E diele, 01.12.2024, 07:54 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Kur myslimanë e të krishterë brohorisnin “Rroftë Shqypnia”

E shtune, 25.04.2009, 11:08 AM


Fakte dhe histori impresionuese mbi Shkodrën jo vetëm si djepi i kulturës, por edhe si i tolerancës ndërfetare

Nga Genti Kruja*

Mirëkuptimin ndërfetar në Shqipëri, e posaçërisht në Shkodër, e kanë konstatuar e konfirmuar në rrjedhën e shekujve shumë dijetarë, gjuhëtarë, historianë, etnografë, misionarë e diplomatë të huaj, që kanë vizituar Shkodrën ose që kanë jetuar me muaj apo vite aty.

Kur më 28 Nëntor 1913 (në përvjetorin e parë të pavarësisë), u ngrit në Shkodër flamuri kombëtar, në mitingun madhështor ishin bashkuar vëllazërisht myslimanë e të krishterë dhe brohoritën njëzëri: “Rroftë Shqypnia!”. Atë natë, kambanorja e kishës së Gjuhadolit u lidh me minaren e xhamisë së Fushë-Çelës nëpërmjet një teli ku valëvitej flamuri kombëtar ndërmjet rreshtit të gjatë të kandilave të kuqezi.

Fishta shkruante: “Ishin mbledhë t’thuesh 20 mijë vetë me zotnitë shkodranë, ku ishin ma t’zgjedhunt... M’atë ditë për tamand m’asht gzue zemra, jo vetëm pse ishem tujë pa muhamedan e t’kshtenë t’vllaznuem nën hije t’bajrakut (flamurit) t’Shqypnisë, por edhe për burrni e bujari, me t’cilën ky popull ishte tujë u interesue për interesë ma t’gjalla t’Shqypniës e t’vendit t’vet. Kështu kishte dashtë me punue gjithmonë për Shqipni: popull e punëshum; zhurmë, saa maa pak”.

Edhe kleriku mysliman Hafiz Ali Kraja (Tari) ka gjithashtu argumente të tolerancës fetare në shërbim të unitetit kombëtar, në librin e tij “Feja islame nuk pengon bashkimin kombëtar” (botuar më 1924).

Kurse Shefqet Muka, autor i disa veprave nga islamologjia shqiptare, në simpoziumin më 1931, me rastin e 60-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës, mbajti kumtesën “Vepra e Gjergj Fishtës për zgjimin kombëtar”. Fishta kishte raporte shumë të mira familjare edhe me Haxhi Hafiz Muhamed Bekteshin. 

Një ndër figurat më të ndritura të klerit katolik dhe të qytetarisë shkodrane e shqiptare ishte At Pjetër Meshkalla, i cili provoi mbi kurrizin e tij kalvarin e vuajtjeve dhe të torturave në burgjet e regjimit totalitar. Ja ç’shkruan për të një qytetar shkodran që e kishte njohur nga afër: “Kujtoj një ditë, e pashë te dera dhe sipas zakonit e ftova për të hyrë brenda, por nuk erdhi; më diftoi se ishte nisë për vizita të largëta prej shtëpisë, po shkonte për festën e Bajramit. Më tha se të parën vizitë e kishte te Hafiz Ali Tari, mandej me radhë për tri ditë, do të shkonte ndër shtëpijat e atyre myslimanëve që ruante kujtime të mira prej burgut që kishte ba me ata. Edhe ata ia kthejshin vizitën, por ajo që do vë në dukje asht tjetër gja: kur hini të dytën herë në burg, ata e kujtuen dhe e ndihmuen edhe materialisht deri ditën që doli prej burgut. Tregojnë se kur bahej në burg ndonjë debat për probleme teologjike mes besimesh të ndryshme, Hafiz Ali Tari, ndër ma të kulturuemit e fesë myslimane thoshte: “Kjo çështje qëndron kështu, sepse kështu e ka thanë P. Meshkalla”. 

Të moshuarit në Shkodër tregojnë se në Pazar gjatë muajit të Ramazanit, tregtarët katolikë i mbyllnin dyqanet, sidomos pijetoret dhe gjellëtoret. A nuk tregon ky veprim fisnik respektin e ndërsjellët, vëllazërimin, tolerancën dhe harmoninë ndërfetare në mes të qytetarëve shkodranë, të krishterë e myslimanë?! Fishta shkruan te “Hylli i Dritës”: “...Ndërmjet muhamedanëve dhe kristianëve të Prefekturës së Shkodrës mbretnon një qetësi e plotë. Ktij mendimi asht edhe statuti e konvencioni, qi shteti shqiptar ka me Lidhje të Komeve”.  

Për vëllazërimin e harmoninë e besimtarëve të feve të ndryshme, sidomos të malësorëve, Fishta shkruan: “Edhe atje, ndoshta elementet e ndryshme (fetare) janë të ndamë me shpija e me lagje, por jo me punë; pse atje kuvendin e kanë s’bashku, mort e dasëm i kanë s’bashku; bashkë dalin në jaz t’ujit, bashkë ndër të kremte të shoqi-shoqit e mjeshtrit-edhe pritat (e gjakmarrjes) i vendosin s’bashku”. Ose: “Në Veri të Shqypnisë, pra asht nji Bajrak (bajraku i Hotit), ku të gjithë janë katolikë përpos shpisë së bajraktarit qi asht muhamedan. Tash ndodhi qi n’vjetin 1904 kisha e atij bajraku mbet pa meshtar për shum ditë. Kur qe një dit nder dit, bajraktari me një tjetër në krye t’atij vendi, po ulej në Shkodër fill e te i pari i fretërve, e, e muhamedan tuj kenë, i thotë: “Pasha Zotin, zotni, kisha jonë ka mbetë keq pa frat. As s’ka kush na beko shpirt për s’gjalli, as vorret për s’dekuni. Rixha kam me zotninë tate me na çue fratin sa ma parë te kisha se kem mbetë keq. Kaq me interes pra aj bajraktar muhamedan për çashtjen e të dërguemit të meshtarit katolik n’atë kishë!” 

Shprehje e tolerancës ndërfetare dhe e qëndrimit vëllazëror në mes të qytetarëve të besimeve të ndryshme është dhe fakti se kolegjin saverian (shkollën e jezuitëve) e ndoqën përveç nxënësve katolikë, edhe 159 nxënës myslimanë dhe 99 nxënës ortodoksë (këto shifra janë deri në vitin 1928). Nga libri “50-vjetori i kolegjës saveriane” mësojmë se në këtë kolegj jepej edhe mësimi i fesë islame për nxënësit myslimanë, ku dhënë mësim të kësaj feje klerikët: Hoxhë Musa Efendi Boriçi (1883-1897), Ismet Efendi (1889-1898), Fejzi Efendi (1899-1903), Fejzulla Efendi (1905-1907), kurse për lëndë të ndryshme jofetare kanë dhënë mësim mësues myslimanë si: Et’hem Osmani, Beqie Sejdia, Hajdar Sejdini etj.

Në mes të nxënësve myslimanë përmendim të ndriturin Faik Konica (1875-1943), shkrimtar, publicist e enciklopedist, gjuhëtarin dhe ballkanologun Tahir Dizdari, patriotin Teofik Bekteshi, bashkëpunëtor i të përkohshmes “Djalëria”. Këtu mësoi mjeku i shquar në fushën e pediatrisë, Salaudin Bekteshi, pionieri i arsimit kombëtar, publicisti, historiani, hulumtuesi i folklorit, etnografi e përkthyesi Hamdi Bushati. Në bankat e kësaj shkolle mësoi shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë shqipe Arshi Pipa, si dhe juristi atdhetar e demokrat Myzafer Pipa. Në këtë shkollë mësuan edhe dhjetëra e dhjetëra nxënës të tjerë myslimanë, të cilët më vonë u diplomuan në fusha të ndryshëm të kulturës, të shkencës, të ushtrisë etj. Edhe në shkollën e motrave stigmatine, krahas vajzave katolike, mësuan edhe disa vajza myslimane.

Po kështu, shkollën ushtarake turke që u përurua në vjeshtën e vitit 1902, veç nxënësve myslimanë, e ndoqën edhe nxënësit katolikë (Patuk Saraçi, Lec Shkreli, Kolec Deda, Tom Çeka, Zef Haxhija, Zef Ashiku etj.). Në këtë shkollë kremtohej festa e “Shën-Gjergjit”. Për këtë bëhej një ekskursion në Zallin e Kirit. Në ceremoninë që organizonte shkolla merrnin pjesë prindër dhe autoritete myslimane, katolike dhe ortodokse. Argumente të vyera kundër tezës mbi përçarjen fetare në Shkodër gjejmë në veprën e Hamdi Bushatit “Shkodra”, monografi e cila ndodhet në dorëshkrim në bibliotekën e muzeun e qytetit të Shkodrës.

Më 7 prill 1858, në përurimin e fillimit të ndërtimit të Kishës së Madhe, gurthemeli i katedrales u bekua nga arqipeshkvi Topich, ku ishte i pranishëm Dom Ejll Radoja, famullitar i qytetit dhe meshtarë të tjerë të shquar. Daut Efendi Boriçi, klerik mysliman, atdhetar i shquar, drejtor i arsimit në Shkodër mbajti fjalimin e rastit. Përurimin e fillimit të ndërtimit të katedrales ai e quajti një gëzim të madh për të gjithë shkodranët pa dallim feje.

Atdhetari Filip Kraja me ndërmjetësinë e Bajram Currit i dërgoi një protestë qeverisë së Vjenës kundër reprezaljeve të gjeneralit Trolman mbi malësorët myslimanë të Mbishkodrës. Nga kjo protestë e atdhetarit katolik Filip Kraja u arrit që Trolman të largohej nga Shqipëria. Malësorët myslimanë u liruan nga burgu dhe u kthyen në shtëpitë e tyre, duke falënderuar me zemër Filip Krajën.

Në Pazarin e vjetër të Shkodrës (një nga pazaret më të mëdhenj të Rumelisë), një nga ditët kryesore të tregtimit ishte e diela. Meqë e diela ishte një ditë pushimi dhe ritesh fetare për kristianët, paria e qytetit vendosi që e diela të hiqej si ditë kryesore e tregtimit dhe ditë të tilla u caktuan e mërkura dhe e shtuna.

Hafiz Ali Kraja (Tari) në varrimin e At Gjergj Fishtës do të thoshte: “Vepra  jote, o poet, ka për të krijue një faqe të lavdishme në historinë e kombit...”  

Rihapja e kishës dhe e xhamisë së parë në Shkodër, në nëntor të vitit 1990, pas ndalimit të gjatë gati një çerek shekulli, qenë shprehje e harmonisë dhe e vëllazërimit ndërfetar përballë regjimit komunist që ende ishte në fuqi. Bashkëpunuan djemtë e rinj katolikë e myslimanë në kishën e varrezave katolike. Dikush tha se po vinin forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe do t’i arrestonin të rinjtë që po punonin. Një nga djemtë katolikë u tha shokëve myslimanë: “Largohuni! Ju të paktën shpëtoni. Ne jemi të vendosur me dekë këtu nën strehën e kësaj kishe”. “Në qoftë puna për me ba dekën, do të vdesim bashkë”, - u përgjigjën djelmoshat myslimanë. Na nuk luajmë vendit pa na marrë shpirtin”.

Megjithëse atëherë isha shumë i ri, akoma i kam të freskëta kujtimet e atyre ditëve, ku shumë vullnetarë katolikë punuan bashkë me vëllezërit myslimanë, për të përgatitur Xhaminë e Plumbit.

Kush mund të thotë se qenë më shumë katolikë se myslimanë në atë grumbullim të pafund njerëzish që mori pjesë në meshën e parë që drejtoi Dom Simon Jubani?

Kush mund të thotë se qenë më shumë myslimanë se katolikë ndër pjesëmarrësit e shumtë që ndoqën vazën (predikimin) e parë që tha para popullit Hafiz Sabri Koçi me rastin e rihapjes së Xhamisë së Plumbit? Ç’tregojnë këto? Përçarje, apo bashkim e vëllazërim ndërfetar përballë tiranisë komuniste që i mbylli për një çerek shekulli faltoret?

Më 25 prill 1993 tokën shqiptare e puth Papa Gjon Pali II. E gjithë Shkodra e priti atë, jo vetëm katolikët, por edhe myslimanët, të cilët dolën rrugëve të qytetit.

Në fillimvitin 1997, Shqipërinë e kishte pllakosur murtaja e kamatës dhe pasojat e saj. Një prej ngjarjeve më interesante, në të cilën jam edhe vetë një dëshmitar okular, ka ndodhur pikërisht në ditët e trazirave të marsit të atij viti në qytetin e Shkodrës.

Çka do të vlente sot më shumë se këshilla e Sheh Ahmed Shkodrës, që duke folur për tolerancën fetare e unitetin kombëtar, kundër atyre që donin ta prishin këtë unitet: “Tuj shti ndonji mikrob i cili shkakton shkatërrimin e bashkimit pse shqiptarët janë me nji gjuhë, me nji kombsi, prej nji gjaku, prej nji race dhe prandaj duhet me i dhanë dorën njani-tjetrit”.  

Në Shkodër, festat e Bajramit janë festa të të gjithë qytetit. Pra, të krishterët grupe-grupe shkojnë për të kremtuar Bajramin në familjet myslimane. E njëjta gjë ndodh në ditët e festës së Pashkëve apo të Krishtlindjeve. Myslimanët i kremtojnë këto festa në familjet e të krishterëve. Absolutisht nuk ka asnjë kufizim apo ndarje fetare në rastet e fatkeqësive apo të vdekjeve. Po kështu, pjesëmarrja në dasma dhe në gosti të tjera nuk ka asnjë ndikim fetar.

Thuajse pa përjashtim, artistë, turistë e shkencëtarë të huaj kanë konfirmuar vëllazërimin e shkëlqyer ndërfetar në Shkodër. Kjo dëshmohet me shënimet e udhëtimeve, me relacione, me fragmente të tëra librash.

Të huajt lavdërojnë me fjalë superlative dhe mahniten para gjithçkaje njerëzore në Shkodër, duke përfshirë këtu edhe harmoninë ndërfetare.

Hasan Riza Pasha dhe Gjergj Fishta

Hasan Riza Pasha, vali e komandant i Shkodrës në periudhën 1911-1913, megjithëse përfaqësues i Shtetit Osman, ai e çmoi shumë lart veprën “Lahuta e Malcisë”. Kështu që, propozoi që Atë Gjergj Fishtës t’i akordohet medalja e Sulltanit, “Mearif II”, që gjithsesi është një mirënjohje me shumë vlerë që deri më sot, pothuajse nuk është përmendur fare. Një paradigmë që shkëlqeu në madhështinë monumentale të At Gjergj Fishtës, është koncepti i tij se duhet të ekzistojë te shqiptarët toleranca fetare mes dy komuniteteve, në mes atij të krishterë dhe mysliman, gjë të cilën e ka kultivuar ky poet i letrave shqipe, duke e shprehur qoftë në veprën e tij letrare, qoftë në shkrimet teorike e publicistike, qoftë në jetën e tij të përditshme, qoftë në raportet ndërqytetore. Toleranca ndërfetare komunitetesh të ndryshme me pjesëtarët e një fisi, të një gjuhe, të një historie, të një etnopsikologjie e një kolosi si ai, po veçmas të Shkodrës, ka qenë e një rëndësie të madhe për krijimin e një atmosfere mirëkuptimi dhe ndërkomunikimi të një rrethi më të gjerë qytetarësh, të një kohezioni më se të nevojshëm për të gjitha kohët, por më tepër të një kohe krizash politike apo sociale siç ka qenë Shkodra e viteve 1912-1913 dhe e viteve 1936-‘41. Mund të themi me plot gojën, se tolerancën fetare që ka kultivuar Fishta veçmas në jetën e tij të përditshme, ka ndikuar shumë në krijimin e një mirëkuptimi ndërqytetor te shumë pjesëtarë të tjerë të këtyre dy komuniteteve për të cilën kemi dëshmi të shumta, por për këtë rast do të ndalemi vetëm në dy raste të Fishtës ndaj të tjerëve dhe të të tjerëve ndaj Fishtës, që ilustrojnë më së miri një paradigmë shumë të veçantë: në mes ideve, mendimeve, veprimeve, qëndrimeve të personazheve të veprave të tij letrare dhe atyre të Fishtës si njeri dhe si qytetar, ka ekzistuar një konvergjencë e pashembullt dhe e rrallë për mjediset e tjera, deri diku edhe për Shkodrën.

Rasti i parë ka të bëjë në raportet që kanë ndërtuar në mes tyre dy autoritete të Shkodrës: autorit të veprës “Lahuta e Malcisë” dhe valiut e komandantit të Shkodrës në periudhën 1911-1913, Hasan Riza Pashës. Hasan Riza Pasha, i shkolluar në akademinë ushtarake të Stambollit dhe i specializuar në Gjermani, pas shumë vendshërbimeve, më 1911 vjen në Shkodër si vali dhe komandant i ushtrisë osmane. Megjithatë, Pasha ishte kundërshtar i lëvizjes xhonturke dhe i shoqërisë “Bashkim e përparim”. Edhe vetë ai e simpatizonte mjaft lëvizjen kombëtare shqiptare, bisedonte me anëtarët e Komitetit Shqiptar, apo me anëtarët e klubit “Gjuha Shqipe” të Shkodrës. I çmonte shumë veprat e letërsisë shqiptare, sidomos ato me frymë patriotike, siç ishte poema “Lahuta e Malcisë”. Duke e vlerësuar shumë lart veprën “Lahuta e Malcisë”, ndikoi që At Gjergj Fishtës, pas propozimit të Pashës, t’i akordohet medalja e Sulltanit, “Mearif II”. Sipas asaj që tregohet në librin “At Gjergj Fishta, libër përkujtimor”, Shkodër 1941, fq. 96, thuhet se Hasan Riza Pasha ka qenë i ftuar dhe ka shkuar në sallonin e shkollës françeskane në shfaqjen e dramës së Fishtës dhe në dalje e ka përgëzuar autorin për veprën e suksesshme, ndërsa qeverisë në Stamboll i shkruan: “Asht nevoja me e shtie në binarë e jo ma me e ndrydhë nacionalizmin shqiptar” (Bushati, H., 1998:453). Hasan Riza Pasha ishte për atë që shqiptarët t’i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë e një kombi, madje i nxiste ata për këto ndjenja. Në një moment i propozoi Fishtës që të përpilonte në gjuhën shqipe tekstin e një marshi që do ta këndonin ushtarët shqiptarë gjatë parakalimit. Fishta e përpiloi tekstin dhe Pasha, siç thuhet, “ia “shpërbleu njëqind fish, tue ia pague strofë e lirë ari turke”. Ja teksti i marshit:

Prej kah len e merr hana,
M’u çue shekulli kundra nesh,
Djelm kreshnikë na ban nana,
Vetëm na iu dalim ndesh.
Të parët tanë burra çelikut,
Bota mbarë sot i nderon,
Ata i binin ndesh armikut,
Si rrufeja kur veton...

Në rivarrimin e eshtrave të Hasan Riza Pashës, megjithëse ishte mysliman, morën pjesë të gjithë shkodranët pa dallim feje, kristianë e myslimanë. Në mes të tjerash, fjalimin më elegant, më prekës, me ndjenja mirënjohje e me fjalë të zjarrta atdhetarie e mbajti At Gjergj Fishta. S’pyeti Shkodra a ishte mysliman apo i krishterë miku i Shqipërisë, strategu ushtarak Hasan Riza Pasha.

Më 1936, sipas propozimit të kryetarit të bashkisë, Zenel Prodanit, eshtrat e Hasan Riza Pashës, vrarë më 1913, u rivarrosën në varrezat e Komaneve. Me këtë rast, Gjergj Fishta tha: “Hasan Riza Pasha do të kujtohet si atdhetari më i mirë për shpëtimin tonë nga kthetrat e malazezëve dhe që u ba fli prej atyne që nuk deshën shpëtimin e atdheut tonë, prandaj Hasan Riza Pasha meriton të kujtohet baras me heronjtë e kombit shqiptar”. Fishta shkroi edhe epitafin për Hasan Riza Pashën që është i gdhendur në gurin mbi varr:

“Gazi Hasan Riza Pasha, burrë si motit, ushtar trim, besnik, komandant i ushtrive osmane në Shkodër, mik i Shqipnisë e i shqiptarëve. Ndërsa Lufta Ballkanike bindte botën me mbrojtje fisnike të kalasë së Rozafatit, në 30 kallnuer 1913 e vrau një dorë tradhtare mizore. Mban këtë përmendore prej Bashkisë të Shkodrës. Shembull burrnije e për kohën t’ardhshme e kje varrosë TRIMI”.

Gruaja e konsullit austro-hungarez në Shkodër, Hortense von Zambaur, gjatë rrethimit malazez shkruan në ditarin e saj se, ditën kur Shkodra, për shkak të urisë dhe pas vrasjes së Hasan Riza Pashës, i cili mbante marrëdhënie shumë të mira me ta, ushtria osmane po e linte qytetin dhe në të po hynin forcat malazeze, shefi i shtabit të përgjithshëm për fortesën, Major Kiramettin Bej, kishte shkuar t’u përshëndeste me familjen e konsullit, duke u ndarë nga njëri-tjetri me lot në sy, e duke lënë pas dhimbjen e humbjes së Shkodrës dhe rrethimin e tmerrshëm të vitit 1913. 

*Sociolog - Specializuar për dialog ndërfetar në Shqipëri



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora