Kulturë
Kadri Tarelli: Ali Balliu në një libër të “veçantë”
E marte, 07.04.2026, 06:57 PM

Kadri
Tarelli shkruan:
Njeriu
i mençur nuk kënaqet se iu zgjat jeta e tij, por nëse ka bërë diçka për jetën e
të tjerëve, të popullit të vet.
Agim Shehu.
Poet
ALI BALLIU NË NJË LIBËR TË “VEÇANTË”
“Sportistët më të mirë në vite”.
(Futbolli)
Në
të premten e fundit të Marsit, 27. 03. 2026, një grup shkrimtarësh nga Durrësi;
Shpendi Topollaj, Merita Kuçi Thartori, Zemrita Hereni dhe unë Kadri Tarelli, u
ndodhëm në shkollën 9-vjeçare të fshatit Katund-Sukth, në Komunën Katundi i Ri,
në rrethin e Durrësit. Ali Balliu, specialist bujqësie, tashmë edhe shkrimtar,
përuroi librin e tij më të fundit, “Sportistët më të mirë ndër vite”.
(Një studim, “Monografi”).
Falënderojmë
drejtoren e shkollës, znj. Alma Kaziu, e cila si dashamirëse e librit dhe
veprimtarive letrare, prej kohësh na mirëpret si kolegë dhe miq të vjetër, të
kuvendojmë dhe shpalosim botimet tona letrare dhe studimore, më të fundit. Nuk
ka më bukur për një shkollë, ku nxënësit dhe të rinjtë njihen me shkrimtarët
dhe botimet e tyre.
Përgëzoj
autorin për guximin dhe durimin për të shkruar këtë libër modest, ku që në
titull thuhet “Sportistët më mirë ndër vite”, por që flitet kryesisht
për futbollin, këtë sport magjik, që përfshin gati të gjithë fëmijërinë dhe
rininë e të gjithë vendeve dhe popujve të botës, sikurse edhe të Shqipërisë.
Në
faqe libri autor balliu shkruan, një thënie me vlerë: - ”E dua shumë njeriun
që lakmon të pamundurën”, thotë shkrimtari i njohur gjerman, Johann
Wolfgang von Goethe. (Gëte). Jo më kot edhe miku ynë sportisti dhe tifozi Ali
Balliu e pëlqen, e përdor dhe e ve në jetë këtë shprehje magjike. Ai nuk bëri
gjë tjetër, veç lakmoi dhe realizoi të pamundurën. E nisi si me shaka, por e
mbaroi me seriozitet,
Më
pëlqen hyrja e librit, dhe “Ftesa për të lexuar”, si një udhërrëfyes i urtë që
na merr përdore dhe na çon në fushën e blertë të futbollit, në pallate sporti,
në fushat e volejbollit e basketbollit, në tapetin e mundjes apo ringun e boksit,
ku dëgjohet vetëm bilbili i arbitrit, por edhe brohoritjet e sportdashësve. Në
këto përmbledhje të shkurtër, autori i jep sportit hapësirën mbarë-shqiptare,
në të gjitha trevat ku flitet shqip.
Nuk
kam ndërmend të analizoj përmbajtjen e këtij libri, duke mos hequr kureshtjen e
gjithsecilit këndonjës, por më duhet të theksoj se ky libër është i “veçantë”,
dhe unë vërtet e quaj të veçantë, mbasi përfshin një pjesë të jetës sonë, kohës
së fëmijërisë dhe rinisë, kur mund të merreshim me sport, si një veprimtari
argëtuese, por me vlera të mëdha kalitje dhe shëndeti. Sporti nuk bëhet për të
kënaqur të tjerët, bëhet për t’u argëtuar vetë, për shëndet, forcë dhe bukuri
fizike.
Autor
Ali Balliu, ka gati një vit që ka nisur këtë punë dhe më së fundi e bitisi me
sukses. Ai e di se ç’ka hequr, sa ka lexuar, sa ka shënuar, sa ka udhëtuar e sa
ka shpenzuar, për të mbledhur material, më pas për ta punuar e shkruar, për ta
bërë libër. Cilido nga ne, kur ka në dorë librin, shikon si fillim kapakun e më
pas përmbajtjen, por asnjëherë nuk pyet për mundimin dhe “vuajtjet” e autorit.
Nga
përvoja them, se një libër është i mirë, kur ka brenda jetë dhe mbështetet mbi
të vërtetën. Ndërsa një libër thuhet “I bukur”, kur gërshetohet edhe me artin e
fjalës, frymëzimi dhe magjia e krijimtarisë letrare. Diku kam shkruar: “Mjerë
ai krijues që niset të shkruajë “Monografi”,
pasi ky lloj libri mbetet si magazinë e pa mbyllur, me portën hapur për të
pranuar vërejtje, dokumente të tjerë, që nuk u grumbulluan në kohë. Mos themi
më tej, qejf-mbetjet e personave që janë brenda librit dhe ata që nuk janë
përfshirë në të”.
Me
këtë rast dua që t’i heq merakun autorit, i cili nuk ka dëshirë që dikujt t’i
mbetet qejfi. Nga përvoja po i them: - Mos u mërzit....! Shumë do të lëvdojnë,
por shumë edhe do të shajnë. Unë mund të përmend shumë shembuj pakënaqësie, por
nuk është ky momenti.
Libri
i mikut tonë Aliut, peshon më shumë te “Libri i mirë”, pasi e gjithë
përmbajtja, me emra skuadrash e sportistësh, merr karakterin e një libri
historik dhe historia është plot naze, nuk pranon zbukurime, pasi mbështetet në
fakte, dokumente pa kaluar në frymëzim letrar.
Vlera
e vërtetë e librit është zbulimi i figurave që krijuan dhe udhëhoqën sportin
shqiptar në qytet dhe në fshat. Gjithçka me fuqinë e trupit, mendjes dhe
shpirtit të tyre, për ta bërë jetën më të bukur, më të shëndetshme, duke
shfrytëzuar mundësitë që të afron koha.
Janë
kujtime të bukura të lëvizjes sportive amatore edhe në fshatin Sukth-Katund.
Bëhet fjalë për vitet 1970 e më tej. Gjergj Musteqja mbledh shokët, firmon
skuadrën dhe si pa dashje bëhet “Trajneri” i saj. Madje mundi të sajojë edhe
nga dy kostume sporti për secilin pjesëtar të ekipit. Qeshim kur e kujtojnë
gëzimin dhe mburrjen e gjithsecilit, kur vishej me uniformë sporti.
Në
libër me shumë kursim fletët për një ngjarje të viteve 1992-1993. Në ato vite,
kur ndodhën ndryshimet demokratike, futbollisti dhe basketbollisti Met Kaja,
nga Katundi i Ri, u ndodh në një situatë kritike. Ai sapo kishte filluar punë
në Shkollën e Mesme, që sot mban emrin “Jusuf Hoti”, në Katund të Ri, ku
drejtor ishte vetë autori Ali Balliu.
Mbrapa
shkollës është terreni sportiv, me një fushë të madhe futbolli, me përmasat e
një fushe olimpike. Fushë e mirëmbajtur dhe e drenazhuar vite më parë, me
kujdesin dhe nxitjen e mësuesit të kulturës fizike Pashk Sinani. Në këtë fushë
të lakmuar, shpesh ekipet e Shijakut dhe të Durrësit, vini e zhvillonin stërvitje
dhe ndeshje futbolli. Banorët përreth, duke përfituar nga rrëmuja politike dhe pafuqia
e pushtetit lokal, tentuan të zaptojnë tokën, pikërisht në fushën e futbollit,
për truall shtëpie, me pretendimin se dikur ishte e tyre, që nga koha e
Monarkisë.
Met
Kaja, sportisti ynë, ndërhyn fuqimisht, duke shkulur hunjët e ngulur nga
familjarët, të cilët u tërhoqën përfundimisht. Faqe 68. Kaq mjaftoi. Fusha i mbeti pronë shkollës dhe
rinisë së fshatrave të Komunës së Katundit të Ri.
Qofsha
i gabuar, por ky gjest është i vetmi, për të mos thënë i rrallë në mbarë
territoret e ish kooperativave, ku u prishën terrenet sportive. Gjykoj kështu,
pasi fushat e futbollit në Qerret, Jubë, Shënenprene, dhe Sukth-Katund, nuk
janë më. (fshatra të ish Koop. Katund i Ri).
Më
vjen mirë që, pak dit më parë, Bashkia e Durrësit ka akorduar fonde dhe një projekt,
për të sistemuar fushën, për t’i dhënë pamje stadiumi me shkallë dhe pistë të shtruar
e vizuar. Fusha mbeti pasuri e rinisë.
Faleminderit
Ali balliu. Sa gjëra të bukura lexon e mëson nga ky libër i thjeshtë. Ju vetëm
sa kini hapur portën apo dritaren e krijimtarisë, për të gjithë ata që e duan
sportin dhe kanë nderim për sportistët.
Jam
i bindur se ky libër është një model, ku mund të mbështetet çdo krijues, me
shpresë se kjo punë e nisur do të vazhdojë në breza.
Nuk
ka më bukur, se kur veprimtaria jetësore shkruhet dhe mbetet në histori, si
dëshmi për brezat e rinj.
E
gjithë veprimtari u drejtua nga poete Merita Kuçi-Thartori. Në këtë takim
folën: Shpendi Topollaj, Alma Kaziu, Besim Dema, Gjergj Musteqja, Filip Çela,
Met Kaja, Ylli Mara, Krenar Mema (Drejtor i shkollës së mesme “Jusif Hoti”,
Katundi i Ri, Mes tyre edhe unë që po shkruaj këto pak radhë, duke shtuar diçka
të veçantë:
Besoj nuk e teproj të shpreh edhe një mendim
dashamirë, për artin dhe lëvizjen artistike amatore në zonën e Katundit të Ri,
Ku grupi artistik i Koop. ka marrë pjesë në festivale, jo vetë lokale por edhe ato
Kombëtare, madje edhe në Gjirokastër. E kam fjalën për z. Nikolla Priska, ish
mësues, drejtor shkolle, Kryetar Komune, por instrumentist i kudondodhur,
pjesëtar i grupeve amatore të Koop. Tashmë pensionist. Ai me mandolinën e tij
ka shoqëruar të gjitha veprimtaritë artistike, mos themi edhe takime shokësh e
kolektiva mësuesish e artistësh, jo vetëm në fshat, por edhe në qytete të tjerë.
Kujtesa nuk i mungon, njëkohësisht edhe shumë nga “Artistët” e hershëm, janë
ende gjallë dhe mund të ndihmojnë me kujtime dhe fotografi. Pse mos marrë
mundimin t’i përmbledhë në një libër, ato veprimtari që dikur gëzonin të rinj e
të moshuar.......? E di që ka mundim, por do t’i lesh kohës një dëshmi, për të
kujtuar, e mos u harruar.....!.
Në të tilla kuvend
librash u mbledhshim përherë!
Miku ynë Ali Balliu! Urime
dhe suksese në libra të tjerë!. Nuk besoj se ky është libri yt i fundit.
Kadri Tarelli
Fund marsi, 2026.
Shënim:
Fotografitë dhe “posteri” për Ali Balliun u zhvilluan nga Zemrita Hereni, mësuese
në shkollën 9-vjeçare “14 Nëntori”. Durrës.
Njëkohësisht edhe nga mjeshtri i fotografisë, Fatmir Myftari.
Meritojnë
falënderim dhe mirënjohje.










