E premte, 10.04.2026, 12:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Hysni Cara: Një univers rrëfimesh mes kujtesës dhe realitetit

E enjte, 09.04.2026, 06:31 PM


Një univers rrëfimesh mes kujtesës dhe realitetit ne librin "Mekati pertej detit" të autorit Gjon Marku

Nga Hysni Cara

Libri me tregime "Mëkati përtej detit" i autorit Gjon Marku, ku përfshihen 18 tregime, e lexova me një kënaqësi të veçantë dhe mbeta thellësisht i befasuar. Së pari, sepse në të ndërthuren tema, fabula dhe ndodhi që burojnë kryesisht nga vendlindja, duke mbartur në thelb frymën e Mirditës, edhe pse janë krijime artistike që shtrihen dhe reflektojnë nëpër dekada. Përvoja ime njëzetepesëvjeçare në zonën e Selitës më bën të them se disa prej këtyre tregimeve të japin ndjesinë sikur janë përjetuar realisht në atë hapësirë.

Çdokujt që e lexon këtë libër do t'i mbeten gjatë në kujtesë tregime të tilla si "Babai i Ildës" apo "Kedhi i kulakut", ku personazhi që ëndërron të vazhdojë shkollën, pasi ka përfunduar klasën e tetë, përballet me rrezikun për të pësuar fatin tragjik të një kedhi të mbytur në ujë. Këto episode nuk janë thjesht trillime letrare, por rezonojnë me realitete të njohura nga jeta në kooperativat e Kurbneshit, ku kedhat ngado bliheshin nga kulakët për t'u dorëzuar në kooperativë. Madje, në këto anw shfaqen edhe detaje domethënëse, si rasti i këmbyerjes së një kedhi me një shalqi, vetëm për të shmangur dorëzimin në strukturat kolektive që po krijonin tufëzat e bagëtive.

Vetë libri përshkohet nga një frymë e qëndrueshme artistike dhe një ritëm i natyrshëm rrëfimor. Tregime si "Ora në qostek", "Ara në mes të arës", "Shtriga", "Mëkati përtej detit", "Në kërkim të një heroi", "Mullari i vjetër" e të tjera dëshmojnë qartë mjeshtërinë e autorit në ndërtimin e tregimit. Ato spikasin për gjuhën e përpunuar, strukturën e menduar mirë, karakterizimin e saktë të personazheve, si dhe për sekuencat përshkruese e dinamike që i japin gjallëri rrëfimit.

Në planin tematik, Gjon Marku prek çështje thelbësore, si përvojat dhe sjelljet e emigrantëve shqiptarë në vendet e huaja, duke evidentuar edhe pasojat që sjell shkelja e ligjit në jetën e tyre. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe luftës së Geziqit, ku autori rikthen me realizëm pushtimin nazist dhe ashpërsinë e përballjeve, duke e bërë historinë pjesë të ndërgjegjes narrative.

Në këtë përmbledhje gjejmë gjithashtu tregime të ngjyrosura me humor dhe satirë, si "Pijanecët e qytetit tim", ku ndërthurja e përshkrimit të natyrës me portretizimin e figurave qytetare krijon një tablo sociale të gjallë, shpeshherë ironike dhe therëse.

Tregimi "Nuse amerikane" vendos përballë dy botë: normat tradicionale malësore dhe realitetin modern perëndimor. Konflikti shpërthen në një atmosferë dasme, ku përplasja e mentaliteteve nxjerr në pah kontraste të thella kulturore dhe sociale.

Ndërsa në "Babai i Ildës", autori trajton një ngjarje tragjike - aksidentin e studentëve në Llogara - duke e shndërruar në një rrëfim prekës mbi dashurinë, humbjen dhe aftësinë njerëzore për të gjetur pajtimin. Figura e babait të Ildës mbetet një nga kulmet emocionale të veprës, një portret që ngulitet gjatë në kujtesën e lexuesit.

"...ngjarjet themelore lëvizin në botën e brendshme të personazhit dhe ndikojnë për të zbuluar dinamikën e saj. Subjekti, i mbështetur në veprimin e brendshëm, është gjithashtu formë e realizimit të konfliktit..."

Kjo qasje e bën prozën e Gjon Markut të dallohet për thellësinë psikologjike dhe ndërtimin e kujdesshëm artistik, duke e afirmuar atë si një tregimtar të spikatur në letërsinë bashkëkohore shqipe. Urime dhe suksese në krijimtari të mëtejshme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis” Bajram Çeliku – Bali: Fshati i lashtë “Cërril” në “Kodrën e Kallangoçit” – Cërvicë Albert Zholi: Gjyshja, xhindet dhe "xhindja" e bukur Dukagjin Hata: Dritan Doda, midis artit muzikor dhe artit të punimit të drurit Kadri Tarelli: Ali Balliu në një libër të “veçantë” Viron Kona: Të gjithë derrat një turi kanë! Hysen Ibrahimi: Bahri Shyti - 'Kujt t’i besoj' Shkrimtari Albert Zholi triumfon në Festivalin Poetik “Jehona Shqiptare” Albert Vataj: Luftëtarët shqiptarë që fshehin municionin nën urë, një gravurë që rrëfen historinë e vitit 1903 Ftesë nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës Dibrani Transport uron nga zemra: Gëzuar Pashkët – drita që ndizet në çdo zemër shqiptare Albert Habazaj: Xhemil Duka dhe Mandolina e Lirisë Visar Zhiti: Darka e fundit dhe një degëz ulliri… Albert Vataj: 'Nënë Dolores', Hyjlindësja Mari e shenjtëruar nga dhimbja dhe trishtimi Paulin Zefi: Kulla e Turkajve në Shënkoll të Lezhës, një ndërtesë që meriton vëmendje të veçantë Albert Habazaj: Trinia magjike – Narta, piktura, Vaso Pata Gjekë Gjonaj: Altin Ujkaj - Ylli trevjeçar i folklorit të Malësisë Albert Zholi: Shkurti shkurton urat, marsi mbledh lëkurat Përparim Hysi: Dhe djalli, ndonjëherë, nuk është krejt i zi Milazim Zeqiraj: Në vitet e hijeve, heshtje në kullë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx