E marte, 21.05.2024, 08:16 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Agim Gashi: Dy korrik i vitit `90-të

E merkure, 01.07.2009, 08:02 PM


DY KORRIK I VITIT `90-të

Agim Gashi

Dy Korrik i vitit ´90-të
Historia e shkroi ni jetë
E kanë nënshkru´ niqind e pesëmbëdhetë,
Kosovës tmerrin me ia hjekë,
Me hapë rrugën e lirisë
Me vullnet të popullsisë
Sepse populli kosovar
Pavarësi ka lypë me shpallë,
Rrugë t´lirisë me hapë për ne
E me shkru´ kushtetutën e re.

Ditë e hanë dielli ka le
Shndrit Kosovën t´dashtunin Atdhe
Shndrit Kosovën me i dhanë jetë,
Kanë marrë rrugë niqind e pesëmbëdhetë
Ju rrah zemra prej dëshirës ,
E me hy n´qytet t´Prishtinës
Pa u ndeshë me milici,
Që ka pru´ mjaft kjo Serbi,
Me ia zbutë zemrën Bozhoviqit,
Që sa herë derën e kyçi
S´lejoi me hy n´shtëpi të vet
Si të ish i veti ai parlament,
Por s´do të bahet ma i tradhëtarëve;
Po do të jetë gjithë i Kosovarëve.

Porse trimat që mirë mendojnë
Kanë një lëkurë që nuk e ndërrojnë,
E kanë zemren plot gjallni
Pranë Kuvendit mirë kanë mbërri
Porse derën prap e kyçi
“Kryetari” ai Bozhoviqi,
Nuk don deren askush me çelë,
Porse dielli i mirë nxen në verë
Kështu njiqind e këta pesëmbëdhetë
Në oborr mirë kanë zanë vend
Fillon punën ky Kuvend.

Në katër anët të rrethu´m,
Por të trembun jo, jo kurrë
Të tri dhomat kanë vendosë
Me udhëeqë këtë mbledhje sot,
Gjurgjiali emnin Bujar
I prizerenit faqe bardhë,
Përcjellin mbledhjen gazetarë
E musafir nga bota mbarë
Verena Gravsi për liri
E Zhan Zhaku për miqësi,
Çarls Greivsi për drejtësi
Eva Bredli avokate,
Përcjell botën kate-kate.

Kështu këto kushte jashtënormale
Po udhëheqë Bujar Gjurgjiale
Delegate e delegatë
E përcjellin me zemra plot
Se n´këtë ditë, vendimtare,
Po i mbrojnë të drejtat kombëtare,
Që ky popull i lau me gjak
Tue na vra në arë e prag
Tue na vra në rrugë e votër
Tue vajtu´ po nanë e motër,
Ushtarë të vramë tue na pru´ në shpi
Për me u kthy´ nuset n´gjini,
Por sot vetëdija e jonë kombëtare,
Asht e pastër e jo tradhtare,
E tradhtarve u kem´ tregu´
Me fat të popullit nuk mujnë me lu!

Nisë me folë Bujar Gjurgjiala
Kosovarëve po u çon të fala
-Delegat na keni zgjedhë
Me i mbrojtë të drejtat me nderë,
Me kerku´ kushtetutë të re
Me nderu tonin Atdhe
Mos me shitë Kosovën plakë
Që sa herë u la me gjak,
Përfundim në t´katërtën pikë
Ashtë Kosova Republikë,
Durtrokitje në qiell e në dhe
Do t´na del dhe Kushtetuta e re.

Se na quajnë, po, tokë poshtruese
Deklaraten kushtetuese
Me pesë pika Kuvendi e bani
E lexon Muharrem Shabani,
Kjo deklaratë, ky dokument
Që Kosovës t´i ipet vend
Në Federatë a n´Konfederatë
Veç me qenë të barabartë.

Se n´vend të tretë me popullësi
Ne që jemi n´Jugosllavi
Domë liri, DEMOKRACI,
Nuk domë tankë, ushtri, përdhosje
Porse domë ne vetëvendosje
Gjithmonë të tjerët i kem´ nderu´
Asnjëherë s´i kem´ nënçmu;
S´i  kem´ qujtë popujt kombësi
Si na quen neve kjo Serbi.
Porse populli ynë shqiptar
Mirë e di kush asht´ tradhtar,
Mirë e di kush ka nenshkru´
Që ketë tokë me aneksu´,
Porse sot kem njerëz t´vertetë
Të Kuvendit njiqind e pesëmbdhetë
Të gjithë të lidhun me besa-besë
Për komb të vetin me luftu´
Kurrkujt të keqen pa ja mendu´
Të gjithë janë pëllumba të bardhë n´pranverë
Ka me i dashtë populli përherë

Korrik 1990 Lipjan

Deklarata Kushtetuese – gurthemel i pavarësisë së Kosovës

Ajete Zogaj


Nesër, më 2 korrik, mbushen 16-vjet nga dita e miratimit të Deklaratës Kushtetuese për pavarësinë e Kosovës nga delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës. Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb.

Duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.

Moment politik me rëndësi në ato rrethana ishte fakti se në Kosovë tashmë po vepronte një lëvizje e fuqishme demokratike shtetformuese në krye me LDK-në. Ishte kjo koha kur në horizont tashmë dukej shpërbërja e qartë e ish-RSFJ-së, krijesë kjo artificiale dhe krejtësisht antishqiptare e dominuar kryesisht nga ambiciet dhe politika hegjemoniste serbe.

Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, pra më 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik - Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë.

Por, sikundër pritej edhe në ato momente dramatike, Serbia fill pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke suprimuar me forcën e tankeve të gjitha institucionet e Kosovës, duke filluar nga Kuvendi e Këshilli Ekzekutiv i tij dhe deri tek të gjitha institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore.

Nuk ka asnjë dyshim se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, të vitit 1990, shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës, që do të shpjerë deri në ditët e sotme, kur Kosova tashmë gjendet në prag edhe të pavarësisë formale si shtet. Në rrethanat e tashme dhe pas përfundimit të luftës, të masakrimeve, të eksodit masiv të popullit të Kosovës e të shkatërrimeve të tmerrshme, mund të thuhet se ekziston një kontinuitet i fuqishëm i përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri, për pavarësi e për shtetësi.

Ky kontinuitet nuk mund të mohohet nga askush dhe kjo që po përjeton tash Kosova është meritë e popullit, e atyre që për lirinë e Kosovës u angazhuan politikisht dhe ushtarakisht, e atyre që u sakrifikuan dhe që dhanë jetën për lirinë, për demokracinë dhe për pavarësinë e Kosovës.

Deklarata na bashkoi në rrugën e pavarësisë

Ilaz Ramajli: Ka kaluar një kohë e gjatë nga 2 korriku i vitit 1990. Shumë ngjarje kanë pasuar pas saj, por unë kisha dashur t’i kujtoj lexuesit se në atë kohë kishin filluar të shihen shenjat e para të dekompozimit të ish-Jugosllavisë dhe siç bënin të gjitha ish-republikat e ish-Jugosllavisë edhe ne aspironim për njësi federale, edhe ne ishim të detyruar të ndërmerrnim hapa mbrojtës kushtetues, juridikë e politikë, në mënyrë që të jetësohet vullneti i popullit shqiptar. Qysh atëherë ishte fare e qartë që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur. Ishte kohë e karakterizuar edhe me një lëvizje jashtëzakonisht të fuqishme politike, që rrjedhimisht ka filluar në Kosovë me paraqitjen e partive të reja politike, konkretisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të partive të tjera, të cilat e artikulonin vullnetin e popullit të Kosovës. Natyrisht, delegatët e Kuvendit të Kosovës e përcjellin në mënyrë shumë të përpiktë vullnetin e popullit për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Ishte kjo faza e parë e një veprimi të tillë legal të institucioneve legale, në mënyrë që vullnetit të popullit t’i jepej forma kushtetuese juridike.

Nuk duhet harruar se fillimisht është paraqitur Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës me rezolutën për pozitën kushtetuese juridike të Kosovës dhe me pozitën e shqiptarëve në kushtet e reja të krijuara. Në rezolutën e ASHAK-ut ishte e formuluar shumë qartë pozicioni politik dhe kushtetues e juridik, që kërkohej për Kosovën dhe për popullin e saj. Mund të themi se rëndësia e Deklaratës Kushtetuese për atë kohë ka qenë se ka filluar përfundimisht që Kosova ta marrë një rrugë të mëvetësisë, për ta përcaktuar fatin e saj dhe të popullit të vet.

Të gjitha ngjarjet, që kanë ndodhur më pas, kanë një lidhshmëri dhe janë pjesë e një procesi, e cila shpresoj se do të përfundojë këtë vit me pranimin e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur nga bashkësia ndërkombëtare.

Deklarata Kushtetuese atëherë dhe sot e ka një rëndësi të veçantë, sepse e definon shumë qartë vullnetin e popullit të Kosovës. Ky ishte mesazh shumë i qartë sa i përket faktorit ndërkombëtar dhe ishte një akt, që i bashkoj qytetarët e Kosovës në rrugën e tyre për pavarësi dhe për krijimin e shtetit sovran dhe të pavarur.

Deklarata, projekt i pavarësisë

Akademik Mark Krasniqi: Po, për çdo punë duhet të bëhet projekti. Edhe Deklarata e 2 Korrikut ka qenë projekt për pavarësinë e Kosovës. Projekt politik, që e ka rëndësinë e vet dhe që ka shërbyer edhe për hartimin e Kushtetutës së Kaçanikut. Kjo është bazë e zhvillimit politik të asaj kohe, e cila edhe sot mund të shërbejë në shumë segmente.

Merita e kësaj deklarate është lindja dhe fuqizimi i saj në kushte të rënda okupimi serb. Zhvillimet e mëtejme janë bërë në kushte të reja.


Dokument historik

Dr. Zekeria Cana: Mendoj se rëndësia historike e kësaj ngjarjeje të shënuar në historinë e Kosovës, duhet parë në dritën e rrethanave në të cilat doli kjo deklaratë kushtetuese. Kemi parasysh që në marsin e vitit 1989 delegatët e Kuvendit të Kosovës e votuan amendamentin në Kushtetutën e Serbisë, miratuan suprimim e Kosovës si njësi autonome e Federatës Jugosllave. S’do mend ishte një qëndrim burravecllëku, një qëndrim qyqar i përfaqësuesve të popullit, të zgjedhur nga populli. Thënë shkoqur, ishte akti më i shëmtuar i një tradhtie kombëtare. Po, megjithatë, në Kosovë dolën forca të reja dhe një vit më vonë delegatët e porsazgjedhur të këtij kuvendi u mblodhën me një qëndrim dhe një vendosmëri, dhe nxorën deklaratën, e cila është dokumenti i parë nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, që shpreh vullnetin e popullit për t’i dalë zot vetvetes. Është një qëndrim guximtar, stoik, në kohën kur Kosova është e mbushur me ushtri dhe polici serbe, në kohën kur terrori serb përjashtonte njerëzit nga puna, dëbohen nga banesat, kur ushtarë shqiptarë kthehen në arkivole nga Armata Jugosllave, njerëzit rrahën për vdekje pa asnjë faj.

Kjo deklaratë ka dy dimensione: dimensioni i brendshëm i Kosovës për të qenë e pavarur dhe dimensioni i jashtëm ndërkombëtar. Këtu merr peshë edhe më shumë Deklarata e 2 Korrikut, sepse e sensibilizoi faktorin ndërkombëtar në përkrahje të çështjes së drejtë të Kosovës. Deri atëherë ishte ngritur komploti i heshtjes për Kosovën. Në botë pak kishte depërtuar e vërteta për Kosovën. Përpjeka më e madhe jona atëherë ishte që të depërtonim në botë me të vërtetën dhe vetëm të vërtetën për Kosovën. Nga kjo anë, do të theksoj në mënyrë të veçantë guximin e delegatëve. Ata e thanë fjalën e tyre duke rrezikuar vetveten dhe familjen. Pas kësaj delegatët u shtrënguan ta braktisin Kosovën, sepse i priste arrestimi nga policia serbe.

Nga perspektiva historike, rëndësia e kësaj deklarate mund të çmohet edhe më shumë nga distanca kohore. Ata që do të merren me studimin e historisë më të re të Kosovës duhet të jenë shumë të vëmendshëm, të bëjnë analizën e të gjitha rrethanave dhe të gjitha kushteve në të cilat doli Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990.

Deklarata e pavarësisë

Halit Muharremi: Duke medituar 16 vjet pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, e cila në historinë më të re të Kosovës njihet si Deklarata e Pavarësisë, mendoj se dy ngjarje të mëdha e shënuan vitin 1990 që me pietet dhe mburrje do të kujtohen brez pas brezi: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Shpallja e Republikës së Kosovës, përkatësisht, miratimi dhe shpallja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 Shtator të të njëjtit vit, si aktin më të lartë politik dhe juridik të një shteti. Ndërkaq, fundshekullin e XX do ta pasojnë edhe vendimet dhe aktet e tjera jo më pak të rëndësishme se dy të parat: Rezoluta mbi shpalljen e Republikës së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur e 22 shtatorit, Referendumi për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur që u mbajt nga 26-30 shtator të vitit 1991 dhe lufta çlirimtare e popullit të Kosovës.

Vlen që të përkujtohet se Kosova e viteve tetëdhjetë u gjet në një situatë shumë të vështirë, për shkak të synimeve agresive të pushtetit serb që të zhbëjë gjithçka shqiptare, duke përdorur të gjitha mekanizmat e presionit dhe të dhunës në mënyrë që t’i nënshtrojë shqiptarët dhe Kosovën.

Pas suprimimit të subjektivitetit politik dhe kushtetues-juridik të Kosovës nga ana e Serbisë, përmes ndryshimeve kushtetuese të dhunshme, për popullin e Kosovës dhe klasën e saj politike dhe intelektuale u shtrua dilema hamletiane - të jesh apo të mos jesh. Në këto rrethana u lind Alternativa politike (LDK), si lëvizje politike mbarëpopullore, nën udhëheqjen e presidentit legjendar, Dr. Ibrahim Rugova, e cila krijoi një platformë politike sui generis, për një status të ri për Kosovën. Duke u nisur nga e drejta universale për vetëvendosje dhe përcaktimin se vullneti i popullit është bazë e pushtetit shtetëror, Kuvendi i Kosovës, më 2 korrik 1990, miratoi dhe shpalli Deklaratën Kushtetuese, përkatësisht, Deklaratën e Pavarësisë. Tani ndodhemi në një fazë të re kur nga institucionet e pushtetit shtetëror të Kosovës, me të drejtë kërkohet njohja e pavarësisë, ndërsa nga faktori ndërkombëtar kërkohet që të bisedohet për status.

Edhe në qoftë se do të ketë biseda, ato duhet të bëhen me institucionet relevante ndërkombëtare, mbi bazën e platformës politike dhe juridike të përcaktuar më parë, siç është përcaktuar në aktet e përmendura edhe rezoluta e fundit e Kuvendit aktual të Kosovës e miratuar kohë më parë.

Shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të gjithë shqiptarët, kudo që janë, e kanë përjetua si fitore të tyren.

Këtë shkrim e huazova me qëllim të përkujtimit të një date të rëndësishme të historisë sonë, histori e cila ishte e mbushur me tortura,helmime, vrasje e dhunime, por edhe me sakrifica vigane të një populli që donte liri! Ky shkrim është shkruar më 2006.

Agim Gashi


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora