E merkure, 11.12.2024, 12:12 PM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Kur u mundësua jeta mbi Tokë?

E enjte, 09.04.2009, 11:04 PM


Eshtë zbardhur më në fund misteri që rrethonte procesin i cili lejoi oksigjenin të bëhej pjesë e atmosferës sonë

Ka qenë një prej ndryshimeve më të rëndësishme që ka pësuar atmosfera e Tokës dhe arsyeja falë së cilës sot arrijmë të mbushim mushkëritë me oksigjen. E megjithatë, deri tani oksidimi i madh kishte mbetur mister i plotë. Pa oksigjen nuk do të kishte asnjë shans të ekzistonte forma e jetës që njohim. Vetëm kështu u krijua ajri, i cili shkaktoi shpërthimin në sasi dhe shumëllojshmëri të të gjithë organizmave të gjallë, që nga buburreci më i vogël e deri te dinozaurët.

Oksigjeni përbën rreth 21 për qind të ajrit, një përbërës me rëndësi jetike për organizmat e gjallë, falë të cilit zhvillohet metoda më e frytshme e konvertimit të ushqimit në energji, në sajë të frymëmarrjes. Por duhet sqaruar se dikur atmosfera nuk ka pasur oksigjen dhe përgjigjja ndaj pyetjes nga erdhi, ka munduar breza e breza të tërë shkencëtarësh.

Tashmë, një skuadër shkencëtarësh, e drejtuar nga Kurt Konhauser, i universitetit "Alberta" të Kanadasë, ka arritur të gjejë një shpjegim bindës për pyetjen: Si oksigjeni papritmas nisi të akumulohej në atmosferën tokësore rreth 2.7 miliardë vjet më parë, kur format e jetës përbëheshin më shumë nga mikrobe komplekse njëqelizore?

Grupi i shkencëtarëve ka arritur në përfundimin se oksidimi i madh ndodhi në çastin kur një grup mikrobesh që shkatërronin oksigjenin nisi të vdiste, duke lënë hapësirë për një grup tjetër mikrobesh, që në të kundërt e prodhonin oksigjenin. Mekanizmi që e shkaktoi këtë fenomen ishte rënia e pranisë së një metali të quajtur nikel, i cili u pasua nga shtimi gjithnjë e më i shumtë i oksigjenit- dhe i jetës -në Tokë.

Roli i nikelit në historinë e mbushjes së atmosferës sonë me oksigjen është një ide e re. Në rast se profesor Konhauser dhe kolegët e tij kanë arritur te përgjigjja e duhur, kjo gjë do të jetë në gjendje të shpjegojë jo vetëm shpërthimin evolutiv të jetës, por edhe faktorët që i kanë dhënë trajtat planetit tonë, duke qenë se fuqia gërryese e oksigjenit është një prej faktorëve më të rëndësishëm në format e shkëmbinjve, formimin e lumenjve dhe të bregdeteve.

"Oksidimi i madh është ai faktor që ndryshoi në formë të pakthyeshme ambientin sipërfaqësor të Tokës, duke bërë më pas të mundur format e avancuara të gjallesave. Ishte një pikë kthese me rëndësi shumë të madhe në evoluimin e jetës në planetin tonë, dhe po i afrohemi kuptimit të mënyrës si ndodhi", thotë Dominik Papino, i institutit "Carnegie" në Uashington.

Oksigjeni si molekulë është aq aktive, sa zhduket shumë shpejt në rast se nuk prodhohet në formë të pandërprerë. Përqendrimi i oksigjenit në atmosferë sot bëhet falë fotosintezës së bimëve, transformimi i dritës së diellit në energji kimike dhe oksigjen. Mikrobet e para fotosintetike, algat "blu-jeshile" apo bakteret cianike, mendohet se kanë evoluar rreth 300 milionë vjet përpara oksidimit të madh, që ndodhi 2.5 miliardë vjet më parë. Por oksigjeni i prodhuar prej tyre shkatërrohej me shpejtësi nga gazi i metanit, i prodhuar nga një numër shumë i madh bakteresh metanogjenike, të cilat arrinin të jetonin pa oksigjen falë metodës më pak eficiente të respirimit anaerobik.

Këto baktere metanogjenike, të cilat edhe sot jetojnë nën ujë, linin pa oksigjen moçalet e çdo lloj sipërfaqeje të mbuluar me ujë. Por nga ana tjetër, nikeli ishte përbërësi jetik që mundësonte ekzistencën e tyre. Pa një furnizim të përhershëm dhe të pasur me nikel, enzimat vitale të këtyre mikrobeve metan-prodhuese dënohen me vdekje.

Shkencëtarët zbuluan se duke analizuar një lloj shkëmbi sedimentar, i njohur si "formacionet me shirita hekuri", qenë në gjendje të monitoronin nivelet e nikelit nëpër oqeane për epoka shumë të hershme të Tokës, të cilat shtrihen deri në 3.8 miliardë vjet më parë. Zbuluan kështu se kishte ndodhur një rënie e pranisë së nikelit në hapësirën kohore mes 2.7 dhe 2.5 miliardë vjet më parë - e njëjta kohë kur ka ndodhur edhe oksidimi i madh.

"Kohët përkojnë më së miri. Rënia e pranisë së nikelit mund ta ketë përgatitur terrenin për vënien në skenë të oksidimit të madh. Dhe nga ajo çfarë dimë mbi metogjenet që jetojnë sot, pakësimi i niveleve të nikelit do kishte si pasojë edhe uljen e prodhimit të metanit", shpjegon doktor Papino. "Mundësia që nikeli të kishte rol në një ngjarje të tillë nuk i ka shkuar askujt në mendje deri tani. Por studimi ynë tregon se një fakt i tillë mund të ketë pasur impakt shumë të madh në ambientin e Tokës dhe historinë e qenieve të gjalla".

Profesori Kurt Konhauser thotë se ky studim, i publikuar këto ditë në revistën shkencore "Nature", mbështet idenë se këto mikrobe metan-prodhuese e pengonin oksigjenin të akumulohej në masa të konsiderueshme dhe kjo gjë ka vazhduar për qindra miliona vjet.

Shkencëtarët mendojnë se nivelet e pranisë së nikelit u ulën pasi korja e tokës kishte nisur të ftohej gjatë asaj periudhe, gjë që do të thotë se qenë pakësuar sasitë e nikelit të hedhura nëpër oqeane nga brendësia e tokës përmes shpërthimeve vullkanore. "Nga ekzaminimi i shkëmbinjve me shirita hekuri, jemi të sigurt se sasia e nikelit e pranishme në tokë 2.5 miliardë vjet më parë, ra me shpejtësi në gjysmën e nivelit të vlerës së deritanishme. Problemi që shtrohet tani është të zbulojmë se si mikrobet metan-prodhuese kanë reaguar ndaj pakësimit të niveleve të këtij metali. Mendojmë se vdiqën", shpjegon profesori Kurt Konhauser.

Megjithëse oksidimi i madh nuk u pasua nga rritja e menjëhershme e sasisë së oksigjenit që kemi sot në ajër, shkaktoi një rritje domethënëse, e cila nuk u ndërpre kurrë më.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora