E marte, 15.10.2024, 01:05 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Bedri Blloshmi: Antena e Ferrit në Rozafë

E shtune, 29.08.2009, 12:48 PM


Antena e Ferrit në Rozafë

Nga Bedri Blloshmi

Të gjithë e dimë legjendën e njohur të kalasë së Rozafës në Shkodër. Të ngjashme me këtë por të vërtetë që ka ndodhur në këtë qytet të lashtë unë po e tregoj se çfarë kam mësuar. Më 22 maj 1984 në burgun –ferr të Qafës së Barit, Sigurimi i Shtetit provokoi një ngjarje aq të tmerrshme me qëllimin e vetëm për të derdhur gjak të pafajshëm. Këta mjeshtër të terrorit që dinë të organizojnë vetëm komunistët, në bashkëpunim me shërbimin e fshehtë të asaj kohe, ia arritën qëllimit. Mbas përplasjes që ndodhi me policinë u arrestuan 12 të parët, sipas listës që lexohej nga jashtë burgut. Këta të dymbëdhjetë mbasi u torturuan e u sakatuan në një dhomë që quhej “Dhoma e takimit”, i hodhën në një makinë të zbuluar. Ne që ishim pak më larg dëgjonim vetëm rënkimet dhe gjakun që u rridhte nga fytyra. Makina e rrethuar me civilë të armatosur të ardhur nga Tirana, u zhduk në kthesën përballë burgut. Burgu u mbush plot me civilë e ushtarë që filluan terrorin mbi ne që mbetëm aty. Ndërsa në “dhomën e takimit” thirreshin të dënuar të tjerë me lista emërore dhe kur ktheheshin andej, dilnin zvarrë ose këmbadoras. Në listën e tretë u futa edhe unë, vetë i dhjetë. E gjithë dyshemeja e dhomës ku u futëm për të na torturuar ishte e mbuluar me dru ahu të llangosur me gjak të ët pafajshmëve. Mbas disa ditësh na mbledhin në mensë ku te dera ishin dy civilë që na godisnin me shkelma dhe grushte. Mbasi zumë vend nëpër stola në derë u duk skenaristi Mond Caja me kapele mbi sy e me një suitë nga prapa. Ishte ky person që para disa ditësh kishte dalë nga burgu me vrap duke e lënë kapelen me yllin e Stalinit në oborrin e mencës bashkë me shumë policë të tjerë. Ky fëmijë i rritur nga shkolla e Makarenkos, tani vinte i qeshur, krenar dhe me një letër në dorë. Të gjithë ne sa ishim në menc: as frymë nuk guxonim të merrnim. Ai bëri një xhiro rreth nesh me një shikim provokues dhe doli para nesh duke thyer heshtjen.

- Ka këtu ndonjë trim që do të matet me ne, tha

Ne të gjithë sa ishim ulëm kokat e ndalëm frymëmarrjen.

- Tani dëgjoni këtu një komunikim, vazhdoi – Gjyqi mbaroi me këto dëme. Sokol Sokoli bashkë me Tomë Ndojën u dënuan me pushkatim, me vdekje. Të tjerët me dënime të ndryshme – dhe doli duke qeshur me ata që e shoqëronin.

Deri në datën 5 korrik që u transferova për në burgun e Spaçit, bashkë me dhjetë të dënuar të tjerë, drurin e kisha pa pushim. Atë ditë që na lajmëruan se do të na transferonin, lamë nën rrënojat e galerisë dy të vrarë. Në Spaç ishte më keq se në Qafën e Barit për ne të burgosurit. Të gjithë e dimë se çfarë ngjau në 11 prill 1985. Mua më ra fati “i mirë” që edhe mbas vdekjes së diktatorit të haja dru për të. Mbas dy tre muaj, më morën nga birucat me duar të lidhura mbrapa drejt e në degën e Punëve të Brendshme të Pukës. Aty, me një shokun tim të birucës, e pjeta nëse kishte dëgjuar gjë për ata që u dënuam me vdekje në Qafën e Barit. Unë di se ata janë nisur në Shkodër dhe atje mund t’i kenë pushkatuar, më tha.

Pas disa ditësh më mbyllin në burgun e Burrelit. Unë gjithmonë e kisha në mendje për ti gjetur eshtrat e atyre dy djemve me të vërtetë trima që si thonë malësorët nuk vriteshin për gjak. Mbas shumë përpjekjesh dhe interesim unë arrita të siguroja në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër një kopje të procesverbalit të pushkatimit. Pas kësaj dola dy herë në televizion dhe bëra thirrje publike. Apelova për njerëzit që kryen pushkatimin. Qëllimi im ishte të gjeja eshtrat e dy martirëve. Këtë problem e kisha biseduar edhe me një mik nga Shkodra. E marr në telefon dhe i them se nesër jam në Shkodër. U nisa bashkë me dy kushërinj të parë të Sokol Sokolit për të takuar personin që i kisha telefonuar.

Shkodër, ora 12.

Miku shkodran në bisedë e sipër më thotë se kam gjetur një person që ka punuar 25 vjet tek vendi i Antenës dhe me siguri duhet të dijë diçka. Personi i Antenës erdhi me ne dhe shkuam në fshatin Rrens. Papritur u gjendëm përballë një porte me hekura të ndryshkur. Brenda këtij rrethimi ngrihej një Antenë sa e lartë aq edhe kobëzez. U futëm brenda dhe njeriu i Antenës na tregoi si më poshtë:

Atë natë ishte fikur drita e kësaj vendroje (ku rrinte gjithmonë një ushtra me shërbim) dhe më njoftojnë për defektin. Nisem me vrap nëpër errësirë dhe kur arrita te dera e rrethimit të Antenës, më ndaluan disa civilë të armatosur.

-Kthehu mbrapsht, më thanë.

-Kam ardhur për të rregulluar dritat, sepse vendroja s’ka ndriçim.

Do na largohesh këtej apo të të fusim edhe ty një plumb, më thanë. Unë i njihja të gjithë rojet e Antenës, por atë natë ishin ndryshuar të gjithë. Më mbyllën brenda. Pas pak u dëgjua një zhurmë makine. U hap porta dhe makina hyri Brenda. Filluan të sharat: bini more qenave se kanë sharë Nexhmijen. Ata qenë trima dhe syri nuk ua bënte tërt përpara plumbit. U dëgjua një breshërimë e gjatë automatiku. Ekzekutorët hipën prapë në makinë dhe ikën. Më nxorrën edhe mua atje ku më kishim mbyllur dhe më thanë: hape gojën për çfarë ke dëgjuar, atje e ke edhe ti vendin.

Të nesërmen vij në punë dhe shoh se dheu ishte i gërmuar. Ja këtu tridhjetë hapa nga vendroja ishte kabulli i këputur i korrentit dhe po aty në gropë ishin dy martirët e Qafë Barit. Më kujtohet edhe një histori tjetër. Këtu kemi pasur një kalë të bukur, të urtë që rrinte gjithmonë brenda rrethimit. Ai ishte edhe më i zgjuar se njeriu. Të nesërmen pas pushkatimit, vinte kali te vendi i gërmuar, godiste me këmbë dheun dhe hingëllinte si të vajtonte. Dilte nga rrethimi dhe ia merrte vrapit përgjatë fushës dhe vinte sërish te dheu i gërmuar duke bërë të njëjtin ritual. Vendi i Antenës ishte bërë për të pushkatuar dhe groposur njerëz dhe kali përsëriste të njëjtat veprime. Por këtë kalë e vranë një ditë bashkë me një të burgosur.


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora