Kulturë
Kujtim Mateli parashtron katër tezat e tij për Dodonën dhe Epirin
E merkure, 01.04.2026, 06:56 PM
Kujtim Mateli u lind në
fshatin Mazhan të rrethit të Përmetit. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në
vendlindje, ndërsa studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Elbasanit në
degën gjuhë-letërsi shqipe.
Gjatë viteve 1972–1991 punoi si mësues në shkollat tetëvjeçare
dhe të mesme në rrethin e Përmetit. Që nga viti 1992 jeton në Tiranë, ku ka
ushtruar profesionin e mësuesit në disa institucione arsimore.
Ka botuar shkrimet e para letrare në vitin 1980 në gazetën
“Drita” dhe ka bashkëpunuar me shtypin e shkruar, duke publikuar poezi, studime
dhe artikuj publicistikë. Është kryeredaktor i gazetës “Dëshnica”.
Ka mbrojtur me dëshmi në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në
Universitetin e Tiranës gjuhën frënge (1998), greke (2001) dhe angleze (2004).
Është autor i disa librave me poezi dhe kritikë letrare. Ka
botuar 5 libra studimorë për Dodonën dhe Epirin ku mbron katër teza, të cilat u
kundërvihen qëndrimeve akademike të cilat nuk e njohin përkatësinë
pellazgo-ilire të Dodonës dhe Epirit.
Teza e parë: Dodona nuk
ndodhet në jugperëndim të Janinës, në luginën e Carakovistës.
-Autorët e antikitetit e vendosin orakullin e Dodonës ndanë një lumi, kurse në
luginën e Carakovistës nuk ekziston lumi.
-Autorët e antikitetit e
vendosin Dodonën në shpat të malit Tomar, kurse gjetjet arkeologjike në luginën
e Carakovistës që pretendohet si qyteti i Dodonës ndodhen në krahun e kundërt
të luginës, në kodrat e Kozmirasë.
-Autorët e antikitetit e
vendosin Dodonën në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, kurse lugina e
Carakovistës ndodhet në zonën qendrore të Epirit.
-Dëshmitë historike
vërtetojnë se Dodona ka ekzistuar nga lufta e Trojës deri në fund të shekullit
të katërt (të erës së re), kurse gjetjet në luginën e Carakovistës i përkasin
mesit të shekullit të katërt (para erës së re),
deri në periudhën e pushtimit romak (345-167), pra, ky qytet ka pasur më
pak se dy shekuj jetëgjatësi.
-Gjetjet arkeologjike
vërtetojnë se ky qytet nderonte Di Nao,
kurse në Dodonë sipas burimeve historike nderohej Di Dodonen.
- Nuk ekziston asnjë gjetje
arkeologjike që të tregojë se ky qytet mbante emrin e Dodonës.
Teza e dytë: “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit”
Duke u nisur nga dëshmitë e autorëve të
antikitetit që Dodona ndodhej në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, në
kufijtë e Atintanisë ilire, autori përcaktoi qartë kufijtë e Atintanisë në
pjesën jugore dhe juglindore, si dhe veriun e Molosisë në takimin e saj me
Atintaninë. Kjo vijë ndarëse shënjohej me kreshtën e malit të Trebeshinës. Në
perëndim dhe veriperëndim të Trebeshinës, shtrihej Atintania ( Tepelena e sotme
në të djathtë të Vjosës dhe rrethi i Mallakastrës), kurse në lindje dhe
juglindje lugina e lumit të Dëshnicës dhe
ajo e Vjosës. Pikërisht në shpat të malit Trebeshinë, në perëndim të
qytetit të sotëm të Këlcyrës ndodhet kalaja antike (tempulli i Dodonës) dhe
poshtë tij rrënojat e një qyteti antik (rreth 600) që ishin dikur qyteti i
Dodonës. Lugina e Dëshnicës plotëson kushtin që japin autorët e antikitetit:
ndodhet në veri të Molosisë, ndodhet në kufijtë e Atintanisë, ku ekziston ende
qyteti dhe tempulli në shpat të malit,
fusha Hellopia në fund të së cilës ishte ndërtuar qyteti i Dodonës dhe lumi
Dodon ku ndodhej orakulli.
Teza e tretë: Epiri i përket qytetërimit pellazgo-ilir. Gërmimet arkeologjike në
luginën e Carakovistës të bëra prej Karapanos dhe pasuesve të tij, si dhe
ekspozimi i tyre para opinionit shkencor dhe atij public, vërtetuan se ky qytet
nuk i përkiste botës helene, por asaj pellazgo-ilire, që ka lidhje të ngushta
me banorët e Shqipërisë së Jugut edhe në ditët e sotme.
Gjetjet
arkeologjike (statuja, bazorelieve, pllaka, etj prej bronzi ose bakri), të
gjetura në këtë qytet të luginës së Carakovistës, vërtetojnë për një lidhje të
ngushtë të banorëve të antikitetit me popullsinë shqiptare që jeton në këtë
hapësirë që dikur quhej epirote. Ushtari epirot i kohës së Aleksandër Molosit
dhe Piros së Epirit mbante si veshje të tij një qeleshe që është identike me
qeleshen çame dhe atë labe të ditëve të sotme Po edhe banorët e kishin qeleshen
të njëjtë me atë të ushtarit epirot, që do të thotë se shqiptarët janë
pasardhës të epirotëve të antikitetit. Në gjetjet arkeologjike të luginës së
Carakovistës, cyla dyjare që përdoret gjerësisht te shqiptarët e Shqipërisë së
jugut, ka qenë e përdorur nga epirotët e antikitetit. Këto dhe gjetje të tjera
arkeologjike, siç janë dy statujat e Dias së Dodonës të gjetura në Apoloni dhe
Carakovistë, ku hyjnia mban në kokë një takije si ajo e myzeqarit të sotëm,
vërtetojnë se stërgjyshërit e shqiptarëve janë banorët e Epirit antik.
Dallimin
tjetër të rëndësishëm midis etnisë helene dhe asaj epirote e përbën gjuha që
është përdorur në këto dy vende, të cilën e ka venë në dukje edhe njëri nga
oponentët e Karapanos, M.E. Egger, i cili thotë se emrat e përveçëm të gjetura
në luginën e Carakovistës, nuk i përkasin gjuhës helene. Mateli sjell dhe shumë
emra të përgjithshëm të përdorur në Epir që nuk kishin lidhje me gjuhën helene,
duke vërtetuar edhe me dëshmi të tjera të shumta dhe bindëse se epirotët dhe
helenët u përkasin dy etnive të ndryshme.
Teza e katërt: Përkatësia etnike e Dodonës nuk është helene
sikundër e pretendojnë grekët e sotëm, por pellazgo-ilire. Pretendimeve absurde të
grekëve të sotëm se Dodona ka qenë një faltore helene, z. Mateli u ka dhënë një
përgjigje të qartë, mbështetur te dëshmitë e autorëve të antikitetit, që
përgjatë gjithë historisë Dodona është quajtur pellazge dhe nuk e humbi
përcaktorin pellazg as në kohën e
pushtimit romak. Hartat e hartografëve më të
rëndësishëm evropianë provojnë ecurinë e ndryshimit të emrit nga Tomar në
Trebeshinë: Tomar-Tomer-Temer-Tremer-Trebeten-Trebeshinë, që tregojnë se këto
ndryshime gjuhësore i përkasin gjuhës shqipe
Ka botuar mbi 100 artikuj në shtypin e shkruar, në revista
shkencore dhe letrare, brenda dhe jashtë vendit.
Është
anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve me seli në Nju
Jork.









