E shtune, 27.04.2024, 08:40 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Ibrahim D. Hoxha: Çështja Çame në gjykim të Lidhjes së Kombeve

E premte, 01.05.2009, 09:09 PM


ÇËSHTJA ÇAME NË GJYKIM TË LIDHJES SË KOMBEVE

Qeveria shqiptare padit qeverinë greke për shkelje të të drejtave kombëtare dhe ndërkombëtare të shqiptarëve brenda shtetit grek

Nga Ibrahim D. Hoxha

Marrëdhëniet shqiptaro-greke tej tëhu kanë qenë të ndera, madje armiqësore; edhe kur në to nga ana e jashtme dukej njëfarë përmirësimi, në thelb ishin "thikë e brisk" për shkak të sjelljeve keqbërëse e grindjeshkaktuese të palës greke. Qëndrimin kryekëput të paarsyeshëm të së kaluarës së trashëguar dhe e zbatuan në tërë shëmtimet e veta qeveritë e njëpasnjëshme greke; kjo u duk më së miri me t’u shpallur shteti i pavarur shqiptare, sidomos që më 4.12.1912, kur luftanijet greke pa kurrfarë shkaku zbrazën topat e tyre mbi Vlorë, e kur ministri i jashtëm grek, Korromilla, pa pikë turpi vuri në dyshim përkatësinë kombëtare të kryetarit të qeverisë së përkohshme shqiptare, Ismail Qemalit. Ndaj veprimeve të shpeshta dëmshkaktuese të qeverisë greke, me të drejtë qeveria shqiptare as u përkulën e as lëshuan pe, në dëm të çështjes kombëtare. Për këtë marrëdhëniet ndërmjet tyre u ashpërsuan nga dita në ditë e nga ora në orë, aq sa më në fund, u bë i domosdoshëm gjykimi ndërkombëtar në Lidhjen e Kombeve. Qeveria shqiptare e paditë Qeverinë greke, se kjo, me të vënë këmbë në Çamëri, i vuri zjarrin vendit dhe plumbin e thikën popullatës. Gjakësia masive e pranverës së 1913-ës, pranë Paramithisë, lemeritë e llahtarshme të 1921-shit, sidomos në Çamërinë Lindore dhe lloj-lloj keqbërësish të tjera, të përshkruara hollësisht nga shtypi shqiptar dhe i huaj, e detyruan Këshillin e Lidhjes së Kombeve që të dëgjonte më 18.5.1921 ankesën e paraqitur nga përfaqësia e qeverisë shqiptare, në emër të qeverisë së vet dhe në emër të çamëve të përtej kufirit shtetëror. Mirëpo përfaqësia e qeverisë greke s’deshi t’i thërriste mendjes dhe vazhdoi pa ngurrim udhën e vet të mbrapshtë. Në vijim, me qëllim që të shkulte përfundimisht çamërit nga vatrat e vendit të vet, e kështu të tjetërsonte edhe trojet e tyre, qeveria greke i quajti ata "turq" dhe i përzuri në masë nga Çamëria, Janina, Follorina, Kopsturi, Konica etj. Për t’u shfajësua ndaj kësaj përbindshmërie, vuri në përdorim marrëveshjen e 30.1.1923, mbi "Ndërrimin e popullatave turke e greke". Në zbatim të parashikimit të vet, në kundërshtim të plotë me tërë marrëveshjet e mëparshme shtetërore osmano-greke greko-shqiptare (sidomos atë "Mbi pakicat" të nënshkruar në 1921), tërë çamërit e besimit islam, i vuri në gjendje ndalimqarkullimi. Që ata të mos dilnin dot jashtë farefisit apo qytetit të vet, përveç njësiteve të horofillakëve, ngriti edhe çeta gjakatarësh, të drejtuara nga vrasës të tmerrshëm, si: Cil Mastora, Nikollë e Kostë Qamo, Rexhenjtë etj. Për t’u ndaluar dorën gjakatarëve, "Vëllezërve Çamëria" në SHBA, "Vëllazëria çame" me qendër në Konispol, përfaqësi të tjera çame brenda e jashtë vendit, si edhe Komiteti i përbashkët "Kosovë-Çamëri, i themeluar në Boston më 1921, iu drejtuan ankesa pas ankesash LK dhe qeverive të FM. Ndërkaq, në shumë qytete të shtetit shqiptar, shpërthyen manifestime të fuqishme popullore, në mbrojtje të të drejtave të bashkatdhetarëve të tyre të viseve shqiptare brenda shtetit grek. Në mitingun madhështor në Tiranë, të drejtuar nga atdhedashësit Mitat Adem Deliu prej Margëllëçit të Çamërisë, Sejfulla Malëshovës, A. Pandeles e Xh. Nushit, u zgjodh një përfaqësi e përbërë prej S. Malëshovës, Q. Nekiut, Z. Bejlerit, av. Suat Masar Asllanit dhe A. Shundit; ajo hartoi përkujtesën drejtuar kryeministrit Fan Noli. Në të kërkohej ndërhyrja e ngutshme për ndalimin e dëbimit me dhunë të pakicës shqiptare brenda shtetit grek dhe mbrojtja e të drejtave të saj kombëtare; kërkohej, gjithashtu, edhe caktimi i një përfaqësuesi të posaçëm shqiptar pranë Komisionit të përzier Ndërkombëtar, i cili merrej me ndërrimin e popullatave greke-turke.
Mehdi Frashëri në gusht të vitit 1923, me porosi të qeverisë shqiptare, i drejtoi LK ankesën e qeverisë së vet. Qeveria greke, për të mbyllur zërin e çamëve dhe për të fshehur të vërtetën, përndoqi egërsisht prijësit më me peshë: Haki Musa Sejkon, Omer Caparin, Adem Brahon,  Musa Hamit Demin, Usni Abazin, Xhevdet Marushin etj. Lidhja e Kombeve, e gjetur para ngjarjesh aq të hidhura e aq të shëmtuara, vendosi ta mbante çështjen çame në rend të ditës dhe dërgoi në Çamëri një komision me në krye gjeneralin spanjoll, De Lara; komisioni vërteto përkatësinë shqiptare të çamëve dhe ndaloi përzënien e mëtejshme të tyre. Mbi të dhënat e komisionit në fjalë, në mars 1926 LK njohu botërisht të drejtat kombëtare të çamëve, të drejta që qeveria greke i mohoi tërësisht edhe andej e pas pa kurrfarë përgjegjësie ndërkombëtare. Veç kësaj deri atëherë nga Çamëria, Janina, Konica, Follorina, Kosturi etj. Ishin zbuar e dërguar përdhunisht në Anadoll mbi 70.000 shqiptarë myslimanë. Veç kësaj të keqeje, shqiptarët e besimit ortodoks pse qenë të një besimi fetarë me grekërit, nuk u cilësuan shqiptarë. Tërë këto i dhanë dorë qeverisë greke, atëherë e më pas, të ndërtonte dhe të vinte në veprim keqbërësi e gjakësi të tjera, edhe më të lemeritshme se të deriatëhershmet; një prej prapësinave të paudha të saj ishte edhe përdorimi i ushtarëve çamër të shërbimit të detyruar për punë të rënda krahu, pa iu besuar kurrë pajisjen me armë.  Kurse më 1930, me qëllim që t`i rripte ekonomikisht, botoi një ligj, sipas të cilit çdo çam mysliman mund të mos merrej ushtar, po që se paguante një shumë të caktuar të hollash. Çami mysliman ishte i zhveshur edhe nga e drejta ligjore; ndaj një të krishteri, para gjyqit ishte i humbur. Megjithë ngulmimin e qeverisë shqiptare, ajo solenoid kurrë çeljen e shkollave shqipe, edhe pse një nga ministrat e arsimit të saj, Mirash Ivani, si kundërpërgjigje dha urdhër për mbylljen e shkollave të pakicës greke brenda shtetit shqiptar. Pas aq e aq shkeljesh të drejtash kombëtare e njerëzore, LK, mbi bazën e ankesave të pareshtura të çamërve dhe të qeverisë shqiptare, i tërhoqi sërish veshin qeverisë greke. Për ta vënë LK në gjumë, ministrat e JP të qeverisë greke, Mihalakopullo e Kaklamano, iu zotuan përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, Mehdi Frashërit e Iljaz Vrionit se do të heqin masat shtypëse ndaj çamërve e do t’u kthehen atyre menjëherë  "shtëpitë, arat, vreshtat ullishtet" e gjithçka tjetër që u ishte marrë. Gjithnjë me qëllim mashtrimi, qeveria greke rrallë e tek dërgonte në Çamëri e Janinë zyrtarë të lartë- siç ishte rasti i komandantit të Horofillaqisë, gjeneral Koçonës- për të bindur LK se ajo Çamërinë e kujdesonte. Në të vërtetë ata vënin atje per të zbuluar nga afër atdhetarët shqiptarë dhe për t`i kërcënuar. E që "zbulimi" i tyre të jepte përfundime të dëshpëruara, udhëtimet e tyre shoqëroheshin me fushata të ashpra shtypi, i cili i padiste çamërit  myslimanë se po "merrnin armë e municione nga jashtë", e se ishin gati të "hidheshin në kryengritje".
Moskthimi i pronave, veçanërisht i tokës së bukës, shkaktoi uri e varfëri aq përvajtuese, edhe politikani janinas, Jorgj Spiro Caka, në një shkrim të botuar në fletoren "Gravji" dt. 8.6.1936, ndër të tjera, vërente: "Uria e zia ka pllakosur popullin e Çamërisë... Këta të gjorë presin vdekjen dita-ditës...Kanë plot të drejtë për të thirrur, për t’u ankuar, për të ngritur zërin, për të kërcënuar... Qeveria ka mbushur barkun e tyre me premtime të kota". Ndaj fajeve të tilla, në qershor 1928, qeveria shqiptare e paditi qeverinë greke në LK. Me tërë shkapërderdhjet e stërholluara të MPJ të qeverisë greke, Nikolla Politit, Lk i drejtoi ankesën dhe ngarkoi përfaqësuesin e Polonisë, Zaleskin, të ndiqte çështjen; ai u përkrah edhe nga përfaqësuesi anglez dhe ai gjerman. Po LK e zvarriti punën si bisht lugati, gjë që i dha mundësi qeverisë greke për të shtrënguar çamër të tjerë t’ia ktheni krahët vatrave dhe krahinës së tyre. Gjendjen e mjeruar të çamërve të përtej kufirit dhe padrejtësitë e qeverisë greke, Jorgji Meksi, e paraqet në fletoren "Demokratia" të dt. 23 XI.1029, me këto fjalë:
"Diferendi jonë me Greqinë, nuk është vetëm ekonomik e financiar, por është më tepër politik. Është etnik, racional; është çështje e pakicave, e të drejtave të këtyre pakicave. Kur ne shqiptarët përhapemi pothuaj deri në fund të Peloponezit, grekërit mezi arrijnë deri jashtë Gjirokastrës. Kësaj pune ç’i bën?".
Në kushte të tilla plot e përplot familje çame myslimane, mundën të dilnin fshehurazi jashtë këtij kufirit. Qeveria shqiptare - edhe pse e varfër dhe pa kurrfarë përkrahje nga jashtë - i vendosi nëpër pronat shtetërore, duke iu dhënë edhe ndihma në të holla për ndërtim shtëpiash, pajisje të domosdoshme dhe bereqet. Duke parë se Çamëria po zbrazej nga banorët e vet, shtypi shqiptar lëshoi kushtrimin. Fletorja "Demokratia" dt. 24.X.1931, shkruante:" Duket se Greqia ka vendosur të mos heqë dorë nga veprimet e saj çnjerëzore në Çamëri, gjersa të shkretojë fare ate vend". Dhe më tej:" S’ka aspak dyshim se po të vazhdojnë metodat që përdorin sot autoritetet greke, një ditë do të mos mbetet këmbë shqiptari në Çamëri". Kurse gazetari zviceran, William Martin, në "Journal de Geneva" dt. 27.1.1932, pas qortonte LK për mosmbrojtjen si duhej të pakicës shqiptare brenda shtetit grek, përmendte thënien e Briandit:" Mbrojtja e të drejtave të pakicës është një detyrë e shenjtë e Lidhjes së Kombeve". Dhe kjo sepse pakicat as shkëputën vetë e as vihen me dëshirën e tyre brenda shteteve fqinje; ato lihen atje përdhunisht nga qeveritë fuqiplotë, po gjithnjë nën mbrojtjen e tyre sipas marrëveshjeve të posaçme.
Qeveria greke, për të mënjanuar sado pak përgjegjësinë para botës dhe për të zbutur disi përshtypjen e keqe, nxiti veglat e veta të hidheshin në sulm. Kryeprifti athino-fanarit në Gjirokastër, Vasili, iu drejtua LK kundër Kongresit Ortodoks të Beratit, kundër gjuhës shqipe dhe kundër qeverisë shqiptare. Si nuk i mori dot lopata ujë, së toku me njëfarë Duli, më 1921, i kërkuan LK ringjalljen e ish-qeverisë epirote të viteve 1914-16, anëtarë të së cilës ishin edhe të dy ata onxho-bonxhora. Siç dihet, ajo e ashtuquajtur "qeveri", përbëhej nga ish--ministra e oficerë madhorë grekë, pra ishte degë e qeverisë greke. Meqë LK s’ua vuri veshin hiçkëlave të gatuara në vorgullën athino-fanarite, e qepën sa kohë, në fillim të 1924-ës LK i dërgoi dy ankesa të njëpasnjëshme e ashtuquajtura shoqëri gjithë çipirote; në njërën prej tyre qahej për martesën e një djali mysliman me një të krishtere, që të dy gjirokastritë. Njëherit LK i drejtuan dy anëkesa edhe të vetëquajturit përfaqësues të Himarës; ata kërkonin që krahina e tyre të mos u nënshtrohej detyrimeve shtetërore mbi të ardhurat. Meqë LK sërish nuk ua vuri veshin, më 1929 kryqtarët athino-fanaritë iu drejtuan LK nëpërmjet Koço Tasit, Foto Ducit e kryepriftit Jerothe; ky i fundit, nën emrin "Kryepeshkop i Korçësës", nga Follorina ku qe strukur- pasi i kishin vënë drurin korçarët- i drejtoi LK pesë ankesa të njëpasnjëshme; në to ngrihej kundër formimit të Sinodhit Ortodoks Shqiptar, kundër meshimit shqip nëpër kisha, quante fajtor dhespotin e Gjirokastrës pse lejonte shqipen nëpër kisha, kërkonte kthimin e vetë në Korçë e përralla të tjera. Për shqyrtimin e tyre Lk ngriti një komision të përbërë nga përfaqësuesi i Anglisë, Augh Dalton, i Italisë, Pilloti dhe i Finlandës, J. Prokope. Në vendimin e tij të 16.1.1930, qeveria shqiptare u quajt e pafajshme.
Si rrjedhim i përplasjeve të pandërprera, edhe marrëveshjet e lidhura ndërmjet qeverive greke e shqiptare gjatë 1926.ës, u zbehën dhe u venitën, duke u dergjur nëpër sirtarët. Mbi këtë të metë, fletorja "Demokratia" e 16.7.1932-tës, në kryeshkrimin e vet, theksonte:"Ne jemi të detyruar të mbrojmë të drejtat tona që shkelen, sidomos në çështjen e pakicës dhe të pasurive të patundshme".
Duke u marrë me çështjen e të drejtave kombëtare të pakicave, veçanërish në lëmin e arsimit, sgtypi shqiptar bënte këtë krahasim: Si mundet qeveria greke të ketë gojë të flasë kundër qeverisë shqiptare, kur dihet botërisht që gati në çdo fshat të pakicës greke këtej kufirit, ne kemi çelur shkolla në gjuhën greke, kur pakicës sonë përtej kufirit qeveria greke s`i ka çelur as edhe një shkollë të vetme? Dhe kjo për më tepër që pakica shqiptare përtej kufirit shtetëror është disi e bërë më shumë se pakica greke në Shqipëri?! Veç kësaj, edhe në ato fshatra, në të cilat për shkak të vogëlsisë apo të pamundësisë fnanciare nuk ishin çelur shkollat në gjuhën greke, qeveria shqiptare ka lejuar qeverisë greke dhe kryepleqësinë e fshatit përkatës të çelin shkolla me po ato të dreja (vlerë) që kanë edhe shkollat qeveritare.Duhet thënë edhe se tërë mësuesit e atyre shkollave- që siç shkruante drejtori i arsimit per qarkun e Gjirokastrës, Jan Minga, qenë shndërruar në "kazerma të ushtrisë së ardhshme greke", ishin diplomuar në shkollat e posaçme të shtetit grek.
Pakicat kombëtare ngjajnë me vocërrakët; është në nderin e çdo qeverie që të kujdeset përzemërsisht për ta dhe t`ua mësojë jetesën; të ndjejnë në gjirin e kombit ku i kanë mbështetur po atë ngrohtësi dashamirëse, po atë mbrojtje e përkrahje që ndjen dhe gjen edhe fëmija nën sqetullën a gjirin e nënës së vet. Një qeveri që vepron ndryshe, një qeveri që përbuz, keqpërdor, mjeron e mundon pakicat, e mbulon veten me turp dhe vetvetiu ia heq vetes të drejtën për t`u quajtur qeveri dhe për më tepër të flasë edhe për të drejta pakicash kombëtare.
Është me të vërtetë për t`u habitur se qeveria greke si gjatë kohës së "Pushtetit popullor" ashtu edhe gjatë kohës së "Qeverisë demokratike", i ka zgjatur buzët deri tek veshi në dobi të pakicës greke këtej kufirit shtetëror. I lumtë. Po pakicën shqiptare që i besuan Fuqitë e Mëdha kur ndanë kufirin shtetëror, ku e ka? Dëshmi më bindëse për mirënjohjen e pakicës greke këtej kufirit shtetëror janë vendet e larta që pjesëtarëve të saj u janë dhënë e jetësu, shkollat e ulta, të mesme e të larta në gjuhën greke, vendbanimet e saj që xixëlluese para vendbanimeve fqinje të shqiptarëve; për më tepër sot që asaj i janë lejuar edhe dy organizma politike: "Omonia" dhe "Partia për të Drejta e Njeriut" Po qeveria greke ç`shembuj krahasues mund të sjellë si përgjigje për pakicat shqiptare të përtej kufirit? Dhe ç`është edhe më e habitshme, se disa herë ajo ka shpallur se brenda kufirit të shtetit grek, as nuk mund të bëhet fjalë për pakicë shqiptare, si veproi ajo, padyshim që as për pakicën greke këtej kufirit, s`do të mund të bëhej fjalë. E megjithatë, është pikërisht ajo që shurdhoi botën me "drejtësinë e vet ndaj pakicave". Kësaj i thonë: "Eqi pu mas hrostusane, mas pirane qe to vojdhi" (Atje ku na kishin borxh, na morën edhe kaun!). Nejse!- ç`u bë u bë, s`kthehet më. Po të paktën, këtej e tutje i dhëntë Zoti mendjen e hairit.

Ibrahim D. Hoxha,
Anëtar Nderi i Këshillit të Përgjithshëm të Shoqatës së P. A. "Çamëria" e kryetar i Komisionit të Historisë së SHPA "Çamëria" dhe Anëtar Nderi i Stafit Drejtues te revista "Shqipëria Etnike".
 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora