E marte, 25.06.2024, 01:14 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Krimet serbe në Kosovë 14 maj 1999 - shkatërrimi i nji fshati

E hene, 18.05.2009, 07:22 PM


Krimet serbe në Kosovë 14 maj 1999 - shkatërrimi i nji fshati   
 
Nga Sami Repishti

Dhjetë vjet ma parë, më 14 maj 1999, në Kosovën e martirizueme, u krye nji krim i randë: ushtria, policia dhe para-ushtarakët serbe dogjën fshatin dhe masakruen popullsinë civile shqiptare, e pafajshme dhe pa mbrojtje, që pagoi me jetë fatin e tyne me qenë shqiptarë në nji shtet që i vrau dhe i përbuzi për ma shumë se nji shekull!
“Në nji mëngjez të ngrohët të vitit 1999, forcat serbe të Sigurimit dhe para-ushtarake hynë në fshatin e vogel Qyshka, në Perëndim të Kosovës, afër qytetit Pejë. Fshataret u kërcënuen dhe u grabitën : të holla , objekte florini, e karta identiteti. Njizetë e nandë burra u ndanë në tre grupe dhe u mbyllën në tri shtëpi të ndryshme. Aty u coptuen me plumba nga armët automatike, breshni mbas breshnie. Mandej të tri shtëpive  u vue zjarri e viktimat u lanë mbrenda të digjen shkrumb. Hetimi rëngjethës i këtij krimi serb zbulon të vërtetën mbi ngjarjet në Qyshkë, thellon kuptimin tonë mbi krimet e luftës, dhe hjedh dritë mbi botën e para-ushtarakëve që kryen krime masive mbi popullsinë civile në emën të shtetit tyne….”

Ky paragraf i marrun nga libri “A village destroyed-May 14, 1999” me autorë Fred Abrahams, Gill Peress dhe Eric Stover (Human Rights Watch Center: Univ. of California, 1999) përshkruen vetëm nji aksion, nji ditë të vetme, dhe në nji fshat të vetëm të Kosovës. Me këtë paraqitje, fshati Qyshke dhe tragjedia e popullsisë vendse shqiptare ngritën në piedestalin e monumentit të pavdekshëm të vuejtjes dhe kryqëzimit të nji populli mbar: shqiptarët e Kosovës, objekt i politikës shfarosëse serbe në Kosovë, dhe subjekt i hetimeve, zbulimeve dhe demaskimit të krimeve serbe në Kosovë, sidomos gjatë periudhës 24 mars-10 qershor 1999, periudhë e ndërhymjes së fuqishme të NATO-s për shpëtimin e nji popullsie të pafajshme, dhe e ditëve të lavdishme të rezistencës paqësore ma parë, e ma vonë të armatosun e të organizueme nga UÇK-ja militante.

“Fenomeni kosovar” sic quhet shpesh herë, ashtë unik nga disa aspekte. Aty nuk ka pasë nji luftë të deklarueme në mes dy shteteve; aty nuk ka pasë qëllime agresive territoriale; aty nuk ka pasë dy anmiq të përgatitun për luftë të provokueme. “Fenomeni kosovar” ka qenë nji masakër serbe kundër nji popullsie të pafajshme, e të pambrojtun; ka qenë nji aksion shtypje e shfarosje nga nji okupator i pamëshirshëm kundër nji popullsie që përpiqej me mbijetue katastrofën që rrinte mbi kokë; ka qenë nji ushtri moderne e mbushun me urrejtje kundër nji popullsie të paarmatosun që nxirrte bukën e gojës me frikën e litarit në grykë!

Ushtria serbe, policia dhe para-ushtarakët serbë nuk sulmuen nji “ushtri” por nji popullsi civile “…me nji egërsi të veçantë që ata perfeksionuen gjatë viteve të luftës në Bosnjë dhe Kroaci”. Me përjashtim të përleshjeve me forcat e UÇK-së, operacionet ushtarake serbe kanë pasë nji objektiv: terrorizimin e popullsisë shqiptare, dhe “spastrimin etnik” të Kosovës. Në nji takim me N/Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, krimineli i luftës S.Millosheviq, deklaronte se në Kosovë do të ketë aq shqiptarë

2

sa edhe serbë. Simbas statistikave të kohes, në vitin 1999, në Kosovë ka pasë afërsisht 210.000 serbë, dhe 1.700.000 shqiptarë. Plani i kriminelit Millosheviq parashikonte vrasjen ose dëbimin me forcë nga Kosova të 1.500.000 shqiptarëve, nji valë refugjatësh që do të kishte destabilizue sidomos Shqipninë e Maqedoninë. Natyrisht nji zhvillim i këtillë negativ nuk mund të pranohej nga bota e qytetnueme!

Që nga viti 1990, Human Rights Watsh (HRW)ka dhanë raportin e parë ku dokumentohej shtypja dhe masakrat serbe në Kosovë. Në nji veprimtari të këtillë ashte dallue për ndershmëni e saktësi aktivisti Fred Abrahams, i cili meriton mirënjohjen e të gjithë liridashësve e paqedashësve kudo që jetojnë.

Në shkurt 1999, para bombardimit të NATO-s , HRW përgatiti raportin “A week of terror in Drenica. Aty paraqitet evidenca e pakundërshtueshme e krimeve serioze serbe kundër shqiptarëve, dhe rreziku i katastrofës që afrohej. Raporti ka qenë nji kumbonë alarmi per të gjithë, europianë e amerikane, se diçka duhej ndërmarrë në Kosovë, me pengue këtë katastrofë.

Fatkeqsisht, katastrofa ra mbi popullin e pafajshëm të Kosoves. Tashti, mbetej që HRW të dokumentojë krimet serbe gjatë muejve katastrofikë -mars-qershor, 1999- dhe të njoftojë botën mbar për këtë krim, tëzgjojë ndërgjegjen qytetare të botës perëndimore, kryesisht të nji botë kristiane që thirrej në ndihmë te nji botë kryesisht myslimane. Edhe këtu, Kosova ashtë nji rast unik: dallimet fetare nuk luejtën rolin e tyne negativ si në rastet e maparshme, ku myslimanët e Kosovës denoncoheshin si “versioni i ri  i rrezikut turk”. Në vitin 1999, udhëheqsit kristianë i thanë “JO!” krimit serb që u çjerr në demaskimin e “rrezikut islam” për Europën…me përjashtim të Rusisë dhe…Greqisë!

Hetimet e HRW u përqendruen në intervista me refugjatët e tmerruem nga të cilët u
zbuluen skenat ma makabre të terrorit serb në Kosovë, intervista të regjistrueme gjatë muejve të përndjekjes dhe dëbimit masiv të shqiptarëve nga Kosova. Ma vonë, me disfatën që NATO i pruni kriminelit të luftes, S.Millosheviqit, dhe tërheqjes së turpshme të forcave kriminale serbe nga Kosova, kërkuesit dhe reporterët vërshuen në Kosovën e çlirueme. Aty, ata gjetën konfirmimin e hatashëm të dëshmive të marruna nga refugjatt:   “…Kosova dukej nji “nature morte!” shkruen Carroll Bogert i HRW. Pothuejse pa përjashtim , kufomat e viktimave të masakrueme u gjetën pikërisht aty ku refugjatët kishin tregue. Dhe shtëpitë e djeguna ishin pikërisht shtëpitë që refugjatët kishin deklarue se janë djegë…..Gjatë gjithë kësaj veprimtarie hetuese, tregimet e shqiptarëve kosovarë  që u strehuen në Shqipni, Maqedoni e Mal te Zi u konfirmuen në nji shkallë shumë të naltë, pothuejse të pabesueshme. Kosova, Çeçenia, Sierra Leone, Ruanda: kudo vdekje e shkatërrim…!

Kosova ka qenë rasti i parë në histori nga ku raportet e aktivistëve të HRW u dërguen direkt nga kampet e refugjatëve; intervista, tregime, dëshmi,  fotografi të gjalla. Aty u kuptue se agresioni serb në Kosovë kishte nji emën: “spastrimi etnik” forma ma e egër, ma e ulët, dhe ma e rrezikshme e persekutimit të vazhdueshem dhe sistematik.  

3

Teknologjia moderne, telefonat celulare, e banë të mundshëm këtë aksion thjeshtësisht humanitar: demaskimin e krimit e dënimin e tij pa rezerva!

Libri “Nji fshat i shkatërruem…” ashtë tregimi i shkatërrimit të nji fshati në Kosovë, fshati Qyshkë, afër Pejës. Libri tregon si hetuesit e paisun me teknologji moderne raportuen çdo ditë atë që panë e që ndigjuen nga refugjatët. Ky libër tregon fotografitë që para-ushtarakët serbë kishin “unload” në laptopet e tyne të masakrave të bame në Kosoven e martirizueme, fshatët ku bagëtia e pa-zot sillej rreth e rrotull shtëpiave të djeguna pa kuptue gja, dhe se si ata që mbijetuen. I shikojshin në ekranet e kompjuterit ishin në gjendje me njohë dhe me identifikue sulmuesit serbë, pa asnji pikë dyshimi. Teknologjia mundsoi nji formë të re raportimi të shkeljes së të drejtave të njeriut nga Kosova, shpejt dhe vendosmënisht. Autorët tërheqin vrejtjen se “ Nji fshat i shkatërruem…” që sot lexojmë, nuk ashtë nji pjesë gazetareske, nuk ashtë thjeshtësisht nji raport mbi të drejtat e njeriut. Ky libër ashtë nji evidencë dokumentare: lexojeni, shikojeni, dhe gjykoni vetë ashtu si ju merr mendja!” (Parathanje)(Theksi im.SR)

Sot, dhjetë vjet ma vonë,kujtojmë afër nji miljonë shqiptarë kosovarë të dëbuem nga shtëpitë e tyne prej forcave të armatosuna e bandave para-ushtarake serbe. Ata shikohen si viktimat e “nji krimi kundër njerëzimit”, si dëbimi ma i madh i nji popullsie civile në Europë që nga viti 1945. Autori, dhe përgjegjsi kryesor? Slobodan Millosheviqi, president i ish Federatës Jugosllave, krimineli që mohoi çdo krim serb në Kosovë!
Në tetor 1998, ma shumë se 298.000 kosovarë -afërsisht 15 përqind e popullsisë- u detyrue me u shpërngul ose me u largue fare nga Kosova. Planet serbe për ndryshimin e balancës etnike të Kosovës tue dëbue sa ma shume shqiptare po plotësosheshin simbas nji plani të paracaktuem: me nji fushatë terrori! Në prill 1999, vetëm në qytetin e Kukësit, Shqipëri, kishte ma shumë se 300.000 refugjatë. Eric Stofer i HRW përcakton:” Ashtu si çdo eveniment tjetër në histori, këto tmerre zbehen në abstraksione të paforme, dhe rrafshohen nga pasaktësia e fjalëve, dhe pakuptimësia e numrave”.
Francezët kanë nji shprehje: “l’usure du temps” (zbehja e aktit nga kalimi i kohës).

Për fat, Catholic Relief Services (CSR) dhe Medecins du Monde (doktorët e botës) dy organizata bamirëse vullnetare ofrojnë ndihmen e tyne, me zemër të hapët të qënieve njerezore për të cilët të gjithë jemi vllazën e motra, pa dallim, pa kushte.

Eric Stofer gjykon:” Tue ndigjue tregimet e refugjatëve , ma shumë (realitet) humbet se shpëton. Syni nuk ashte mjaft i shpejtë me regjistrue çdo lëvizje të viktimës që tregon; as ka mundësi veshi me dallue valëzimet e shpeshta të zanit emocionues; ose lëvizjen e shpejtë të dorës në përpjekje me shkrue çdo fjalë. Shumica e tregimeve nuk shkruhen kurr, aq ma pak ndigjohen në sallat e gjykatoreve. Ata mbeten në fletoret e shënimeve me shpresë se nji ditë do të tregohen me fuqi, ose ndoshta do të humbasin përgjithmonë!”

“Çka kam humbë?” thrret nji refugjat. “Burrëninë time!” e tue shtërngue supin e reporterit shton:” Besoje fjalën time…dikush do të paguej për të gjitha këto…!” Nji tjetër refugjat thotë: “Nuk e lëshova traktorin. Vetëm vdekja më ndan nga traktori im.” Në

4

mbramje,. Ai kishte mbështjellë traktorin me copa druni dhe çarçafë plastiku në përpjekje me ndërtue nji çati…për traktorin. Nën motor, të shtrimë si me dashtë me fjetë, janë grueja e tre fëmijtë. “Kjo ashtë shtëpia e jonë tashti., e kjo do të jetë shtëpia e fundit!”

Refugjati Qerim Tahu tregon:” Milicët serbë na ndaluen rrugës, dhe na detyruen me u gjunjëzue. Me kalashnikov AK17 na vunë në rresht; ata urdhënuen gratë me hudhë në shesh të gjitha stolitë e florinjta, dhe burrat me zbrazë xhepat. Mandej, mblodhën unaza, belezikë, pasaporta, leje maqine, ore xhepi, brisqe, fotografi, marka germane  dhe i hodhën në nji strajce të madhe”. Qerimi pushoi pak e shënoi me gisht tri vajzat:” Ata i detyruen me u zhveshë para të gjithëve me i poshtënue. Dukej sikur luenin me ne”. Tue vue dorën mbi shpatullën e njënës vajze, floke-kuqe me nji shenj të zi pak mbi vetullen e djathtë, vazhdoi:”…Kjo ashtë e fortë. Refuzoi me u zhveshë, e nji milic serb i ra me fundin e pushkës ëe fytyrë”.

Çfarë ngjau në katundin Qyshkë, afër Pejës, më 14 maj 1999?
Në orën 7:30 të mëngjezit, nji kontingent i madh policësh dhe para-ushtarakësh serbë hynë në Qyshkë. Ndigjohen krisma automatiku, dhe disa shtëpi digjen flakë. Ndërkaq, bandat serbe detyrojnë banorët me u grumullue në sheshin e fshatit. Gjatë këtyne orëve, 12 burra pushkatohen, tue përfshi edhe Hasan Çekun, babën e (Gjeneral) Agim Cekut, trupin e të cilit e dogjën në zjarr. Menjiherë, filloi identifikimi i familjarëve të ushtarëve të UÇK-së, dhe pushkatimi i tyne. Megjithatë, nji dëshmitar tregon, u duk qartë se qëllimi i serbëve ishte pushkatimi i të gjithë burrave dhe të rijve të katundit.

Dëshmitari B.B. tregon:” Serbët kishin rrobe kamuflazh. Shumica kishin shami në kokë, dy kishin kapele, disa ishin kokë-zbuluem. Fytyrat i kishin të nxime me bojë; vetëm sytë shiheshin, ishte e vështirë me i njohë. Por na i njohëm fare mirë. Dukej qartë se ishin serbë nga fshati jonë sepse na njihshin neve me emën e mbiemën, dhe kërkojshin:”Më jep çelsat e benzit”,”Mç jep celsat e van-it tand”
Kur sheshi i fshatit u mbush plot, ë e nji burra u ndanë nga gratë e fëmijtë. Menjiherë filloi grabitja e tyne sistematikisht, të holla e objekte te arta….Nji serb i vuni automatikun në kokë nji grueje e kërkoi të holla. Ajo i dha 850 DM. Njeni i ra me shuplakë fytyrës: “Cka mendoni ju?” i tha.”do të vijë demokracia? Këtu ashtë Serbi. Amerika e NATO nuk kanë punë këtu!”

Mandej, të gjithë burrat u përcollën deri te varrezat. Gratë mbetën në shesh të fshatit. Nji reshter më tha se kishin urdhën me vra të gjithë fshatin, por ata do të kursejnë gratë e fëmijtë…” tregon dëshmitari A.A,.

Forcat serbe morën 12 burra nga grupi i 32 shqiptarëve dhe i prunë në oborrin e dy shtëpive Gashi, dhe i detyruen me hy mbrenda në shtëpinë e Sylë Gashit. Aty katër ushtarakë erdhën me ne. Njeni kishte nji mitroloz, të tjeret mashinka. Na vuen me shpatulla për mur. Njeni qëndronte te dera me mitroloz.” Do të ju vrasim familjet në qoftë se nuk na jepni të gjitha të hollat që keni kursye”, Na thamë se nuk kemi.

5

Tue folë me komandantët me walkie-talkie, ai me mitroloz na tha:” Në emën të Serbisë jeni të dënueme me pushkatim”. Ibro Kelmendi i smurë me zemër, vdiq në vend, e ra mbi mue. Unë nuk lëviza si nji i vdekun, Ushtaraku zbrazi mitrolozin. Të gjithë u vranë me përjashtim të nji të riu. Ushtaraku u afrue dhe e vrau. Nuk e di cili ishte. Unë u plagosa në kofshë. Nji tjetër ushtarak erdhi, e nji tjetër mbas tij dhe zbrazën automatikët e tyne mbi ne. Mandje, edhe nji tjeter, gjithashtu. Unë isha nën kufomat e Ibër Kelmendit e të vllaut tim.

Serbët shanë me fjalë të ndyta, dhe dogjën shtëpinë. Thyen xhamat e dritores, morën nji dyshek, i vuen flakën dhe e hodhën mbrenda në dhomat ku ishin kufomat. Unë lëviza në mes të kufomave e dola përjashtë. Ma mirë me u vra se me u djegë për së gjalli. Kërceva nga dritaria, eca rreth 100 metra e u msheha në pyll. Aty mbeta deri në orën 5 të mbramjes”. deklaron dëshmitari C.C. 59 vjeçar.

Dëshmitari B.B. tregon” Të tjerët u grumulluen përsëri…Serbët ishin të qetë. Shajshin por nuk ngrinin zanin. Çuditem si ashtë e mundun me vra me nji gjakftohtësi të këtillë.
Hymë në kuzhinë. Pashë flakën në grykën e mitrolozit e u rrëzova në krah të majtë. Mendova se të gjithë u vranë, por unë as isha plagosë. Serbi na griu tri herë me mitroloz. Mandej doli nga ana tjetër e dhomës e gjuejti me mitroloz mbi të vdekunit. Kështu bani tri herë me rradhë. Nji plumb më përshkoi kambën nën gju, nji tjetër në kofshë mbi gju. Nji plumb i tretë më theu kockën e kambës…Mandej, serbi nxori revolverin dhe e zbrazi mbi gjashtë ose shtatë kufoma. Unë mbajta sytë e mbyllun. Ra heshtja. Asnji lëvizje. Prita dy ose tre minuta, e fillova me hapë sytë. Shikova rreth meje; të gjith ishin të vdekun…”

Dëshmitari B.B. konfirmon se policët i thoshin Qaush Lushit:” Ju doni shtet? Na jemi 11 miljonë serbe, po të dëshironi shtet kërkoni nga Clintoni e Blairi. Foli NATO-s tashti të ndihmojë”. Qaushi përgjegji:” Na e kemi shtetin!”

Dëshmitari E.E. tregon: “të nesërmen…vendosëm me mbulue kufomat, sepse nuk deshëm që familjet e tyne t’i shohin në ato kondita. Propozova të hapet nji gropë e madhe për të gjithë, sepse ishte e rrezikshme e merrte shumë kohë me hapë nga nji varr për secilin. Erdhën disa gra e fëmij dhe gjetën burrat e tyne të vrame e kufomat e djeguna. Kur pyetshin ku ashtë filani, unë përgjigjesha:”Në qofte se nuk janë këtu, janë të vdekun”.

Grumulluem tridhet e dy kufoma të djeguna e dy te padjeguna, dhe i varrosëm….
Ata që shpëtuen nga vdekja, gra, fëmijë, e pleq u kthyen në shtëpi, ose u mshehën në pyll ku qëndruen deri në mbarim të luftës…”(10 qershor 1999)

(Shënim: Deklaratat e dëshmitarëve janë konfirmue nga aktivistët e HRW për vërtetësinë dhe saktësinë e tyne.)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora