E enjte, 01.05.2025, 08:40 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Hajro Hajra: Përbuzja maqedonase dhe mikpritja amerikane?

E merkure, 03.06.2009, 07:56 PM


Në 10-vjetorin e ardhjes në Amerikë

PËRBUZJA MAQEDONASE DHE MIKPRITJA AMERIKANE

Nga Hajro Hajra

Dhjetë vjet më parë, pas shumë ditë e net ferri që kishim jetuar, sidomos nga data 24 mars, kur miqtë tanë amerikanë dhe aleatët e tyre kishin filluar bombardimet kundër makinerisë vrastare serbe, pas peripecive që kishim jetuar derisa kishim arritur të kalonim nga toka shqiptare e quajtur Kosovë në tokën shqiptare të quajtur Maqedoni, ku vëllezërit tanë dibranë na kishin ofruar për afro një muaj gjithë ç’mund t’i ofrojë vëllai vëllait, pikërisht më 19 maj 1999, po bëheshim gati t’i linim trojet shqiptare dhe të vinim këtu, në Amerikë. Ndjenja se do të merrnim një udhë të largët në kohën kur Kosova ende po digjej flakë, shoqërohej me një dozë frike e pasigurie. Do të vinim në një vend ku shumëkush ëndërron të vijë, së paku si vizitor, por ne nuk ishim vizitorë dhe nuk po bënim udhëtim turistik...

Ishim nja 500 veta që do të merrnim udhën e këtejoqeanit me avionin që thoshin se do të nisej diku nga mesnata. Ishim të lodhur e të rraskapitur, ngase që nga orët e hershme të mëngjesit ishim marrë me formalitetet që duhej kryer para se të hipnim në autobusë që do të na shpinin në Aeroportin e Shkupit. Na kishin grumbulluar para Sallës Universale, në qiell të hapur dhe silleshin me ne me mospërfillje, me përbuzje. Ishin punëtorët e IOM-it, kryesisht maqedonas, që me atë krekosjen e ndjenjën e superioritetit shëmbëllenin me sjelljet e sivëllezërve të tyre serbë. Përreth Sallës Universale ishte një mizëri njerëzish. Përveç atyre që prisnin për të marrë udhë, ishte dy-trefish më i madh numri i atyre që kishin dalë për t’i përcjellë të afërmit, shokët, miqtë. Pritja zgjatej e stërzgjatej dhe njerëzit ishin ulur ku kishin mundur: në tokë, në beton, në bar.

Egërsia e policisë maqedonase

Pasditen e asaj dite do të luhej një ndeshje basketbolli në ndërtesën rreth së cilës prisnin shqiptarët. Policët maqedonas, të armatosur deri në dhëmbë, kishin ardhur dy-tri orë para se të fillonte takimi sportiv dhe po i shtynin shqiptarët me arrogancë, për t’i shporrur tutje sallës ku do të zhvillohej ajo ndeshje basketbolli. Njerëzit, burra, gra e fëmijë që mezi kishin arritur të shpëtonin nga armët serbe, po habiteshin dhe po pyesin njëri-tjetrin: ç’janë këta njerëz me armë në atë vend ku as protestohej as demonstrohej dhe pse silleshin me aq egërsi? Turma kishte harruar për një çast se ata ishin sllavë dhe sllavët gjithmonë janë sjellë si bisha të egra me shqiptarët, sidomos maqedonasit, një popull me identitet të rremë, të cilët janë kujdesur të sillen me shqiptarët sa më keq, në mënyrë që t’ua kalojnë mësuesve të tyre serbë me vrazhdësinë, me egërsinë dhe me urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve. Dhe, për të qenë e keqja edhe më e madhe, ata edhe sot vazhdojnë të sillen me shqiptarët ashtu sikurse janë sjellë në 50-60 vjetët e fundit.

Aty afër, përreth Sallës Universale nuk kishte tregtore shqiptarësh. Njerëzit e molisur nga lodhja, sidomos fëmijët, kishin nevojë për ujë. Ata të tregtoreve, sapo dëgjonin fjalët shqip, s’i jepnin kujt pikë uji. Fëmijët, po edhe të rriturit, kishin nevojë për tualet, por ata të lokaleve përreth nuk mëshiroheshin, nuk i lejonin shqiptarët të hynin në lokalet e tyre as për punë nevoje. Kalimtarë të rastit hidhnin shikime përbuzëse dhe shfrenin diçka më vete, në atë gjuhën e përzier bullgare që ata e quajnë maqedonishte. Kishte edhe nga ata që gjuanin ndonjë fjalë fyese, sa për ta ndërsyer shfrimin e atyre që po prisnin. Kalimtarë të tjerë, ndërkaq, që flisnin gjuhën e turmës, ndaleshin me kërshëri dhe kërkonin të mësonin ç’ishte ai grumbull i madh njerëzish. Kur mësonin shkakun, uronin rrugë të mbarë e kthim të shpejtë.

Në avion, si në Amerikë

Turmën e kishte zënë aty edhe mesi i natës. Aty nga ora një e ditës së nesërme, më në fund, pasi ishin përshëndetur me të afërmit, pasi shumë prej tyre kishin derdhur lot, njerëzit kishin hipur në dhjetëra autobusë dhe kishin shkuar në aeroport e ishin futur në barkun e avionit të madh “Jumbo Jet”.

Njerëzit sapo kishin lënë një botë krejtësisht tjetërfare, porsa kishin ikur nga ajo atmosfera e trishtë që i kishte shoqëruar gjatë gjithë asaj dite e asaj gjysmë nate dhe aty, në atë mjedis plot komfor të brendisë së aeroplanit, pas shumë e shumë ditësh, javësh e muajsh plot ankth që kishin kaluar në Kosovën e mbërthyer nga lufta dhe pas atyre ditëve të kaluara në mesin e vëllezërve të tyre në IRJM, po e ndienin veten të lirë. Brenda, në avion (shumica po hipnin për herë të parë, por kishte edhe nga ata që nuk kishin parë kurrë aeroplan “përnjëmend”), ishte një botë krejt tjetër. Me një ndjenjë lehtësimi pas atyre peripecive që sapo kishin jetuar, njerëzit po merrnin frymë aq lirshëm, po silleshin aq shpërfillshëm. Po përjetonin diçka të paparë, diçka të papërshkrueshme në jetën e tyre. Atyre po u dukej se ishin në Amerikë. Dhe, pse të mos u dukej ashtu? Stjuardesat silleshin aq mirë me ta, sa dukej se e tepronin me mirësjellje. Ishte një sjellje jo e shtirur, por tepër e natyrshme, tepër dashamirëse. Gjithë ekuipazhi i avionit kishte sjellje të njerëzishme, kështu që udhëtarët kishin ndjenjën se ishin në shtëpinë e vet.

Sjelljet e mira të ekuipazhit të avionit amerikan nuk ishin sjellje e njerëzve që ofrojnë mëshirë, por ishin sjellje të njerëzve që, ndonëse vetë nuk kishin përjetuar tmerre çfarë kishin përjetuar shumica e atyre udhëtarëve që gjendeshin në avionin a tyre, prej  së largu, kishin bashkëvuajtur me ta dhe kishin dëshirë t’ua lehtësonin, aq sa mundnin, ato orë që do t’i kalonin me ta gjatë udhëtimit të largët deri në Amerikë.

Aterrimi në Tokën e Ëndrrave

Dhjetë orë më vonë, pas një pushimi afro dyorësh në Dublin të Irlandës, avioni i madh amerikan me refugjatë shqiptarë nga Kosova po aterronte në Aeroportin “J. F. Kennedy” të Nju-Jorkut. Ndryshe nga ç’e kishin gjetur avionin kur kishin hyrë, udhëtarët e tij, tek po dilnin, po linin aty një rrëmujë të vërtetë. Disa nga udhëtarët e paktë, duke dalë nga ajo rrëmujë, po përshëndeteshin me personelin dhe po u kërkonin falje me gjysmë zëri. U vinte turp se si po e linin brendinë e fluturakes në atë gjendje. Personeli, ndërkaq, me një buzëqeshje të ëmbël e të sinqertë, u thoshte atyre që kërkonin falje se ajo pamje ishte e rëndomtë pas një udhëtimi të tillë shumorësh. E dinim se ajo nuk ishte e vërtetë, por s’kishim ç’të bënim.

Pasi u bë një seleksionim i udhëtarëve (disa do të mbeteshin në shtetin Nju-Jork, por shumica do të vazhdonin në shtete të tjera) dhe pas formalitetesh të shumta, pjesa më e madhe e refugjatëve, hipur nëpër autobusë, u dërguan në Aeroportin “La Guardia”. Ishte një përjetim i rrallë udhëtimi nëpër rrugët e Nju-Jorkut, qytet të cilin e kishim parë aq shpesh në filmat amerikanë.

Nga Aeroporti “La Guardia” një grup 50-60 udhëtarësh fluturoi drejt Çikagos. Për nja 20-30 refugjatë që do të mbeteshin në Çikago, shqiptarët e këtij qyteti, bashkë me amerikanë, kishin organizuar pritje madhështore.

Ishim vetëm dy familje që nga Çikagoja do të vinim në kryeqytetin e Arizonës, Feniks (Phoenix). Pas katër orë fluturimi kishim arritur në Aeroportin “Sky Harbor” të Feniksit. As që kishim mundur ta merrnim me mend ç’numër i madh shqiptarësh e amerikanësh kishin dalë për të na pritur në aeroport. Dhjetëra gazetarë të televizioneve, të gazetave e të radiove po na vërshonin me lloj-lloj pyetjesh që nga momenti kur kishim dalë nga fluturakja e ishim futur në ndërtesën e aeroportit. Ishte hera e dytë që shqiptarët e amerikanët po prisnin shqiptarët nga Kosova, pas një familjeje që kishte arritur aty tri-katër ditë para nesh. Pritjen e kishte organizuar kryetari i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan “Shqipja e Arizonës” zoti Remzi Barolli, bashkë me shqiptarë të tjerë. Përveç vëllezërve tanë, në aeroport kishte edhe mjaft amerikanë të cilët më vonë, gjatë qëndrimit tonë në Amerikë, na u bënë më shumë se miq. Ishte ky fundi i një udhëtimi të stërmundimshëm dhe fillimi i një jete të re, të panjohur...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx