E marte, 21.05.2024, 11:58 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Represioni serb në Kosovë

E shtune, 22.08.2009, 06:29 PM


ARKIVORE

REPRESIONI SERB NË KOSOVË
 
Do ta shihni pas dy ditëve?! Kështu u kërcënuan milicët serbë dje me rastin e një ndërhyrje brutale ndaj tre nxënësve afër Xhamisë së Madhe në Prishtinë
Dje, më 24 maj 1993, rreth orës 13, në afërsi të Xhamisë së Madhe, në Prishtinë, milicia serbe ndali tre nxënës shqiptarë të moshës 15-16 vjeç. Pa iu dhënë kohë që të përgjigjen në pyetjet e bëra, milicët filluan t`i rrahin nxënësit, duke i goditur me shqelma, me grushte dhe me kondakë pushkësh.
KMDLNJ.
Dëshmitarë të kësaj ngjarje ishin shumë besimtarë që në atë kohë ndodheshin në oborrin e Xhamisë. Njëri prej tyre, Selatin Fazliu, duke mos mundur të durojë këtë skenë të tmerrshme, kërceu rrethojën e oborrit të xhamisë, dhe pas disa përpjekjeve, arriti t`i nxjerrë nga duart e milicëve nxënësit, një vajzë dhe dy djem. Për një kohë, shtatë policët iu kthyen Selatin Fazliut. Derisa këta po merreshin me të, nxënësit u larguan nga vendi i ngjarjes dhe me disa automjete private të rastit, u dërguan për ndihmë mjekësore. Në ndërkohë, te vendi i kësaj ngjarjeje, u afruan edhe besimtarë të tjerë, dhe njëri prej tyre e tërhoqi Selatinin në turmë për të shpëtuar nga duart e milicëve.
Sipas fjalëve të 24 dëshmitarëve që kanë dhënë deklarata në KMDLNJ lidhur me këtë ngjarje, milicia fyen me fjalët më të rënda besimtarët e pranishëm, dhe iu tha: “Edhe dy ditë do të merrni vesh se kush jemi ne...”
_________
Në Beograd policia serbe arrestoi Përparim Fazliun
Prishtinë, 31 korrik (QIK)
Më 29 korrik të këtij viti, policia serbe në Beograd arrestoi Përparim Fazliun nga Prishtina, ish-dezertorin e APJ-së në vitin 1991, i cili po kthehej nga Anglia.
Babai i Përparimit, Selatini, i tha QIK-ut se djali i tij Përparimi, në fillim është dërguar në stacionin e policisë në Beograd, dhe prej aty ai është dërguar në burg.
Zotni Fazliu tha se djali i tij kishte me vete një shumë parash dhe disa pako me rroba.
 
Njeriu duhet të ketë marre prej njerëzve dhe frikë nga zoti.
Më 25.9.2005: Jemi në vizitë te veprimtari i mirënjohur, zotni Selatin Fazliu dhe te gruaja e tij zonja Magfire Pakashtica-Fazliu.
Magfire Pakashtica-Fazliu tha: Njeriu duhet të ketë marre prej njerëzve dhe frikë prej zotit.
Fëmijët e tyre janë: Përparimi, Liza dhe Edini i cili është Dr. i mjekësisë të aviacionit.
Zotni Selatini është anëtar i Ballit Kombëtar që prej 1951, por si i mitur-pa librezë! Kurse me librezë, që prej 11.2.1957, me nënshkrim të Xhafer Devës.

___________

Ballistët kosovarë në mbrojtje të trojeve shqiptare

Shkruan: Gazmend Islami

Duke parë se populli shqiptar po digjej e përvëlohej nga hordhitë çetnike serbo-sllave, me të cilët bashkëpunonin shqipfolësit komunistë, gjatë pranverës së vitit 1944, nacionalistët kosovarë nuk mund të rrinin duarkryq dhe të shikonin acarimin e situatës.
Duke u munduar që më shqipfolësit komunistë kontradiktat të mos shkonin deri në vëllavrasje, edhe përkundër fjalëve të urta të burrave të mençur nacionalistë, se serbit nuk i zihet besë, nacionalistët më të shquar u bashkuan dhe u rreshtuan përkrah ballistëve për mbrojtjen dhe çlirimin e Kosovës, si dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm etnik. Ilaz aga nga Koliqi dhe Hajriz Përpellaci, duke parë rrezikun e madh që po iu kanosej shqiptarëve të Kosovës, iu bënë thirrje të gjithë burrave për t’u mbledhur në një kuvend, i cili do të diskutonte çështjet e mëdha të luftës kundër shkjaut, çetnikëve serbo-sllavë.
U thirrën në kuvend: Adem Gllavica, Luan Gashi, Sabit Fazliu, Mulla Hamit Pakashtica, Hajriz Përpellaci, Bejtë Përpellaci, Mulla Ramë Govori, Nexhmedin Sejdiu, Ejup Hoxha, Fahri Sejdiu, Brahim Përpellaci, Ali Govori, Halim Govori, Selim Ramë Gjocaj, Demë Ali Pozhari, Pjetër Nika, Shaban Mulla Idrizi, Nezir Hasani, Mehmet Krileva, Mulla Azem Geci, Rifat Kuka, Tahir Berisha e shumë e shumë burra të tjerë të lirisë.
Në këtë kuvend u diskutua me zjarr dhe të gjithë pjesëmarrësit, si bijë të Kosovës, u zotuan  se do të luftojnë deri në çlirimin definitiv të atdheut dhe bashkimin e saj me Shqipërinë mëmë. Unanimisht u zgjodh Kryesia e Kuvendit me në krye: Luan Gashin, Adem Gllavicën, Sabit Fazliun, vëllai i Selatinit e biri i Ilaz Agës, Mulla Ramë Govorin dhe Mulla Hamit Pakashticën. Këta burra caktuan edhe detyrat për strategjinë e mëtejshme të luftës. Ata nisën të organizojnë edhe çetat e para balliste, dhe pas një periudhe shumë të shkurtër, pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës filluan të veprojnë çetat e Ballit Kombëtar.
Çetat e pata të udhëhequara nga Ilaz Aga e Hajriz Përpellaci, menjëherë u hodhën në aksione dhe luftime me gjakatarët serbë në rrethinën e Kaçanikut, vend ky ku çdoherë armiqtë shekullorë të shqiptarëve kanë lënë kockat. Në atë betejë serbët lanë të vdekur përmbi 150 vetë.
Vetëm një ditë më vonë, çetnikët serbë të ndihmuar edhe nga komunistët internacionalistë shqiptarë, ndërmorën një ofensivë në rrethinat e Ferizajt për t’u hakmarrë për humbjet që pësuan në Kaçanik, mirëpo përsëri çetat e Ilaz Agës, të cilave iu erdhën në ndihmë edhe ato të Adem Gllavicës e Sabit Fazliut, i shpartalluan keqas, përsëri me humbje të rënda. Një javë më vonë, Ilaz Aga së bashku me trimat e vet ballistë merr vesh se çetnikët kanë filluar të masakrojnë e vrasin gra, fëmijë e pleq në anën e Llapit e të Gallapit, kështuqë ai detyrohet të shkojë në ndihmë të çetës të Mulla Ramë Govorit, të cilat me gjithë përpjekjet dhe luftimet e ashpra, nuk kishin mundur t`i mbronin civilët, humbjet e të cilëve në fshatra të tilla, si Shajkovc, Prapaçan, Keçekollë, Brainë, arrinin në rreth 2000 vetë. Pas ardhjes të çetës të Ilaz Agës dhe të disa çetave të tjera, në vendin e quajtur Drazhnje, u bë një luftë për jetë a për vdekje, ku shkiet humbën 357 gjakësorë dhe mbi dyqind të tjerë u kapën të gjallë, për t’u pushkatuar më pas. Pas varrosjes së këtyre çetnikëve, një komunist shqiptar me emrin Ali Shukriu, duke iu ardhur në ndihmë serbëve, së bashku me disa komunistë tjerë, filloi të thoshte poshtë e përpjetë se serbët janë vëllezërit tanë, kurse ballistët janë armiqtë tanë. Kështuqë çetat e Ballit që nuk donin vëllavrasjen u tërhoqën, por afër Shtimjes çetnikët kishin filluar përsëri masakrat. Në luftë kundër tyre shkuan çetat e Luan Gashit, Adem Gllavicës e Sabit Fazliut, një intelektual ballist i shquar, që kishte studiuar në Angli, fliste shtatë gjuhë të huaja, dhe për momentin dhe çështjen, e kishte ndërruar penën me pushkën, duke u vënë në krye të çetës. Mirëpo në luftimet me çetnikët serbë, ky bir i Kosovës ra për të mos vdekur kurrë. Në betejë u vranë shumë çetnikë, por pas disa tradhtive që bënë komunistët të udhëhequr nga njëfarë „Komandanti„ e që quhej Mustafa Hoxha, vriten më shumë se 65 ballistë, 65 bij të Kosovës, që vriten nga vëllezërit e tyre të një gjaku, e që quheshin komunistë.
Për të gjithë këta ballistë, Kosova u shtang, sepse ata u vranë nga vëllezërit e tyre komunistë. Kur dëgjoi Ilaz Aga për vrasjen e të birit dhe humbjen e ballistëve të tjerë, tha vetëm se nuk më dhimbset djali me shokët e tij që dhanë jetën për Kosovën, por më dhimbset Kosova dhe Shqipëria që do të mbeten nën Komunistët.
____________
Haxhi L. Kuqi
DUKE KËRKUAR MIKUN TIM
(Mikut tim Selatin Fazliut)
Ti linde kur dielli perëndonte
Por dielli në zemër kishe
Prandaj gjete strehë kudo që shkove
Në Zarë të Kroacisë të babai i "Lirisë"
Me "Lirinë" ti u mësove
Prandaj torturën përballove
Se një ëndërr në zemër kishe
Si Kosovën të gjallë ta shihje.
E një ditë Ti në Kosovë erdhe
Se n’Kosovë ti mendjen kishe
Por shumë gjak morën prej teje
Se therror këtu të priste.
Natyrisht ti këtë e dije             
Dhe se vej në dyshim fare
Por se doje që gjakun tënd
Ta bëje një me rininë shqiptare.
(Haxhi L. Kuqi: "LETËR POPULLIT IM",
Prishtinë, 1997)


(Vota: 3 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora