Udhëpërshkrim
Hajdin Morina: Mbresa nga Gjirokastra - qyteti i festivaleve...
E diele, 31.05.2009, 04:10 PM
MBRESA NGA GJIROKASTRA-QYTETI I FESTIVALEVE, I LIBRIT DHE PJESË E TRASHËGIMISË SË PËRGJITHSHME KULTURORE NË UNESKO
Nga Hajdin Morina
Pas rrugës së gjatë, por jo të mundimshme, më në fund arritëm në qytetin e gurtë, në Gjirokastrën e historisë dhe të kulturës shqiptare, në qytetin e Çabejit tonë të madh dhe të Kadaresë, i cili me veprat e veta ka madhëruar jo vetëm qytetin e tij, por mbarë Shqipërinë, duke u dhënë lexuesve dhe librarive të Evropës e të botës vepra letrare ku dominojnë ngjarje të mëdha, brenda së cilave është zhvilluar identiteti ynë kombëtar, me gjithë ato sfida, me gjithë atë vitalitet përballë projekteve dhe programeve të shumta qeveritare e antikulturore që kishin si qëllim parësor zhbërjen tonë, asimilimin dhe mohimin e tërë atij kontributi që shqiptarët i dhanë historisë dhe kulturës botërore gjatë shekujve. Shumicën e teksteve letrare të Ismail Kadaresë i lartëson përmasa e lartë estetike, gjuhësore e stilistike që ngërthen një nëntekst dhe mesazh që jeton gjatë në kohë.
Posa u ulëm në oborrin e kafenesë, në sheshin e Çerqiz Topullit, dikujt i thashë se edhe po të kisha zbritur symbyllas në këtë vend, pasi të kisha vështruar rreth e rrotull shtëpitë, kalldrëmet dhe atje lart kalanë, do ta dija se jam në Gjirokastër, sepse një pamje të këtij qyteti, gati të njëjtë me përmasat e tij reale, e kisha mbrujtur herët në mendjen dhe në kujtimet e mia, qysh si fëmijë kur kisha lexuar disa vëllime letrare të Ismail Kadaresë, sidomos romanin “Kronikë në gur”. Dhe për një moment nxora nga kujtimet ato shtëpi të vjetra, kalldrëmët, njerëzit dhe kalanë, luftërat e këtij qyteti, gratë, thashethemnajat, magjitë, vajzat që i stoliste për nuse Kako Pinoja-të gjitha këto i bashkova me pamjet reale të qytetit të Gjirokastrës dhe të njerëzve të saj, më datën 12 maj 2009, kur zbrita nga autobusi bashkë me përfaqësuesit e ekipit të administratës komunale të Komunës së Klinës dhe të anëtarëve të Ansamblit kulturor “Jehona e Dukagjinit”, të ftuar nga kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, z. Flamur Bime, për të marrë pjesë në Festivalin e folklorit ndërkombëtar “Argjiro 2009” që u zhvillua tri net radhazi në pjesën muzeale të qytetit, nën muret e Kalasë.Grupit tonë i printe kryetari i Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, i cili në natën e tretë të festivalit, solemnisht mori nga dora e kryetarit të Bashkisë çmimin “Qytetar nderi i Gjrokastrës”, pasi pak ditë më parë për dhënien e këtij çmimi ishte vendosur unanimisht nga deputetët e Bashkisë. Në të njëjtën kohë me këtë çmim u nderua edhe Lulzim Jashari, djali i komandantit legjendat të UÇK-së Adem Jashari.
Para festivalistëve dhe para qytetarëve të Gjirokastrës çmimin “Qytetar nderi” kryetarit Sokol Bashotës dhe Lulzim Jasharit ua dorëzoi kryetari i Bsshkisë së Gjirokastrës, z. Flamur Bime, i cili, ndër të tjera, me këtë rast tha: “ Bashkia e Gjirokastrës ka nderin t’i shpallë dy legjenda të gjalla të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qytetarë nderi, z. Sokol Bashota, ish-zëvendëskomandant i UÇK-së, dhe Lulzim Jasharin, djali i Komandantit legjendar Adem Jashari, me motivacionin “Për kontribut të shquar për çështje kombëtare, çlirimin e Kosovës dhe rindërtimin e saj”.
Mbrëmja e tretë e festivalit kishte të veçantën e vet. Gjirokastra veshi kostumin tradicional të këngës dhe të valles së moçme, Gjirokastra duartrokiti koloritin e folklorit ballkanik, këngët dhe vallet që kishin ardhur nga Greqia, Kroacia dhe Italia, këngët dhe vallet arbëreshe që sikur merrnin më shumë bukuri e gjallëri pranë amës së tyre.
U zhvilluan edhe aktivitete të ndryshme kulturore e letrare, ekspozita, panairi kombëtar i librit dhe promovimi i vëllimit me tregime “Vejusha” të shkrimtarit gjirokastrit Odise Kote. Profesorë të Departamentit Gjuhë dhe letërsi të Universitetit “Eqrem Çabej” e çmuan kontributin e autorit dhe rëndësinë e kësaj vepre që me vlerat estetike e letrare do t’i gjejë lexuesit dhe do të jetojë në kohë.
U ndamë nga Gjirokastra plot ndjesi dhe emocion të veçantë. Mikpritja vëllazërore dhe bujare na kishte shoqëruar gjatë gjithë kohës. Mikpritja, nderimi dhe bujaria e kryetarit të Bashkisë, z. Flamur Bime, po ashtu do të më mbetet në kujtesë për një kohë të gjatë.
Rrugës për në Republikën e Kosovës më vinte pas jehona e këngës dhe e valles labe. Më ngatërroheshin tekstet, vargjet, figuracioni i lartë, por diç arrita të murmuritja, diç arrita të mbaja mend, sikur këto vargje: Male e kreshtë ke kurorë/Vellon të mbushur me dëborë/ Zoti vetë ishte skulptor/Të skaliti me dorë/Kur këndoj për ty moj nënë/Brezat mblidhen në këngë, ose disa vargje shumë të bukura për dashurinë e çupës dhe sakrificën e saj për babanë: Se babanë s’e gjen gjëkundi/Të kërkosh qiellin dhe tokën/E kanë thënë i kanë vënë vulën/Çupa për babanë lë kokën.
Nga e gjithë ajo që përjetova në Gjirokastër, më erdhi të them: Të mos e lëmë barin të rritet në rrugët që bashkojnë shqiptarët.