E diele, 06.10.2024, 10:48 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Agron Tufa: Intrigë diplomatike

E diele, 26.07.2009, 04:45 PM


Intrigë diplomatike

Nga Agron Tufa

Kjo ka ndodhur në Shkodrën e fillimit të shekullit XX, kur qyteti, siç dihet, ishte nën administrimin e pushtetit osman. Mund ta përfytyrojmë pakashumë koloritin e qytetit asokohe nëpërmjet disa burimeve që na afrojnë fotografitë e Marubit apo pikturat e Kolë Idromenos, përshkrimit të udhëtarëve të huaj dhe situatës kulturore të shoqërive artistike “Agimi”, “Bashkimi” e, sidomos, nëpërmjet veprimtarisë iluministe e kombëtare arsimdashëse të kolegjeve françeskane e jezuite.

Nga njëra anë qyteti hapej drejt kulturës perendimore, duke patur përkrahjen gjithnjë në rritje të Vatikanit dhe perandorisë Austro-Hungareze, por nga ana tjetër pushteti osman që qeveriste, përpiqej të ruante autoritetin e vet, megjithë lëngatën që e karakterizonte për shkak të dezintegrimit të shpejtë politik. Administrata osmane e ndjnente se çdo ditë “i shkiste toka nën këmbë”, përsa ndikimi perendimor depërtonte në çdo qelizë të përditshmërisë, duke krijuar reale të reja, të pakontrollueshme, pak nga pak duke i nxjerrë jashtë loje e duke i shndërruar në fantazma të një kohe të perënduar tashmë.

Kështu në pranverën dhe verën e vitit 1908 me përkrahjen e austro-hungarezëve qe krijuar një bandë muzikore, në fillim për qëllime të ceremonive dhe festave kishtare katolike, e mandej kjo bandë muzikantësh u zgjerua me një formacion të larmishëm instrumentesh muzikorë, që nga veglat frymore deri tek kuartetet e harqeve dhe nisi të japë koncerte çdo të diel në Pjacë.

Në repertorin e këtyre koncerteve përfshiheshin si pjesë instrumentale, ashtu dhe këngë qytetare, romanca, çka solli grumbullime të mëdha qytetarësh. Pak nga pak koncertet në Pjacë u shndërruan në rital javor, në fillim vetëm të dielave në drekë, po mandej u shpeshtuan çdo mbrëmje.

Autoritetet osmane nuk mund ta ndalonin këtë lloj paqësor argëtimi, ani pse nuk u vinte aspak për hosh, ngase po ta ndalonin, do të konfrontoheshin me qeverinë austriake. Por as nuk mund ta linin këtë situatë të vazhdonte më gjatë, për shkak se dallimi kulturor i vendoste përfaqësuesit e pushtetit perandorak osman në pozita krejtësisht inferiore.

Në fillim ata e shihnin thjesht me xhelozi këtë ritual, që ishte në gjendje të mblidhte aq shumë qytetarë dhe ta shndërronte gjithë e më fort ambientin qytetës në festë të çiltër e të gëzueshme, vetëm me një gjest të natyrshëm, pa sforco, - gjest, i cili i grumbullonte njerëzit e atij qyteti pa dallime kulturore e fetare.  

Megjithatë autoritetet e administratës osmane e shqyrtuan situatën, u konsultuan me përvoja të ndryshme kësilloji, dhe më në fund ndërmorën një plan të të detajuar, pa e nxjerrë veten në pah. Ata kërkuan dhe gjetën një të marrë. Jo një budallë, por një të krisur, një përbindësh të fortë, katallâ, të cilit, pasi ia mbushën mirë xhepat me mexhide, e mësuan se si t’ua prishte festën muzikantëve katolikë dhe, njëjtazi me këtë, të provokonin një pakënaqësi midis qytetarëve katolikë dhe myslimanë.

Sipas udhëzimeve të autoriteteve osmane, i krisuri me emrin Hajdar mësyu një mesditë në Pjacë, pikërisht në kohën e koncertit të së dielës dhe, papritmas, me furinë që karakterizon të marrin iu vërsul bandës së instrumentistëve duke i gjujtur në shputa ku të mundte, duke ua marrë duarsh veglat e duke ua përplasur përtokë.

Me atë forcë kafshe që kishte ai, sa çël e mshel sytë, të gjitha veglat e shtrenjta e delikatë u bënë copë e grimë, ndërsa muzikantë e këngëtarë u larguan të tromaksur si një grusht harabelash.

Nuk kishte kaluar ende “uragani” i të krisurit Hajdar, kur xhandarmëria e porositur osmanë çatisi në vend. Siç qe kullandrisur qysh më parë, Hajdar i marrë ia dha vrapit i ndjekur nga xhandarët. Por siç qe parathënë, Hajdari i marrë ia theri vrapit mes asaj zallamahie dhe, i ndjekur nga xhandarët osmanë mbërriti tek porta e konsullatës austro-hungareze.

Dyert e konsullatës u hapën dhe tash Hajdari i marrë ishte nën mbrojtjen e autoriteteve diplomatike të perandorisë Austro-Hungareze. Xhandarët, siç u ishte këshilluar, protestuan me forcë dhe kërkuan që konsullata t’u dorëzonte prishësin e qetësisë publike, vandalin.

Disa herë gjatë asaj dite e ditëve në vazhdim, autoritetet osmane dërguan nota proteste dhe kërkuan dorëzimin e vandalit, derisa çështja mbërriti në Vjenë, duke shënuar një precedent diplomatik ndërmjet dy perandorive. Hajdarin e marrë, për më shumë siguri, e dërguan në Vjenë, ndërkaq që diplomacia austro-hungareze hyri në negociata me qeverinë osmane, derisa mori garancinë prej saj që të mos e preknin Hajdarin e marrë.
 
Hajdari i marrë vërtet u lirua dhe u la i qetë, por banda muzikore, pas asaj dite, nuk arriti të mblidhet më.  


(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora