E merkure, 19.06.2024, 05:54 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Mustafa Kruja: Promemorie, ja shteti i ardhshëm shqiptar

E marte, 02.06.2009, 06:00 PM


Promemorie, ja shteti i ardhshëm shqiptar

Nga Mustafa Kruja

Ky është një nga dokumentet e gjetura n'Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, në fondin Mustafa Merlika Kruja. Është një promemorie që ky i fundit i drejton Qeverisë Italiane e mban datën 19 tetor 1918. Është shkruar në një periudhë historike tepër të vështirë, kur Shqipëria kishte mbetur vetëm "një shprehje gjeografike". Vendi nuk kishte një qeveri, ishte i pushtuar nga ushtritë e huaja në kuadrin e Luftës së Parë Botërore dhe rreziku i copëtimit të mëtejshëm ishte i fortë. Autori jetonte në Romë e punonte si kryeredaktor i fletores "Kuvendi", e themeluar nga gazetari Sotir Gjika. Nuk dimë nëse Kruja mori ndonjë përgjigje për përkujtesën e tij, por nëpërmjet këtij shkrimi ai jep idetë për shtetin e ardhshëm shqiptar dhe marrëdhëniet me Italinë. "Promemoria" botohet për herë të parë me pëlqimin e pasardhësve të autorit.

Vërejtje të përgjithshme

Ngjarjet qi po zhvillohen në Siujdhesën Ballkanike, na vërtetojnë e përforcojnë çdo ditë e mâ tepër bindjen tonë, se shpejt gjithë hapsina tokësore shqiptare do të kalojë nën pushtimin ushtarak t'aleatvet. Rândësia politike e këtij fakti âsht e qartë dhe e dukshme: Fuqia qi hahej mâ shumë se çdo tjetër me Italinë në fushën politike të Shqipnís, po vjen tue u shmangë.

Megjithatê, nuk mund të mshifet fakti se suksesi nuk âsht ende i plotë: Qeveria italjane duhet të bâjë gjithshka të mundshme qi të gjitha hapsinat qi i përkasin Shtetit Shqiptar, të themeluem në Konferencën e Londrës të 1913-ës, të pushtohen krejtësisht nga trupat italjane.

Mendimi i shqiptarvet për Korçën âsht i njohtun: ajo, si pjesë e padame e këtij shteti, duhet të kalojë, qysh tash, nën të njâjtën administratë të pjesve të tjera të Shqipnís.

Por në rasën, kur kjo dëshirë e ligjshme e gjithë popullsisë shqiptare nuk do t'ishte e mundun të sendërtohej, âsht së paku e nevojshme qi grekët, në mënyrë absolute, të mbahen larg nga ajo krahinë, tue mos mujtë as tërthoraz me vazhdue dredhitë e intrigat e tyne kundra frymës kombtare të korçarvet, siç kemi ndigjue vazhdimisht të ndodhë në muejt e fundit.

Nga ana tjetër, serbët, në vênd qi të kapërcejnë kufîjt lindorë politikë të Shqipnisë, do të kishte qenë mâ e leverdisshme për tà e për çâshtjen e përbashkët të gjithë aleatvet, po ashtu e nji rândsie themelore për t'ardhmen e Shqipnisë e për interesat jetike qi lidhin Italinë me tê, të vazhdojshin përparimin e tyne drejt veriut, për me çlirue vllaznit e tyne nga zgjedha e vjetër anmike.

Nuk duhet me i lejue n'asnji mënyrë atyne të pushtojnë Matin. Vetëm nji krahinë gjindet në Shqipní, ku dredhía e tradhtarit Esad, për mâ tepër e përkrahun nga forca e mjete landore, mund të mbrrînte me hapë nji plagë të rrezikshme në trupin aq të dërmuem të kombit tonë. Asht pikërisht ajo krahinë qi shtrihet nga Luma në Malsinë e Krujës e qi ka për qêndër Matin.

Jo se kjo trevë e fundit âsht shumë përkrah Esadit, por do t'ishte shumë e lehtë, përsëris, me anë të nji fuqie të jashtme kërcnuese nga nji anë e korrupsionit nga tjetra, qi partizanët e tij të vjetër të fitojshin epërsí.

Nëse intrigat e Esadit do të gjejshin nji fushë veprimi në Mat, pa dyshim do të gjejshin ndonji mbështetje edhe nga Luma në verí dhe nga Malsít e Dibrës, t'Elbasanit, të Tiranës e të Krujës, të gjitha të kufizueme me Matin nga lindja e nga jugu.

Mirdita, në perëndim të Matit, âsht kundërshtare e thekun e Esadit po ashtu si pjesa mâ e madhe e Shqipnís Qendrore, qêndrat e Elbasanit, Tiranës e Krujës, sikurse gjithë rrethet e Shijakut, Kavajës e Peqinit (tue përjashtue këtu Kadri Beun e pasuesit e tij). Janë kundërshtarë t'Esadit, gjithashtu, Shqipnija Jugore e ajo Veriore.

Shtoj ndërkaq se kudo qi do të mbrrîjë ushtrija italjane, me pranín e vet, do t'i vejë nji pritë absolute sendërtimit të çfardo synimi tradhtar t'Esadit; sepse shpirti shqiptar âsht shumë i lodhun nga turbullinat e nga intrigat.

Ai ka nevojë për qetësí e për lirí kombtare. Pra, nji forcë qi i siguron të parën e premton t'i garantojë të dytën mund të jetë e sigurt se e pushton plotësisht.

Të kalojmë tash te nji tjetër argument i karakterit politik, qi prek thellësisht shpirtin tonë kombtar, qi kullon gjak nga vendimi i Konferencës së Londrës. Krahina e pafat e Kosovës, mes Luftës Ballkanike e asaj botnore, vuejti shumë përndjekje e masakra prej serbëve. Rikthimi i tyne atje mund të shkaktojë nji tjetër periudhë shtypjesh e plojësh edhe mâ t'egra.

Duem të shpresojmë se Qeverija Italjane do të kujdeset, me çka âsht e mundun, të mos i lâjë aleatët e vet sërbë të vazhdojnë, mbi nji miljon shqiptarë, veprën e tyne të flliqtë, të kryeme gjatë dy vjetve të zotnimit.

Aleatja e madhe e turqvet ka meritue mallkimin e përjetshëm të botës qytetnueme për ndihmën e tyne të patundun e kriminale masakravet armene e greke, përndjekjevet të izraelianëve e sirianëve.

Nuk ka dyshim se Italija, në çâshtjen e Kosovës, do të meritojë mirënjohjen e gjithë nji populli të pafajshëm e lavdrimin e gjithë atyne qi ndjejnë dhimbje nga vuejtjet e tij. Italija pra, deri në fund të luftës, do t'ketë gjithë Shqipnín në duert e veta: do të jetë ky nji rast i çmueshëm me i diftue popullit shqiptar, me vepra, se deklaratat solemne e të përsërituna të ministrit të saj t'urtë rreth pavarësís e bashkimit t'atdheut të tij, nuk bâjnë pjesë në kategorín e premtimevet të zakonshme e rrenacake të diplomacís evropjane; në t'kundërt, janë vendime të peshueme burrash të sinqertë e të bindun, të cilët, me rastin e parë, kërkojnë mënyrën mâ të mirë me përgatitë terrenin për me i kthye në vepra.

Cilat do t'ishin udhët mâ të përshtatëshme për këto përgatitje? Simbas nesh ato mund të përmblidhen në dy kategorí: të llojit thjesht politik e të karakterit administrativ.

Për pjesën e parë, vrejtjeve të shkurtna të paraqituna deri tash duem t'i shtojmë bindjen se gjykimi i shëndoshë e urtía e drejtuesve italjanë na japin besimin se asgjâ nuk do të mungojë nga an'e tyne, në fushën diplomatike, për me sigurue pavarësín dhe bashkimin e kombit tonë. Për pjesën e dytë e quejmë të përshtatshme të shfaqim ma gjânë konceptet tona.

Xhandarmërija dhe milicija shqiptare

Asht e ditun se asnji vênd në botë nuk mund të mbahet mirë pa nji forcë të disiplinueme xhandamërije; aq mâ shumë kur ai të ketë pësue nji keqqeverim përgjatë shekujsh të tânë, si i yni.

Duhet shtue këtu se në Shqipní, në pak vjet kanë kalue shumë zotnime të ndryshme, prej të cilëve asnji nuk mendoi me ngritë institucjonet qytetare në dobí të zhvillimit të lirë kombëtar; në t'kundërt, të gjithë kanë përdorë çdo mjet të mundshëm për me shtypë e pështjellue vêndin sa materjalisht aq dhe moralisht, tue lânë mikrobin e grindjes e të mosbesimit.

Po t'i hedhim nji shikim të shpejtë periudhës së pavarësisë sonë, bindemi patjetër se arsyeja kryesore e të gjitha fatkeqësive ka qênë pikërisht mungesa e nji xhandarmërije t'organizueme e të disiplinueme.

Nëse nji ditë jo të largët Shqipnija e lirë dhe e mosvarme, ashtu si jemi të sigurt se do të bâhet, simbas parimevet të shpalluna e të pohueme disa herë nga aleatët e në mënyrë të veçantë prej Qeverís M. Italjane, do të gjindej pa atë forcë të domosdoshme, do t'ishte prap pré e vështirësive të mëdhà e e fatkeqësive.

I takon Qeverís Italjane t'i parandalojë të tilla vështirësí të mundshme vêndit, për të cilin âsht zotue para gjithë botës t'i mbrojë qênien dhe interesat, qi janë edhe të vetat, tue organizue pa mëdyshje në gjithë Shqipnín nji forcë xhandarmërije, jo mâ pak se pesë mijë frymë, të disiplinueme nën komandë oficerash italjanë, mundësisht nga karabinierët mbretnorë.

Do t'ishte shumë me vênd për t'ardhmen e Shqipnís, me krijue veç xhandarmërís dhe nji milicí shqiptare nëpërmjet nji thirrje nën armë të vullnetshme.

Kjo milicí, qi do të kishte rreth dhjetë mijë frymë, do t'ishte e paracaktueme thjesht me mësue e m'u ushtrue për me krijue atë bërthamë themelore t'asaj fuqíe kombëtare, qi do t'kishte në t'ardhmen detyrën me ruejtë rêndin publik të vêndit, si ndihmëse e xhandarmërisë, e me i bâ ballë sulmeve të mundshme e të paprituna t'anmiqve të jashtëm.

Administrata civile


Kohët e fundit, administrata civile e Shqipnís (Prefektura e Gjinokastrës), me urdhnesat e reja ka fitue nji karakter kombtar. Ky ndryshim, megjithëse i bazuem në qëllime të mira e shumë të sinqerta, për zbatimin e tij të shtrêmbët, nëse lajmet qi kemi deri tash nuk na mashtrojnë, âsht i prirun me sjellë pasoja qi nuk i përgjigjen qëllimit.

Simbas nesh, dy janë kushtet thelbësore e të domosdoshme për nji administrim civil të mirë të Shqipnís:

Para së gjithash âsht absolutisht e nevojshme qi prefektët e nanprefektët të zgjidhen prej njerzish të cilëve nuk u mungojnë cilsít e nevojshme për me krye detyrën e tyne. Këto cilsí janë ndershmënia, atdhetarija, arsimi dhe përvoja. Mund të lêhet mangut, në raste skajore, ajo e fundit.

Arsimimi âsht i domosdoshëm për prefektët dhe zavêndsit e tyne. Të parët duhet të kenë krye studimet e nalta e të dytët, së paku, ato të mesmet. Skaji mâ i ngushtë i atdhetarís, simbas nesh, âsht ai qi kurrë e n'asnji mënyrë mos të kenë veprue kundër atdheut.

Nuk mund të kihet besim në njerëz, deri dje vegla qorre ase vullnetarë të propagandës anmike, edhe se sot do të vijshin e t'na thojshin thjesht se janë pêndue. Duhet me i kthye në udhë të drejtë e me i bâ për vete; por nuk i u duhet besue, për mos me i dhânë atyne mundësí me damtue atdheun.

Nuk mund të thuhet se njerëz të ndershëm, atdhetarë, të mësuem e me përvojë na mungojnë, sidomos tash qi do të kemi në dorë gjithë Shqipnín, e pra të gjithë shqiptarët e mirë. Këtyne do t'u shtoheshin dhe atdhetarë të tjerë jashtë shtetit, porsa t'u paraqiteshin kërkesat e atdheut.

Njerëz të korruptuem, të ngjajshëm me Esadin, nuk meritojnë trajtim të ndryshëm a mâ të mirë se ai i Pashës. Si ai edhe ata duhen mbajtë larg shërbimit t'atdheut. Nuk mund të pritet tjetër veç tradhtisë nga njerëz pa karakter e ndërgjegje.

Së dyti, atdhetarët e mirë qi do të kenë në duert e tyne administratën e vêndit, për t'a krye detyrën, duhet të pajisen me autoritet e me mjetet qi bâjnë t'aftë me veprue. Përndryshe, ata do t'u shëmbëllejnë makinave të mira qi nuk mund të punojnë për mungesë të forcës lëvizëse.

Nëse administrata civile, në fushën e saj, nuk do të kishte nji farë lirije veprimi të paracaktueme, nëse prefektët duhet të këshillohen me autoritetet ushtarake e qendrore në çdo hap e për gjânë mâ të vogël, nuk mund të pritet prej tyne nji shërbim i përsosun.

Sepse n'ato rasa ata nuk do t'ishin tjetër veçse makina elektrike, sustat e të cilave do t'ishin në dorë të tjetërkuj e veprimi i tyne do të përmblidhej thjesht në kallzime e këshilla. Pra, nji administratori të mirë duhet me i dhânë autoritetin mâ të gjânë të mundshëm, të shoqnuem nga përgjegjësia mâ e qartë e mâ e përpiktë.

Nuk mjafton vetëm autoriteti: duhen edhe e, mbi të gjitha, mjetet e veprimit. Mjeti veprues i administratës civile âsht xhandarmëria.

Të vetmit përgjegjës të rêndit publik të vêndit duhet të jenë prefektët e nanprefektët. Për pasojë, xhandarmëria duhet të jetë krejtësisht e absolutisht në dorë të tyne.

Në çdo rreth duhet të jetë nji repart xhandarmërie shqiptare, në sasinë e nevojshme simbas rândësisë së vêndit, me në krye nji oficer italjan të ndihmuem nga ndonji oficer e nga nënoficera shqiptarë.

Në prefekturat këto reparte duhet të jenë mâ të mëdha në përputhje me nevojën e ndihmës së rretheve.

Përsërisim se oficerët e xhandarmërisë, vetëm për sa i përket disiplinës, duhet të jenë të varun nga eprorët ushtarakë, ndërsa në funksjonin e tyne administrativ duhet me u vue nën urdhnat e drejtuesve t'administratës civile.

Shkolla

Duhet thânë haptas se në këtê fushë politika austrijake në Shqipní ka qenë shumë mâ e aftë se ajo italjane, jo vetëm gjatë pushtimit ushtarak, por qysh nga kohët e fundit të zotnimit turk. Ndërsa shkollat italjane, në pjesë të ndryshme të vêndit tonë, mezi kishin futë ndonji orë mësimi të shqipes në programet e tyne, n'ato austrijake gjuha kryesore ishte e jona.

Mbretnija tinzare, në këtê mënyrë, i bânte me besue shumë atdhetarve shqiptarë se ajo ishte e vetmja fuqí qi ishte e interesueme me ndihmue idealin e kombit tonë, nga çasti qi fëmijët tonë, në shkollat e saj, mund të arsimoheshin në gjuhën e tyne tmerrësisht të luftueme nga pushtuesi, e mund të mësojshin historín'e tyne, bâmat heroike të Skanderbeut. Ishin shumë të paktë ata qi mundeshin me zbulue në thellësín'e saj politikën dinake të Vjenës kundër aspiratave tona kombtare dhe synimet e saj pushtuese.

Librat mâ të mirë të këndimit në gjuhën shqipe e të tjerë të aritmetikës e të besimit katolik shtypeshin atëherë në Vjenë. Nga ana tjetër, pushtimi i parë italjan i Beratit na bâni me kuptue qartë se, nëse kishte një degë t'administratës me të vërtetë shqiptare nën austrijakët, ajo ishte arsimi publik: shkolla fillore në të gjitha katundet e dy shkolla normale safí shqiptare.

Dihet se çfarë ka ndodhë me shkollat tona në rrethet e Vlonës e të Gjirokastrës: e njâjta mënyrë e ndjekun në kohë të mâparshme; shkolla italjane e jo shqiptare! Sigurisht nuk mund të mos kenë të drejtë ata qi kanë dashtë me dallue nji politikë koloniale në veprën e kryeme deri tash nga italjanët në Shqipní.

Për të davaritë çdo dyshim të tillë e për me dhânë provën mâ siguruese të ndershmënisë në synimet e saj rreth t'ardhmes s'atdheut tonë, Qeverija M. Italjane duhej të vendoste nji administratë shkollore thjesht kombtare.

N'anë tjetër, nji vepër e dobishme e Italís për Shqipnín, do të kishte qenë shtimi në përmasa të mjaftueshme i bursave shkollore për studentët shqiptarë, të paracaktueme kryesisht për shkollat normale.

Përfundim

Të gjitha përsijatjet e paraqituna deri këtu, janë për t'i kujtue Qeverís M. Italjane atë qi ndien zemra jonë për të mirën e atdheut tonë, atê qi arsyeja na këshillon në interes të çâshtjes së përbashkët.

Mâ parë se me mbyllë këtë përkujtesë modeste duem me vue në dukje se, tash qi e gjithë Shqipníja ose pjesa mâ e madhe e saj do të jetë në dorë t'Italís, mprojtëses së pavarësís sonë, a do t'ishte e përshtatshme krijimi i nji qeveríje kombtare. Simbas mendimit tonë, kjo do t'ishte nji gjâ e aftë me shkaktue efektin mâ të madh, në dobí të çâshtjes së përbashkët, si në popullin shqiptar ashtu edhe jashtë.

Pjestarët e kësaj qeveríje, sigurisht, nuk duhen emnue prej Qeverís Italjane, mbasi atëherë do t'ishin vetëm funksjonarë të thjeshtë të nji force pushtuese e jo përfaqësues të nji kombi të shpallun i pavarun.

Duhet të vazhdohet me votime popullore, në përputhje me kushtet shoqnore të vêndit dhe rrethanat e çastit. Vetëm kështu edhe kombi shqiptar, në çastin e volitshëm, do të paraqitej para botës si nji njisí shtetnore e formueme në sajë të përkrahjes s'Italís çlirimtare.

Në zgjedhjet e naltpërmênduna, sigurisht do të merrshin pjesë, nëpërmjet delegatvet të tyne, edhe shoqnít shqiptare t'Amerikës, në mënyrë qi qeverija e dalun mund të quhet përfaqësuesja e vërtetë e gjithë popullit të vet.

Romë, 19 tetor 1918
E përktheu nga italishtja, Eugjen Merlika, duke u munduar të respektojë gjuhën e autorit.

Shpirti shqiptar âsht shumë i lodhun nga turbullinat e nga intrigat. Ai ka nevojë për qetësí e për lirí kombtare. Pra, nji forcë qi i siguron të parën e premton t'i garantojë të dytën, mund të jetë e sigurt se e pushton plotësisht.

Para së gjithash, âsht absolutisht e nevojshme qi prefektët e nanprefektët të zgjidhen prej njerzish, të cilëve nuk u mungojnë cilsít e nevojshme për me krye detyrën e tyne. Këto cilsí janë ndershmënia, atdhetarija, arsimi dhe përvoja

Nga ana tjetër, pushtimi i parë italjan i Beratit na bâni me kuptue qartë se, nëse kishte një degë t'administratës me të vërtetë shqiptare nën austrijakët, ajo ishte arsimi publik: shkolla fillore në të gjitha katundet e dy shkolla normale safí shqiptare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora