E diele, 05.04.2026, 12:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Ukaj: Stublla

E shtune, 04.04.2026, 06:42 PM


Ndue Ukaj

Stublla

Shikoj teposhtë andej kah pafundësia

dhe shoh si rrokullisen kujtimet e zvetënuara

si dhembja për gjëra që nuk kthehen më kurrë,

malli për retë e bardha të fëmijërisë

që na godasin si breshër mërzie.

Një ditë, medoemos, kthehemi te pasqyra

dhe nxjerrim nga ajo fëmijërinë tonë,

kujtimet e zhubravitura si një letër që nuk dimë ta lexojmë – ose si diçka që ka marrë fund përgjithmonë.

Kur isha fëmijë, ngjitesha nëpër kodra e mblidhja qershi

dhe e shikoja në horizont botën si fruta të ëmbla.

Se fëmijët horizontet gjithmonë i pandehin të pafundme, univers dëshirash me shije qershie,

si buzët e ëmbla të dashurisë,

derisa vjen një ditë kur dëshirat vogëlohen, vyshken.

Si ecet shkallëve të jetës

kur je i shkapërderdhur nëpër mijëra udhë?

Ppyetje e mallkuar, ekuacion me krejt të panjohura.

Shikoj kryqin e vjetër në majë të Stubllavaçës:

është histori që rrëfen mistere – na rrëfen edhe ne.

Dhe kujtoj kohën

kur nënat tona nuk përkundnin ëndrra të këqija,

por ato vinin vetë.

Dhe shoh se një stinë nuk ndërron kurrë në jetën e njeriut:

kur është në vendin e lindjes

dhe ndien hapat e nënës kur ishte e re

dhe sheh djersët e babait kur ishte i ri

dhe dëgjon përrallat e gjysheve

të kërrusura në pragun e vdekjes.

Një stinë përherë është e re në jetën e njeriut:

kur ngjitet malit të kujtimeve

dhe shikon rreth e përqark,

pastaj shtrihet fushave,

rrethuar me shikime përmalluese,

ku sheh gropat e lojës kukafshehtas

dhe këqyr qiellin e numëron yjet

si dëshira të orëve të para të jetës.

Një stinë nuk ndërron kurrë në jetën e njeriut:

kur e përqafon malli për njerëzit

dhe atë mall e lidh si një zinxhir fati

që ia kujton kohën, shtëpinë.

E vendlindja është një rrjedhë e madhe,

me lumenj që përshkojnë fushat e derdhen nëpër yllësi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx