull në ndonjë gazetë, që të mblidheshin krerët e të diskutonin përmbajtjen e tij. Aq më tepër kur bëhej fjalë për ndonjë vepër letrare me përmbajtje të "dyshimtë", apo "provokuese". Në librin e tij me studime "Për prozën e Kadaresë", studiuesi Shaban Sinani, veç të tjerash na ofron një dokument nxjerrë nga ish-Arkivat e PPSH-së, ku Ramiz Alia dhe sekretari i ngarkuar për çështjet ideologjike, Foto Çami diskutojnë rreth një artikulli që Ismail Kadare kishte botuar në gazetën letrare "Drita" e më tej edhe për novelën e tij "Krushqit janë të ngrirë". Kjo novelë pasi kishte kaluar dorë më dorë, nuk e kishte parë ende dritën e botimit, për shkak se trajtonte në të, çështjen e Kosovës. Sipas studiuesit Shaban Sinani, i cili është edhe autor i veprës me dy vëllim "Një dosje për Kadarenë", në fondet e ish-arkivit të PPSH-së ruhet një dosje me titullin "Për artikullin e Ismail Kadaresë "Për ngritjen e nivelit në letërsi" dhe novelën "Krushqit janë të ngrirë", në të cilën gjenden procesverbalet e një takimi të posaçëm ditor të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH, të mbajtur në 30 tetor 1985. Fashikulli që i përket kësaj teme është ndarë më vete nga shërbimi i stenografisë i fondkrijuesit dhe pastaj nga shërbimi i arkivit dhe mban nëntitullin "Çështja e tretë: artikulli "Për ngritjen e nivelit në letërsi dhe novela "Krushqit janë të ngrirë". Procesverbali, mbështetur në shënimet e arkivimit, u është paraqitur protagonistëve të takimit për certifikim vërtetësie. Si fillim dy krerët marrin në shqyrtim artikullin e botuar tek "Drita". Alia duket se i jep të drejtë shkrimtarit në shumë probleme që trajton, si në atë të "rrumbullakësimit" të letërsisë, apo kritikave që u bën veprave të caktuara. Alia pranon se aso kohe ishin botuar vepra shumë të dobëta, ndërsa televizioni shfaqte filma "mizerje", ndërsa kishte filma shumë të mirë, me përmbajtje të fortë shoqërore. Por ai vë në dukje gjithashtu se shkrimtari shkruan me "mllef", ndërsa edhe ai vetë ka shumë për të ndrequr. Ramiz Alia kujton faktin që nuk ka pasur vepër të Kadaresë që të mos jetë kritikuar e të mos jetë ripunuar. Më tej është marrë në shqyrtim novela ende e pabotuar "Krushqit janë të ngrirë". Foto Çami thotë se me anë të saj mund t'i jepet një "armë" serbëve, ndërsa mund të rrezikohet edhe familja e njohur Mekuli, nga të cilët ka marrë shkas shkrimtari në veprën e tij. Alia duket se nuk bie dakord me këto arsyetime, megjithatë e vlerëson botimin si të papërshtatshëm për momentin.
Procesverbali mbyllet me thënien e Ramiz Alisë: "Megjithatë, ta shikojmë njëherë dhe vendosim. Ma jepni ta lexoj dhe unë, por tani për tani, nuk mund ta botojmë, se nuk është momenti". Nga sa tregojnë faktet, novela duhet të priste edhe një vit tjetër, deri sa të botohej në vitin 1986, në përmbledhjen me tregime dhe novela "Koha e shkrimeve".

"Çështja e tretë: artikulli "Për ngritjen e nivelit në letërsi dhe novela "Krushqit janë të ngrirë".

Foto Çami: Artikulli i Ismailit ka bërë shumë jehonë.
Ramiz Alia: E lexova edhe unë këtë artikull. Ismaili është tip i zgjuar. Ai ka shfrytëzuar fjalimin tim në takimin me shkrimtarët dhe artistët korçarë, ku, midis të tjerave, vija theksin edhe tek lufta kundër nivelit mesatar e mediokër në letërsi dhe në arte. E ka kuptuar mirë ai atë dhe ngre disa probleme, të cilat në thelb ai ka të drejtë, se ka një qetësi në letërsi dhe po ndiqet vija që të mos ketë maja, po të ketë më mirë një rrumbullakim dhe nivelim. Artikullin e lexova me vëmendje, se edhe kohë kisha, dhe më duket se të gjitha gjërat që ngre i ka në rregull, por i bën me një mllef. Për shembull, kritikon Thanas Lecin, dhe ka të drejtë që e kritikon, se Thanasi kërkon t'i rrafshojë shkrimtarët. Un% e kam thënë disa herë dhe prapë po e them, që në letërsinë e sotme botërore mbizotërojnë veprat e Amerikës Latine. Ka gjithë ato vepra që nuk i merr vesh njeri. Po ashtu, edhe në seritë e veprave të zgjedhura janë futur krijime pa ndonjë vlerë dhe që nuk e meritojnë. Ose merrni televizionin, filmat. Ka ca filma mizerabël, që nuk shikohen. Mësuam historinë e Romës përmendësh. Ka filma të rinj shumë të bukur, nga ana shoqërore shumë të fortë, që mund të shfaqen, por është frika për të qenë brenda. Prandaj, siç thashë, Ismaili në thelb ka të drejtë që i ngre ato gjëra. Ai është i pari që kritikon librin e Dritëro Agollit "Trëndafil në gotë". Edhe unë kam dy vjet që ua kam thënë ç'është ai libër. Prandaj mirë bën që kritikon. Por, siç thashë, aty duket edhe mllefi i tij, si dhe ajo, që ai i ngre gjërat nga një pozitë, si të thuash, e një njeriu që thotë "Unë jam", pra me një çikë mendjemadhësi. I tërë problemi dhe mllefi i tij këtu është, që ai ka shkruar, por nuk i botojnë krijimet e tij dhe ai nuk është i bindur për ato që ia kanë kthyer. Po të ishte i pastër vetë ky, kritika e tij do të kishte më shumë vlerë, sepse të kritikuarit nuk gjykojnë kështu siç gjykojmë ne, që në thelb ai ka të drejtë. Ata gjykojnë këtë të fundit, domethënë që kritikon ka bërë këtë dhe atë, nuk ka vepër të Ismail Kadaresë, që të mos jetë kritikuar, që të mos e ketë punuar për herë të dytë. Të tërë e thonë këtë. Pra, nga kjo u vjen inat atyre pse shkruan dhe kritikon ky në shtyp.
Është edhe ajo që thoshte Ismaili në artikull, për cilësimin "klasik" të letërsisë. Duke e quajtur klasik të letërsisë, thotë, do t'ia bënin më të gëzueshme ditëlindjen një krijuesi, por do t'i shkaktonin çrregullime të rënda kësaj pasurie kombëtare.
Njerëzit duhet të nxjerrin konkluzione nga kritikat. Edhe Ismailit mund t'i bëhet vërejtje: ti që bëke këto kritika, pse nuk bën dhe për vete, se dhe ti ke faje shumë. Por vetëm ka një gjë: se nga pikëpamja e mediokritetit, thotë ai, nuk vuajnë krijimet e mia. Nga pikëpamja e lajthitjeve, po. Për këtë kritika më ka bërë vërejtje, dhe unë kam pasur vullnet dhe kurajo ta ripunoj librin të tërë. Kam shkruar keq, e kam bërë mirë. Këtu jam ndalur dhe kam bërë autokritikë, por që të shkruaj ndonjë gjë, në kuptimin sa për të kaluar radhën, këtë nuk e ndesh në asnjë vend.
Foto Çami: për këtë nuk e akuzon dot. Ja, tani ka duruar në shtyp një vëllim me tregime dhe novela, por ka ngecur puna në diçka, sepse atje ka përfshirë një novelë për ngjarjet në Kosovë. Natyrisht, nuk është keq që, përveç artikujve që janë shkruar, edhe letërsia të japë përgjigje për ngjarjet, duke dhënë kontributet e saj. Edhe Ismaili, duke e ndjerë këtë detyrim si shkrimtar, ka shkruar këtë novelë, duke vënë në qendër një ngjarje konkrete dhe pikërisht klinikën ku janë mjekuar të plagosurit gjatë demonstratave, ku ka qenë doktoreshë Sadete Mekuli. Pra, bëhet fjalë për Mekulët. Ismaili i merr në mbrojtje këta nga një pozitë e drejtë dhe kritikon serbët dhe ata të tjerët. Problemi këtu është se mos u japim armë serbëve kundër këtyre, mos bëhen objekt sulmi dhe rëndohet më shumë gjendja.
Ramiz Alia: Jo, atë armë nuk ua japim ne serbëve, se ajo është vepër letrare dhe aty flitet me gjuhën e personazheve, por është aspekti tjetër, që a duhet letërsia jonë të fusë xixa në problemin e Kosovës. Ky është problemi. Domethënë, mos na e interpretojnë ata si një zgjidhje për një frymë kundër serbëve me anë të letërsisë? Kjo duhet matur, por jo pse flitet për Mekulët. Për atë u del Hasan Mekuli atyre dhe u thotë: "Pse çdo njeri që ngjan me mua, unë jam?!" Ajo është letërsi. S'prish punë për ata, se klinika ka shumë. Bile klinikën, po të duash, e shpie që nga Gucia në Mitrovicë, ose Ferizaj, për shembull. Ajo nuk ka rëndësi, se klinika ka plot. Edhe doktoresha ka me mijëra.
Foto Çami: Këtë problem ma ngritën shokët këtu, të shtypit dhe të kulturës, dhe ata që merren me Kosovën, të cilët nuk ishin dakord që të botohej, për atë që të mos rëndohen Mekulët.
Ramiz Alia: Mos kini merak për ta. Ja, ne botuam fjalimin e Rexhep Qoses. Pse nuk u rëndua Rexhep Qosja! Nuk tha Rexhep Qosja "pse ma botuat", por mirë bëtë që e botuat. Që kur e ka shkruar, ai e di si do të mbrohet. Po problemi tani është se po të botosh këtë novelë duket sikur fillon një fushatë kundër serbëve. Megjithatë, ta shikojmë njëherë dhe vendosim. Ma jepni ta lexoj dhe unë, por tani për tani, nuk mund ta botojmë, se nuk është momenti.
Ruhet në: AQSH, Fondi 14? AP, Lista 1, dosja 104, Vitit 1985, fl. 5-10.
Titulli në dosje: Për artikullin e Ismail Kadaresë "Për ngritjen e nivelit në letërsi" dhe novelën "Krushqit janë të ngrirë".

Historia e novelës për Kosovën

Pas katër vitesh ecejakesh nga njëri institucion në tjetrin, më në fund ai u botua në vitin 1986 në përmbledhjen me novela dhe tregime "Koha e shkrimeve". "Krushqit janë të ngrirë" nuk është e para vepër e Ismail Kadaresë, që i duhet të presë një kohë të gjatë deri në dritën e botimit. Novela trajton një temë delikate, çështjen e Kosovës dhe pikërisht momentin e ndërgjegjësimit të kosovarëve për riparje të pozitës së saj kushtetuese, nga krahinë autonome, në republikë. Ishte koha kur u shfaq "Brezi 1981". Ngjarjet zhvillohen në një klinikë mjekësore, ku mjekoheshin të plagosurit e demonstratave që shpërthyen aso kohe. Vepra konsiderohej si e "rrezikshme", pasi mund të konsiderohej nga serbët si "provokim". Siç e shpjegon autori i studimit, Shaban Sinani, verifikimi ideologjik i veprës kaloi në disa cikle: së pari brenda shtëpisë botuese "Naim Frashëri" dhe rrethit të bashkëpunëtorëve të jashtëm të saj. Më tej, përmes gjykimit të specialistëve të Lidhjes së shkrimtarëve dhe Artistëve dhe së fundi në drejtorinë e arsim-kulturës dhe në atë të shtypit në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së. Asnjë nga këto institucione nuk e pati autoritetin të lejonte botimin e librit. Për këtë libër është zhvilluar edhe një takim i veçantë i Sekretariatit të KQPPSH, por që as aty nuk u dha leja e botimit.


I jepet lexuesit libri "Për prozën e Kadaresë"

Shaban Sinani një libër studimesh për Kadarenë

"Për prozën e Kadaresë", titullohet libri më i fundit studimor i Shaban Sinanit. Sapo ka dalë në treg, si një botim i shtëpisë botuese "Naimi", një përmbledhje me studimet më të mira që ai ka bërë mbi veprën e shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Disa nga këto studime janë "Programi Kadare - një dritare mes dy botësh", "Letërsia si çështje shtetërore në periudhën ideokratike: pushtetet dhe Kadare", "Lavdia në përmendoren e turpit", "Rreth kumtit të "Doruntinës"- "Besa, apo besëlidhja", "Krushqit janë të ngrirë" në gjykimin zyrtar të kohës, etj., edhe pse jo aq e lehtë, ai rreket të zbërthejë "universin-Kadare", duke analizuar tema, personazhe, fate, por edhe tema të tjera shumë të diskutuara vitet e fundit, si disidenca e Ismail Kadaresë, apo qëndrimin e diktaturës ndaj shkrimtarit dhe anasjelltas. etj.
"Me këtë libër Shaban Sinani dëshmon se është një zë autoritar në studimet tona dhe sidomos në studimet për Kadarenë. Libri ka për qëllim të lehtësojë një lexim shkencor të prozës së Kadaresë, sidomos prej studiuesve në formim e sipër. Por në një vlerësim më të gjerë ky libër i ri me studime i Shaban Sinanit mund të shërbejë dhe si një udhërrëfyes i saktë jo vetëm për nxënësit, studentët, filologët dhe studiuesit e veprës së Kadaresë, por, për shkak të gjuhës së shkathët dhe stilit elegant, edhe për lexuesin e gjerë dhe dashamirësit e letrave shqipe. Mund të thuhet se kush kërkon të kuptojë dhe studiojë edhe më thellë prozën e I. Kadaresë e ka të domosdoshëm këshillimin me studimet e Shaban Sinanit dhe me këtë libër të ri të tij", - shkruan në parathënien e librit prof. Jorgo Bulo. "Shaban Sinani me studimet e tij u bë një nga aktorët e ndryshimit në mënyrën e të menduarit dhe të interpretimit të proceseve historike e kulturore të zhvillimit të shqiptarëve nga lashtësia në bashkëkohësi. Në fushën e studimeve letrare, në punën e tij, ai e zhvendosi epiqendrën në të sotmen, duke sfiduar të ashtuquajturën "teori të distancës", si domosdoshmëri për të gjykuar drejt mbi proceset dhe produktet kulturore e letrare",- thotë ai.

Procesverbal me 100 faqe

Për vepra të Ismail Kadaresë, herë pas here është zhvilluar debat brenda vetë udhëheqjes së lartë partiake. Sipas studiuesit Shaban Sinani, procesverbali i debateve në udhëheqje për vjershën e ndaluar "Në mesditë Byroja Politike u mblodh" numëron mbi 100 fletë. Në të gjen përcaktime të ngjashme me ato të gjyqeve politike: "vepër armiqësore", "vjershë reaksionare", "akt kundër diktaturës së proletariatit", "atentat ndaj vijës ideologjike të partisë", "poezi antikomuniste", etj. Në këtë rast ka qenë i pranishëm edhe shkrimtari, ndërsa shumë të tjera janë zhvilluar pa praninë e tij. Ka edhe të tjera raste kur është folur pozitivisht për autorin, por ku nuk mungon shqetësimi se mos autori "na e ka me të hedhur".

Shënimet e Nexhmije Hoxhës

Në një prej studimeve të tij Sinani sjell fakte arkivore ku dëshmohet për presionin që i është bërë shkrimtarit gjatë viteve të diktaturës. Ka pasur raste kur funksionarët nuk mjaftoheshin me mbledhje, apo diskutime të brendshme, por kanë marrë përsipër "ndreqjen" e gabimeve në tekstin e autorit. Në një prej këtyre dokumenteve, sipas Shaban Sinanit, gjenden shënimet e Nexhmije Hoxhës për romanin "Dimri i madh". Nuk mungojnë vërejtje të tilla si: "të mos thuhet "për të mirë" atje ku flitet për njerëz që pinë kafe në ambasadë", "të hiqet fjala "disidente" kur përshkruhet portreti i anëtares së Byrosë Politike devijuese", "të hiqet fjalia "shoku Enver mbante borsalinë të madhe", "të hiqet shprehja "ne dhe ata"", etj.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora