E hene, 30.03.2026, 11:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Sevdail Hyseni: Vegza politike

E hene, 30.03.2026, 05:56 PM


Sevdail Hyseni

Satirike

Vegza politike

Në Luginë dielli lind me rekomandim,

e hëna s’del pa “vegzën” autorizim;

edhe era kur fryn, pyet me përulësi:

- Te kush të lidhem që të jetoj si zotëri?

Vegza - fjalë e vogël, me peshë e “vlerë”,

si një çelës magjik që hap çdo derë.

S’të vlejnë diploma, as djersë, as dije,

po s’pate vegzë, mbetesh gjithë nën hije.

Në zyrë hyn një zonjë torbën me flori:

- Erdha për nipin, ta bëj shef sektori!

Zyrtari qeshi: - Keni vegzë, oj mike?

- Kam, posi! Në pushtet e vija politike!

Një tjetër u bë brenda natës drejtor,

as shkronjat s’i njihte mirë në fjalor;

por kishte një dajë, një mik të vjetër,

që i lidhte nyjat më fort se cilido tjetër.

E kështu ky rreth qarkor rrotullohet,

ku merita fle dhe mediokriteti zgjohet;

ku fjala e urtë kthehet në ligj konkret:

- Pa vegzë, o mik, as dera s’të troket!

Dhe populli ia thotë këngës pa pengesa:

- O kundrat e zeza, çorapet me vegza!

Se jeta u bë si një leckë e vjetër pazari,

çdo vrimë mbulohet me lidhje “solidari”.

Kur vegza bëhet normë e drejtësia shaka,

nyjat zëvendësojnë vlerat me “temena”;

ndoshta një ditë duhet të pyesim, pse jo:

Të jetojmë me vegza, apo t’i zgjidhim ato?

(Karikatura marrë nga interneti)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx