E marte, 05.11.2024, 09:53 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Vrasja në Korab në ‘90: Si u martirizua Sokol Hado në kufi

E hene, 13.07.2009, 05:42 PM


Nga Afrim IMAJ

“Njësiti kufitar u shfaq papritur kur kapërcenim majën e Korabit. Nuk arrita t’i dalloj sa ishin, se hapën zjarr menjëherë.Plumbat e parë shtrinë përdhe Frederikin. Dëgjova rënkimin e tij  dhe rrëshqita pavetëdije mbi dëborë. Mbeta në një guvë të thellë i mbytur në gjak. Kujtova se mbarova, por kllapia kishte qenë  për pak kohë. Nëna ime ç’kanë parë sytë e mi! Ishte natë, një natë me hënë...”
Ajo që ndodhi natën e 25 shkurtit ‘90 në malin e Korabit, është fiksuar në kujtesën e Enver Malkos, të mbijetuarit të pritës fatale me dramacitetin e atyre çasteve. Njeriu që e privilegjoi fati rastësisht, i është kthyer e rikthyer disa herë asaj historie. Barbarinë e goditjes vrastare e ka ende në sy. I çoi në kurthin e vdekjes ëndrra për lirinë e vërtetë. Ishin tre. Të tre 25-vjeçarë. Mbeti vetëm njëri. Dy të tjerët u gozhduan nga breshëria e plumbave dy hapa larg “Tokës së premtuar”. Ngjarja mori jehonë në mënyrë të rrufeshme. Njerëzit e regjimit e shfrytëzuan si një rast të mirë për të paralajmëruar “të krisurit” që do guxonin të shkelnin vijën e kufirit. Aty në Cërrik, në qytezën e viktimave të afërmit dhe miqtë i lotuan nën zë. Ishte e ndaluar të demonstroje dhimbje për “agresorët” dhe “tradhtarët” e regjimit. Madje, familjarët nuk mund të bënin mort. Represioni i zyrtarëve nuk kursehej për askënd. Sidoqoftë, ritmi i zhvillimeve shpërthyese e fashiti disi dhimbjen e tragjedisë makabre të asaj nate me hënë mbi Korab. Drama u tkurr brenda strehës së martirëve fatkeq, aty ku plagët dhëmbin si qëmoti dhe të dashurit e tyre nuk rreshtin së lotuari.

Korabi postblloku i rrugës së Kanadasë

“E kishim vendosur bashkërisht: Do shkojmë në Kanada! Duhej ta dinim ne të tre dhe askush tjetër. Planin e kishim të fshehtë. Nga mali do kalonim kufirin dhe do vazhdonim për atje. Korabi mbetej postblloku i vetëm. Pikërisht aty morëm goditjen fatale...” Rrëfimin për ngjarjen makabre 44-vjeçari Enver Malko, mundohet të jap përmbledhtas, duke ndaluar në momentet kryesore. E ka të vështirë t’u kthehet me detaje çasteve dramatike, jo se i ka harruar, por nuk mund të përmbahet nga ngashërimi. Sidoqoftë kur e pyet pse kishin zgjedhur rrugën nga Korabi, ta thotë aty për aty. Në Korab njëri prej tyre, Frederik Haruni, kryente shërbimin ushtarak në një postë kufiri. Ideja e të treve për të kaluar andej mbështetej pikërisht në këtë fakt. “Ndodhi që planin e shtymë dhe nuk dolëm gjatë kohës që Fetja (kështu i thërrisnin shkurt Frederikut) ishte me shërbim në kufi”, shton Enveri, duke sqaruar se shkak ishte bërë hezitimi i Sokolit, i cili ato ditë kishte qenë i angazhuar me fejesën e të motrës, Arianës. Megjithatë tre 25-vjeçarët nga Cërriku Sokol Hado, Enver Malko dhe Frederik Haruni për asnjë çast nuk e vunë në diskutim vendimin për të marrë rrugën drejt Kanadasë. Në dhjetëditëshin e dytë të shkurtit të ‘90-ës, u nisën në fshehtësi të plotë. “As njerëzit më të afërm nuk e dinin”, thotë Enveri. Ikën me ëndrrën e Kanadasë, me një copë bukë në çantë dhe një adresë në xhep. “Sokoli, ideatori i aventurës për t’u arratisur, shprehet Enveri, kishte marrë me vete adresën e një mikut të familjes nga Kanadaja. Një mik i hershëm me origjinë herreje, të cilin babai i tij e kishte shpëtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore...” I mbijetuari i pritës vrastare kujton se në Korab kanë mbërritur natën vonë...

Nëna: E diela e zezë e 25 shkurtit ‘90

“Nuk rrihet, do iki. Ma kishte thënë disa herë, po nuk më shkonte mëndja se do arrinte deri aty. Kur kujtova se kishte ndërruar mëndje, iku pa më rënë në sy. Ku ta dija unë e gjora ku do shkonte. Ishte e diel atë ditë. E diela e zezë e 25 shkurtit ‘90...” Megjithëse e rënduar nga shëndeti dhe e sfilitur nga jeta, Afërdita, nëna e Sokol Hados, i mban mënd çast pas çasti orët dramatike kur ka përcjellë të birin. “Për herë të parë nuk më tregoi të vërtetën. Më tha se do shkonte në Durrës dhe veshi rrobat shpejt e shpejt. E pyeta me kë ishte po i ra shkurt duke thënë me dy shokë. Më përqafoi si gjithnjë dhe doli te porta pa e kthyer kokën prapa. Ishte herët, ende nuk kishte zbardhur mirë...” Afërdita kujton se atë natë e kanë pritur me zemër të ngrirë. Lajmin e parë e kanë marrë pas dy ditësh kur kanë trokitur në zyrat e policisë. Zyrtari që kanë takuar u ka shpjeguar vrazhdë dhe me shpërfillje se i biri i tyre është arratisur. “Një herë na thoshte se ka ikur dhe po aty kallëzonte se mund të jetë vrarë në kufi”, shton e ëma e Sokolit me zërin e dridhur. Kur akoma s’po sqaroheshin çfarë kishte ndodhur me Sokolin, kanë dëgjuar vajin nga kati i parë ku banonte familja e Frederikit, shokut të ngushtë të tij. Aty për aty kanë mësuar se ai ishte vrarë në kufi. “Ishte vrarë Fetja dhe ishte arratisur Sokoli”! Së paku, deri ato momente nënë Afërdita dhe familjarët e tjerë kaq mund të kuptonin nga ajo që kishte ndodhur. Vonë shumë vonë do të preknin të vërtetën e dhimbshme. “Pas tre muajsh, diku nga fundi i majit të atij viti, kur kishte shkrirë bora në male, kujton Afërdita, i plotfuqishmi i zonës trokiti te porta dhe na njoftoi se kishin gjetur në Korab trupin e pajetë të Sokolit”. Sidoqoftë, kjo nuk e ndryshonte aspak reagimin e shtetit për të cilin si i arratisur, si i vrarë në kufi Sokol Hado mbetej tradhtar...

Prita e 25 shkurtit ‘90

“I dhamë besën njëri-tjetrit dhe u nisëm. U nisëm me mendjen top. E ndjenim rrezikun?! Patjetër, por ia vlente të sakrifikonim. Në emër të jetës domosdo. Në fund të fundit më mirë nën dhe, se të vdekur të pa kallur...”   
Ishin tre. Enver Malko, Frederik Haruni dhe Sokol Hado. Të tre 25-vjeçarë. Të tre nga qyteza e Cërrikut. U nisën herët në mëngjes. U nisën për të kaluar kufirin. Pasmesnate ranë në pritë. Vetëm dy hapa larg vijës ku ndaheshin dy jetë. Dy u vranë në vend. I treti mundi të shpëtojë. Enver Malko, i mbijetuari që pa tmerrin me sy, e ka të vështirë ta çojë rrëfimin deri në fund pa ndaluar disa herë për të fshirë lotët. Gjithsesi tregimi i tij është rrëqethës...
“Ishte mëngjesi i 25 shkurtit ‘90. Morëm linjën e trenit për të mbërritur në Tiranë. Planin e kishim bërë disa ditë më parë. Frederiku kishte marrë përsipër të na orientonte kalimin nga mali i Korabit. Ishte zona që e njihte mirë. Kishte bërë ushtrinë në postën e kufirit aty. Diku nga pasditja mbërritëm në Peshkopi. Ndenjëm në një lokal deri nga ora gjashtë e mbrëmjes. Kur filloi të errësohej morëm rrugën drejt malit. Vazhduam orë të tëra rrugë pa rrugë e shteg pas shtegu. Bënte ftohtë e binte borë pa pushim. Lodhja ishte e jashtëzakonshme. Ndodhi një moment që rrëshqita mbi akull dhe rashë në humnerë, duke u coptuar në trup. Me shumë mundime më nxorën që andej Koli me Fetjen. U preva i tëri dhe vendosa të qëndroja në vend. Ju vazhdoni, u thashë atyre, i bindur në kapitullimin tim. Ç’thua, ma priti Sokoli, jemi nisur bashkë e të tre do mbërrijmë, o të vdekur, o të gjallë. Më morën në krahë dhe vazhduam udhën e thepisur mbi akull. Disa orë kështu. Në të zbardhur ramë në pritë. Njësiti kufitar pa mbaruar thirrjen ndal, ja dha me breshëri. I pari ra në tokë Frederiki. Tha diçka para se të rrëzohej. Sokoli u hodh nga krahu tjetër. Unë mbeta poshtë një peme. Njësiti kufitar më gjeti pas disa orësh, ashtu të ngrirë siç isha. Më tërhoqën zvarrë e nuk mbaj mënd çfarë më bënë. Ora të tëra i kalova në gjendje të mjegullt e herë-herë pa ndjenja. Kur u përmenda e kam parë veten në birucën e Degës së Brendshme. Fredin e kisha parë që mbaroi. Me Sokolin nuk e mora vesh çfarë ndodhi. Ndoshta ka shpëtuar, mendoja me vete, por jo. Ah Sokoli i mjerë...”
Më shumë se kaq i mbijetuari i pritës së 25 shkurtit ‘90, nuk mund të rrëfejë gjë tjetër. Pas asaj që ndodhi në Korab, i është nënshtruar hetimeve të tmerrshme dhe një gjyqi të egër. Miqësinë e dikurshme me dy martirët e asaj prite të pabesë, vazhdon ta ruaj me familjarët e tyre. Po nuk harron që sa herë kthehet nga emigracioni, ku ndodhet të vërë nga një tufë me lule mbi varret e tyre...

Motra: Tre muaj as i vdekur as i gjallë

“Frederik Haruni është vrarë, Enver Malko është kapur në kufi”   Lajmet e para për ngjarjen e 25 shkurtit ‘90 në Korab, tronditën qytezën e vogël të Cërrikut si rrallë herë. Asgjë tjetër më shumë se kaq nuk flitej ato ditë për ngjarjen e papritur. Veç dhimbjes familjarët e Sokol Hados përjetonin një makth të tmerrshëm. Kur ishte mësuar fati shokëve me të cilët mori aventurën e arratisë, ende nuk dihej gjë për të. Kishte që thoshin se ka shpëtuar dhe është arratisur. Të tjerë mendonin se ka mbetur në dëborë. Sidoqoftë, kujton e motra, Ariana, tre muaj u shkatërruam nga dilema “As i vdekur, as i gjallë!”. Ka rezultuar e kotë çdo përpjekje pranë zyrtarëve të policisë. Në ankth e sipër pastaj janë nisur drejt Korabit për të kërkuar vet në zonën e përpjekjes, por nuk i lejuan kurrsesi. “Aty na maji, thotë i vëllai, Araniti, e thirrën babain në polici dhe i thanë se kishin gjetur trupin e Sokolit. Tanimë çdo gjë mori fund. Nuk kishte ç’të shpresoje më tej...” Plumbat e asaj nate kishin qenë të pamëshirshëm edhe për të. Vetëm kur ishte shkrirë bora në male ishte gjetur trupi i tij. Për muaj me radhë u përpoqën familjarët për të tërhequr eshtrat e Sokolit. Ishte pothuaj e pamundur të komunikoje me zyrtarët e Degës së Peshkopisë, kujton Araniti. Për ta në Korab ishte një tradhtar i vrarë dhe vetëm kaq. Një tradhtar që nuk meritonte as varr sipas tyre. Megjithatë, fal njërit prej të afërmve të familjes Hado, Gaz Demit, i cili shpërfilli pengesat e autoriteteve, u bë e mundur tërheqja e eshtrave të Sokolit dhe përcjellja e tij në banesën e fundit. “I tillë paskej qenë fati i tij”, përmbyll Arianiti, duke kujtuar pengun për trupin e të vëllait të tretur për tre vite mbi shkëmbinj...

Kishte rënë muri i Berlinit, por jo istikamet e Korabit

Ishte fillimi i ‘90-ës. Kishte rënë Muri i Berlinit dhe  evropianët i gëzoheshin klimës së re. Tirana këmbëngulte në të vetën “As Lindje as Perëndim”. “Ra muri i Berlinit, por jo karakollët e Korabit” stigmatizonin dibranët. Korabi ato ditë përcillte lajme me të vrarë e të plagosur. Lajme me fatkeq që guxonin t’u qepeshin shpateve të tij për të ikur matanë, por përfundonin tragjikisht. Vrulli i inkurajuar nga zhvillimet e kohës për “Tokën e premtuar”, ndëshkohej me plumbat e pamëshirshëm. Ëndrra e dhjetëra fatkeqëve mbyllej tragjikisht këtu. Emrat e tyre pastaj futeshin në raporte e shkresa tw cilat brenda ditws nga Korabi përfundonin në Tiranë. Baza njoftonte qendrën për suksesin ndaj goditjes vdekjeprurëse të shkelësve të kufirit. Këtë herë nuk bëhej fjalë për raste të shkëputura, por për një dyndje masive. Korabi mësymej dita ditës nga të rinj të shumtë. Vërshimi duhej ndalur me çdo kusht! Me qëndresë stoike, të rrufeshme e të prerë. Kjo ishte logjika e kohës. Regjimi mblidhte forcat për t’u treguar vendin atyre që dilnin jashtë diktatit të tij. Madje me tërbim. Hakmarrja në këtë rast ishte sfida, përmbushja e së cilës kërkonte zjarrin e armëve luftarake. Breshëritë e tyre nuk kursenin askënd. Një natë, brenda një çasti u përgjakën tre 25-vjeçarë nga Cërriku që zgjodhën rrugën e Korabit drejt lirisë. Ngjarja e 25 shkurtit ‘90, në zonën e kufitare Vrejtë, Dibër, ku mbetën të vrarë Frederik Haruni dhe Sokol Hado është vetëm njëra prej këtyre tragjedive. Dokumentet “tepër sekret” të vitit ‘90 me vulën e degës së Punëve të Brendshme të Dibrës përmbajnë me dhjetëra emra të vrarësh në kufi. Pikërisht atë fillimpranvere kur kishte rënë muri i Berlinit. Atë pranvere kur istikamet e Korabit hapnin zjarr ndaj kujtdo që tentonte të kapërcente matanë…

“Sulmuesi i “Turbinës” që kishte për zemër Platininë”

Në Cërrik të thonë se Sokol Hodua e pati të lidhur rininë e tij me sportin e futbollit. Madje, sulmuesin e talentuar të “Turbinës” vazhdojnë ta kujtojnë me respekt edhe sot. Në brengën e të njohurve ka mbetur përjashtimi nga ekipi i zemrës vetëm për arsye biografie. “Sidoqoftë, Sokoli për asnjë çast nuk u shkëput nga futbolli dhe dashuria për të”. Të paktën kështu e mban mënd një nga miqtë e afërt, që e ka çmuar dhe e ka dashur me shpirt. Madje Petrit Çomua, aktualisht gjyqtar i njohur i Tiranës, pasionin e spikatur të tij për sportin e veçon si një ndër arsyet e arratisë së rrezikshme. “Atë vit në Itali bëhej kampionati botëror i futbollit, kujton Çomo dhe bisedonim çdo ditë për zhvillimin e tij. Flisnim orë të tëra hapur e lirshëm, se komunikimi për sportin ishte më i padënueshmi asokohe. Sokoli i njihte mirë ekipet dhe yjet e tyre. Çmonte shumë lojën e Maradonës, Rosit, Van Bastenit, Bonjekunt e sidomos mjeshtërinë e Platinisë që e kishte idhull. E kishte ëndërr t’i shikonte një herë nga afër...” Miku i dikurshëm i Sokol Hodos, djaloshit të martirizuar në kufi, nuk e ka ditur planin e fshehtë të arratisë mbi Korab. Tragjedinë e ka mësuar kur u hap lajmi i kobshëm. “Unë isha djali i Maqo Çomos dhe Liri Belishovës, shton Petriti, dhe si i tillë nuk duhej të lotoja se ndryshe dihej ç’më priste. Regjimi i shpalli tradhtarë si dy prindërit e mi e për ta nuk lejohej mort”. Gjithsesi martirizimin e dy miqve të shtrenjtë e ka përjetuar si një humbje të madhe. Kur s’mund të shkonte për kryeshëndoshë te familjet e tyre, avitej mbrëmjeve te strehëza e dy vëllezërve të verbër Zenel e Halil Alushi me të cilët ndante dhimbjen e jashtëzakonshme.


(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora