Kulturë
Tefë Topalli: Gjon Marku - Ëndrrat e shpirtit
E merkure, 01.04.2026, 06:47 PM

Mes të Ëndrrës dhe Realitetit: Poezia e Gjon Markut
Ne
librin
ËNDRRAT
E SHPIRTIT
Nga
Prof. Dr. Tefë Topalli
E habitshme ka qenë dhe mbetet bota e krijuesve në letërsi, jo
vetëm për shkrimtarët shqiptarë, por kudo që janë e jetojnë, që krijojnë dhe
publikojnë. Arti poetik ka brenda të papriturën, figurën, magjinë, hermetikën,
simbolin, historinë, flamurtarët, duelet, krenarinë dhe nënshtrimin, humbjen
dhe fitoren, gazin dhe lotët, kujtimin dhe harresën, vetëmburrjen dhe përuljen,
dashurinë dhe urrejtjen, ëndrrën dhe realitetin... pa fund mund të rreshtojmë
terma si këta. Veç duhet ta dijë lexuesi se në vjershërinë e Gjon Markut ka
mimoza e lot, errësirë e dritë; ka vegime e dhimbje, sfida dhe dehje (jo nga
pija, por nga dashuria), natyrë liqeni dhe zana shtojzovalle, enigma dhe mbretëri
të Alpeve. Gjenden në to skena e tablo dashurie me nuse-hënë dhe djalë
dhëndërr; ka shumë Shqipëri dhe jo më pak mërgim; ka sirena e vajtim qyqeje,
shi e ngricë, heshtje e djallëzi, vulg dhe deputetë, burracakë dhe dinjitarë
morali, kohë e Gjergjit dhe e shqiponjës lart; ka tokë dardane dhe zemra nënash
kosovarësh, ka zënie e të varfër... diku-diku edhe Konstandinë që ngre rrasa
varri për të mbajtur besën!
Shkurt, pa shkelur në
blasfemi, themi se në këta pesë tuba me grupime poetike të autorit, na ngjajnë
si pesë sheshpushime apostolike të Udhës së Kryqit. Në të parin, kryesorin,
autori synon të mos dalë nga natyra e kësaj qenieje që quhet njeri, për të
cilën ka luftuar me shpirt e zemër. Ai ka provuar vetminë, me të cilën,
bashkuar me mallin, ka flirtuar, qoftë edhe duke derdhur lot; ka pritur stinën
e mimozave, që e mbushnin me shpresë, paçka se jo rrallë mbushej me trishtimin
e pagjumësisë.
Poeti është i ndërgjegjshëm
se njeriut i duhet një "Ti", për të fituar në jetë; prandaj edhe i
drejtohet përsëri të birit që ai të mos jetë vetëm një shelg i vetmuar:
"Jeta është e egër, ka Zot dhe dreq,
Ka një fjalë të vjetër që
nuk thuhet keq:
Mos u tut, o bir, ruaju në
çdo shteg,
Nuk mjafton, o bir, të jesh
veç sheleg."
Prandaj edhe autori i drejtohet prapë e prapë të birit - brezit
tjetër - që të trashëgojë... jo pasuri, se nuk do t'i lërë, por dije në jetë,
të cilat duhen fituar vetë me djersë; dhe i thërret me zë të lartë: "Mos e
shqelmo të kaluarën me pendesë... / O bir, ti qëndroji rrebeshit pa u tutë, si
lis..." (f. 16), për të mos qenë asnjëherë qengj i pafajshëm para ujkut të
fabulës ezopiane.
Në sythin e parë, poeti ynë
numëron 12 vjersha, aq sa janë apostujt që ndjekin Mesinë e Dhjatës së Re, disa
prej të cilëve ose e mohojnë, ose e çojnë drejt kryqëzimit; ndaj edhe ai ka
filluar të ndjejë: "...se po troket një dimër i ftohtë / buzëmbrëmja po ia
lë vendin errësirës...", sikur po i troket vdekja! Ai ka jetuar si ka
jetuar, në vetminë e jetimit; por e gërryen meraku për të birin (bijtë e kësaj shoqërie),
të cilët nuk dallojnë nëse qan apo këndon Qoku. Vargu merr pamjen e zymtë të së
ardhmes, nëse ky brez do të jetë i lumtur apo mjeran. Ai rri e shpreson, si
Naimi, dhe beson se shkëndijat e ëndrrave do të mund të jetojnë në dritën e
diturisë.(1)
Aq i madh dhe i thellë
është shqetësimi i poetit, sa nuk i ndahet loti i heshtur; dhimbja, plaga dhe
dëshpërimi e cfilitin përherë e më tepër.
Gjon Marku ka dëshiruar
ditë për ditë në jetë; është rritur në vetmi dhe është ngritur kundër saj.
Prandaj ka pasur vegime që e kanë vrarë shpirtërisht, ia kanë thyer shpirtin
copë e grimë, derisa fjala e parë e zemrës - Nëna, e
mbushur me bekim e jetë – i ka ardhur si prelud i të gjitha dashurive!(2)
Po Nëna iu bë dritë atje
lart, në qiell, mes yjesh; ia shton njëqindfish dhimbjen... dhe biri gjen vend
ta strehojë në një pikë loti të kristaltë... dhe herë-herë e thërret në ëndërr:
"E pashë në ëndërr nënën,
Ç'nur që kish në faqe,
E iu luta ëmbël hënës
T'i çonte një manushaqe...
E zgjoi tek unë kujtime,
Sa nuk plasi zemra ime!"(3)
Dhe kjo nuk ia shuan mallin dhe e lë peng të pagjumësisë, sepse
fjala e fundit i ka mbetur e pathënë! Por ajo, e përjetshmja në kujtime – Nëna – në
ikje amshimi, i ka thënë: "Mos e lër të të përulë vuajtja. Ki shpresë te
Zoti...!" (f. 36).
Autori ka kaluar një
fëmijëri jo të zakonshme: i rritur ndër daja; për këtë arsye kujton gjyshin,
fjala e të cilit i bënte dritë, dhe i dukej sikur ishte ende gjallë. Lotë të
nxehtë sikur ia shuanin qiririn e ndezur për shpirtin e tij...!
Ai ka lënë vragë të
pambyllura, teksa e sheh: me llullë shqope, me mjekër të bardhë, kuti duhani me
eshkën pranë dhe me nur, me fjalën plot dritë në gojë. I bëhet poetit sikur
edhe gjyshi, me shpirt si flaka në oxhak vazhdon t'i përcjellë brezat pas tij,
me merakun që ka sot vetë poeti për bijtë! Është një stafetë njerëzore: nga
brezi në brez, një ligj i natyrës që njeriu ia do vetvetes dhe ia kërkon çdo
ditë...!
Me njëmbëdhjetë poezi, me
regjistra e motive të ndryshme, nis grupimi i parë, kushtuar dashurisë, pa të
cilën poeti nuk mund të rrojë; sepse pa të, njeriut i digjet shpirti, i ikën si
valë deti që puth bregun dhe largohet. E mes valëve rri e shikon vajzën
belkëputur dhe... digjet shpuzë, duke i mbetur vështrimi mbi valë që s'shuhen!
Njeriu, i mbushur me
shqetësimet e jetës, kalon dehje mes miqsh barinj, pranë zanave dhe
shtojzovalleve, atje në bjeshkë, ku – siç thonë – hedhin valle. Ai kalon edhe
gjendje shpirtërore të atilla, sa nuk kupton pse e zë ajo dehje, që nuk i vjen
në kokë nga vera! Ai kërkon gjithnjë mbështetje në gjoksin e dashurisë; atje do
të gjejë gjumin dhe pushimin:
"Ti, kur ëmbël
buzëqesh,
Herë në pyje më ngjan si flutur,
Digjem porsi flakë
eshke.
Herë më dukesh krejt si zanë,
Edhe shpirtin ma ngre peshë,
Buzë lumit sirenë e bukur,
O e bukura e kësaj
bjeshke,
Në buzëmbrëmje nëpër hënë."(4)
Poeti kërkon të bëhet një
me dashurinë dhe e fton të dashurën që të hyjnë brenda njëri-tjetrit dhe ashtu
të mbeten shpirtërisht, edhe pse rrugët e jetës u janë ndarë! Sepse, sipas tij,
në këtë botë antagoniste duhet të vijë koha për t'u dashur, të bëhemi trup me
trup, njësh; kërkon të harrohet ikja dhe ëndrra të mos mbetet përgjysmë, sepse
njëherësh te njeriu mbillet dashuria dhe dhimbja!
Për poetin, dashuria...
Është e shenjtë, dhe kjo
shenjtëri duhet ta shoqërojë njeriun përgjatë jetës. Ai thërret për ta gëzuar
këtë ndjesi të ëmbël, që rrëzon një burrë, siç thoshte Dritëroi i madh:
"Kur
e pashë, thashë: nga ëndrrat vjen,
Si valë e detit, e fortë dhe e pastër;
Një e çuditshme tek unë shpërthen,
Kur vështrimin ndal në syrin tënd të kaltër...
I bashkojmë buzët e njoma me epsh e flakë,
Një lojë e papritur ndizet, gjunjëzohet burrëria.
E luajmë një lojë të bukur që nuk kishte cak,
Sa e ëmbël, e bukur, e shenjtë është dashuria."(5) (f. 55–56)
Poetët shpesh i rendisin krijimet në vargje pa ndonjë logjikë
dhe pa shumë lidhje. Autori ynë, i dehur siç është nga ndjenja dhe hove
dashurie, shpesh hidhet në gjiun e natyrës, tek e kaltërta e liqenit, prej së
cilës vjen e dehet përsëri në Liqenin e Luleve, ku era përkëdhel zambakët e
bardhë. Shpirti i mrekullohet, dhe ëndrra i vjen menjëherë, si në ekstazë; nuk
ngopet me mjegullën mbi liqen, ku, nga bregu në breg, zë e kërcen një Zanë -
ndoshta kshecë uji. E pa vonuar, rrezet e diellit ledhatojnë zambakët nën
melodinë e këngës së zogjve, ndërsa atë e kap malli ta shohë gjatë Zanën, e
cila i fshihet si lojcake; deri kur muzgu i argjendtë bën të zbresë hënën...
dhe në këtë Parnas frymëzimi, autori kërkon të shohë prapë Zanën, që i fshihet
pas zambakëve...!
Janë tabllo pikture me
ngjyra ylberi, që poetët i sjellin shpesh në vargjet e tyre, sepse zemra lyp
pak ngrohtësi netëve të gjata; prandaj edhe nuk mund t'ua kthejë shpinën.
Liqeneve të Lurës, me
shpresë se atje do të takojë Zanën e frymëzimit, kështu që vështrimi i
mjegullohet: në atë bjeshkë të freskët, mes joneve të zogjve këngëtarë, para
valëve e puhizës që fryn mbi liqen, merr guximin dhe futet me not mes liqenit: "Se
do të gjejë të bukurën Zanë..." Por Zana po luan kukamshehtësi me të:
"Përmbi valë zambakët
e fshehin në gji,
E shoh në mes tyre e turrem me not,
Por valët e liqenit e përpinë në thellësi,
E rend mes zambakëve, por Zanën s'e kap dot..." (f. 59)
Lura dhe bukuria e liqenit
(6) e kanë përfshirë të tërin; e kanë shkrirë brenda bukurisë së tyre, në
kërkim të ëndrrës së dashurisë në Fushën e Mëllenjave, ku puthen zambakët, si
në mitet e lashta. Gjaku i gulçon në vena, humbet në vegime, nëpër shelgjishte,
nëpër myshqe ku rrëshqet shtat-holla, në atë harmoni natyre ku vala puth e
përkëdhel bregun pa ndarë dhe pyet veten: Vallë, nën ujë fshihet Zana që
përkund lehtë lulet?
Më i ngarkuar poetikisht na
vjen sythi II, emërtuar "Veç trupit
të lagur si me vesë" (f. 63–85), (7) me plot 22 vjersha, me të
cilat autori ravijëzon gjendjen shpirtërore të dalldisur dhe, në delir - dehur
nga dashuria - përjeton çaste idealisht me të dashurën pranë, ndezur zjarr e
shpuzë të dy:
"Bashkë me hënën nëpër
lumë...
Fshati priste të binte në gjumë...
Në atë buzëmbrëmje porsi vetëtimë...
Humbur në atë magji të thellë...
Thua ngjis malin, të prek qiellin!" (f. 65)
Janë momente magjike në
përqafim... por vetëm imazh nën flokë ujëvare, zhytur në magji, dhe hëna
nusërore, lart me Yjet përreth,
duke parë trupat lagur me vesë! Ka ardhur ajo hije që mbyll derën, ndërsa
heroin e pushtojnë ëndrrat... larg një violine... Të gjitha këto ngjyra në
mendjen e flakëruar e kthejnë atë në nimfë plot epsh, që djegin gjithçka në
zjarrin e prushtë!
Por duket se në jetën e
poetit është thyer diçka dhe, papritur, derdhet mbi të stuhia; jonet e violinës
kthehen në tundim të brendshëm... dhe menjëherë metamorfozë, kur era merr ritëm
të ëmbël, edhe pse bien gjethe pemësh dhe notojnë valët e ujit... dhe ëndrra
merr jetë me një rrëqethje të dehur; veçse imazhi vjen e humbet në vetëdijën e
tij të ndezur dhe ai:
"Ecën
mendueshëm mbi këtë gjethnajë,
Pa ditur nëse flet me vete apo me erën...
E pellgut të liqenit i bie përskaj,(8)
Duke kërkuar mes yjeve fytyrën...!"(9)
Në traditën tonë letrare,
më së shumti dimri sjell ftohjen mes të dashuruarve, por edhe afrimin e tyre,
siç ngjet tek A. Z. Çajupi, i cili shkruante: "Dashuria më mban ngrohtë, /
se pushtoj atë që dua!" Tek Gjon Marku, dimri është idhnak, por zjarri i pasionit
e ndez me ëmbëlsi, në atë ndjenjë të bukur në suazë ideale: "nën ujëvarën
e flokëve ngjyrë limoni."
Dhe ëndrra i kthehet
përsëri, sepse dashuria shndërrohet në enigmë që ai nuk po e zbërthen dot!
Autori shkruan në vetën e parë, jo se do të bëhet subjekt i skenave, ndjenjave
dhe përjetimeve dashurore, por për të ngjitur lart këtë ndjenjë të bukur
njerëzore, qiellore dhe hyjnore, që është dashuria e vërtetë. Prandaj, vargjet
e tij në këtë segment që po shfletojmë kanë aq shumë puthje, idil, afrim dhe
bashkim.
Vehtjesh, shkrirje zemre e
shpirti në një, si në Mbretërinë e Alpeve, ku errësira ditë për ditë i grabit,
ku bishat ulërasin të unta, ku ujku me tërbim ndjek dhinë e egër, ndërsa poeti:
"E
unë në ëndrrën time këtë natë
S'e di çfarë më trazon kështu në zemër;
Vështroj teksa ti zhvishesh nëpër hënë...
Ç'ndjenjë e zjarrtë, dashuria s'ka tjetër emër!"
Edhe fundvjeshta, si simbol
i rënies në moshë, i plakjes dhe i tërheqjes në vetminë e moteve, e mban prapë
të ri njeriun, duke kujtuar puthjen e dy njerëzve pa mëkate, që bekojnë
njëri-tjetrin...!
I sjellin magji autorit
vreshtat, tek avullon toka edhe kur dielli fshihet në det, sepse mbrëmjen ia
bën aq të hijshme dehja nga dashuria! Ndoshta nga kjo dehje ndjenjash në
shpirt, ndoshta-ndoshta, kërkon të sjellë pranë rininë e hovshme, dhe e gjen
veten tek i del para sysh një djalë që rri zgjuar, ka etje dhe pret e pret, si
ai dikur, të bëhet një me vashën... e të dy të strukën, duke përhumbur në
puthje të ngrohta, nëpërmjet të cilave po merrte jetë ndjenja e bukur magjike –
fshehur nga nata (10)
Njëherësh, poeti gjendet në
një mëngjes bore – të virgjër e të pastër, si pëlhurë e bardhë – dhe dallon
vashën të mbështjellë me pallto, me shall e doreza... dhe i trazon shpirtin –
si kujtim i një bore tjetër, që mban fshehur dashurinë e tyre të vjetër!
Pastaj... konfiguracioni i mendjes së tij, i kujtesës së ndezur, e bashkon
vashën me mjellmën që, pas pak, i ikën ngadalë nëpër mjegull...
Fantazia poetike e autorit,
herë-herë, fluturon larg, atje në Muret e Kinës, ku bëhet përdore me vajzën e
hieroglifeve në Ta Huang, endet me të mes ëndrrash, dhe bota vjen e i...
Zvogëlohet... për të sjellë
para syve vajzën me emrin Emë, që
për të është burim kroi i ndjenjës së bukur – ajo që iu kthye në ditëndezje
dashurie dhe që i kujton kur dashuronin me fuqinë e rrufeve, kur kishin jetuar
të dy njëqindfish së bashku! (f. 89)
Është një syth me 7
vjersha: një për qytetin ku kish jetuar Perandori i Kinës, vetmitar; një
tjetër, kur ai me vashën u bënë vetmitarë çift, ku ajo ndjehej femër ndërsa ai
burrë. Dhe, pas skenës së ndezur "burrë–grua", ai kujtohet se paskësh
qenë duke ëndërruar... e prapë... një natë malli, por në dimër, duke sjellë
ndërmend kur rendnin bashkë aq shumë të dashuruar, në natën magjike të puthjes
së papritur të pagjumësisë!(11)
Pa mëdyshje, themi se
autori ynë mund të quhet poet i dashurisë shpirtërore dhe materiale, pasi ai na
pikturon skena ngjyrash të bukura: me rreze hëne, mëngjese të ëmbla, ngjyra të
dehura rozë, me ëndrra në gji, me gjokse që djegin, përpëlitje shtrati, durim
të fshehur; me shelgje tek ura, mbërmje hënësore, rrugë të mbuluara me bar e me
harrim, me shelg të braktisur... me lodrime vese në palë fustani, sy me
kaltërsi qielli, butësi gjethesh, gurgullimë krojesh pranvere...
Dhe "Pak nga pak" (f. 101), pa
pritë, kapërcen në strofa gjashtëse me varg të lirë, por pa braktisur rimën e
ëmbël; provon struktura të palëvruara brenda një fraze, shtrirë në dy strofa,
si në hyrjen e poezisë **"Pak nga pak"**(12), ku çdo lëvrues i gjuhës
mund të gjejë ndërtime me interes për t'u parë e shënuar, deri edhe në një
tekst shkollor, në shpjegimin dhe njohjen e përbërësve funksionalë brenda
fjalisë e më gjerë, siç është rasti i kundrinave homogjene me qëndër varësie të
njëjtë, çka në stilin letrar fokusojnë vëmendjen e lexuesit.
"Në faqen prush e buzët flakë,
me ndjenjën e bukurnë gjak,
përjetuam atë magj pak nga pak,
Tek sythi V, të duket sikur
ke hapur lirikat e Lasgushit, e liqerit pa kufi, ku autori ynë merr e rreshton
poezitë e bukura me moriv popullor, vënë në 8-rrokësh, si Nusja hënë e djali dhëndërr.82 Na vjen si tekst kënge folku, gati për pentagram; po kështu edhe
kënga tjetër në tetërrokësh "Oh moj ti buzëpaputhura", ngjan me krijime lasgushiane, kuptuar kjo qoftë edhe me dy
strofat e mëposhtme:
"Në
atë të bukur pranverë
Moj e bukur porsi flutur,
Rendën lëndinave si erë; krojesh rend ti porsi zanë:
Edhe humbën si në ëndërr e gjat', e hollë, e belkëputur
Nusja hënë e djali dhëndërr, eja ti, moj, më rri pranë!" (f.
104, f. 107)
Edhe në lëmë të leksikut,
autori shfaqet e përafrohet me fjalësin e rrallë popullor të poetit pogradecar,
pasi përdor dendur leksema e sintagma poetike, si: perlë e bukur, kroje, zanë,
shtatlartë, belkëputur, ngjalë, rrëshqet, prek, druhem, syri, mall, veç një
fjalë, zemër, qiell, perëndi, nderet, terri, zbehet, zënë në faj, ëndrra thur,
puthje e saj, plot muzë, kurmi yt i hidhur, plagë e hapur, shërim, plot grahma,
plagë dhëmbshurie, etj.
Vënë në vargje brenda një
strofa, ky fjalës krijon efekte stili e poetizimi jo të zakonshëm, me stilema
që vetëm frymëzimi i lartë mund t'i sjellë:
"Ik,
po të vish prapë e bukur plot muzë,
Ik ti bashkë me diellin, por unë të pres;
Të vish si zanë, të puth në buzë;
Eja ti, me diellin që rilind në mëngjes:" (f. 106)
"Mbrëmë,
kurmi yt i hidhur si vrer,
Si plagë e hapur që s'ka shërim,
Si rrugë pa dalje e diku e prerë,
Si një shpat mali që s'ka një burim." (f. 108)
Edhe kreu VI, gjallon me silueta të ngrira
përqafimesh, ka motive idili mjaft të dukshme, brenda 8 vjershave. Midis tyre,
në të parën, autori e ndjen se dashuria duhet shpërndarë në mbarë njerëzit; ai
kalon nga veta e parë tek e treta në shumës:
"Mjegulla u kishte
zënë rrugën yjeve
Shikoj silueta të ngrira përqafimesh
Kur vashat mbushin bucelat krojeve
Aty shkëmbyer mes zjarrshikimesh." (f. 110)
Por, prapë, autori kërkon
ta gjejë modelin e të dashuruarit tek ndjesitë e veta – kthehet në vetën e parë – në një natë të acartë,(14) kur zë e thërret me tërë
forcën e brendshme të tij.
Shpirtit:
"Të lutem, në ëndërr
sërish të më vijsh,
Se shpirti po më shembet si gardh,
Po mjerisht s'kam ku të gjej sërish,
Tani të fsheh në lotin tim të bardhë."
Prandaj ai pret e pret
pranë shelgut lotues, që vetëm ata e dinë, ngaqë dëshira i nxit pa skaj, sa një
mal!
Netët i kalon në vetmi, pa
imazhin e ngrirë të saj, dhe shpërthen në vargje që presin të bëhen këngë, me Puthjen e dashurisë (f. 114), kaq afër
e pranë me strofa lasgushiane:
"Nën fustanin ngjyrë
të artë
Fshihen gjinjtë porsi perla,
Ç'bukuri mbi vete mbartë
Me magji mes ëndrrash ngela."
E gjejmë pranë poezive të
liqerit autorin tonë, edhe kur merr e provon vargje 12 e më tepër rrokjesh, si
te vjersha e thurur mjeshtërisht "Një
yll i largët që mban pranverën në sytë e pafaj"; janë 5 strofa me 20
vargje, të cilat nisin me fjalën e poetizuar "Vdiqa..." dhe
mbyllen me një ditë loti e dhimbje në fytyrë.
Autori ka humbur diçka, jo
diçka lëndore, por ka humbur nga dashuria e provuar gjatë:
"Vdiqa rrugëve, në
kërkim të dashurisë së humbur,
Muzgrreshkur më gjen mes pishave gjethegjilpërë,
Lotët rreshqasin si vesa e natës prej yjeve qëndisur,
I ulur mbi ëndrrat e mendimeve, tek unë zemërvrarë." (f. 116)
Edhe
në këto çaste dëshpërimi e dënese, poeti ndjen e sheh Shkëndijën
e dashurisë, arrin të ndërtojë skena me vështrime tek gjoksi i harbuar i
vashës, të shohë zjarr të shkimur, flakërim brenda vetës, të depërtojë tek ai
shikim i vezulluar i saj, t'i ndizet prapë shkëndija e shuar, i afrohet një
nimfë epshi, e ëmbël dhe e çmendur, ndjen magjinë e humbur, ndjenjën dhe
dehjen, ëndrrën kristal
Në pjesën e tretë,
titulluar "Luftova për të mbetur
njeri", autori pëson metamorfozën reale të plagëve që ka marrë e...
Po merr Atdheun, ai bëhet
njësh me vendlindjen dhe gjithë dheun që quhet Shqipëri, dhe hedh vështrimin e
thellë tek varret e të parëve: ku ka plagë e shtojzovalle, djem të ri që rendin
drejt ikjes, kulla që tashmë heshtin e nuk bëzajnë, se kanë mbetur vatër me të
moshuar, të cilët nuk tunden – si shkembenj të rëndë – në vend të vet, me pleq
që pyesin të rinjtë:
"Bir, kujt do t'ia
lëmë vorret?"
Janë vorre, jo vetëm me
kufoma mbuluar me dhe, por vorre që kanë brenda tradita, zakone, gjuhë dhe
besim, përpjekje dhe përballje, të rënë dhe të pakalbur, që thërrasin njësoj si
plaku i kullës – mbetur në vetmi.
Ikja masive ka plagosur
Shqipërinë; hapat e mërgimtarit trokasin ndërgjegjën e atyre që kthejnë kokën
pas, por nuk kthehen ende, megjithatë në zemër e mendje sikur dëgjojnë qyqet që
këndojnë, çka në idiomën tonë popullore ka kuptimin "qajnë":
"Qyqet këndojnë buzë
mbrëmjes mbi degë të thatë,
E furtuna shpërndahej gjer
në palcë të tokës,
E mallin e pashterrur mbi
lotin e kristaltë më latë,
Kur mora udhën e mërgimit e
rend rrugëve të botës." (f. 124)
Sepse ikja, që sjell çdo
ditë të zymtë, do të thotë të mbetesh pa atdhe, duke ëndërruar imazhin e nënës.
Autori ndjen thellë pasojat e ekzodit që përfshiu e po përfshin vendin e tij,
dhe shpërthen në pyetje kundër plagës së këtij fati pesëqindvjeçar:
"Ç'është kjo gjamë e
ky mëkat?
Ku do të shkojmë, s'ka
atdhe tjetër!"
Ai kalon edhe përtej asaj
që nuk duhet thënë:
"I them Zotit, na ke
harruar,
Mos dhe zanat na kanë
truar!?" (f. 126)
Të ikurit i kthyen shpinën
truallit të vjetër pa bekime nënash, bekim që nuk do ta gjejnë në asnjë
"parajsë tokësore". Për poetin Gj. Marku, përsëri në brigjet e detit
shqiptar, po pret "vajzë e valëve" – jo një, por qindra që kanë pasur
thurur ëndrra për djemtë e larguar; mbyten ato në vaj, digjen e përvëlohen se
ata ikën përmbi valë... gjëmon Otrantoja tragjike që mbështolli djem e sirena
poshtë dallgëve të pashpirt!
Motivet letrare dhe poetike
për ekzodin tragjik të shqiptarëve janë të shumta, me vargje e lotë, dhimbje e
plagë që nuk mbyllen asnjëherë: për autorin tonë, në dhe të huaj, pi heshtjen
në vetmi, metaforë që shpreh më tragjikën e tragjikeve: harron të flasësh, nuk
njeh më gjuhën tënde as vetë, as ndër brezat që lindin larg tingujve të ëmbël
të shqipes!
Ai shkon tek kulla e vjetër
dhe pyet:
"Ku jeni?!?"dhe i
gjegjet heshtja – pret të takojë dikë:
"Kur burrat
mblidheshin në oda për kuvend...
Kur fjala ishte fjalë e
drejtë e zinte vend!"
Dhe lëshohet në pyetje të
dëshpëruara, prej të cilave nuk merr asnjë përgjigje, bash prej asaj krahine që
ka vënë gjoksin në mbrotje të trojeve shqiptare:
"Pyes
se si u tret e fundit jehonë e malësisë,
Si u shua, u tret krejt, e shkmesur burrëria!
Oh! kishte ikur në mërgim ajka e djalërisë,
Në fakt, nuk kishte dalë në shtije Shqipëria!"(15) (f. 133)
E mundon poetin vaji i
qyqes (pa thënë më "këngë e saj"), e mundojnë dënesat e mekura,
kishat e lashta mbetur pa lutje, hija e rëndë e odave të mëdha, nuk ndihet më
erë e bukës në çerep, pa njerëz; edhe tufanet egërsohen bashkë me ujqit që
ulurojnë kep më kep; ndonjë gjysh vijon me gjysmë zëri të pyesë:
"Kujt ia lini
varret?!?"
Në këtë dhimbje e plagë
shpirti, poetit ia ka ndodhur diçka: kujton kohën e moshës së dashurisë, kur ka
ikur se...
Nuk kishte rrugë tjetër,??
sepse kishte harruar imazhin e saj; janë bërë tashmë si dy ekstreme: ajo u
shfaq çuditshëm dhe nuk e kthen më kokën prapa. Ai që ka thurur vargje dehëse
për kohën e dashurisë është bërë aq i fortë sa të pohojë se me largimin prej
saj nuk i mbetej më asnjë peng! Veçse zjarri i ndezur qysh në rini i ka mbetur
si plagë, si pikëllim, por, megjithatë, nëpër dënesa shiu?? as në ëndërr nuk e
mban më! As edhe për ta pritur nuk e pret më, sepse rrugët me të u ndanë,
ëndrra u shndërrua në trillim të trishtë; ajo lutet me përgjërim, por djali ka
njohur se ajo
"Djallëzinë brenda
vetës mban fshehur!"(16)
Në pjesën IV, autori u kthehet
temave shoqërore, kritike dhe, herë-herë, shpërthen në satirë e sarkazëm ndaj
tipave pa dinjitet e moral, ndaj karaktereve të pasinqertë, servilë e
puthadorë, impozantë e kolltugofarë, shefa e drejtorë fyes e mendjefyçkë...
madje edhe kolegë me dy fytyra. Ai ka vënë emërtimin "Vulgu", por jo
me ngjyrimin e një shtrese pa identitet, pa format karakteri etj.
Kuintesencën e secilës prej
poezive të këtij cikli mund ta sjellim me pak vargje, qoftë edhe me nga një
strofë të përzgjedhur satire e sarkazme, si më poshtë; kërshëria e natyrshme do
ta nxisë lexuesin të shkojë tek gjithë vepra e autorit tonë dhe t'i receptojë
më mirë në brendësi të tyre:
Kolegut E.Z.
"Shpirtin të mbushur akull si në Himalaja,
Pale kur zvarritesh pa fund e pa skaj;
Rrin strukesh si struci kokën duke fshehur,
Një kockë për të lëpirë, trullosur si i dehur."(17)
D r e j t o r i:
"Mirëmëngjesi, more drejtor!
Si ka nisur për ty dita?
Po të presin në oborr,
Lum si ne, na erdhi dita.
Fajin ta ka koka,
Drejtor, o i pafytyrë;
Nuk të kishte faj bota,
Ike me fytyrën nxirë!"(18)
Ti, more
shef:
"Servilosesh pa përtesë,(20)
Flet e ç'nuk thua, o i marrë,
I thur lavde gjithnjë vetes,
Por si vemje hiqesh zvarrë."(21)
V u l g u:
"Ju që dini të bëni veç elozhe,
E dini ta hidhni vallen sipas avazit,
Që përdridheni si të jeni loze,
Pas çdo fjale të shefit ia jepni gazit."(22)
Mbeti
gomar:
"Në zyrën e vjetër, si teatri me maska,
Trutharë, shefi gomar hakërrohet çfarë paska?
E i mjerë Xhepat mbush plot, pasurohet pa hije,
Ani se s'ka mend, drejton krejt pa dije!"(23)
Deputetëve:
"Shtërngoni nofullat, rrudhni ballin,
E grushtin përplasni mbi tavolinë;
Të varfërit, jetimit ia shtoni hallin,
Të vuajë, po e bëni Shqipërinë!" (f.161)
Kam frikë:
"Trembem kur rrëzohen, bien dashuritë,
Më trembin, neverisin gjithë hipokrizitë;
Kam frikë nga fjala që s'mund ta mbaj,
Më shumë nga pabesia dhe nga budallai!"24)
E për fyti:
"Tashmë ua besoj fatin erërave,
Atëherë e flas me yjet, në zemër të natës;
Ju mbërthejnë: Shoh lukuninë e maskarenjve,
Njerëzit e vuajtjen në teh të lopatës."(25)
Ai faqezi:
"Njoh një njeri – diçka si shelg të përkulur,
Në kërkim të unit të humbur rend përditë,
Mendimet si ujërat e turbullta nën urë,
Stuhinë e fjalëve pa fillim, pa fund gëlltit."(25)
Shpirtrat:
"Eh, shpirtra që humbin nëpër errësirë,
Çdo hap i tyre është klithmë e heshtur,
As në varr për ta nuk gjendet mëshirë,
Të pasoit as dheu s'ka për t'i tretur!"(27)
Burracaku:
"Ngrihet kryet vrik, si shelg i thyer pa emër,
Oh, tundur nga era e një brenge të vjetër;
Për ku turret, kërkon një unë të shprishur,
Si në kornizën bosh me mendim të fishkur...!(28)
O shef:
"Kokulur, ti zvarritesh si zhapik,
O i biri e drejtorëve dhe këpucët u lëpin;
I horit, klith para tyre si qen kone besnik,
E kurrë si servil s'e lë zakonin!"
Pjesa e pestë, me titullin "Ia rriti ngado nderin dhe lavdinë
Shqipërisë", grupohet prej autorit në 5 sythe. Nis me Heroin Kombëtar,
Gjergjin me shpatë, siç thuhet në dallim nga Gjergji
me penë – për autorin e LM.
Për Kastriotin e Madh ka
shumë e shumë vjersha e poezi të frymëzuara dhe emblematike, nga tradita jonë
letrare, nisur me Barletin (prozë) e në vijim përgjatë shekujve, nga poetë të
kohës sonë.
Zë fill vjersha me një
strofë-kuje e vajtimi prej Stambolli, ngaqë u shduk ushtria e sulltanit:
"Mbeti ushtria krejt
në Shqipëri,
Gjeneralët heshtin e s'bëzajnë;
Ç'është ky lajm, ky kob i zi,
Nxin Stambolli anë për anë!"
"E n'flamur po bëjnë
be,
Me mbrojtë gjuhë e atdhe,
E me mbajtë besën e Zotit,
U prin Gjergji i Kastriotit!"(29)
Kruja, Gjergji e Skënderbeu
ngrihen lart me krenari prej poetit, i cili shpërthen në pyetje retorike, duke
arritur karakterizime radhazi për Heroin Kombëtar:
Ia shëroi plagët Arbërisë.
Ia ndali turrin duhisë.
Kush ua ktheu nderin bijve
të...
Solli lirinë, moj shqiponjë.
E gjeti forcën e...
Ku e mori guximin a në...
Rendin shqiponjat lart.
E gjete forcën, o Gjergj, o
Skënderbe...
E mbyll këtë me këngë ndarje atdhetare autori, me 5 strofa
gjashtë-rrokëshe, me rimë të alternuar (ABAB), si një provë se poeti Marku di
të laryshojë poetikën e tij në tregues, metri e rime; ai na përngjason këtu me
vargjet naimiane të poemës së gjatë Histori
e Skënderbeut:
"Po të pret atdheu,
Malli prush në gji,
Mbyt në lot e gjamë,
Vështrimin si rrufe,
Po iu gjëmon dheu Si
shqiponja dhe ti,
Burrave nën këmbë. Lirinë
solle në atdhe."
Katër poezi të ciklit II
ruajnë motivin atdhetar, dhe Shqiponja e lirisë në flamur hedh flatrat sipër
Mirditës, mbi male, tek sheh zanat lugjeve pranë krojeve plot magji; ai sjell
ndërmend djemtë viganë kur mbrojnë kalatë e pamposhtura përmbi kepe...! I këndon
autori ynë Mirditës – vendlindjes së tij – tek kuvendojnë Bjeshkët e
Nënshejtit, me furtuna, vetëtima e bubullima; sepse bijtë e saj nuk e falin
vatanin plot thesare, burra nga Valmori e Selita, Mali i Shenjtë e Vela iu
sulen osmanëve për t'iu ndalur hovin, duke vdekur për troje të të parëve!
Shqiponja e lirisë, simboli
historik i këtij trualli, mban Arbërinë ndër flatra; autori i kthehet fshatit
të lindjes, katundit që lumi e ndan më dysh, ku mbi konakët nuk del më tym i
bardhë, nuk vjen erë e bukës, zë e bërtet: "Ku jeni, o njerëz?!?",
por merr përgjigje: vetëm heshtjen! Është një heshtje që e vret vetëm kroi që
buron nga shkëmbi... dhe vështrimi i varet mbi varre, lënë askujt... dhe zëri i
mekur i atit për të birin:
"Kujt ia lini, djalë,
ju që keni ikur?!?"
Nuk mungon në vjershërinë e
Gjona Markut tuba e zjarrtë me vargje këngësh kosovare, nisur nga zemrat e
Nënave Dardane, para të cilave toka është përgjakur, e ato bekojnë djemtë që
janë ngritur nga Bjeshkët e Namuna, të mbronin adheun nga barbarët e kohëve
moderne... Nuk jepen shqiptarët, mbasi simbolin e Arbërisë e mbajnë në zemër
dhe derdhin gjakun për atme... Ata bëhen rrufe që flamuri i lirë të valvitet.
Mbyllet vëllimi Ëndrrat e shpirtit me
një tufë vjershash kushtuar pensionistëve, të varfërve në fatkeqësi, lypsarit
dhe zërit të tij, që me gojën e poetit thur vargjet:
"Ka kohë që gjumin e
bëj mes ëndrrash,
Ku zogj mishngrënës
fluturojnë pa ndalur;
Më vijnë e krrokatin pa nda
mes zërash,
Vdekjen time thërrasin, ah,
të rraskapitur!"(30)
Është në natyrën e
krijuesit të vërejë çdo gjë rreth vetes; bie fjala, nuk kalon pa u hapur në
besedë me plakun që pi kafe dhe gjeneron sentencën për këtë kohë bishtdhelpër,
sepse, sipas tij: "Barrën sot ta vënë, o bir, përsipër!"
Të qëlluara janë edhe
poezitë Kostandini – kalorës,
ngritur nga varri për Besën e dhënë; po kështu vjersha Kohët kanë dashur ta zhdukin Shqipërinë
nga harta, Hijet e të vdekurve, Kënga e Stuhisë dhe Cigani.
Asnjë krijues nuk mund të
gjenerojë vetëm ar e argjend në poezi, në tërësinë e një vëllimi apo edhe
përgjatë një cikli me motive të gdhendura bukur, por themi në këtë mbyllje të
faqes poetike se autori ynë ka prirje për vjershërim, njeh teknikën e thurjes
së vargut, di të ndërtojë strofika të goditura gjuhësisht dhe rend pas
zgjedhjes së fjalëve, ose arrin poetizimin e tyre. Herë-herë ai bie në rimarrje
motivesh, por jo në tërë strukturën e sjellë; mund të gjejmë tek ky shkrimtar
segmente që dalin të përafërta, por prapëseprapë ka risi, figuracion dhe rend
të larmishëm, si me përvojë tashmë prej vitesh, ndryshuar, çka tregon pjekurinë
dhe formimin e tij të përgjithshëm prej krijuesi.
Literatura
1. "Ëndrrat
e shpirtit" – poezi, EMAL, Tiranë, 2025, f. 18–19
2. Po ai,
po aty, f. 26.
3. Po ai, po aty,
f. 31.
4. Po ai, po aty,
f. 51.
5. Po ai, po aty,
f. 58–59.
6. Po ai, po aty, f. 60–61.
7. Po ai, po aty, f. 63–85.
8. përskaj – për
anash, për fund.
9. Gjon Marku, Ëndrrat e shpirtit – Poezi, Emal, Tiranë 2025,
f. 74.
10. Po ai, po aty, f. 83.
11. Po
ai, po aty, f. 93.
12. Po
ai, po aty, f. 101.
13. Po ai, po aty, f. 104.
14. Po
ai, po aty, f. 111.
15. Gjon Marku, Ëndrrat e shpirtit – Poezi,
Emal, Tiranë 2025,
16. Po
ai, po aty, f. 138
17. Po
ai, po aty, f. 146.
18. Po
ai, po aty, f. 148.
19. Po
ai, po aty, f. 152.
20. Po aty, po ai, f. 153–159.
21. Po ai, po aty, f. 157.
22. Po ai, po aty, f. 158.
23. Po ai, po aty, f. 160.
24. Po
ai, po aty, f. 162.
25. Po
ai, po aty, f. 163.
26. Po
ai, po aty, f. 165.
27. Po
ai, po aty, f. 166.
28. Po
ai, po aty, f. 167.
29. Po
ai, po aty, f. 2007.
30. Po
ai, po aty, f. 2007.









