Kulturë
Albert Habazaj: Trinia magjike – Narta, piktura, Vaso Pata
E diele, 05.04.2026, 06:53 PM
TRINIA MAGJIKE: NARTA, PIKTURA, VASO PATA
Marathonomaku
gjeografik UNIVLORA në shërbim të turizmit kulturor
Nga
Albert HABAZAJ
Marathonomaku
gjeografik UNIVLORA ishte një
veprimtari e bukur, e mirë dhe e dobishme, që zhvilloi Universiteti “Ismail
Qemali” Vlorë dhe tregoi edhe një herë, se me veprimtari të tilla tw spikatura vlerësohesh
në qytet, del nga “akuariumi” akademik dhe i çel hapësira universitetit.
Maratonomaku
UNIVLORA mblodhi në sallën e madhe “Ali Asllani” miq të kulturës, të vargut, penelit, pentagramit, të skenës,
të arsimit, qytetarë e dashamirës, pjesëmarrja e të cilëve dha kënaqësi, tek
ndanim së bashku çaste të rralla e të bukura qytetarie.
E quajta
veten me fat që isha i përzgjedhur si një ndër dy kumtuesit e kësaj veprimtarie
të veçantë jo vetëm për universitetin, por për mbarë komunitetin e qarkut të
Vlorës! Me këtë rast, patjetër që e falënderova Rektoren e Universitetit
“Ismail Qemali” Vlorë, prof.dr. Aurela Dai Saliaj, që edhe pse tashmë jam në
pension, ka vlerësim dhe besim për mua dhe unë i jam mirënjohës atij
Univestiteti, që e pata shëtip të dytë e “hëngra bukë” një çerek shekulli.
Shpreha
dy fjalë në atë veprimtari të quajtur: “Narta përmes pikturës”, duke pasur si
trampolinë librin vizionar me të njëjtin titull të kulturologut, fizikanit
artist, poetit të fizikës, Vaso Pata, njërit nga emrat më të shndritshëm të
arsimit në Vlorë. Ky libër është porta shkrimore në rrafshin e turizmit
kulturor për Nartën, të cilës i janë kushtuar rreth 200 piktura. Me këtë
veprimtari nisi udhëtimin Maratonomaku UNIVLORA: një vendbanim, një histori. Jam
i bindur që sfateta e Maratonomakut UNIVLORA do të vijojë në vendbanime të
tjera me histori dhe kulturë.
Vaso
Pata është një aristokrat shqiptar i fizikës, njeri me fat dhe fatlumturisht
mirënjohës ndaj vendlindjes dhe visareve të saj njerëzore dhe natyrore. Ai
tashmë është i çertifikuar si monografist i simboleve të Vlorës në pikturë,
monografist i Nestor Jonuzit - njërit nga 14 Piktorët e Popullit që ka Shqipëria,
gjithashtu Vaso Pata është firmëtari i parë i “Nartës përmes pikturës”.
Jam
në një pozicion të vështirë, sepse Rektorja, me rrënjë nga Narta e bijë mësuesish
më besoi të bëj këtë paraqitje, ku unë dua të flas e të mos resht për trininë
magjike: Narta, Piktura, Vaso Pata, sidomos për Vaso Patën nuk dua të pushoj,
por, por, do të përpiqem të mos mërzis as veten, jo më juve e do të mundohem të
flas sa më shkurt, veçse ne ndaj jemi mbledhur, që të kalojmë sa më këndshëm e
dëlirësisht këtë festë kulturore.
Së
pari, Narta … është magnet, tërheq, ka energji pozitive. Kjo kartolinë e trishtë me bujarinë e saj i
ka falur artit rreth 200 piktura, ndoshta rast unikal krahasuar me të gjithë
fshatrat e tjerë në Shqipëri. Kaq mund të them për Nartën.
Së
dyti, piktura… si vetë emri që ka, është mrekullia e ngjyrave që na fal peneli.
Ne kemi me se krenohemi: të famshmen Shkolla Vlonjate e Pikturës. Kaq mund të
them dhe për pikturën.
Së
treti, Vaso Pata, që plotëson dhe i jep frymë shkrimore kësaj trinie magjike:
“Narta. Piktura. Vaso Pata”. Këtu mendoj se vlen t’i shpreh dy fjalë:
Vaso
Pata ka lindur më 8 dhjetor 1945 në fshatin Nartë. Shkollën e mesme e kreu në
gjimnazin “Ali Demi”, përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të
Natyrës, dega e Fizikës, 1964…
Por kujtoj që
në vitin 2007 kam botuar në gazetën “Ndryshe” një shkrim me titullin “Rriten
përmasat e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, ku, ndër të tjera shkruaj:
“I mirënjohur në Vlorën arsimore e njerëzore, simbol i mësuesit të vërtetë, me
një përvojë të gjatë pedagogjike dhe emër të respektuar në Drejtorinë Arsimore
Rajonale të qarkut të Vlorës,Vaso Pata është një nga ikonat e fizikës
“vlonjate”. Ai nuk ka titull shkencor të mbrojtur, por ai është profesor i
shumëve me tituj. Ai studion, shpjegon, shkruan, boton, krijon e përherë
punon me vullnet balzakian në fushën e tij.
Ka botuar
disa libra metodikë dhe popullarizues të shkencës: Metodikë për zgjidhjen e
problemeve të fizikës I dhe II, Sekretet bërthamore, Nobelistët, Metodikë
për zgjidhjen e problemave të fizikës (ripunuar), Problema të zgjedhura fizike
për klasat VI, VII, VIII.
Vaso Pata ka
një përvojë mbi 35-40 vjeçare në arsim duke dhënë lëndën e fizikës, pothuajse,
në të gjitha llojet e shkollave nga Kuçi në Delisuf e Dëllënjë, nga Orikumi në
Dushkarak e Shkozë, si dhe në gjimnazin “Halim Xhelo” Vlorë. Ka punuar me
nxënës pjesëmarrës në olimpiadat lokale e kombëtare të fizikës. Prej vitit 1993
punoi si inspektor e metodist pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale të Vlorës. Krahas
punës si inspektor, ka dhënë lëndën e metodikës së fizikës në Universitetin
“Ismail Qemali” të Vlorës. Ka organizuar disa olimpiada lokale e rajonale me
nxënësit e klasave VI, VII, VIII.
?shtë autor
i një numri të madh tekstesh fizike për shkollat 9-vjeçare, të mesme e të
larta. Studentët thonë: “Na vjen turp kur jemi në auditor para tij aq të
papërgatitur. Ai na mësoi metodikën e fizikës. I jemi mirënjohës”.
Vaso Pata ka
një stil të veçantë të shkruari. Fjala vjen, te “Metodika për zgjidhjen e problemeve të fizikës”, librin e ka
konceptuar në dy pjesë dhe përmban metodën e zgjidhjes së problemeve të fizikës
së përgjithshme, shoqëruar me 1000 probleme, gjysma e të cilave janë të
zgjidhura. Libri, duke perifrazuar thënien e një statisti të njohur amerikan, -
sqaron autori, - nuk synon t’u jap peshk nxënësve, por synon t’i mësojë ata që
të peshkojnë vetë.
Te libri “Sekretet bërthamore” autori shpalos
dijet e tij në funksion të admiruesve e kuriozëve të shkencës për sekretet
bërthamore, ato të natyrës shkencore, teknologjike e ushtarake, për
jetën dhe veprimtarinë e personazheve kryesore të fizikës
bërthamore, për historinë e zhvillimit të saj.
Te “Nobelistët në fizikë” merita e autorit
është se ka bërë një libër ku flitet për nobelistët e fizikës, për jetën dhe
veprimtarinë e tyre, nga viti 1901 deri në vitin 2001. Ka dhe indeksin e
fituesve të çmimit “Nobël” në të gjitha fushat.
Vaso Pata ka
gjurmët e tij në arsmin e të gjitha niveleve në Vlorë, jo vetëm si mësues e
metodist, por patjetër edhe si një pedagog që solli risi bashkëkohore në
universitet.
Vaso Pata është i njohur në qytet dhe gëzon mirënjohjen qytetare,
fituar me jetën dhe veprën e tij në edukimin e sa e sa brezave. Ai është nder i
arsimit në Vlorë, mësues, inspektor arsimi, pedagog i lëndës së fizikës në
Universitetin “Ismail Qemali”, autor tekstesh mësimore, i monografive
shkencore, një metodist model, njohës i shkëlqyer i pedagogjisë dhe psikologjisë
shkollore. Përveç punës së dobishme që ka bërë me tekstet mësimore të fushës
dhe librat metodologjikë, ai spikat edhe me tekste informative për nobelistët
apo “Sekretet bërthamore”etj., me
heronj të shkencës e viktima të dijes.
Është
mjeshtëria e autorit, që dobinë e shkencës na e bie bukur, sa të na ngjallë
emocione e të na sjellë kënaqësi. Ai është burrë zotni e mendjehapur, që guxon
e futet në detin e gjerë e të thellë të diturisë me stilin e tij të preferuar
të “notit”. Vaso Pata punoi për vite e vite të tëra në një ndërmarrje të
vështirë por lakmuese, legjendare por torturuese, me një këndvështrim
krahasimtar por lavdërues, siç janë “Simbolet
e Vlorës në pikturë”. Dhe ia doli mbanë e faqebardhë, falë edhe mundësisë
si koleksionist i veprave të artit, si mik i artistëve, si intelektual guximtar
me intuitën profesionale të vëzhgimit, si dhe duke qenë një studiues i
vëmendshëm, i pasionuar dhe këmbëngulës ndaj vlerave qytetare dhe kulturore që
na dhurojnë piktorët me koleksionet e tyre të bukura, aq mbresëlënëse.
Pata
fatin që të jem autor i parathënies së monografisë “Nestor Jonuzi” së Vaso Patës, ku, ndër të tjera, përshkruhet dhe udhëtimi
i gjatë i miqësisë të Fizikanit artist me Piktorin e ditur. Atë monografi nuk
do ta quaja ngushtësisht një libër të Vasos për Nestorin. Vaso Pata shkruan për
dritën dhe shpirtin e Vlorës.
Vaso
Pata e do shumë vendlindjen, ndjenjë kjo që e shpreh natyrshëm dhe me një
krenari fisnike për nartiotët e tij personalitete të njohur si Nikollaq Andrea
Qirko, Kristaq Andon Pata, Aurela Aleko Dai Saliaj, Alfred Apostol Shuta,
Kleopatra Skarço Dokle, Mihallaq Vangjel Qilleri, Fane Seva, Lefter Diamanti,
Nasi Xhuveli, Llazar Petro Nasto, Fredo Berberi e të tjerë mendjehapur, duarartë
dhe bujarë; për shtëpitë, rrugicat, kishat; për lagunën, kriporen, shijen, aromën
dhe ngjyrat; për kavalonën e Nartës dhe të piktorëve; për ishullin e Manastirit,
si një simbol të pikturës vlonjate. Ai ndjek me vëmendje dhe falënderime ata që
bëjnë për Nartën, ku ka lindur. Nuk ka se si t’i shpëtojë Vasos fakti që
“Nestori ishte edhe piktori i parë vlonjat që zbuloi dhe shijoi magjinë e
rrugicave të Nartës”.
Kavalona
e parë në arkivin e pikturës vlonjate është në teknikën e akuarelit e Vasil
Talos, i cili është dhe pionieri i Shkollës Vlonjate të Pikturës, siç e quajti
kritiku Kudret Velça.
Fizikën
dhe pikturën i bashkojnë edhe ngjyrat, të cilat Vasoja i zotëron shkencërisht,
ndërsa piktorët me motive Narte, që nga Vasil Talo, Skënder Kamberi, Nestor
Jonuzi, Adrian Devolli, Agim Haxhiraj, Agim Sulaj, Agron Jakupi, Alfred Nini,
Alfred Shuta, Anesti Diamanti, Anila Kondi, Arsen Kurti, Artan Shabani, Bujar
Kapo, Bajram Mato, Drini Shehu, Edi Kojani, Edmond Diamanati, Engjëll Dine, Erald
Dine, Klaus Hyso, Kristaq Pavli, Koço Zhezha, Panajot Vido, Petraq Stefani, Pëllumb
Bylyku, Pirro Stefa, Ornela Zoga, Rakip Shabani, Renato Doko, Roland Runaj,
Viktor Bejkosalaj, Xhorxh Talo, Ylion Belaj, Zeqir Alizoti etj., i përdorin
mjeshtërisht, duke njohur mirë dhe shijuar sipas rastit (motivit, gjinisë)
“gradacionin” e ngjyrave (në vaj, akuarel, tempera, laps, etj.).
Autori
ngre një shqetësim për humbjen e vlerave autentike të trashëgimisë kulturore,
sidomos të kulturës materiale dhe jo vetëm me banesat e vjetra, aq
karakteristike. Jo vetëm në Nartë, “Sot shtëpitë e vjetra po shëmben. Vendin e
tyre po e zënë shtëpi të reja shumëkatëshe. Rrugicat po zhduken njëra pas
tjetrës. Pas disa vitesh s’ka për të mbetur më asnjë prej tyre. Ato do të
mbijetojnë vetëm në tablotë e Nestorit dhe piktorëve të tjerë vlonjatë duke
fituar në këtë mënyrë vlerën e dokumenteve të pazëvendësueshme.
Ngaqë
librat e botuara të prof. Vasos, qoftë ato të fushës së arsimit, metodologjisë,
mësimdhënies, qoftë botimet shkencore apo të fushës së artit i kam përfshirë në
dy bibliografitë e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë (2006, 2023), nuk do të
ndaloj në zbërthimin e tyre orientues për lexuesin për të mos dalur më tej
objektit të këtij takimi.
Dua
t’i mbyll këto dy fjalë dashamirëse në këtë ditë
falënderimi për trininë magjike, duke iu bashkuar urimit që bën dramaturgu dhe
shkrimtari i njohur shqiptar, inxhinieri gjeolog Mihallaq Qilleri nga Narta, për
intelektualin e shquar të Nartës, mësuesin, pedagogun, kritikun dhe publicistin,
mikun e tij të hershëm Vaso Pata: “Libri
i tij “Narta përmes pikturës” është një kontribut tjetër në njohjen e shkollës
vlonjate të piktorëve aq të shquar, por edhe një dokument historik për vendbanimin
e madh të nartiotëve. Vlerat e këtij botimi e kapërcejnë thjeshtë shkrimtarinë.
Në kushtet e shembjes së banesave të vjetra e lagjeve autentike, brezat tanë të
ardhshëm do të kenë me se të mburren”.
Që
Narta të mos e humbasë magjinë për piktorët dhe kënaqësinë për vizitorët,
vertikaliteti duhet t’i kthejë të dy sytë nga kjo qytezë fantastike, për tu
kthyer bijtë tek nëna, për të lulëzuar mërgata e luleve në kopshtin e saj.
Veprimtaria “Narta.
Piktura. Vaso Pata” u zhvillua më datën 27 Mars 2026, ora 13:00, ditë e premte,
në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, në sallën e madhe "Ali
Asllani".











