Kulturë
Blerim Rrecaj: "Rruga e kthimit" ose libri me tregime të freskëta e të mprehta
E shtune, 28.03.2026, 06:50 PM
"Rruga e kthimit" ose libri me tregime të freskëta e të mprehta
Nga Blerim Rrecaj
Kur merr dhuratë një libër është një gjë që të gëzon. Ashtu
siç mora këtë dhuratë nga autori i librit Alban Hajrushi. Është ndjenjë e
bukur, e kjo ndjenjë bëhet edhe më e bukur kur fillon leximin, e kur që me
leximin e tregimit të parë vëren se gjuha, stili, arti i të rrëfyerit të zgjon
ndjenja të bukura. Dhe pastaj kjo mënyrë mjeshtrie e të rrëfyerit vazhdon nga
tregimi në tregim.
Ndonëse tregimet janë të shkurtëra e anojnë kah proza
poetike, ato janë gdhendur e stolisur me fraza e shprehje që paraqesin ambiente
e mjedise, a më mirë të themi përshfaqin një "skenografi jete" me
një, dy a më shumë personazhe, që mbartin histori ku më të dukshme e ku më të
fshehur për sytë e botës, e të krijohet përshtypja se je duke lexuar tregime më
të gjata e më me shumë faqe sesa që janë në të vërtetë, pasi që pas leximit të
vënë në lëvizje mendjen e imagjinatën.
Forca e bukuria e fjalës dhe stili i të rrëfyerit me butësi
e një thjeshtësi të admirueshme sikur një puhi na bënë të shijojmë një gjuhë
poetike e melodioze e harmonike, larg zhurmave e fjalëve të mëdha, larg asaj me
fol sa për të thënë diçka, që herë duket më shqetësuese e herë më melankolike
por e çlirët, e dëlirë, e sinqertë e joimponuese.
Temat që trajtohen në këto tregime janë të larmishme, si një
tufë me shqetësime të kohës që po kalojmë, si bukuria shpirtërore para asaj
fizike, themeli para fasadës, braktisja e vendit, e të afërmëve, ngjarjet e
rënda nga hasmëritë, depresioni e aksidentet, rropatjet për gjetjen e një
shtegu, udhe e strehe, për diç ku shfaqet shqetësimi kur pësojmë nga moskujdesi
nga natyrës, e deri te vetëdijësimi për kthimin e një jete me baraspeshë e
harmoni, për kthim e ruajtje vlerash, për gërshëtimin e së vjetrës dhe të resë,
ku ëndërrohen një jetë plot përpjekje e sfida por pa i munguar gjallëria e cila
siç vërehet dukshëm është zbehur.
Tregimet janë të pasura, të rrjedhshme e kthjellta sa të
kujtojnë një ditë me dukshmëri të lartë pas mjegullave e smogut, ku ne mund të
shohim larg në drejtim të vendbanimeve, maleve, bjeshkëve në jetën mes
lëvizjeve qoftë kur bëhet fjalë për ndonjë ngjarje kur mund të shpërfillet
dhembja e dikujt për një humbje, një pritje, një shqetësim, një melankoli, një
përballim me mundim e dinjitet, një përpjekje për mosdorëzim pavarësisht
plagëve që ka sjellur fati e jeta. Dhe këto plagë të hapura diku nga
shpërfillja, diku nga vetmia, diku nga izolimi, diku nga keqkuptimi, diku nga
absurdi, diku nga moskujdesi, diku nga lakmia e nga një varg shkaqesh e
pasojash të tjera sikur presin të trajtohen, të shërohen, të zgjidhen, të
zbuten ose pakësohen e zvogëlohen për aq sa të jetë e mundur.
Një gjë që e bën edhe më të vlefshëm këtë libër është edhe përçimi
i mesazheve për më shumë përpjekje, qëndrueshmëri, solidaritet e humanitet.
Në këtë kohë turbullirash e trazimesh nga më të ndryshmet ky
libër i këndshëm pos tjerash është një freski e befasi për lexuesit dhe ftesë
për reflektim...










