Kulturë
Kadri Tarelli: Indrit Cara-Kavaja, Dëshmor i Kombit
E shtune, 04.04.2026, 06:54 PM

Kadri Tarelli shkruan:
“Shqiptarët
janë njerëz të tillë, që më mirë vdesin, sesa të kërkojnë, më mirë mbarojnë në
dëshpërim të vet, sesa të qahen… Ata janë popull tragjik, por një racë
heroike”.
Herman Bernstein. Ambasador në Shqipëri. 1930 –
1933.

INDRIT CARA-KAVAJA, DËSHMOR I KOMBIT
Bie
në luftë për liri, në dheun e Dardanisë. 31 mars, 1999.
Para
pak ditësh, më: 23, të Marsit 2026, erdhi në Durrës, z. Muharrem Shqarri, koleg
në arsim dhe në krijimtari letrare, kryesisht studime historike. Kemi disa vite
që njihemi, këmbejmë vizita dhe natyrisht edhe libra e krijime.
U
ulëm në kafe në sheshin para Postës së Durrësit, ku me ne u bashkua edhe
shkrimtari e publicisti i njohur Shpendi Topollaj. Natyrisht, si fillim,
bisedat e para u rrotulluan rreth shëndetit.
Muharremi
nuk më la të mendohesha gjatë, pasi hapi çantën, nxori librin kushtuar
Dëshmorit të Kombit, Indrit Cara-Kavaja. – “Jeni një grup durrsakësh pjesë e
këtij libri”, - dhe po lexon: - “Dera
e Carave pret ngushëllime”, dhe më tej vazhdoi: - Më, 15. 04. 2000, “Fondacioni
“Sulejman Vokshi”, kryesuar nga Qazim Kreka, kryetar, Salvator Sotiri,
sekretar, dhe Kadri Tarelli, anëtar, nderon me “Fletë nderi” Indrit Carën.
Faqe 185.

Foto
e marrë nga libri
Pse
ta fsheh, më erdhi mirë që kjo ngjarje nuk paska mbetur pa lënë shenjë. E quaja të harruar pas 26 vjetësh, ndaj i
përgjigjem duke shtuar:
-
Po kemi qenë në shtëpinë e Indrit Carës, në Kavajë, fill pas një viti nga
rënia e tij. Na pritën prindërit e Indritit, të cilët ende nuk ishin mësuar me
dhimbjen, ndonëse jam i bindur se asnjë ditë nuk kanë kaluar pa pasur vizita në
shtëpi, nga miq dhe të njohur, luftëtarë, shtetarë e pushtetarë nga vendi dhe
Dardania, madje edhe nga mërgimtarët tanë të shpërndarë në mbarë botën”.
Këtu
më duhet të shtoj, se në po të njëjtën ditë, më 15. 04. 2000, shkuam edhe në qytetin e Kuçovës, te familja e
dëshmorit Astrit Suli, edhe ky i rënë në luftë për lirinë e Dardanisë.
Duke
e parë librin me një lloj kërshërie të shtuar, e zgjas bisedën time: - Sa mirë
bëre.....! Do ta lexoj më nge dhe të bëj një shkrim, pasi po më pëlqen si
formë, pa dyshim edhe si përmbajtje. Muharremi më kujtoi se, 31 marsi, 1999,
është dita e rënies, pra mbushen plot 27 vjet. Kështu po ngutem të lexoj e
të vlerësoj dhe të shkruaj mbi këtë libër “Monografi”, me peshë të madhe në
atdhetari e shqiptari.
Në
fakt janë shkruar shumë libra, nga autorë të ndryshëm, ku secili ka dhe tregon vlerat
e veta, duke derdhur të gjithë mjeshtërinë e fjalës dhe krijimtarisë. Por kam
përshtypjen se libri i i Muharrem Shqarrit, më duket si më i ploti, më i
pjekur, më i arrirë, më cilësori, duke hyrë në shpirtin e intervistave dhe
dokumenteve të vendosur aq imtësisht në libër.
Nuk
kam ndërmend të analizoj përmbajtjen, pasi çdo këndonjës (si puna ime), ka
çfarë të mësojë nga jeta dhe veprimtaria e heroit tonë Indritit: Fëmijërinë, Shkollën
e Bashkuar Ushtarake “Skënderbej”, Tiranë. Më pas emigrimi në Itali, duke
përfunduar në Britani të Madhe.
Autor
Shqarri, kësaj periudhe i kushton një vëmendje të veçantë. Ngjarjet në Dardani,
si rezultat i spastrimit etnik që ndërmori pushtuesi serb, ndaj popullsisë
autoktone shqiptare e prekën shumë. Ishin mijëra shqiptarë që lanë pasuri,
shtëpi e katandi për t’i shpëtuar shfarosjes. Ishte heroizmi i Adem Jasharit që
ndezi zemrat e të rinjve shqiptarë. Ishin këta të rinj nga Dardania që krijuan
UÇK-në, si forcë reale ushtarake, që u ngrit në luftë duke u ndeshur me armikun
serb. Ishin mijëra të rinj shqiptarë nga mërgimi, që u nisën vullnetarë në
njësit ushtarake të UÇK, ashtu si edhe Indrit Cara, që dhanë jetën për liri,
duke mbetur në altarin e kombit. Ishin këta të rinj që u bashkuan me fuqitë e
botës për të çliruar Dardaninë shqiptare.
Në
luftë shkohet për të vrarë, ose për t’u vrarë, me synimin për fitore, me
shpresë se, ai dhe kombi i tij do ta gëzojnë mundin dhe gjakun e derdhur. Të
gjithë duan të festojnë lirinë, por jo të gjithë e arrijnë, duke rënë dëshmor
për dheun dhe mbi dheun e të parëve, duke mbetur në histori.
Kështu,
cilido nga ne, natyrshëm bën pyetjen: - Si është e mundur që Indriti dhe ata
mijëra vullnetarë, lanë punën dhe mirëqenien, që me aq mund e patën krijuar dhe
u nisën në front, pa e menduar se mund të mos ktheheshin. Një idealizëm për t’u
admiruar dhe për t’u marrë shembull frymëzimi.
Natyrisht
nuk është rasti i parë dhe as i vetmi në historinë shekullore e popullit tonë, madje
edhe të popujve të tjerë. Historia është e mbushur me raste të tilla, por po
ndalem në këtë përqasje kaq madhore, me pyetjen: Si lind e ku lind ky heroizëm,
si trashëgohet e përcillet ndër breza.....!?
Pa
hyrë në sinorët e psikologjisë, po them se këto ndjesi të forta për atdheun dhe
kombin, kultivohen në gjirin dhe traditën e familjes, në mjedisin e fisit,
fshatit apo qytetit. Përforcohen në bisedat në “Odën e burrave”, me edukimin në
shkollë nga mësuesit pasionantë, veçanërisht të historisë dhe letërsisë, duke
sjellë shembuj që i bëjnë jehonë këtyre ngjarjeve kaq madhështore në jetën dhe
veprën e heronjve, që shpërthejnë në kohë, popuj dhe vende të ndryshme.
Si
njohës i historisë, mund të mbush faqe të tëra shkrimtarie, por për “Heroin”
tonë, po përmend një ngjarje që ka ndodhur në fisin e Carave nga qyteti i
Kavajës. Është fjala për Ministrin e financave Dr. Et’hem Cara, që mbrojti
thesarin e shtetit, kur Shqipëria ishte ende e pushtuar, tetor 1944. Atëherë,
kur jeta nën sundim kushtonte shumë pak.
– “Fëmijët
i dua, por interesat e atdheut nuk i shkel…!”. - Duke i thënë “Jo”,
komandantit ushtarak gjerman, i cili nguli këmbë për të marrë disa qindra mijë
“Napolona flori”, nga thesari i shtetit shqiptar. Natyrisht për shpenzime
ushtarake”.
Kështu shprehet Bashkim Kadiu, në librin: “Trashëgimia e vlerave në
Olimpin e qytetarisë durrsake”. 2025.
A
nuk meriton një përmendore në një shesh të Tiranës, Ministri, që tha dhe i
qëndroi besnik fjalës së tij…!? A duhet vlerësuar ky qëndrim, si shembull i
ndershmërisë së këtij nëpunësi shqiptar. Fjala pa vepra nuk ka rëndësi.
Vepra është dhe mbetet në përjetësi. Besoj se vetëm këto pak fjalë mjaftojnë
për të thënë se heroizmi nuk lind në truall të shkretë. Veprimi e tij
është dhe mbetet shembull që na nderon, por që na mungon në ditët e sotme.
Model që mbetet në kujtesë për të mos u harruar. Model që frymëzon për t’u
ndjekur nga të rinjtë. Kumti që përcjell është i thjeshtë: Mos ankohemi se nuk
kemi modele të guximit, trimërisë, ndershmërisë, atdhetarisë dhe qytetarisë…..!
I kemi dhe i gjejmë mes nesh, të vjetër dhe të rinj.

Autori
Muharrem Shqarri, si studiues dhe krijues, është përpjekur të jetë sa më pranë
lexuesit, mundësisht të hyjë në bisedë me ta duke i marrë përdore duke i
rrëfyer vlerat njerëzore dhe atdhetare të heroit Indrit Cara. Ai me një rrëfim të rrjedhshëm, gjuhë të thjeshtë,
pa zbukurime, siç i takon një libri me temë historike, shpreh mendim të qarrtë
e të kuptueshëm, të krehur bukur nga fjalët e tepërta, përfshi edhe fjalët e
huaja.
Një
vlerë e shtuar e këtij libri është përmbledhja e të gjithë autorëve të librave dhe
shkrimeve në revista e gazeta që janë botuar për Indrit Carën. Më tej sipas
alfabetit, lista e emrave të përmendur, në libër. Diçka e veçantë, por e bukur.
Nuk e teproj të vë në dukje albumin në fund të
librit, me një renditje të admirueshme që nga lindja e deri te busti i ngritur
në qendër të qytetit e Kavajës dhe në Dardani, në shenjë nderimi dhe përjetësimi
të gjakut dhe veprës së “Dëshmorit të Kombit”, Indrit Cara.
Si mësues i vjetër, që e ngrysa jetën në arsim,
më duhet të shpreh një mendim që po e bluaj prej kohësh: Nuk them kush duhet ta
marrë përsipër, por strukturat shtetërore të arsimit kanë mundësi të mendojnë
dhe të hartojnë broshura të vogla me “Heronj”, si përmbledhje me figura të
tilla me vlera shqiptarie, në ndihmë të shkollave dhe mësuesve. Kam shkruar
edhe diku tjetër: - “Më vjen keq, që shumë herë, mjerisht dhe fatkeqësisht,
marrim si borxh “heronj” nga historia e popujve të botës, kur ne kemi aq shumë
figura të ndritura nga gjaku dhe rrënjët tona, jo vetëm të rënë në luftë për
liri, por në të gjitha sektorët e jetës dhe veprimtarisë njerëzore e shoqërore”.
Duke kursyer përsëritjet, që janë të
panevojshme, po përmend vetëm këto pak vargje, vendosur në kapak të pasmë të
librit:
BASHKËMOSHATARËVE
“Thotë gjaku mos harro,
Moshatarët që nga plumbat bien!
Është ky gjaku, trëndafil lirie.
Dritë shprese për atdheun,
kush ngrihet......!
Drejt të ardhmes ti vrapo,
se zjarr ke zemrën,
Flamur ke këngën.
Bashkohen zemrat si vargmal.
Ku ndrin një ideal......!
Indrit Cara, heroi i luftës për liri, në
Dardani, mbetet i përjetëshëm në histori dhe do të kujtohet në mijëra vjet
përjetësi.
Mirënjohje dhe nderim edhe për ju Muharrerm Shqarri, autor, shkrimtar e studiues, që kaq vërtetësisht, si model frymëzimi, na sillni jetën dhe veprën e heroit Indrit Cara.
Jam i bindur se libra të tjerë studimorë, do të zënë vend në tavolinat dhe bibliotekat tona.
Miqësisht dhe mirënjohje!
Kadri Tarelli
Fund marsi, 2026.










